Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Gjon Kamsi e kostumet tona
E shtune, 17.08.2024, 06:54 PM
GJON KAMSI
E
KOSTUMET TONA
Pergatiti
Fritz RADOVANI
Kujtojmë në 130
vjetorin që asht le Atdhetarin dhe dijetarin e Shkodres, të madhin dhe të perjetëshmin
kolos të kulturës sonë Gjon KAMSIN.
Shkodra nga Familja
Kamsi ka kujtimet e paharrueshme të dy dijetarve: Gjon dhe Kol KAMSIT, të
cillët me veprat e veta mbetën dijetarë të një epoke të pakrahasueshme aqsa të
vështirë aq dhe të guximëshme.
Gjon Kamsi ishte
dhe mbeti perjetësisht Miku i Luigj Gurakuqit, po edhe e vazhdoi veprimtarinë e
Tij atdhetare deri në diten e fundit të jetës së vet, plot telashe dhe kercnime
nga rrethanat e vështira antikombtare.
Sot Shkodra
Atdhetarit Gjon Kamsi i ka borxh një Monument të madh mu në qendren e Shkodres,
perballë Mikut Tij Luigj Gurakuqi. Vetem tue pasë parasyshë thesaret që Gjoni
ruejti mbasvdekjes së Luigjit dhe që ata i solli në muzeun e Shkodres (ku besoj
janë të rujtuna), deri tek teshat e shkyme të Luigjit që kishte të veshuna në
momentin e vrasjes, e janë një nga provat ma besnike të një miku si ishte
atdhetari Gjon Kamsi.
Gjoni jo vetem i
solli ato në Shkoder, po edhe i vendosi në vendin e tyne, tue dokumentue me
vepra se kush ishte Miku i Tij Luigj Gurakuqi.
Ndoshta Gjon Kamsi
ka krye një veper atdhetare atëditë kur i solli tek ajo shtëpi që u shemb, po
per të pranishmit ajo veper asht e paharrueshme!
“DARSMA SHKODRANE”
PUNUE NGA PIKTORI KOL IDROMENO (1924)
E kurr mos e
harroni Emnin e Atdhetarit Gjon Kamsi, që nuk lejoi që të shkrryhen në
kalldramet e Festivalit Gjinokastres kostumet e Shkodres!
Po, edhe Rozafa... vazhdonte
punen e Saj: “Me u mëkue disa Burrave me qumështin e vet, ata tipare të
pavdekshme të Trojeve Ilire, që Ajo i ruente thellë nder temelet e gurt’ e Saj
historikë!
Kostumi kombtar i Shkodres, trashigohej dhe ruhej si
rrelike nder shtëpijat tona!
Nëse nuk perdorej... Ai shihej në të gjitha dhomat e
pritjes së shtëpijave të vjetra, kjoftë edhe nder fotografi që vareshin në krye
të vendit. Stergjyshët tanë vazhdonin me na nderue edhe ne!
Arkat e vjetra të grave ishin të kudondodhuna me
thesaret e Etnografisë sonë kombtare.
Kostumi kombtar shkodranë i grave shihej nder disa
raste i veshun nga gjyshja ime Ninja e Pjeter Prennushit, Lezja, nana e Gasper
Ugashit, Maria e Gjon Mark Shllakut Rusit, Zina e Kolë Dajës, Ninja e Kolë
Gurashit, Shaqia e Shan Tarrnakut, Silja e Zef Krajës, Katrina e Gjelosh
Shalës, Roza Krroqi e ndonjë grue që koha më ka shlye emnat e tyne. Edhe gratë
kosovare që jetuen në Shkoder, binin në sy per veshjen e tyne kombtare e shumë
të bukur tue fillue prej të shoqes Zef Batalakut, Luigj Shalës, Mati Thaçit,
Pashko Berishës, Tade Shirokës etj...
Kostumi i grave shkodrane e tham pa pikë dyshimi se
asht i papersëritshëm edhe nder vendet tjera të qytetnueme. Bukuria e tij tregonte kulturen shekullore që
trashigohej nder breza.
Ishte i vetmi kostum kombtar i
mbetun në një qytet Martirë, në Shkoder; mbasi nder qytetet tjera të Shqipnisë
veshjet e tyne kombtare ishin “asimilue” nga turqit, sllavët dhe grekët.
Prandej, dhe ai duhej perçudnue mbas viteve 1967, ashtusi, mendohej me e
shpartallue edhe Shkodren! Këte fakt e verteton edhe “Festivali Folklorik i
Gjirokastres”.
Fara e qytetnimit Europjan në
Shkoder mos harroni, nuk shqimet kurrë!
Pata fatin që nga familja shumë e vjeter Kamsi njoha në vitin 1978, në
moshen 84 vjeçare Burrin e dijtun e trim, mikun e Luigj Gurakuqit, Gjon Kamsin.
Një ditë më dha një leter që i kishte shkrue Kryetarit të Institutit Folklorit
në Tiranë, shokut Profesor Zihni Sako. Sigurisht, me shpresë se ajo leter do të
shkojë në zyret dhe tavolinat e të gjithë atyne po i thomi “profesorëve” (ose
edhe ma naltë), që mendonin dhe punonin pa pushue me turpnue veshjen e Grave
tona Shkodrane.
I kerkova leje me e
kopjue! Ai më dha atë të drejtë, tue shtue që “mbasi t’a lexoj, me i dhanë
pershtypjen time per permbajtjen e saj!”
Unë do të
botoj letren e plotë dhe pergjegjen e sh. Zihni Sako,
“Shokut Profesor
Zihni Sako, Drejtuer i Institutit të Folklorit Tiranë.
Shkoder, me 30
Tetuer 1978.
Në Festivalin
folklorik të Gjinokastres i zhvilluem sivjet, më ka ra në sy paraqitja e grues
shkodrane, e kerkueme, si thonë, në veshjen e saj, pa brenavekë fill në këmishë
e tlina.
Nji paraqitje e
tillë e kerkueme nuk dihet perse e me ç’ qellim folklorik ka pasë jo pa arsye,
nji gjykim të randë nga ata qi kanë ndodhë ta shofin qysh në çfaqjen e parë, qi
asht dhanë në nisjen e grupit folklorik të Shkodres per Gjinokaster.
E asht per atë
arsye e të botës së pranishme, vendase e të huej në atë çfaqje festivali, qi po
due të theksoj gabimin e randë të ndryshimit të veshjes së grues shkodrane, nga
me brenavekë në atë me këmishë e tlina me bohçe perpara. Ndryshim qi nuk difton
asgja folklorike e estetike.
Brenaveku nuk asht
ashtu si mendohet nji veshje e thjeshtë me kinda por nji veshje mëndafshi të zi
a vjollcë, me kambësa gajtani të kuq e qendisje mbi cohë të kuqe, lulesh me
tehri të zezë, qi mërrijnë te pulpat e kambës dhe me të perparme, aty ku lidhet
në bel me ushkur, nji ermaç të madh në trajtë zemre, edhe ky i qendisun po
ashtu mbi cohë të kuqe me tehrina të zeza. Per rreth belit, mbi brenavekë, ka
brezin e mëndafshit shumë ngjyrash. Mandej, brenaveku nuk
veshet fill mbas tlinave të ndjeshuna trupit, por mbi të bardhë me
kinda, per nji dukje ma të hieshme të brenavekëve mbi trup.
Prandej, brenaveku
në punimin e veshjen ndjekë nji kujdes të posaçem të terzis per kambëzat e
ermaçin, dhe të grues.
Grueja shkodrane
nisë veshjen fillim e mbarim kështu:
a. Ma parë, njiheri me tlinat, nji fanelë të hollë
me mangë, e bardhë ose e drandofilltë, të veshuna per mish: Fanela e
gershetueme në qafë me nji kordelë, qi lidhet në gushë në trajtën e nji
flutres.
b. Të bardhat pambuku me kinda me këmishen harkat
siper fanelës, me qafë e me grykë, e punueme me gjylpanë.
c. Jeleku mëndafshi me lule, merthehet në bel me
fodulla të qendisuna me ar e lagjyhera, me komçe të punueme nga argjentarët;
d. Brenavekët me brez të mëndafshit si u tha ma
naltë;
dh. Mbi
krye me flokët të lidhuna bishtalec, ven sallmanin të qendisun me tertil e
lagjyhera e inxhi, i merthyem mbi krye me nji lidhcë të gjanë, të
qendisun gjithashtu;
ë. Sipri
sallmanit degermia e qendisun me lule, fije mëndafshi të bardhë e diku nëpërte
edhe fije ari, e cila, merthehet mbi krye rreth lidhcës së sallmanit dhe bije
krahëve mbi xhybe.
e. Xhybja
– pa mangë, e punueme me cohë të kuqe dhe e qendisun me leheri të zezë, me lule
e pikla të kuqe. Asht e punueme e artit të terziut edhe në premjen e saj, dhe
sa e ndjeshun per shpinë aq e gjanë mbi brenavekë dhe, në hapjen e saj kah
parzma asht e stolisun me sumulla vezake mëndafshi, të zeza me majuca të kuq o të
mëndafshta t’ arta.
f. Kambët
me çorapë të shkurtë të pambukët a të leshtë, të bardhë simbas stinës,
mbështetë mbi pashmangë me shtrijë të qendisunen e artë, si gjithashtu, siprina
e gishtave qi maron në majuca o me stivaleti lustrafini të vizatuem e të
merthyem anash me sumbulla xhixhë.
g. Marama
tisi të bardhë, e hollë dhe e gjatë deri në gju, aty kah fundi ka nji shirit të
qendisun me fije mëndafshi ngjyrë të kuqe dhe në mes ari, dhe vihet kur grueja
del me shetitë. Ajo mbëlon me nji shestini rreth fëtyrës, me krahët, krejtë të
perparmen e trupit.
gj. Japanxha
në të kuq të kjartë cohe, pa mangë, mbëlon trupin deri në gjuj dhe ka nji jakë
permbrapa që hidhet mbi krye dhe lidhet nen mjekerr me nji fije tertili të
artë. E perparmja e hapun asht e qendisun në dy anët e kapakëve me lule të
mëndafshta ngjyrë të verdhë, të kuqe e të qielltë, dhe ka në dy anët e supeve
xhufka të mëdhaja me po ato ngjyra, të cilat derdhen mbi krahë.
l. Parzma
ka per stoli gushoren (gjerdan a kolanë) dhe varsen per dupa, sinxhirin e
sahatit me kapakë ari, në veshë ka vathët e vjerruna, në gishta të dorës unazat
me gurë dhe, në kyq të dorës bylyzykët. Gjithë stolia xhevahiresh të
argjentarëve zanatçi shkodranë.”
Kostume
Shkodrane nga Piktori Kolë Idromeno
Grueja
shkodrane, me atë veshje madhshtore të saj ka ndejë perkrah burrit, i veshun ky
jo me tirqi të bardha, qi asht veshja e pergjithëshme e Maleve të Veriut të
Shqipnisë, por me brenavekë të zezë, kur si grueja që zavendsoi ragjen në
brenavekë, poashtu, brijë burrit që edhe ky, zavendsoi shallvarët cohe të kuqe
me brenavekët. Gjithashtu mbështolli inat me brez mëndafshi me ngjyra. Veshi
anteri kumashi të kuq me vija të zeza të qendisun me tehri. Në parzem të
burrit, këmisha e rrahun e ngrime në ujti me perrreth sumbullat e mëndafshta
vezake të arta ose të zeza, me majuca të kuq të kapakëve të anterisë. Në qafë
qafëzen e ngrime, e rrahun në ujti me kravatë të mëndafshët të zezë,
të lidhun flutur, të cilat zevendsuen gryken e këmishës harkate e punueme me gjylpanë
e shtrime perrreth qafës; jeleku cohe të kuqe i punuem nga terziu me tehrie
lule dhe në buzë të jashtme të kapakëve, gjatë tyne të ngjituna sumbulla të
arta mëndafshi ose të zeza, dhe në maje të kuqe; në krye fes të kuq të madh me
xhufkë që derdhej mbi supa e që u zevendsue me fes të kuq të rrasun mbi krye
(tanuz), gjithnji me xhufkë të madhe të kaltert, sahat me zinxhir perrreth
qafës dhe revolver me dorezë sermi të punimit të argjentarit.
Kjo veshje
e grues dhe e burrit fillim e mbarim kuq e zi të Flamurit Kombit, dhe
karakteristike në të gjithë Ballkanin, per atë bukuri stolinash asht njoftë e
vlersue në shkrime e botime europjane si në Vjenë, Budapest e Triestë, Venedik
e Romë të shetinave shkodrane të hershme e të vona, në krejt Dalmacinë, Bosnjen
e Malin e Zi, ku puntorë zanatçi shkodranë per veshje kombtare, kerkoheshin e
punojshin veshjet e popullit të tyne.
Familja e
Krajl Nikollës së Malit të Zi, asht sherbye per veshjet e mbathjet nga zanatçi
shkodranë si, po permendi ata ma në za si kje: Gjon Gjo Kola e Lazer Çefa, të
cilët, edhe u kanë mësue fëmijve të asaj familje edhe gjuhen shqipe, të cilët e
kanë folë edhe në moshen e tyne madhore, si Elena, mbretnesha e Italisë.
Në Boston
të Amerikës, asht njoftë veshja e grues shkodrane me anë të së shoqes së burrit
Kini i Mati Kokës, i vuem, si thotë Imzot Noli, nga shqiptarët e atyshem, në
mbrojtje të tij nga frika se mos e vrasin grekët, per ndamjen e Kishës me
themelimin e Kishës Autoçefale Ortodokse Shqiptare, me liturgji në gjuhen
shqipe, nga ajo greke të propagandës së Jugut të Shqipnisë, si Vorio – Epir
grek.
Ajo grue e
hishme e Kinit Mati Kokës, në veshjen e saj shkodrane si në paraqitjet, në
pritjet në shtëpi dhe në shetitjet jashta shtëpijet asht qitë në fotografi nga
fotografi Marubi i Shkodres, dhe asht perhapë me kartolina të shtypuna të
Alterocca – Termi i Italisë. Rishtypë tash vonë në nji botim të nji artikulli
të filologut Dr. Eqrem Çabej, në revisten “Knjiga o Balkani I” e Belgradit, me
emertim “Zivot i obi?aji Arbanasa” (Jeta dhe doket e Shqiptarëve), me të cilën
rishtypje ka ndriçue veshjen shqiptare me veshjen e grues shkodrane.
Si para
tij asht edhe në botimet e permenduna të konsujve të Francës së Shkodres
Heqvard e Degrand, të Inglizës Miss Edith Durham, të austriakut Theodor Ippen e
të hungarezit Baron Dr. Franz Nopcsa. Me atë veshje të grues shkodrane
madhshtore të artit punës dhe e pasun stolinash të mëndafshta e të arta, gratë
e hueja Konsujsh e të tjera, e kanë pelqye të dalin në fotografi të Atelierit
fotografik Marubi, dhe të zbukurojnë odat e pritjes kudo në vendet e tyne.
Sot, këtu
në Shkoder, nuk shifet ma, asht ndrye në arkat e nusisë së plakave në Muze, pse
edhe ajo kohë e artë e qytetit asht kthye në ate të thjeshtë të veshjes frenge,
e pergjithshme në mbarë qytetin. Ka mbetë tash në veshjen e Maleve e të
katundeve të ndrituna me ato stolina sermi në parzmat e tyne e qendisjet e
tyne, nanë e bij, në të cilen, gjithnji ruhet ajo ngjyrë kuq e zi e Flamurit të
Kombit, i perjetsuem në atë petk shajaku, në koret, kuq në pjesen siper e të
fundit, e zi në mes të petkut.
Janë per
t’ u kujtue per punen e artit të tyne të veshjes terzitë, mjeshtra Gjok Baba,
Mati Tukja, Kolë Raboshta, Mati Ujka, Gjon Shahini e Zef Nikoll Gera, i qitun
ky me puntorët në kartolina nga fotografi Marubi, me nja 40 puntorë zanatçi në
dugajtë e tyne të qytetit per veshjet e grave dhe të burrave. Në Pazarin e 2000
e sa dugajve per veshjet e Maleve e të katundeve në sokakun e veçantë, i
quejtun i “Tallaganxhijëve”, ishin Filip e Jakë Beni, Shan Çefa, Gjon Curani,
Kolë Bazhdari, Simon Kadarja, qi kje edhe poet nen pseudonimin Dimo Akasari, me
vjerrshat e tija në të perkohshmen shqip “Albania” e vjetit 1897 e ma vonë.
Argjentarët
per vathë e unaza, bylyzykë e stolina të parzmave të grave, çibukë, zinxhir
sahatash, doreza armësh, kutija duhani e cingarishte me të tjera filigrane, si
në qytet Tuk Jakova, Pjeter Logoreci, Kristo Jakova, Pjeter Bedeni, dhe në
Pazar, në sokakun e quejtun i Kujxhijëve ishin: Cin Jakova, Gjon Cepi, Nush
Cepi, Luigj Bedeni.
Mendova me
ju dhanë nji pasqyrë sa ma besnike të veshjes shkodrane, tue pa të persëritun
lanjen e saj mbasdore me Albumin e Artit Popullor të Shqipnisë, dhe e
shemtueme në këte çfaqje Festivali Folklorik Kombtar në Gjinokaster të këtij
vjeti 1978.
Me shpresë
se interesimi i Juej, si drejtuer i Institutit të Folklorit, nuk do ta lejojë
ma, të persëritet ma ajo paraqitje e veshjes së grues shkodrane në atë mënyrë
të shemtueme,
me nderime
ju pershndes,
Gjon Kamsi
(firma d.v.)
Drejtuesi: Rruga Sumej, nr. 114 Shkoder
Shenim nga F. Radovani: Letra asht
kopjue pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Republika
Popullore Socialiste e Shqipërisë
Akademia e
Shkencave
Instituti
i Folklorit Tiranë, me 16.XI.1978
Shokut
Gjon Kamsi Shkodër
Letren
tuaj në lidhje me vrejtjet rreth kostumeve të grave shkodrane e mora. Ju
falemnderës. Shënimet tuaja janë interesante, por që ato kanë probleme që duhen
studjuar.
Si duket nga
shënimet tuaja ju keni njohuri të mira për kostumet e qytetit të Shkodrës.
Do t’ ju sugjeroja
që ato ti zhvillonit në një punim më të gjatë, me ilustrime e vizatime me
ngjyra.
Nga ana tjetër të
mund të gjenit fotografi në banorë të Shkodrës, dhe një kopje t’ ia dergonit
sektorit të etnografisë pranë Institutit të Historisë, që ka punonjës që merren
me veshjet.
Unë si Kryetar i
Komisionit për veshjet kombëtare, letrën tuaj do t’ ua kaloj etnografëve të
sektorit të etnografisë, që mund t’ u sugjerojnë për metoden e studimit mbi
veshjet për të cilat bëni fjalë, si dhe për të dhenat rreth mjeshtrave që kanë
prerë, qepur e qendisur kostume të tilla.
Drejtor (Zihni
Sako) firma, vula.
Zotni Gjon Kamsi,
Mendoj se:Perderisa ka probleme që duhen
studjue, duhet t’ ishte në festival, mbasi nuk besoj se ka ndonjë kostum që s’
ka probleme.
Sugjerimi për një studim ma të gjatë asht i
vlefshem per studjuesit e sektorit etnografisë së Institutit të Historisë, së
cilëve, do t’ jua kishte anda me e marrë gati, edhe me ilustrime, vizatime e materiale
fotografike.
Etnografët e sektorit etnografisë, të cilët,
mund t’ ju sugjerojnë metodat e studimit, do të bajshin mirë me e lexue nja 3
herë letren Tuej, e mandej me mësue prej saj.
Ju falnderoj per kopjon e dorshkrimit të
këtij materiali, të cilin, unë do t’ a studjoj me shumë kujdes, do të punoj
vizatime dhe do t’ a ruej shumë, mbasi per kohen e ardhëshme ky asht brilant i
kostumit shkodranë.
Shkoder, 30 Maji 1981. Me shumë
respekt Fritz Radovani.
***
Shenim FR: Atdhetari Gjon KAMSI
ishte dhe do të jetë i perjetëshem në Rrëmajin e Shkodres. Veprat e Tij Shkodra
nuk do t’i harrojnë kurr!
Ato janë një pasuni shumë e çmueshme
kombtare. Ju falemnderës dhe Ju uroj jetë të gjatë në fushen e etnografisë
Shqiptare Gjon Kamsi.
Melbourne, 17 Gusht 2024.