Kulturë
Lekë Tasi: Ditar internimi, 18 Tetor '79
E shtune, 10.08.2024, 05:54 PM
DITAR INTERNIMI
18
Tetor '79
(Fragment)
NGA LEKË TASI*
Tefta nuk është më me ne; e arrestuan dje. Në datën 15 i
bënë “demaskimin” në sallën e kinemasë; pastaj, dy ditë me rradhë na hodhën
gurë në shtëpi dhe dje erdhi gazi e mori.
Oborri është plot me gurë, copa tullash, xhama të thyera. i
lamë pa fshirë që t’i shihte ndonjë hetues se ç’u punua në kurriz tonë. I bëmë
telegram Ministrisë, po të gjitha dolën kot. Ky institucion vendosi kundra
nesh.
Me rradhë ndodhi kështu: të mërkurën mbasdite kishim dalë në
apel me çunat për dore. Pritëm mjaft se s’po vinte njeri të na numuronte si
përherë. Ora kaloi, po errej, kur në shesh të sektorit ndaloi një Gaz dhe zbriti Guri. Na hodhi një shikim si grup,
i ngutur dhe menjëherë na urdhëroi të futemi në sallë për mbledhje. Deshëm t’i
çonim fëmijët në shtëpi, meqë ishte vonë, por ai s’na la. I morëm në sallë por
pastaj i çoi Danaj dhe u kthye. (S’di ç’do të kish ndodhur po t’i kishim aty).
Populli po mblidhej me shumicë, të sinjalizuar si duket që
mbledhja ishte me rëndësi. U ngucëm në mes të gjindjes, dhe Guri na çoi në
rreshtin e tretë, tamam përballë tryezës me beze të kuqe të përgatitur për
presidiumin.
Atmosfera ishte e keqe. Para disa javësh, mund të ketë dy
muaj, kanë demaskuar Dumet, para pak ditësh kemi bërë fjalë me Gurin por
sidomos fjala e kryetarit të Degës na ndillte për keq. Salla u mbush dhe turma
vazhdonte të hynte duke plotësuar edhe hapësirën para të dyja portave. Zuri
vend presidiumi, partia e Grabjanit plus Petraq Nushi, sekretar i partisë së
ndërmarrjes. Turma gumëzhinte po kur u ngrit Filipi, sekretar i partisë,
kureshtja e mundi zhurmën.
“Jemi mbledhur sot tha gati i buzëqeshur, që të bëjmë
demaskimin politik të Tefta Tasit. Ku është Tefta?” pyeti pastaj. Dëgjova time
motër që u përgjegj: “Ketu jam”.
“Ngrehu këtu para popullit. Atje te muri, të të shohë
populli”.
Tefta u ngrit dhe
vajti qëndroi tre metra larg presidiumit.
Ia dhanë fjalën Petraqit
(zeshkan, faqekuq, arrogant). Filloi të lexonte akuzën e tij, të mbushur
me fjalë fyese si e “poshtër, reaksionare, amorale, bushtër, kërmë”.
Ç’mund të bënim? Të ngriheshim? Ishte vonë, dyert ishin të
bllokuara. Ai vazhdoi me ton të lartë dhe vazhdimisht e shtonte zemërimin, nga fundi edhe me shkumë në cepat e gojës …
“I ati ka qënë ministër i Zogut, i dënuar nga partia si armik i popullit, po
ashtu edhe xhaxhai i saj, po ashtu dhe daja, dhe i vellai… janë familje
reaksionare. Nuk del në punë, vjell vrer, shan mallin e dyqanit. Duan
përmbysjen e pushtetit, duan që të vijë imperializmi. Por populli u ka
thyer kokën gjithmonë!” etj, etj.
Populli duartrokiste, brohoriste. Shpesh ia ndërprisnin
fjalimin, dhe sa herë bëheshin këto ndërprerje, zëri i hollë i një skraparlliu
flokëbardhë delte përmbi zhurmën me një klithmë Rroftë shoku Enver!!. Salla
ngrihej në këmbë dhe shpërthente në urra të gjata. Një i rinisë m’u afrua mu në
fytyrë duke më zbardhur dhëmbët me zgërdhi.
Vendosëm të mos çohemi nga vendi dhe kështu ne të tre këtu
dhe Tefta atje ishin të vetmit që nuk rrihnim duart dhe e mbanim gojën mbyllur.
…Zhurma u ul. Presidiumi u vështruan me njëri – tjetrin dhe
natyrisht nuk ngulën këmbë që ajo të fliste. (për ta nuk ka asnjë shkelje
që i akuzuari edhe të mos flasë fare.)
Ia dhanë fjalën popullit, por për ne kishte mbaruar çdo gjë;
në menyrë demostrative u ngulëm në një qëndrim të heshtur, Tefta atje dhe ne të
tre këtu.
Të gjithë sa folën, patjeter ishin të porositur, por mënyra
se si u zhvillua mbledhja dhe sidomos fakti që ne nuk pranuam ndonjë faj, por
reaguam, u dha dorë organizatorëve: Fjalimet e atyre që kishin porositur dolën
tamam të zemëruar. Ata shprehën indinjatën sikur ne të kishim shkelur të
drejtën! Më i buti prej tyre, më i maturi të themi, një agronom me të cilin
Tefta as ka këmbyer ndonjëherë një fjalë, tha: “Unë nuk e njoh personalisht
Teftën, por ç’është ai të ecur në rrugë?! Sikur ka çliruar Shqipërinë!!” (ai në fakt me këto fjalë përmblidhte
qortimin e rajasë që i bën sjelljes më
normale qytetare, dhe në këtë identifikohen
shumë nga ata që e kanë ulur kokën përfundimisht në mjedisin tonë mbytës). Pas tij u ngrit
vetë Nuria dhe tha: “Kjo këtu merr një fëmijë për dore dhe shkon serbes në
postë” (Nënteksti: si guxon të më kalojë para?! Ajo vetë, Nuria, ka një frikë
patologjike nga ata të sigurimit, megjithëqë u bën gjithë këto shërbime).
Pastaj dy pleq dhe një i ri kërkuan i pari arrestimin e menjehershëm të Teftës,
dy të tjerët jo vetëm të sajën por edhe tonin, meqë nuk duartrokitëm. (I dyti
kishte një habi të thellë të vizatuar në fytyrë kur pyeste: Të mos
duartrokasësh për shokun Enver! Si u bëka!?).
...Dritat ishin të dobëta në sallë, tymi i duhanit i
mjegullonte edhe fytyrat, konturet. Isha shumë i tronditur që të mund t’i
kujtoj të gjitha sa thanë. Mbas këtyre të parëve folën një sërë hipokritësh pa
rëndësi dhe grash që janë me gisht në Sektor.
Njëra prej këtyre, një e shëndoshë me krahë të shkurtër,
(për të cilën qarkullon fjala se e ka përpjekur me jaranin majë një mani) tha: “Kjo vë një kapele në
kokë (siç duket e ka parë në rastet kur lante kokën), merr një trastë të jashtme dhe na shet mend në
dyqan”. Një tjetër (antare partie, më e shëndoshë se tjetra dhe fare e shthurur
nga goja, e famshme për grindjet e gjata me lëmin ku lëshon për të
kullotur 100 pulat e dy plepave të
saj-kotece) u ngrit mes rromuzeve të çunave, e rëndë si një vozë dhe tha me zë
burri: “Kësaj nuk i pëlqejnë zarzavatet e shtetit! Ca do qo? Apo do kohën e
bejlerëve?” Të njëjtën gjë në thelb, por me një fije të hollë zëri, e
emocionuar në kulm e përsëriti shitësja e zarzavateve, ajo që kaq herë nuk i jepte
Teftës edhe kur kishte radhën…
Pastaj Lika, brigadier dhe sekretar partie u ngrit nga
rreshti i parë dhe më tregoi mua me gisht: “Ky këtu nuk paraqitet në punë, ikën
nëpër malësira me bletë, rri me javë..” (në malsi unë?… që duhet të dal dy herë
ditën në apel...)
Me këto e ca të tjera mbaroi mbledhja. Populli u ngrit dhe u
mblodh tek porta kryesore. Daljen tjetër
e mbanin mbyllur që të mos ndahej masa më dysh dhe i binim shkurt neve për në
shtëpi. Duhej të ndodhte në shesh të Sektorit ajo që kishin përgatitur.
U futëm dhe ne në turmën që grumbullohej, kur Teftës i erdhi
një shtytje e fortë nga mbrapa. Unë që isha përpara ktheva kokën dhe pashë
djalin që këto ditë më merrte biçikletën për xhiro. S’desha ta besoj. E pyeta
me sy por ai më bëri një shenjë mohuese por në formë tallëse. Kishte
përreth shokët e organizatës që e nxisnin
dhe ky bëhej trim. Në koridor të
gjithë na vështronin ftohtë siç na kishin në mes. Shumë prej tyre duhet t’i
kishin gurët në xhepa. Futëm Teftën në mes dhe vazhduam mes të shtyrave. Nga hapësira e portës se
jashtme pashë gazin e Degës që s’kishte
lëvizur nga vendi .
* Lekë
Tasi "Grabiani rrëzë kodrave", ditar internimi, fq. 242, botimet
ISKK, 2018
Përgatiti Agron Tufa,
Shkrimtar