E shtune, 21.12.2024, 12:34 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Jo thjesht rrugë, por histori

E shtune, 10.08.2024, 06:00 PM


JO THJESHT RRUGË, POR HISTORI

NGA PËLLUMB GORICA

Asnjë udhëtim nuk të duket aq i krahasueshëm me atë kur njeriu prek vende, kujtimet e të cilëve sikur e thërrasin t’i shohë përsëri.

Nisemi për një udhëtim të bukur në njërën prej rrugëve historike.

Kur e ke në mendje, vështirë ta heqësh nga ideja për të marrë të tjera të ngjashme.

Rruga e Krrabës (Tiranë - Elbasan) ka 10 vjet që e ka humbur intensitetin e lëvizjeve të veta.

Hapja e tunelit të Krrabës dhe rruga e re shmangën lëvizjet në këtë itinerar 90 - vjeçar, me kthesa të shpeshta e të ngushta; me kilometra më shumë dhe me rreziqe gjithmonë.

Rrugë që duket sikur ka dalë direkt prej një pikture të një mjeshtri të madh.

Ajo fqinjëron me magjinë: me gurgullimat e ujërave, të shoqëruara nga cicërimat e zogjve; me gjelbërimin dhe ajrin e pastër.

Është një rrugë e rrethuar nga shkëmbinj dhe vende të pjerrta, që mbartin dëshmitë e Së kaluarës …Sepse një udhë e përshkruar nuk është e plotë nëse s’do të preknim historinë e saj.

Një rrugë mundimesh

Me vështrimin në horizont, e gjejmë veten në rrugën e vjetër të Krrabës, pa menduar thënien e stërthënë: “Të dali ku të dali; tu pa, tu bo”, ashtu siç thonë të moçmit tiranas”… Me dëshirë (ndonëse me një makinë të vjetër) mes atij kori shurdhues të gjinkallave dhe zhegut djegës që sikur përcëllonte çdo gjë nën vete.

E përshkojmë së gjati Qafën (vargun) e Krrabës, 54 km të gjatë: me shumë kthesa të zymta (600 të tilla) që të stërlodhin e të bëjnë sikur po udhëton në një “Rrugë mundimesh”.

Është një ditë e bukur: me një qiell të pastër dhe një diell të ndritshëm.

Jemi me Kadri Memën, i cili ka një jetë të tërë në timon (mbi 50 vjet) edhe pse në shpinë tashmë i rëndojnë 75 vite. Ashtu, me pamje fisniku, me supe të rëna prej të urti, të befason, jo vetëm me kujtesën, por edhe me mjeshtërinë e të rrëfyerit.

Duke u ngjitur përmes një shpati me çarje vertikale shkëmbore, që ndonjëherë duket sikur po kalon mure të mëdha, i shohim veçoritë e ndryshme: format, ngjyrën dhe strukturën e tyre.

Intensiteti i rrugës rritet në mënyrë dramatike dhe prekesh nga një emocion që është aq i gjallë për t’u shpjeguar.

Me kureshtje admiron se çfarë të hyn në sy, ndryshe nga herët e panumërta (në çdo kohë të ditës dhe natës; në çdo stinë; në çfardo gjendjeje moti: për të kujtuar çdo detaj, çdo ndërtesë, shkëmb, pemë, gur, apo ngjyrë qoftë).

Biseda merr udhë.

E kaluara vjen si një film i harruar i jetës: plot vështirësi dhe bukuri.

- Eh, sa e vështirë ka qënë ajo rrugë, - thotë Kadriu, - rrugë gjarpërore dhe e rrezikshme për qindra vetura, autobuzë, kamionë, të cilët gumëzhinin nga të dy krahët (ditë e natë) por edhe udhëtarë, për të shkuar te një i afërm, me shërbim; apo nga studentë, e ushtarakë...

Ishte e lodhshme sidomos në ditë dimri me bore, apo ngricë; veçanërisht kur qëndroje në korroceri të makinave të transportit...

Dridheshe si purteka në ujë; të prisnin gozhdë dhëmbët.

E heshtur tashmë ajo: pylli, vendbanimet dhe ajri me një ndjenjë paqeje.

Shqisat reagojnë me trupin e lodhur prej ajrit të ndotur, zhurmës, hapësirës së kufizuar në qytet dhe punës së lodhshme, gjithashtu përgjatë gjithë vitit.

Tashmë rrallë herë kalon ndonjë makinë: sa për të thënë se ka lëvizje.

E bënte interesant shkëmbim burie, ose përshëndetje duarsh, duke e bërë udhëtimin tërheqës.

Veç gurët kilometrikë shfaqeshin njëri pas tjetrit, të zbardhëllyer nga gëlqerja.

Sinjalistika, edhe pse e vjetëruar, të shoqëron në gjithë ecjen.

Konture ndërtesash, ku shpesh dikur ndalonim për kafenë e mëngjesit. Hanim ndonjëherë edhe drekën, sepse aty gatuanin aq mirë mishin e skuqur: sidomos restorant “Kasemi”.

Ndërtimi i asaj rruge mori tetë vjet: për të përfunduar në vitin 1933.

Në një reportazh (nga një autor anonim) në gazetës “Vatra” të 4 korrikut 1933, shkruhej për inagurimin e saj, për punët inxhinierike të plotësuara me ato artistike.

Në praninë e pushtetarët e kohës (kryeministri Pandeli Evangjeli, ministri i Punëve Botore Sandër Saraçi, ministri i Punëve të Brendshme Musa Juka) u pre shiritin e saj.

Megjithatë, kur përfundoi, u quajt si rruga më e mirë e ndërtuar mbi atë që kërkohej asokohe nga Italianët, të cilët treguan se duhej zbritur nga kuajt, për t’i hipur automobilave.

Në Kilometrin 29 të rrugës prej Tirane, apo 25 prej Elbasani (te Qafa e Koxhalitës me lartësi 759 metra mbi nivelin e detit) ndodhet një tabelë e derdhur në beton shqiponja në drejtimet me shigjeta, e cila tregon kufirin ndarës mes tyre (të kohës kur u hap rruga).

Gjithsesi ajo, pasi kishte qëndruar me dekada në vendin e vet, para disa vitesh kishte përfunduar matanë rrugës, nga pakujdesia (për t’u zhdukur, si plot gjurmë të tjera të kohës).

U desh një ndërhyrje nga mirëmbajtësit e rrugës që të nxirej nga aty e të vihej në vendin e vet, si dëshmi e kohës.

Kjo Vepër Arti, pjesë e trashëgimisë sonë kulturore (ndoshta kur undërtua kjo rrugë) duke parë formën e shqiponjës, mendon se i përket periudhës para Luftës së Dytë Botërore)…

Aty, në mes të qafës, nga ana e djathtë, rrëzë një shkoze, është një obelisk - lapidar kushtuar çiklistit të pamposhtur Bilal Agalliu, vendosur me 3 prill 2017 nga Federata Shqiptare e Çiklizmit dhe Ministria e Kultures Rinisë e Sporteve, me rastin e 70 - vjetorit të lindjes së tij.

I ngritur në shenjë respekti dhe vlerësimi ndaj njërit prej çiklistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave në Shqipëri.

Për 10 vite rresht, të gjitha etapat i fitoi me një vërshim të çmendur nga vija e nisjes deri në vijën e finishit, duke u pozicionuar përpara të gjithëve: diçka që nuk kishte ndodhur në Shqipëri, saqë në vite e dekada më vonë ende mbahet mend.

Bilal Agalliu shfaqi një talent të jashtëzakonshëm në Çiklizëm, falë përkushtimit, këmbënguljes e sakrificës: një shembull për brezat e ardhshëm të çiklistëve. Në ato vite çiklizmi shqiptar kishte çiklistë të tillë që, pa hezitim, mund të garonin me çiklistët evropianë.

Rruga e Krrabës ka ngjitje dhe zbritje sfiduese, por edhe shumë kthesa në të cilat Bilali hynte me shpejtësi. Nga kjo ka dalë edhe shprehja: Ta mori si Bilali në kthesë.

Një qiell blu dhe një diell që na shpërfaqën peizazhe të bukura

Rruga vazhdon ngjitjen përmes peizazheve, kthesave që rrëzojnë shpate; përmes rrjedha përrenjsh…Pastaj toka pothuajse të pakta, mbuluar prej pyjesh.

Flladi zvarritet përmes dritareve të hapura të makinës, duke luajtur melodi.

Më mbërthyen kujtimet e vitit 1997, kur rruga gëlonte nga bandat, plaçkitjet, vrasjet...

Më kujtohen sidomos pamjet kur djem me maska, teksa shkrepnin karikatorë pas karikatorësh mbi tabelën e sinjalistikës rrugore që shënonte kufirin ndërmjet Elbasanit dhe Tiranës e bënë shoshë nga plumbat.

Askush nuk guxonte të kalonte rrugën, dy anët e së cilës u bënë vargan makinash...

Pritëm gjatë e me tmerr derisa ata u larguan.

Rruga shpesh ishte burim i aksidenteve automobilistike, megjithëse e mbrojtur në mënyrë të paparë me mure përforcues, për një siguri më të madhe (që ende i bëjnë ballë kohës).

Udhëtojmë nëpër atë rrugë që duket se nuk mbaron kurrë.

Shihje makina të përplasura, të djegura, apo të përmbysura dhe gurë ku janë gdhendur simbolikisht emra në kujtim të atyre që kanë humbur jetën nga aksidentet.

Herë - herë ndalojmë për të soditur peizazhet, për një foto, shoqëruar me një psherëtimë, apo një “uau” të ngazëllyer.

Një kafene - restorant i hapur, shfaqet si një oaz në shkretëtirë dhe mbetet si gjurma më e dukshme në këtë rrugë. Te Ismeti gjelbërimi, gatimet (natyrisht edhe sjellja e pronarëve) nuk mungojnë.

Ulemi në një vend të rregullt dhe mikpritës, për një ndalesë të shkurtër. Shohim nga e majta një kodër të lartë. Erozionet dhe rrëshqitjet e tokës kanë formuar rrëpira të frikshme: ca skrepa përrenjsh e maja kodrinash e prej atyre pak arave ngjyrë okërr, të cilat ngjyrosin të gjelbërtën monotone. Dhe pastaj, nëse kthen sytë djathtas, sheh detin Adriatik.   Banorët e quajnë Kaculitë:

Një ballkon natyral me pamje nga cepi jugperëndimor i vendbanimeve të vogla: të Tiranës, Elbasanit dhe Peqinit.

Secili prej tyre ka veçantinë e vet, që e bën befasues në luginat e heshtura, apo nëpër kodra; pranë rrjedhave ujore që humbasin në horizont.

Pikërisht aty është Plangarica, me toka të grisura, për t’u kultivuar; me banorë të paktë që ende jetojnë atje; me liqenin ujëpaktë: i tëri i gjelbërt prej vegjetacionit  që shtrihet në fund të një kodre, me pamje nga lugina e Prroit të Zi.

Është edhe rruga q? e lidh Cacabez?n, Garunjën, Lunxhin, Kalanë e Bodinit.

Banorët ka kohë që i kanë lënë këto vende, saqë gurët e bari tashmë i kanë zënë rrugët; ferrat kanë mbuluar arat e papunuara, shtëpitë, krojet dhe varret.

Rruga ecën në një kreshtë që është ndër të paktat, në mos e vetmja në Ballkan.

Diku, në një hartë të hershme, kjo pjesë rruge njihej me emrin Kodra e Shkozës së Keqe dhe nuk duket shumë emër tipik që mund t’i vendosej rrugës. Për pasojë toponimi mbeti “Qafa e Krrabës”, kur në fakt një pjesë shumë e vogël e rrugës është në zonën e Krrabës, ndërsa pjesa kryesore ecën në kreshtën e “Kodrës së Shkozës së Keqe”.

Befas, pas kthesave të shumta, Graceni shfaqet poshtë rrugës. Ndër shekuj ka qenë një qendër sociale për gjithë zonën. Ndërsa në të dy krahët e tij murana ndërtesash të braktisura, vendndodhje e përsosur për të realizuar filma (“Parrullat”). Përveç një xhamie të re (me një arkitekturë të zakonshme) dhe disa shtëpive, çdo gjë tjetër i përket Së shkuarës.

Zhurmat e largëta të jetës na thërrasin në vendbanime, të cilat flasin me zanafillat e tyre mjaft të pasura: me historitë, me toponimet interesante, gjurmët …

Pra, ndoshta kjo është ajo që do të thotë të ndalosh për të pyetur veten se çfarë ka rreth nesh. Ndonjëherë dëshiron të rikthehesh në kohë, me kureshtjen për të mësuar më shumë.

Qëndroj pak çaste me sytë drejtuar nga Mamli (edhe pse larg nga këtu) dhe vetja dukej si një zog grabitqar që vështron nga lart dhe kërkon ta zotërosh atë. Dioqeza Katolike më e hershme (rreth shekujve XII - XIII ishte në Mamël. Pas rreth katër shekujsh, shkëlqimi i Dioqëzës ra në harresë dhe shumë nga monumentet e saj humbën në harrim.

Dioqeza u vendos në Kllojkë të Tiranës. Vetëm pas shekullit XVI u shpërngul në Kurbin. Për një kohë të gjatë Mamli ishte jashtë rrugëve kryesore, por edhe larg Rrugës Egnatia, apo Rrugës së Karvaneve Krastë - Kllojkë - Shëngjergj e me tej deri në Dibër e në Stamboll.

Ajo mbeti një Kishë Paleokristiane dhe pastaj (ndoshta nga rrënojat e saj) lindi aty pranë fshati mesjetar i Mamlit, në qindravjeçarë larg qytetërimit.

Art dhe Histori

Sodit peizazhin që ecën përpara. Ndërkohë e ngop shpirtin me pamje, që të kthejnë ndjenjën e lidhjes së thellë me Natyrën dhe elementët e saj. Dhe kjo është pikërisht ajo të cilën e ndjen ndërsa udhëton.

Heshtja në rrugë është pothuajse hipnotike, e thyer nga zhurma e motorit të makinës sonë.

Pas çdo kthese kërkon të rijetosh shkëlqimet e shkëlqyera të Së kaluarës: atëherë kur banorët tregtonin rrushin, mollët, ftonjtë, dardhat, fiqtë, shegët.

Një “Xhip” u zhduk në njërën nga rrugët dytësore drejt Pajengës, mbërthyer një kodre që të krijon idenë sikur është në një përqafim me Diellin.

Pas një shtrirje të sheshtë rruga vrapon përkrah një kodre të stërzgjatur me bimësi të dendur që mbulon pothuajse tërësisht atë. Një ballkon i gjatë, me pamje natyrale. Ca më tej Barçi shfaqet dhe zhduket i fshehur nga pishat anës rrugës. Fatkeqësisht Barçi ka pësuar ndër vite (si gjithë vendbanimet e vegjël malorë) një shpopullim të tmerrshëm.

Një pikë karburanti, e mbytur nga ferrat, ndërpret peizazhin e harlisur.

Gjendesh përballë Petreshit, me shtëpitë pa arkitekturë në pamje dhe funksion, në një rreshtim e përsëritje të kodrës. Është vendbanim me toka të varfra kodrinore në formë brezaresh. Kjo i ka detyruar banorët që të merren më shumë me Blegtori dhe Pemëtari.

Kaq shumë herë e kam kaluar atë pa qenë kurrë në gjendje të thelloj njohuritë rreth tij.

Në të majtë antenat satelitore të ngritura drejt qiellit, ndërsa në të djathtë qëndronin krenare, dëshmi e një territori me gjurmë të dukshme të një vendbanimi antik ku, sipas të thënave, banorët e hershëm mblidheshin shoqërueshëm në dy kishat, njëra pranë tjetrës, nën drejtimin e priftërinjve, për të kryer ritet e caktuara fetare.

Aty, midis gurëve, dallohen fosile guackash të zeza e të mëdha. Studiuesit thonë se janë milionavjeçare, të depozituara që kur kjo zonë ishte mbuluar nga ujërat.

Pikërisht në të djathtë të atij shkëmbi të famshëm, kur kthehesh me fytyrë nga Lindja, pushtuesit gjermanë, pas një përplasjeje të ashpër me forcat partizane të Brigadës XX Sulmuese shkaktuan një Borovë tjetër shqiptare me 22 banorë të vrarë.

Qetësia dhe pamja e rrugës të kthejnë në hijen e një rrapi, ku një kjoskë llamarine (artifakt i demokracisë) e ndërtuar me stilin bunker, ka dalë jashtë funksionit me lëvizjen e makinave dhe të udhëtarëve në rrugën e re.

Nga aty ke një pamje të jashtëzakonshme të shtrirjes së dy anëve të lumit shtratgjerë të Shkumbinit, që prej mijëra e mijëra vjetësh, nuk ka pushuar asnjëherë; të Fushës së  Cërrikut, të Pllajës së Dumresë,  të Shpatit, gdhendur me ca kodra që ngjiten deri në Bukanik (të malit më të bukur të perëndive të lashta, Tomorrit) bie në dashuri me të edhe me një shikim në atë teh të bukur shkëmbor, që i rri si kurorë mbretëreshe krahinës së Sulovës, ku dashuria e mikpritja e njerëzve vazhdon të jetë një strehë e ngrohtë për mikun e kalimtarin.

Në të tatëpjetën e rrugës, një xhami panoramike, me magjizëm modern dhe minarenë e vetme sa një tub aspirimi (së paku kështu duket nga konstrukti).

Lemë pas mbetjet e bunkerit të Luftës së Dytë Botërore dhe një urë së cilës nuk ia mësuam dot emrin (ndoshta Ura e Petreshit) një nga të paktat në këtë rrugë.

Duke ecur pothuajse tatëpjetë, nën hijen e shpateve shkëmbore, shikon forcën shkatërruese të zjarrit, por edhe aftësinë e jashtëzakonshme të Natyrës për të shëruar veten.

Ne ndalojmë përsëri dhe bëjmë foto të tjera, mes trungjeve shekullore të pemëve të ullirit, duke na krijuar mundësinë të shijojmë peizazhet e fushës së Bradasheshit, të zverdhur nga dielli dhe thatësira.

Vend që ka histori për të treguar:

Klerikët Ortodoksë patën vendosur një kryq të stërmadh si simbol i Ortodoksisë. Ka aty diçka për t’u treguar:

Më herët ishte një kishë në vendin e kryqit të parë, të cilin e shembën (ngjarje e largët, për të kujtuar një tempull të hershëm) dhe më pas u vendos kryqi i dytë. Atë kryq e shihja sa herë që kaloja rrugës në ngjitje, apo edhe në zbritje.

Humbasim lartësinë dhe zbresim në Fikas, që shtrihet në shpatet e një kodre.

Emocionet ndjekin njëri - tjetrin në një karusel të pafund ndjesish, ndërsa kalojmë kilometrat e fundit, në disa kthesa të hapura nga një anë dhe dhjetëra e dhjetëra murale në anën tjetër.

E çfarë mund të themi për muralet (Arti Socialist)?!

Përtej politikës së kohës, këto vepra që kanë mbi 50 vjet të realizuara, i kanë rezistuar shkatrrimeve.

Kadriu të tregon se autori i muraleve është Fatmir Çopja, ish - aktor i estradës së qytetit të Elbasanit që (për hir të së vërtetës) nuk kanë ndonjë vlerë të madhe artistike (pasi janë punuar nga një autor amator).

Ne zbresim shpejt, por rruga (sidomos në shtrirjen e fundit) është e pamirëmbajtur.

Në të rrallë, përbri, të kalon plogësht ndonjë makinë, duke lënë pas shtëllunga pluhuri, saqë drejtuesi i së cilës të vështron disi me habi dhe ngadalëson ecjen.

Në një cep të rrugës, nga firma “Beça e Kassina”, e cila në vitin 1933 ndërtoi segmentin e fundit të saj, realizoi edhe një çezmë, që u quajt “Çezmja e Kasinës” nga emri i projektuesit të rrugës, inxhinieri italian Enrico Kassina. Dhe pranë Çesmës së Kasinës (vështron një kompleks mozaikësh me Yllin e Davidit gdhendur) hijeshon një kafene - restorant “Osteria Çesma e Kasinës”, që ishte gjithnjë plot, por që tani thuajse është bosh, qëkurse “Rruga e Krrabës” nuk ka më lëvizje, pas ndërtimit të rrugës së re.

Ndalonin makinat dhe autobuzët me udhëtarë për t’u çlodhur dhe për të shijuar pamjen e bukur të fushës së begatë të Bradasheshit.

Mirëpo, pas 1970 - s u ngrit Kombinati Metalurgjik, i cili përpiu atë fushë të begatë.

Pamja e tij ishte ngjethëse: me tymrat kancerozë, që ngjjnin si retë e inatosura, teksa derdhnin inatin edhe mbi kodrat, lumin dhe vendbanimet rreth tij.

Një vepër industriale e ndërtuar mbi parime ideologjike dhe jo ekonomike, që thithi një fuqi të madhe inxhinierike, teknike e punëtore.

I kthyer në një barbarizëm gërmadhash, tashmë të ngjan si një kafshë prehistorike.

Mes uljeve dhe ngritjeve të pafundme të kësaj rruge, zigzaguam edhe kryqëzimin e Bradasheshit në rrugën kryesore, por me trafikun rrëmujë.

Ishte vërtet një udhëtim i këndshëm dhe interesant.

Emocionet tashmë kanë qenë të shumta, por si gjithmonë, kur diçka e bukur mbaron, vjen edhe ai trishtimi i paqartë që të godet teksa rri në kujtimet e tua:

Një udhëtimi në një nga veprat e mahnitshme inxhinierike që duhet të mbetet muzeale për historinë e larmishme, në këtë pjesë të Shqipërisë së Mesme.

A nuk duhet kthyer në një rrugë turistike?!

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora