| E shtune, 24.01.2009, 06:06 PM |
Këto ditë, pas një periudhe të gjatë qysh kur ishte mbaruar e dorëzuar në shtyp, u botua në Napoli Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (ADGJSH), vepër madhore e gjuhësisë shqiptare, emërtesë e Akademisë së Shkencave, hartuar nga një grup specialistësh të dialektologjisë, punonjës të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, fryt i një pune të mundimshme e shumëvjeçare, në të cilën, për herë të parë në historinë e albanologjisë, dialektet e shqipes paraqiten sipas metodës së gjeografisë gjuhësore, në dy vëllime me harta dialektologjike. Atlasi, vëllimi i parë i të cilit sapo ka dalë në qarkullim dhe së afërmi del edhe vëllimi i dytë, është realizuar nga emra të njohur të gjuhësisë shqiptare, si: prof. dr. Jorgji Gjinari (drejtues), prof. dr.Bahri Beci, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj dhe prof. dr.Xheladin Gosturani, të cilët jo vetëm plotësuan një mangësi të dukshme të Albanologjisë sonë, por edhe e rreshtuan shqipen në radhën e atyre gjuhëve që prej kohësh kishin hartuar vepra të tilla.
Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (shkurt: ADGJSH) shënon kurorëzimin e punës e të përpjekjeve shumëvjeçare në terren, për të mbledhur materialin sipas pyetësorit përkatës, dhe në zyrë e në kartotekën e dialekteve të shqipes, pastaj edhe në hartat për paraqitjen e dukurive të dielekteve të shqipes sipas metodës së gjeografisë gjuhësore ose me anën e atlasit dialektologjik. Atlasi është, pa dyshim, një nga veprat më madhore të gjuhësisë shqiptare deri më tani, që radhitet për nga rëndësia krahas "Fjalorit" dhe "Gramatikës së gjuhës së sotme shqipe". Kjo vepër është kurorëzim i zbatimit për herë të parë të gjeografisë gjuhësore në studimin e dialekteve të shqipes dhe paraqet në mënyrë të plotë e më të saktë dukuritë dialektore të gjuhës sonë me shtrirjen e tyre në krejt truallin shqiptar e në diasporën historike më të vjetër arbëreshe. Mbi këtë bazë, sigurisht, do të zgjerohen e do të thellohen më tej njohuritë për dialektet e shqipes dhe do të bëhet e mundur të nxirren përfundime më të përditësuara për gjendjen e sotme të dialekteve tona e për historinë e tyre, duke u bërë mbështetje e gjithanshme për studime më të thelluara në këtë fushë.
Veprat e mëdha gjuhësore, sidomos fjalorët shpjegues, gramatikat akademike normative dhe atlaset kërkojnë punë në grup dhe kohë të gjatë realizimi. Atlasi ynë, duke qenë se kërkonte edhe shumë eksplorime në teren, që nga Vermoshi në Konispol, brenda hapësirave të Republikës, po edhe në trojet kompakte ballkanike të shqipes e në diasporat historike, ka zgjatur rreth njëzet vjet qysh nga ideimi e hartimi i parimeve teorike dhe i pyetësorëve përkatës, duke u aktivizuar në atë punë kryesisht katërshja e bashkautorëve të lartpërmendur. (Për disa anketime dhe ndonjë proces tjetër, por jo gjatë gjithë kohës, kanë bashkëpunuar edhe studiuesit prof. dr.Menella Totoni e prof. as.dr.Anastas Dodi).
Vepra ka përfunduar qysh në vitin 1989, por u vonua në shtyp për arsye se botimi i saj kërkonte cilësi të lartë tipografike dhe kjo u përballua me ndihmën bujare të Universitetit Oriental të Napolit e sidomos falë kujdesit të prof. Italo Costante Fortino.
Idetë dhe projektet e para për një atlas gjuhësor të shqipes
Hartimi i një vepre të tillë madhore për një gjuhë, si synim, për gjuhësinë tonë, i takon kohës së para Luftës së Dytë Botërore.
Për herë të parë çështjen e realizimit të një atlasi gjuhësor të shqipes e pat shtruar dijetari italian Mateo Bartoli, i cili, krahas punës së vet për "Atlasin gjuhësor italian", pati projektuar edhe hartimin e një "Atlasi gjuhësor shqiptar" për të cilin ai jepte informime edhe në "Bolletino dell' Atlante linguistico italiano", Udine, 1933. Sipas një shkrimi të Atë Benedikt Demës, kritik dhe linguist, asokohe, "Ministria e Arsimit e Italisë i dha ndihmat e para financiare Mateo Bartolit për të filluar punën për këtë Atlas" dhe ai, më 1943, hyri në lidhje me studiuesin shqiptar Eqrem Çabej, atëherë në fillimet e karrierës së tij si gjuhëtar, por me një përgatitje të mirë dhe premtuese si ish-nxënës i Paul Kreçmerit (Kretshmer), të cilin e caktoi si anketues e realizues të veprës dhe i dha këshillat e ideimin e nevojshëm si dhe mbështetjen e tij për fillimin e punëve përgatitore. E. Çabej punoi për një kohë të gjatë në Laboratorin e "Atlasit gjuhësor italian" duke hartuar atje pyetësorin e "Atlasit gjuhësor shqiptar" bashkë me Ugo Pelisin. Gjithashtu, për këtë vepër, Çabej u konsultua atëherë edhe me Sever Popin, dialektolog i shquar rumun, i cili shënon se "i ofroi atij përvojën e vet dhe ndikoi të fuste në pyetësor një numër pyetjesh që ekzistonin në pyetësorin e atlasit rumun", por që nuk i kishte pyetësori i ALI-së.
Mjerisht, kjo nismë kaq interesante e dijetarit dhe gjuhëtarit më të madh shqiptar mbeti e parealizuar, së pari, për shkak të ndryshimeve politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore e pas saj.
Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (ADGJSH)
ADGJSH-ja u parapri nga një punë e gjatë për hetimin dhe studimin e përgjithshëm të dialekteve të shqipes me anën e ekspeditave në terren nga dialektologë specialistë të sektorit të Gramatikës e të dialektologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë. Mbas një pune të madhe për skedimin e materialeve të mbledhura në pikat e banuara të krahinave të ndryshme më përfaqësuese të të folmeve të shqipes, mbi bazën e materialeve të grumbulluara e të shkencorizuara në një qendër të përbashkët, u themeluan edhe Kartoteka kombëtare të dialekteve të shqipes, pastaj edhe Fonoteka e dialekteve e të folmeve të shqipes, të cilat do të pasuroheshin më tej në mënyrë të pandërprerë edhe nga anketimet e bëra nga bashkëpunëtorë të jashtëm, kryesisht mësues të dalluar të gjuhës shqipe të rretheve, të dhënë pas studimeve dialektologjike. Kartoteka dhe fonoteka e dialekteve të shqipes, sigurisht, kanë shërbyer edhe si mbështetje për hartimin e kritereve dhe teknike dhe pyetësorit të ADGJSH-së.
Për ADGJSH-në, duke qenë se ai do të hartohej nga anketues specialistë, u mendua që të punonin të gjithë të mësipërmit, si një grup specialistësh të formuar si dialektologë, nën drejtimin e Jorgji Gjinarit.
Në fillim u hartuan Parimet teorike dhe kriteret e përgjithshme në të cilat do të mbështetej gjithë puna për atlasin. Pasi u diskutuan në sektorin e Gramatikës dhe të dialektologjisë, parimet dhe kriteret e atlasit u pasuruan më tej sipas vërejtjeve dhe këshillimeve të vlefshme të një numri gjuhëtarësh të IGJL-së ku merrnin pjesë edhe Eqrem Çabej, Mahir Domi, Spiro Floqi etj,. të cilët, nga ana e vet, kishin përvojë të gjatë e ndihmesa të vyera në lëmin e dialektologjisë.
Parimet teorike të ADGJSH-së, duke qenë se ajo ishte një vepër madhore e gjuhësisë shqiptare, emërtesë e Akademisë së Shkencave, u diskutuan dhe u miratuan edhe në këshillin shkencor të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë si dhe në komisionin e shkencave shoqërore të Akademisë. Pas kësaj filloi puna për hartimin e pyetësorit përkatës dhe të anketimeve në terren e proceset e tjera.
Pyetësori i ADGJSH-së u hartua nga një grup i përbërë nga tre veta: J. Gjinari, Gj.Shkurtaj, Xh. Gosturani. Ky pyetësor përbëhet nga 405 pyetje të sferave të ndryshme të gjuhës, shumë prej të cilave kanë edhe nënpyetje, sipas çështjeve e nënçështjeve që kërkohej të anketoheshin në terren.
Në përputhje me parimet teorike e kriteret e përgjithshme të Atlasit, sipas të cilave anketimi do të bëhej nga vetë specialistët që kishin hartuar parimet e pyetësorin dhe që do të kryenin edhe shkencorizimin e materialeve të anketave e hartimin e ADGJSH-së, krahas pyetësorit-bazë të formuluar sipas çështjeve, u hartua edhe një variant i terrenit, në të cilin pyetjet u formuluan ashtu siç do t'u drejtoheshin informatorëve.
Atlasi ynë synon të pasqyrojë të gjitha të folmet e gjuhës shqipe, sepse ai është atlas kombëtar. Për këtë, rrjeti i pikave përfshin 175 vendbanime, nga të cilat 85 në Republikën e Shqipërisë, 66 në trevat shqiptare jashtë saj: në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në anët e Peshterit, të Jabllanicës dhe të Preshevës e Bujanovcit, 5 pika në Çamëri (Greqi); 19 pika në diasporën arbëreshe të Italisë Greqisë dhe të Zarës (Dalmaci). Për pikat e ADGJSH-së në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni ishte parashikuar që të bashkëpunohej edhe me disa nga dialektologët e njohur të Institutit Albanologjik e të Universitetit të Prishtinës dhe, deri në fund të vitit 1980, u bënë edhe disa anketa të përbashkëta në një numër të folmesh të Kosovës e të Malit të Zi. Porse, për shkak të ngjarjeve tragjike të pranverës së vitit 1981 e të situatave gjithnjë e më të rënda të Kosovës, marrëdhëniet midis institucioneve shkencore të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Kosovës e të Maqedonisë u ndërprenë krejtësisht, marrëveshjet e nënshkruara mbetën vetëm në letër, prandaj edhe anketimet për ADGJSH-në në shumë nga pikat e caktuara në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, nuk qe e mundur të bëheshin në vend. Megjithatë, grupi i punës për ADGJSH-në, në pamundësi për të vajtur në pikat e caktuara për anketim, për të mos e lënë veprën të papërfunduar, u detyrua të kërkonte informatorë të ardhur në Shqipëri nga ato vise që parashikoheshin në rrjetin e pikave. Kështu, një pjesë e mirë e pikave të parashikuara u plotësuan me anketime të bëra në ngulimet kosovare të fushave bregdetare, që nga Mamurrasi deri në Fier e Vlorë, po edhe në Elbasan e gjetkë. Kjo mënyrë pune shtrënguese, natyrisht, nuk është aspak e dëshirueshme e, për më tepër, nuk përputhet me kriteret e përgjithshme teorike të ADGJSH-së, por u pranua nga e keqja.
Për arsye të konjunkturave politike e të tjera, sidomos ekonomike, edhe anketimet në diasporën arbëreshe nuk u kryen sipas parashikimit të bërë në rrjetin e pikave të ADGJSH-së.
Anketimet në terren për të gjitha pikat e ADGJSH-së u bënë nga dialektologë specialistë, që kishin marrë pjesë edhe në proceset e tjera të përgatitjes së kësaj vepre: në hartimin e parimeve teorike dhe të kritereve të përgjithshme si dhe të Pyetësorit.
Anketimi për ADGJSH-në u bë kryesisht në grupe dyshe, duke e organizuar punën në mënyrë të tillë që, gjatë anketës, të mbanin shënime të dy dialektologët, pastaj, në fund, të shqyrtonin gjithë materialin e të bënin edhe verifikime e plotësimet e nevojshme. Në disa raste u veprua edhe ndryshe: njëri shkruante, kurse tjetri ndiqte incizimin në magnetofon dhe ndërhynte në ato raste që shikonte se kishte ndonjë problem që duhej shqyrtuar e verifikuar më mirë. Nga fundi i anketimit, për të shpejtuar procesin e realizimit të veprës, po edhe meqë tashmë ishte fituar një përvojë disavjeçare në këto anketime, u bënë anketa vetëm nga një dialektolog, gjithmonë anëtar i grupit të punës, zakonisht i shoqëruar nga ndonjë nga bashkëpunëtorët e jashtëm nga vendi ku kryhej anketa, natyrisht, pa qenë ai i përfshirë në anketim, por thjesht si ospitues apo si ndihmës për incizimin në magnetofon. Gjithashtu, pas mbarimit të gjithë anketimit, u bënë edhe disa anketa verifikuese e plotësuese, sidomos për disa nga dukuritë që, gjatë skedimit dhe hartografimit, ishte parë se kishin ndonjë mangësi apo luhatje të dyshimtë.
Të gjitha anketat për ADGJSH-në janë regjistruar edhe në magnetofon. Bobinat e regjistruara si dhe blloqet e shënimeve të anketave për Atlasin ruhen në kartotekën e fonotekën e sektorit të gramatikës e të dialektologjisë pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.
Për pjesën brenda Republikës së Shqipërisë, përveç 85 pikave të anketuara nga dialektologët specialistë, anëtarë të grupit të ADGJSH-së, u bënë edhe një numër anketash të ndërmjetme, me një pyetësor vetëm për leksikun, por më të gjerë se ai i përdorur në pikat e Atlasit.
I gjithë trualli i shqipes që përfshin ADGJSH-ja paraqitet në harta me shkallë 1: 1.600.000. Brenda kësaj harte zënë vend arealet e vijueshme të të folmeve të Republikës së Shqipërisë dhe ato të trevave shqiptare në Republikën e Kosovës, në Mal të Zi, në Maqedoni e në Serbinë Jugore (Peshteri, Presheva) dhe të folmet e Çamërisë, në Greqi, të ndara me shenja të kufijve shtetërorë. Në skajet e hartës janë vendosur hapësirat e diasporës arbëreshe të Greqisë e të Italisë dhe të Dalmacisë, sigurisht me një shkallë tjetër, më të madhe.
Në fillim, ADGJSH-ja ka disa harta jogjuhësore: harta fizike, harta administrative, harta historike, harta etnografike, harta me emrat e katundeve ose qyteteve ku janë bërë anketimet dhe rreth 700 harta gjuhësore.
Hartat e Atlasit janë dy llojesh: harta sqaruese dhe harta josqaruese dmth. harta ku shënohet fjala pranë numrit të pikës së anketuar dhe harta ku nuk vihen fjalët a format, por simbole të llojeve të ndryshme.
Pas hartave analitike ka edhe harta përgjithësuese.
Në shumë harta leksikore dhe në disa harta morfologjike dallimet gramatikore dhe dallimet fonetike që nuk janë objekt i tyre, pasqyrohen në një tregues në shpinën e hartës paraprirëse. Në tregues, sipas një renditjeje të shkallëzuar, pasqyrohen variantet e ndryshme gramatikore, fjalëformuese e fonetike për hartën leksikore dhe variantet fonetike për hartën morfologjike. Sigurisht, këta tregues bëhen vetëm kur shihet e domosdoshme. Po kështu, kur është e nevojshme, edhe komentari jepet brenda hartës përkatëse.
Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe është, pa dyshim, një nga veprat më madhore të gjuhësisë shqiptare, që radhitet për nga rëndësia krahas "Fjalorit" dhe "Gramatikës së gjuhës së sotme shqipe". Kjo vepër është kurorëzim i zbatimit për herë të parë të gjeografisë gjuhësore në studimin e dialekteve të shqipes dhe paraqet në mënyrë të plotë e më të saktë dukuritë dialektore të gjuhës sonë me shtrirjen e tyre në krejt truallin shqiptar e në diasporën historike më të vjetër arbëreshe. Mbi këtë bazë, sigurisht, do të zgjerohen e do të thellohen më tej njohuritë për dialektet e shqipes dhe do të bëhet e mundur të nxirren përfundime më të përditësuara për gjendjen e sotme të dialekteve tona e për historinë e tyre.Në konkursin e organizuar nga Qendra Albanologjike e vendit, Atlasi u përzgjodh ndër veprat më të mira të kohës dhe konkuroi me mjaft dinjitet shkencor, si vepër kolektive me rëndësi kombëtare.