Kulturë
Rexhep Shahu: Një ditë para varjes se Havzi Nelës
E enjte, 01.08.2024, 06:55 PM
Një ditë para varjes se Havzi Nelës
(Fragment
nga libri Bisedë e përfytyruar me Havzi
Nelën)
Nga
Rexhep Shahu
Një
ditë para se me të varë ty Havzi, vëllezërit e tu në Kollovoz nuk kishin bukë
për fëmijët e tyre për të ngrënë darkë atë natë, nuk kishin drithë për bukë,
miell për bukë.
Kishin
flluar të gatuanin bukë me blidhe byku e mbeturina drithi.
Brigadieri
i kooperativës, Jemin Kola, rastësisht ua sheh vetë bukën që kishin në dorë e
po hanin Asllani e Shukriu, bukë me blidhe me mbeturina lëme. Ia merr një
kafshatë buke nga dora Shukriut dhe e fut në gojë. Ndërsa e përtypte, ajo bënte
kërc – kërc. Si me pasë zall, zhavor në gojë. Edhe më e dobët se sa dukej ishte
ajo bukë. Ai tronditet dhe u thotë Asllanit e Shukriut, hajdi sonte natën te
arat me kujdes… dhe merrni ndonjë dujë drithë.
Asllani
me djalë e Shukria me djalë, me Fadilin, shkojnë marrin do duaj drithi me kuaj…
Edhe
mbrëmjen e ditës që të varën ty Havzi, Shukriu shkon prapë për me marrë ndonjë
duaj drithi me kalë, me vjedhë me dijeninë e shokëve që ishin përgjegjësa në
kooperativë se Shukriu e kishte gjendjen më të dobët. Por roja, Liman Nela, që
ishte me njollë në biografi, e kapë dhe i thotë, sonte nuk duhet me marrë dujë
Shukri, shko sonte, shko...
Shukriu
nuk dinte asgjë se çfarë po ndodhte atë natë me ty Havzi. Nuk kishte si ta
dinte se bash atë natë ty po ta vinin litarin në qafë… Ai dinte vetëm se nuk
kishte drithë për bukë. Ai nuk dinte asgjë për lirinë që të mungonte ty, nuk
dinte asgjë për miqtë e armiqtë e partisë, ai dinte vetëm se nuk kishte bukë
për fëmijët, drithë për bukë…
Ishte
mbrëmja e ditës qe të varën ty Havzi e dy vëllezërit e tu nuk kishin miell në
magje. Kishte shumë roje, shumë lëvizje nëpër fshat e nëpër zonë. Ishte një
frikë shumë e madhe se mos po arratisen njerzit e Havziut. Liman Nela i
këshilloi të mos lëviznin atë natë, të mos merreshin në qafë...