E marte, 03.12.2024, 04:49 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Një Odise sui generis ky i Niko Kacalidhës

E merkure, 31.07.2024, 06:58 PM


NJË ODISE SUI GENERIS KY I NIKO KACALIDHËS

Nga Timo Mërkuri

Poezia "Odisea" e Niko Kacalidhës është një tribut poetik për heronjtë homerikë dhe një reflektim i thellë i udhëtimit shpirtëror të individit. Kacalidha, i ndikuar qysh në fëmijëri nga rrëfimet e gjyshes për Odiseun, sjell një ndjeshmëri të veçantë dhe një lidhje personale me këtë hero. Kacalidha fëmijë te Odiseja shihte gjyshin e tij emigrant shumëvjeçar në Amerikë,Penelopa në sytë e tij ishte gjyshja që e priste të kthehej në shtëpi dhe Itaka  ishte Leshnica, ku ja vlente të kthehe-she, qoftë edhe vetëm për të vdekur aty. Prandaj është kaq e ngrohtë poezia e Kacalidhës, se burron nga shpirti “fëminor” i tij dhe nuk është një fotografim i jashtëm. Dhe dihet që poetët janë fëmijë të përjetshëm. Për Kacalidhën poet ndryshon raporti, Odiseu nuk është thjesht një figurë mitologjike, por është simbol i përjetshëm i sfidave, vuajtjeve dhe qëndrueshmërisë njerëzore.

Fakti që Kacalidha ka shkruar pesë poezi për Odisenë tregon sa i rëndësishëm është ky hero homerik për atë. Përmes këtyre poezive, ai eksploron aspekte të ndryshme të jetës dhe udhëtimit të Odiseut, duke krijuar një portret të plotë të heroit mitologjik. Në poezinë "Odisea," Kacalidha sjell në pah dhembshurinë dhe vuajtjet e Odiseut, duke e portretizuar si një njeri të lodhur nga vuajtjet dhe lufta, por të vendosur për t'u kthyer në shtëpi. Vargjet:

"Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime.

Edhe trapi i gdhendur, lidhur në një rrënjë ulliri.

shfaqin një moment të qetë por të tensionuar, ku Odiseu ndodhet “përballë Itakës”, por ende vazhdon të përballet me sfida dhe rreziqe, ku, siç shprehet:

” Qindra Skila në mugëtirë ulërijnë të tërbuara.

Përditë duke shqyer dhe një copë prej së treturës

klamides sime.

Gjë që tregon përvojën njerëzore të vazhdimit të luftës për të arritur qëllimin, pavarësisht pengesave që dalin përpara.

Duhet të theksojmë se poezia "Odisea" e Kacalidhës është një vepër e fuqishme që kombinon elemente të mitologjisë me ndjeshmërinë dhe perceptimet moderne , sa personale në të njëjtën kohë aq dhe universale. Kjo poezi, së bashku me të tjerat për Odisenë dhe heronjtë homerikë, përbën një pjesë të rëndësishme të kontributit të Kacalidhës në poezinë shqipe dhe një lidhje të veçantë me traditën poetike europiane.

I- Portretizmi i Homerit për Odisenë bëhet në dy  etapa, së pari te”Iliada” ai portretizohet si një luftëtar i mençur dhe i urtë, i cili përdor më shumë zgjuarsinë dhe diplomacinë sesa forcën fizike për të zgjidhur problemet. Ky portret i tij shfaqet në mënyrë të përsëritur në gjithë poemën epike. Kështu në Këngën II, vargjet Homeri tregojnë aftësitë e Odisesë në oratori dhe urtësinë e tij : "I mençur, i ditur, mendjeprehtë, në këshilla ishte,/aq sa asnjë për të mos gabuar s’kishte shokë./Me fjalë të ëmbla e të drejta bindi ushtarët."dhe më poshtë me vargjet :”U nis i mençuri Odise, i barabartë me Perënditë”, për të vazhduar në Këngën XIX, të shfaqë zgjuarsinë dhe mençurinë e tij gjatë mbledhjeve të këshillit:"I mençur, i urtë ishte Odiseu, që fjalë të mëdha s’thosh".

Pra shohim se, Homeri e portretizon Odisenë si një njeri që zotëron urtësi, diplomaci dhe aftësi të jashtëzakonshme oratorie e këshilluese dhe nuk shquhet për forcë fizike, si Akili apo Ajaksi. Realisht Homeri nuk e paraqet Odisenë në asnjë skenë të përgjakëshme në Trojë, ndonëse ai, si komandant sigurisht ka marrë pjesë në beteja, por e rëndësishme është se ai shfaqet në Trojë më shumë në përkujdesjen për ushtarët si te kënga XIX ku këshillon Akilin për ushqimin e ushtarëve se: “Njerëzit e ngopur luftojnë më mirë kundër armiqve”. Nga kjo tërheqim përfundimin se edhe Kalin e Trojës ai e ndërtoi jo thjeshtë për të pushtuar Trojën por më shumë për ti dhënë fund luftës, e cila kishte shkaktuar dëme të shumta ndër ushtarët e aleancës rrethuese. Pra kemi portretin e një strategu të aftë, gjakftohtë e largpamës, plot përkujdesje për ushtarët, sigurisht pse ata ishin forcë luftarake dhe siguronin fitoren me gjithë fitimet materiale që rridhnin prej saj.

Ndërsa në "Odisea", Homeri e portretizuar si një hero kompleks dhe shumëdime-nsional pasi ndriçon cilësi të shumta të karakterit përmes ngjarjeve të ndryshme që  kalon gjatë udhëtimit për t'u kthyer në Itakë.

1.Një nga cilësitë kryesore të Odiseut është mençuria dhe zgjuarsia e tij. Ai është i njohur për aftësinë për të përdorur mendjen për të dalë nga situatat e vështira psh skena kur arrin të mashtrojë Polifemin, ciklopin gjigant, (Kënga e 9-të), ku, ju prezantua si “Askushi” dhe ai i thotë se “Ty do të ha të fundit”, por ndërkohë kur pas verbimit kërkoi ndihmën e ciklopëve të tjerë dhe ata e pyetën se kush ja bëri këtë të keqe, përgjigja e tij: “Askushi” i zemëroi dhe u larguan pa e ndihmuar

2.Odiseu i Homerit nuk është vetëm një njeri i zgjuar, por dhe një luftëtar trim dhe i fuqishëm. Në shumë raste, ai duhet të përballet me rreziqe fizikisht, psh në skenën kur lufton me pretenduesit që kanë pushtuar shtëpinë e tij, Odiseu tregon forcën dhe aftësitë luftarake të tij duke dalur fitimtar mbi pretendentët (Kënga e 22-të).

3.Ai është një udhëheqës i përkushtuar e besnik ndaj luftëtarëve të tij, gjithmonë përpiqet të bëjë më e mirën për ata. Një shembull i kësaj është kur përpiqet të shpëtojë shokët nga sirenat (Kënga e 12-të) dhe urdhëroi që ata të mbyllnin veshët me dyll: “ për të mos dëgjuar këngën joshëse të sirenave”.

4.Pavarësisht se mbret Odiseu është një hero që përjeton emocione e dhembshuri për njerëzit e tij. Kjo është e dukshme në marrëdhënien me Penelopën dhe Tele-makun, të cilët dëshiron të ribashkojë në një familje pas viteve të ndarjes. Një skenë prekëse është kur më në fund takon Penelopën pas shumë vitesh larg shtëpisë (Kënga e 23-të):

5.Odiseu është simbol i qëndrueshmërisë ndaj sfidave e vështirësive me të cilat ai përballet. Qëndresa e tij nuk është vetëm fizike, por dhe mendore e shpirtëro-re. Në skenën ku përballet me Skilën dhe Karibdën (Kënga e 12-të), ai tregon aftësinë për të mbajtur mendjen të qetë dhe të përqendruar për të mbijetuar,  kur me zemër të guximshme e vendosmëri, e drejtoi anijen mes rreziqeve të dyfishta, duke shmangur goditjen nga Skilën dhe Karibdën.

II-Thamë më sipër se Homëri në “Iliadë”nuk e vendos Odisenë gjatë luftës së Trojës në asnjë skenë të përgjakëshme, por te “Odisea” ai gjendet në mes të një skene të tillë, madjeai është shkaktari i një gjakderdhjeje jo plotësisht të justifi-kueshme. Vrasja e pretenduesve të Penelopës nga Odiseu është një nga skenat më të përgjakshme dhe më të diskutueshme të epikës homerike. Kjo skenë tregon një anë tjetër të karakterit të Odiseut, ku shfaqet një ndryshim i madh nga portreti i tij i zakonshëm si një hero mendjemprehtë dhe i dhembshur. Ky ndryshim total mund të gjykohet, justifikohet dhe interpretohet në disa mënyra.

1.Një nga arsyet kryesore për këtë veprim ekstrem mund të jetë drejtësia dhe hakmarrja. Pretenduesit i kishin pushtuar shtëpinë, kishin shkatërruar pasurinë dhe i kishin rrezikuar sigurinë e familjes. Në atë kontekst, Odiseu ndjen se si kryefamiljar (dhe mbret)duhet të rivendosë rendin dhe drejtësinë në shtëpi, duke ndëshkuar mtonjësit ashpërsishte. Janë legjendare vargjet e kësaj skene: "Atëherë, Odiseu i tha Telemakut: 'Mos lër asnjë të ikë, mos lër asnjë të shpëtojë.'"

2.Veprimi i Odiseut mund të interpretohet edhe si një përpjekje për të rivendosur autoritetin dhe rendin në shtëpi dhe në mbretërinë e tij. Pretenduesit përfaqëso-jnë kaosin dhe anarkinë, dhe Odiseu, si mbreti i ligjshëm, duhet të vendosë rendin dhe disiplinën.

3.Një tjetër interpretim i këtij ndryshimi në karakterin e Odiseut është se ai ka kaluar përmes vuajtjeve dhe sfidave të shumta gjatë udhëtimit dhjetëvjeçar dhe këto vuajtje si dhe humbja e shokëve kanë ndryshuar natyrën e tij, e kanë bërë më të ashpër dhe më pak të mëshirshëm ndaj armiqve. Pra pas viteve të mundimit dhe sfidave të pafundme, zemra e Odiseut është forcuar dhe ngurtë-suar.

4.Nga një perspektivë etike, veprimi i Odiseut mund të shihet si i diskutueshëm. Megjithëse ai ka arsye për të ndëshkuar pretenduesit, brutaliteti i veprimit të tij ngre pyetje për moralitetin e hakmarrjes dhe ashpërsinë e përmasën e dënimit që ai jep. Ky akt tregon kontradiktat e thella në natyrën njerëzore dhe kompleksi-tetin e drejtësisë dhe kulturën e kohës në të cilën ndodh ngjarja. Përmes kësaj skene Homeri na afron një pamje të plotë dhe të shumanëshme të portretit të Odiseut, duke e bërë atë një figure sa të pasur aq dhe të diskutueshme në letërsi-në botërore. Megjithëatë të mos harrojmë  se si rastësisht pas hakmarrjes mbi pretendentët, në poemë përmendet fakti se Odisea e kishte krevatin të gdhendur në trungun e një ulliri qindravjeçar, që, duke  kujtuar se ulliri simbolizon paqen, edhe Odisea erdhi të jetonte në paqe në Itakë, por lufta ju imponua  në shtëpinë e tij.

III-Portreti i Odiseut është një nga më të pasurit dhe të shumëanshëme në letërsi-në botërore, ku ai  shfaqet në pozicione të ndryshme nga autorë të ndryshëm, në periudha të ndryshme. Sigurisht që duke përzgjedhur autorët japim disa nga portretizimet më të njohura të Odiseut, (veç “Iliada” dhe “Odisea” të Homerit):

1.Sofokliu (497-406 p.e.s.) në tragjedinë e tij "Ajaksi" ( “Ajax”shek.V p.e.s.) e shfaq Odiseun si një diplomat dhe strateg të mençur, në kontrast me Ajaksin, i cili është impulsiv dhe i dhunshëm.

2.Virgjili (70-19 p.e.s.) në veprën e njohur "Eneida" (shek.I p.e.s.) Odiseun e paraqet me një ngjyrim negativ si rival i Eneut dhe si person mashtrues i pabesë, madje janë të famëshme vargjet: "Shikoni, prapa tij qëndron Uliksi i pabesë" (Libri 2, vargu 164).

3.Dantja Aligeri (1265-1321) te vepra madhore "Komedia Hyjnore" ( 1308-1320) e vendos Odiseun në rrethin e tetë të Ferrit për mashtruesit,i dënuar për dëshirën e pashuar për dije dhe aventurë.

4.Alfred, Lord Tennyson (1809–1892) një poet britanik shkruan poemën "Ulysses" (1833) një version të heroit të Homerit, një Odise i plakur që ndjen nevojën dhe dëshirën për aventura dhe eksplorime të reja në pleqëri, pas kthimit në Itakë, duke e shfaqur si aventurierizëm udhëtimin e famshëm të heroit homërik.

5.Kostandin Kavafis(1863-1933)poet grek. Poezia e tij “Itaka” (1911) është një reflektim filozofik mbi udhëtimin e jetës dhe rëndësinë e qëllimeve të larta. Duke përdorur metaforën, ai thekson se vetë udhëtimi është më i rëndësishëm se sa mbritja: "Kur nisesh për në Itakë/ lutu që rruga jote të jetë e gjatë,/plot aventura, plot njohuri/ Lestrogotët, Cikllopët, Poseidonët e zemëruar/ nuk do gjesh në rrugën tënde/në qoftë se mendimet e tua mbeten të larta."

5.James Joyce (1882-1941)  në veprën e tij "Ulysses" (1922) modernizon epikën e Homerit duke ndjek një ditë nga jeta e personazhit Leopold Bloom në Dublin, pikërisht ditën e 16 qershorit 1904. I njohur për përdorimin e teknikës së rrjedhjes së ndërgjegjes dhe për përshkrimet komplekse të jetës së personazheve,ai eksplo- ron mendimet dhe përvojat e Bllom dhe personazheve të tjerë në udhëtimin një ditor.

5.Nikos Kazantzakis (1883-1957) –“Odiseja: Një vijim modern” (The Odyssey: A Modern Sequel) (1938), një poemë epike më 33.333 vargje të shkruara në 24 këngë të ngjashme me strukturën dhe stilin e “Odisea” Homerit. Në këtë vepër Odisea vijon udhëtimin e tij pas kthimit në Itakë në kërkim të kuptimit të jetës së lirë nga kufizimet e egzistencës konvencionale. "Dhe kështu ai vendosi të mos qëndronte në Itakë; ai duhej të udhëtonte përtej saj, drejt horizonteve të reja" (Prologu, vargjet 22-24).

IV-Ajo që na intereson në analizën tonë është portreti i “Odisesë” dhënë nga poeti Niko Kacalidha te poezia e tij “Odisea”. Qysh në leximin e parë duket që portreti i Odiseut është i ndërlikuar dhe shumëdimensional, pasi reflekton një udhëtim të jashtëzakonshëm fizik dhe shpirtëror. Ky portret I Odisesë përfshin aspekte vizuale, shpirtërore, poetike duke krijuar një figurë simbolike.

1.Vizualisht, Odiseu shfaqet si një udhëtar i vetmuar në bregdet, i mbështetur në një gur, përballë Itakës, gjë që nënkupton se është diku nga fundi i udhëtimit. Ky imazh është i fuqishëm dhe i ngarkuar emocionalisht, pasi tregon një njeri që ka kaluar nëpër sprova të pafundme dhe që ndjen peshën e udhëtimit. "Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime. Edhe trapi i gdhendur, lidhur në një rrënjë ulliri," janë vargje që e vendosin në një moment reflektimi dhe pranie fizike, të lidhur me Itakën e tij, por ende të ndarë prej saj nga një distancë më shumë shpirtërore sesa fizike.

2.Shpirtërisht, Odiseu i Kacalidhës është një njeri që përjeton vuajtje dhe sfida të mëdha, por që ruan një ndjenjë besimi të palëkundur te qëllimi dhe shpresa e tij. Ulërimat e Skilës dhe vreri i Karibdës përfaqësojnë pengesat dhe vështirësitë që ka kaluar, të cilat e kanë gërryer, por nuk e kanë shkatërruar. "Vrer derdhin Karibdat të nxijnë buzët e mia," ilustron sfidat e vazhdueshme dhe rezistencën e këmbënguljen e tij për të mbijetuar dhe për t'u rikthyer në Itakë.

3. Artistikisht portreti i Odiseut shfaqet si një hero modern dhe njeri që kërkon paqen dhe rikthimin në atdhe. Kacalidha përdor një gjuhë të pasur me simbole e metafora për të përshkruar udhëtimin e dhe dëshirën e zjarrtë për t'u kthyer në Itakë. Poeti përdor referenca të pasura mitologjike dhe simbole për të theksuar vuajtjet dhe goditjet që merr(Qindra Skila në mugëtirë ulërijnë të tërbuara.)dhe triumfet e Odiseut. “Edhe trapi i gdhendur, lidhur në një rrënjë ulliri”. janë simbole të lidhjes së fortë me shtëpinë dhe familjen, ku ulliri, simbol i paqes dhe qëndrue-shmërisë përfaqëson shpresën dhe dëshirën për rikthim pas një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë. Në aspektin modernist, Odiseu paraqitet jo vetëm si një hero i madh, por edhe si një njeri me dëshira të thjeshta dhe thelbësore - dashuria për familjen dhe dëshira për paqe:

" Të puth Penelopën time buzë me buzë, që të

përmbyset bota. Të puth Telemakun që më

pret nëpër ullishtet e atdheut."

Pasazhi që ilustron dashurinë e thellë për Penelopën dhe Telemakun, duke treguar se, pavarësisht aventurave dhe lavdisë, ai mbetet i përkushtuar ndaj familjes. Simboli i ullirit dhe shamisë janë të fuqishëm në këtë kontekst, duke përfaqësuar paqen dhe dashurinë e ndershme:

"Unë, Odiseu në një breg, po lag shaminë time.

Unaza ime farfurin duke praruar detet.

Tej në Itakë vetëtin dhe zgjohet agullimi."

ku shamia dhe unaza janë simbole të dashurisë dhe lidhjeve të pandashme që ka me Penelopën. Këto elemente artistike theksojnë anën njerëzore të Odiseut dhe e portretizojnë atë si një hero modern, i cili kërkon jo vetëm fitore dhe lavdi, por se pari dashuri dhe qetësi shpirtërore duke theksuar dimensionin njerëzor të heroit.

V- Poezia e Kacalidhës përmban një mesazh filozofik rreth udhëtimit shpirtëror të individit, përkushtimit ndaj vlerave të përhershme dhe qëndrueshmërisë përballë sfidave të jetës.

1.Një nga mesazhet kryesore: udhëtimi i jetës është plot me pengesa e sfida, por qëllimi dhe lidhja emocionale me vendin e origjinës dhe me ata që duam na japin forcë për të vazhduar udhëtimin drejt tyre. Këtu Odiseu përfaqëson njeriun që përballet me vështirësi të shumta, por nuk e humb kurrë qëllimin për t'u kthyer në shtëpi dhe për të rikthyer paqen shpirtërore:

"Të puth Penelopën time buzë me buzë, që të përmbyset bota.

Të puth Telemakun që më pret nëpër ullishtet e atdheut."

Këto vargje ilustrojnë dëshirën e fortë të Odiseut për t'u kthyer në familjen e tij për të rifituar paqen, jetën normale dhe lumturinë e humbur, duke shfaqur në këtë mënyrë natyrën e tij njerëzore. Për të, kthimi në Itakë nuk është udhëtim fizik, por një udhëtim shpirtëror drejt përmbushjes dhe realizimit të vlerave më të thella të jetës së njeriut.

2.Poezia nxjerr në pah idenë e qëndrueshmërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave dhe idealeve, pavarësisht nga vështirësitë me të cilat përballesh në jetë. Ky qëndrim është i qartë pas vargjeve: "Vrer derdhin Karibdat të nxijnë buzët e mia." ku shprehet:

“Të puth Penelopën time buzë me buzë, që të

përmbyset bota. Të puth Telemakun që më

pret nëpër ullishtet e atdheut”.

pasi për familjen e vlen çdo luftë dhe sakrificë.

3.Në fund, mesazhi filozofik i poezisë është se pavarësisht nga rreziqet dhe vështirësitë në jetë, qëndrueshmëria dhe përkushtimi ndaj qëllimeve tona na ndihmojnë të arrijmë destinacionin final, shpesh më shumë emocional e shpirtë-ror se sa fizik apo material. Kjo është tepër e dukëshme te vargjet: “Dhe kaq mjafton të kthehem  mbi një dërrasë në Itakën time”, ku pohoet se edhe një dërrasë e thjeshtë është e mjaftueshme për Odisenë që të arrijë Itakën,dashurinë, lumturinë dhe paqen në jetën shpirtërore).

VI- Në poezinë "Odisea" të Niko Kacalidhës, figura e Odiseut paraqitet në një kontekst modernist, ku elementët mitologjikë ndërthuren me realitetin dhe përje-timet bashkëkohore. Kacalidha përdor një qasje moderniste për të trajtuar tema universale dhe për të krijuar një lidhje të thellë midis mitologjisë dhe ndjeshmëri-së moderne.

1.Një nga aspektet kryesore të qasjes moderniste të Kacalidhës është përdorimi i mitologjisë për të reflektuar sfidat e jetës moderne. Odiseu, si simbol i njeriut në kërkim të kuptimit dhe identitetit, përfaqëson udhëtimin e vështirë të individit përmes pengesave dhe tundimeve të shumta. Vargjet "Në mes të detit, mes sirenash që këndojnë" tregojnë se tundimet dhe sfidat që heroi përjeton janë të përjetshme dhe universale, të njëjtat që çdo njeri has në përpjekjen për të gjetur veten dhe qëllimin në jetë.

2.Elementët mitologjikë si Sirenat, Skila e Karibda janë përdorur për të simboli-zuar rreziqet dhe sfidat e kohës moderne. Kacalidha i shfaq këto figura jo vetëm si pengesa fizike, por edhe si metafora për vështirësitë shpirtërore e emocionale që individi përjeton në udhëtimin e tij jetësor. Vargjet "Ulërimat e Skilës dhe vreri i Karibdës" janë shprehje të përplasjeve dhe dhimbjeve që njeriu duhet të përballo-jë, duke i dhënë një dimension të thellë dhe kompleks udhëtimit të Odiseut.

3.Kacalidha përdor një gjuhë të pasur dhe simbolike për të krijuar një ndjenjë rrjedhshmërie dhe natyrshmërie në poezi. Struktura e vargjeve të lira dhe përdorimi i figurave të fuqishme letrare e bëjnë poezinë të gjallë dhe dinamike.  "Edhe trapi i gdhendur, lidhur në një rrënjë ulliri" është një imazh i bukur që simbolizon lidhjen e Odiseut me Itakën, një lidhje që i rreziston kohës.

4.Një tjetër aspekt modernist është introspeksioni dhe thellësia filozofike e poe-zisë. Odiseu i Kacalidhës është një njeri që mediton për përvojat dhe kërkon të kuptojë thelbin e ekzistencës së tij. Vargu "Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime" tregon një moment të reflektimit të thellë dhe të vetëdijes për identitetin dhe qëllimin e tij. Kacalidha përdor këtë introspeksion për të krijuar një lidhje të ngushtë midis lexuesit dhe Odiseut, duke e bërë udhëtimin e tij një udhëtim të përbashkët njerëzor.

VII- Poezia e Kacalidhës përmban elemente të rrymave moderniste, duke përfshi-rë imagizmin, ekspresionizmin, dhe simbolizmin, reflekton një ndjeshmëri të madhe,të thellë ndaj këtyre rrymave dhe i përdor ato për të trajtuar tema unive-rsale për të krijuar një dialog midis të kaluarës dhe të tashmes. Rrymat moderni-ste elementët e të cilave janë përfshirë në këtë poezi janë:

1.Imazhizmi, një lëvizje që thekson përdorimin e imazheve të qarta dhe precize për të përçuar emocionet dhe idetë, është i pranishëm në poezinë e Kacalidhës, me imazhe të fuqishme dhe të detajuara për të krijuar një atmosferë të gjallë dhe të prekshme. Vargu:"Ulërimat e Skilës dhe vreri i Karibdës" është imazh i fuqishëm mitologjik për të përçuar ndjenjën e frikës dhe rrezikut, duke i bërë lexuesit të ndihen sikur janë pjesmarrës në mes të sfidave të Odiseut.

2.Ekspresionizmi, që thekson përjetimin emocional dhe shpirtëror mbi realitetin objektiv, është një tjetër rrymë që ndikon në poezinë e Kacalidhës, pasi është e dukshme. Poezia eksploron ndjenjat dhe përvojat e brendshme të individit, duke përdorur një gjuhë të fuqishme dhe të pasur me emocione. Vargu:"Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime" tregon një moment introspektiv dhe një përjetim emocional të fortë, duke reflektuar gjendjen shpirtërore të trazuar të Odiseut. Po ashtu ironia është një tjetër teknikë ekspresioniste që Kacalidha përdor për të theksuar kontradiktat dhe absurditetet. Vargu: "Mposhte panikun, Odise, se edhe pa dyllë veshëve do t’i kalojmë ngushticat"tregon qartazi absurditetin e situatës përmes ironisë.

3.Simbolizmi, është gjithashtu i dukshëm në veprën e Kacalidhës. Poeti përdor simbole mitologjike për të eksploruar tema universale dhe për të krijuar një ndjenjë lidhjeje midis të kaluarës dhe të tashmes. Të vargu: "Edhe trapi i gdhendur , lidhur në një rrënjë ulliri" përdor simbolin e ullirit, një pemë e shenjtë në kulturën antike greke, për lidhjen e Odiseut me Itakën dhe rrënjët e tij. Vargu: "Rrugëtimi i tij përmes deteve dhe tokave të huaja"mund të interpretohet si një alegori e jetës njerëzore, me sfidat dhe pengesat që duhen përballuar në kërkim të kuptimit dhe qëllimit të jetës.

Përmes përdorimit të elementëve të këtyre rrymave moderniste te “Odisea”, Kacalidha arrin të krijojë mjeshtërisht një poezi që është në të njëjtën kohë e gjallë dhe filozofike, duke e bërë atë pjesë të rëndësishme të poezisë moderniste shqipe dhe europiane.

VIII- Poezia "Odisea" e Kacalidhës i kushton më tepër rëndësi natyrës njerëzore të Odiseut, duke e paraqitur jo si një mbret, prijës dhe luftëtar, por së pari si një bashkshort dhe baba të përkushtuar.Një portret të ndjeshëm të Odiseut, që na lejon të shohim si nëpërmjet një xhami të pastër ndjenjat dhe përjetimet intime.

Në vargun"Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime" shfaqet lodhja dhe përma- llimi për vendlindjen, një moment i thellë reflektimi ky që na tregon dëshirën e tij të thellë për t'u kthyer në shtëpi, tek ata që i do më shumë.

Vargjet "Të puth Penelopën time buzë me buzë, që të përmbyset bota. Të puth Telemakun që më pret nëpër ullishtet e atdheut," na sjellin përballë dashurinë për familjen, si synim i udhëtimit të Odiseut se për atë, kthimi në Itakë nuk është një çështje lavdie ose detyre dhe ca më pak materiale, por një çështje shpirtërore.

Në vargun "Unë, Odiseu në një breg, po lag shaminë time. Unaza ime farfurin duke praruar detet," ndjehet vuajtja shpirtërore dhe mallëngjimi. Lotët janë një shprehje e qartë e dhembjes së tij për kohën e humbur dhe distancën nga ata që i do.

"Dhe Penelopa ime e mirë endet në anëdete. Laerti, Telemaku im dhe tymi i shtëpisë sime," tregon qartë rëndësinë e familjes. Penelopa, që e pret me besnikëri, Laerti dhe Telemaku që mbajnë shpresën gjallë dhe tymi i shtëpisë, simbol i ngrohtësisë dhe stabilitetit të shtëpisë, përbëjnë thelbin e jetës së tij.

Si një hymn tingëllon në fund, vargu "Dhe kaq mjafton, të kthehem mbi një dërrasë në Itakën time," varg I cili përmbledh gjithë dëshirën e tij të thellë dhe vendosmërinë për t'u ribashkuar me familjen. Mjafton një dërrasë e thjeshtë për të hyrë në portat e lumturisë familjare, asgjë tjetër nuk kërkon ky heroi zulmëmadh që mundësoi mposhtjen e Trojës së pamposhtëshme.  Prandaj themi se poezia "Odisea" e Niko Kacalidhës na paraqet Odiseun në dritën e një njeriu që përjeton dashuri, vuajtje dhe mallëngjim. Është pikërisht kjo anë njerëzore që e bën Odiseun një figure të përjetshme dhe të prekshme, duke e lidhur me përvojat dhe ndjenjat universale të njerëzimit.

IX- Vargu i fundit i poezisë "Odisea" të Niko Kacalidhës, "Dhe një dërrasë më mbeti. Dhe kaq mjafton, të kthehem mbi një dërrasë në Itakën time," përmban një thellësi filozofike dhe një bukuri artistike që meriton një analizë të hollësishme më vete.

1.Filozofikisht, ky varg përfaqëson triumfin e shpirtit njerëzor dhe qëndrueshmë-rinë e tij përballë sfidave të jetës. Kacalidha përdor imazhin e thjeshtë të një dërrase për të simbolizuar mbijetesën dhe vendosmërinë. Pavarësisht nga të gjitha vështirësitë dhe humbjet, mbetet vetëm një dërrasë, por dhe kjo është e mjaftueshme për të arritur qëllimin.

2.Në këndvështrimin ekzistencialist, ky varg reflekton idenë se jeta është e mbushur me sfida dhe rreziqe, por ajo që ka rëndësi është qëllimi përfundimtar dhe përpjekja për të arritur atë. Odiseu nuk kërkon luks ose komoditet në kthimin e tij; ai pranon realitetin dhe përqendrohet në esencën e asaj që është e nevojshme për të arritur destinacionin e tij:"Dhe një dërrasë më mbeti. Dhe kaq mjafton ..."Ky pranim i një minimumi të nevojshëm për të arritur një qëllim është thelbësor për filozofinë ekzistencialiste, ku kuptimi dhe qëllimi i jetës janë krijuar nga përpjekjet individuale dhe përvojat personale.

3.Nga një perspektivë stoike, ky varg sigurisht nënvizon qëndrueshmërinë dhe paqen e brendshme përballë fatkeqësive. Odiseu mbetet i fokusuar dhe i qetë, pavarësisht nga humbjet materiale dhe sfidat që ka përballuar. Për një stoik, është thelbësore të mbash një qëndrim të fortë dhe të paepur: "Dhe kaq mjafton, të kthehem mbi një dërrasë në Itakën time." duke treguar se suksesi dhe lumturia nuk varen nga rrethanat e jashtme, por nga qëndrimi dhe përkushtimi i brendshëm ndaj qëllimeve dhe vlerave personale.

4.Artistikisht, ky është një varg i thjeshtë, por i fuqishëm në ndërtimin e tij. Poeti përdor gjuhën e thjeshtë dhe të qartë për të krijuar një imazh të fortë vizual dhe emocional. Thjeshtësia e vargut pasqyron esencën e përvojës njerëzore dhe rëndësinë e kthimit në origjinë.

5.Vargu përmban një simbolizëm të pasur. Dërrasa është një simbol i mbijetesës dhe shpresës, ajo përfaqëson minimumin e nevojshëm për të vazhduar përpara dhe për të arritur qëllimin. Pavarësisht nga të gjitha sfidat dhe pengesat, kjo dërrasë mbetet si një simbol i forcës dhe vendosmërisë së Odiseut: "Dhe një dërrasë më mbeti." Tingëllon shumë më shumë se sa të thotë luftëtari në betejë: “Dhe një fishek më mbeti” Ky simbolizëm përforcon idenë se forca dhe suksesi nuk varen nga sasia e burimeve, por nga qëndrimi dhe përpjekja për të përdorur ato që kemi në dispozicion për të arritur qëllimet tona.

6.Sigurisht që ky varg mbart elemente të ekspresionizmit në mënyrën se si shpreh emocione të forta dhe ndjenja përmes një imazhi të fuqishëm dhe të thjeshtë . Përdorimi i një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe të qartë krijon një efekt të fuqishëm emocional, duke i lejuar lexuesit të ndjejnë peshën e përvojave të Odiseut dhe triumfin e tij të brendshëm: "Dhe kaq mjafton, të kthehem mbi një dërrasë në Itakën time." Pra, ky varg i fundit i poezisë "Odisea" të Kacalidhës është një shembull i fuqishëm i një filozofie të qëndrueshme dhe një arti të thjeshtë por të ndjeshëm. Përmes këtij vargu, Kacalidha sjell në jetë përvojat dhe ndjenjat e Odiseut në një mënyrë që rezonon me lexuesin dhe që përçon mesazhe filozofike dhe emocionale.

Poezia “Odisea” e Kacalidhës shquhet për kontributin e saj të çmuar si një arritje moderniste në poezinë bashkëkohore shqipe. Duke përdorur një ndërthurrje të sofistikuar të mitologjisë dhe elementeve moderniste Kacalidha krijon një vepër që rezonon thellësisht me lexuesin, ku portretizmi i ndjeshëm dhe njerëzor i Odiseut, i shprehur me një gjuhë të pasur dhe simbolike thekson përjetimet universal të kërkimit të paqes dhe rikthimin në familje. Kjo poezi me ndjenjën e saj shpirtërore dhe stilin e saj artistic të avancuar, pasuron traditën poetike shqiptare dhe e vendos atë një kontekst më të gjerë kulturor dhe letrar, duke qenë një testament i fuqisë artistike dhe filozofike të Kacalidhës, që e vendos atë në radhët e poetëve më të rëndësishëm të kohës sonë.

Sarandë, më korrik 2024

Odiseu

Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime.

Edhe trapi i gdhendur, lidhur në një rrënjë ulliri.

Qindra Skila në mugëtirë ulërijnë të tërbuara.

Përditë duke shqyer dhe një copë prej së treturës

klamides sime.

Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime.

Vrer derdhin Karibdat të nxijnë buzët e mia.

Të puth Penelopën time buzë me buzë, që të

përmbyset bota. Të puth Telemakun që më

pret nëpër ullishtet e atdheut.

Unë, Odiseu në një breg, po lag shaminë time.

Unaza ime farfurin duke praruar detet.

Tej në Itakë vetëtin dhe zgjohet agullimi.

Dhe Penelopa ime e mirë endet në anëdete.

Laerti, Telemaku im dhe tymi i shtëpisë sime.

Unë Odiseu mbi një gurë. Dhe një dërrasë më

mbeti.

Dhe kaq mjafton, të kthehem mbi një dërrasë

në Itakën time.

f.308,



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora