E shtune, 21.12.2024, 05:52 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Xhejms Xhojs - Uliksi (II)

E hene, 29.07.2024, 06:58 PM


“ULIKSI” – XHEJMS XHOJS

Vazhdimi II

Nga Prof. Xhelal Zejneli

12.

Tregimtari në vetën e parë e pasqyron bisedën me Xho Hajnesin. Ndodhej në cep të kodrës Arbur. Ia behu oxhakfshirësi i cili sa nuk ia nxori syrin me netullën e tij. Ktheu kokën dhe e pa Xhoin. I tregoi Xhoit se Troi i policisë së Dublinit i kishte dhënë të dhëna për një vjedhës mjaft të shkathët që banonte në cepin Çikën Lejn. Ka ditë që orvatet ta gjejë për ta detyruar t’ia kthente borxhin. Xhoi propozoi ta vizitonin mikun Barni Kiernan. U pritën nga lehjet e qenit të Barnit. Pas pak doli edhe Barni. Porositën verë shtëpie, ndërsa Xhoi pagoi me një monedhë ari, gjë që disi e habiti tregimtarin. Ai e pyeti mos vallë e kishte grabitur arkëzën e bamirësisë.

Në kafene hyri Denis Brini. Ishte me papuçe për larje, ndërsa në duar mbante dy libra të mëdhenj. Gruaja i vinte pas. Xhoi sqaroi se si nëpër tërë Dublinin ecën me kartëpostalen që ia kishte dërguar dikush. tani ai shkruan ngre padi për cenimin e nderit dhe si zhdëmtim kërkon dhjetë mijë funta. Iu bashkua Alf Birgeni i vogël. Porositi një kupë birre të zezë. Pastaj nxori nga xhepi një tufë letrash dhe zarfe. Bob Dorani i pyeti se përse qeshin, ndërsa tregimtari, që të mos i përgjigjej ngase e dinte se Bobi pas pijes bëhej i çuditshëm, e pyeti Alfin se si ishte Uilli Mërej.

Alfi sapo e kishte parë Uillin me Pedi Dignemin, në rrugën Kepëll. Menjëherë ndërhyri Xhoi dhe u tha se Pedi Dignem kishte vdekur. Ishte varrosur në mëngjes. Barni Kiernam vëzhgoi nëpër dritare dhe e pa Blumin i cili kishte dhjetë minuta që qëndronte aty. Bobi u shqetësua nga lajmi për vdekjen e Dignemit. Nisi të lotojë sinqerisht duke thënë se ka qenë shpirtdëlirë. Blumi hyri në tavernë dhe e pyeti Terin në ka qenë aty Martin Kaningemi. Xhoi e pyeti se ç’do të pinte. U fjalosë paksa. Blumi refuzonte me arsyetimin se s’kishte kohë. Megjithëkëtë, ata ngulmonin që të merrte diçka. Në fund u pajtua të ndezte vetëm një cigare. Filluan të flasin për dënimin me vdekje. Alfi tha se pas varjes, organi gjenital i mashkullit është në gjendje ereksioni. Blumi tentoi që këtë çështje ta shpjegonte shkencërisht. Një dijetar kishte provuar me fakte se fraktura e menjëhershme e unazës së qafës, e bashkë me të edhe e shtyllës kurrizor, shkaktonte ngacmimin e fuqishëm të qendrave nervore të aparatit gjenital. Pas kësaj Barni vazhdoi të fliste për gjuhën irlandeze dhe për kuvendin e këshillit të qytetit si dhe për personat të cilët sa çel e mbyll sytë janë ngritur në pozita shoqërore, e që fare nuk kanë njohuri për gjuhën e tyre. Blumi iu bashkua bisedës dhe foli për Lidhjen kelte si dhe për Lidhjen Kundër Bankave dhe Pijes. Porositën edhe nga një pije. Blumi përsëri refuzoi. Sqaroi se donte të takohej me Martin Kaningemin për sigurimin e Dignemit. Dignemi nuk e ka njoftuar kompaninë për hipotekën dhe sipas ligjit debitori nën hipotekë nuk mund të marrë policë.

Vazhduan bisedën për sportet dhe lojërat irlandeze që i konsiderojnë si sporte të personave të cilët përnjëherë janë ngjitur në pozita, siç është tenisi në lëndinë, për frymën kombëtare dhe rilindjen e kombit. Blumi përsëri mbajti një ligjëratë duke thënë se orvatjet fizike të mëdha janë të rënda po qe se njeriu është me zemër të dobët. Secilën temë ai e shpjegonte gjatë, kështu që për tregimtarin kjo ishte paksa e padurueshme. Pastaj kaluan në çështjet e turneut në të cilin merr pjesë edhe gruaja e Blumit.

Në bar hyjnë J. J. dhe Nedi të cilët ulen në tavolinë e tyre. Alfi i pyeti mos ndoshta e kishin takuar Brinin. Po, kërkon detektiv privat. Kërnei Killihir e kishte sugjeruar që të mos i drejtohej drejtpërsëdrejti gjykatës dhe e kishte bindur të pranonte që së pari të bëhej analiza e dorëshkrimit. Blumi shtoi se, megjithëkëtë është për të ardhur keq, të paktën për shkak të gruas së shkretë.

Blumi e shfrytëzoi rastin për të biseduar me Xhoin për shpalljen. I tha se me rëndësi është ajo për Kijsin, ndërsa Xhoi i premtoi se do të publikohej. Për një çast Blumi sikur u zhduk diku, ndërsa të tjerët vazhduan të pinë.

13.

Afër bregut Sendmont ishin ulur tri shoqe. Kënaqeshin pranë shkëmbinjve të një nate vere. Shpesh vinin pikërisht aty për të gudulisur me kënaqësi. Ishin Kijs Kefri, Edi Bordmen dhe dy binjakë katërvjeçarë, Tomi dhe Xhek Kefri. Ndodhte që binjakët të ishin tepër të zhurmshëm dhe paksa të lazdruar, por marrë në përgjithësi kishin sjellje të mirë. Luanin me lopatëza dhe gërmonin në zall, por në një rast u hidhëruan. Çështja kishte të bënte me kështjellën prej rëre që e kishte ndërtua Xheku, ndërsa Tomi me çdo kusht dëshironte të shtonte një derë hyrjeje si të kullës Martello. Që të sy ishin kokëfortë dhe krejt kjo rezultoi me rrënimin e kështjellës dhe me lot. Motra e tyre e thirri Tomin, kurse Xhekun e qortoi ngase e shtyu vëllain në zallin e papastër. Binjakët iu bindën menjëherë për arsye se fjala e motrës kishte qenë ligj.

Pranë tyre rinte ulur shoqja e tretë Gerta MekDouel. Duke shikuar diku larg, ishte zhytur në mendime. Të gjithë e konsideronin bukuroshe dhe kishte edhe njëfarë qëndrimi mbretëror të lindur. Mendonte për Rigi Uejllin i cili ditë e natë ia kishte pushtuar mendimet. Ishte veshur me një kujdes të veçantë mos ndoshta e takonte rastësisht. Tanimë nuk kalonte me biçikletë para dritares së saj për arsye se babai e kishte shtrënguar të mësonte për të fituar bursë, për t’u regjistruar në kolegjin Triniti dhe për t’u bërë mjek. Ajo ëndërronte për dashurinë dhe martesën, por e dinte se një gjë e tillë nuk do të ndodhte lehtë. Ajo do të ishte për të një grua ideale. Mendonte se si do të kujdesej që ai të ndjehej si mos më mirë në shtëpinë e tyre.

Sisi ishte e kundërta e shoqes së saj Gerta. Nuk nguronte të përdorë fjalor të pahijshëm dhe sa herë që përdorte fjalë të tilla, Gerta skuqej ngase konsideronte se një fjalor i tillë nuk i kishte hije një zonje. Sisi po ashtu ishte një person e cila gjithmonë të bën të qeshësh, i praktikonte djallëzitë, por në shpirtin e saj ishte mishëruar edhe sinqeriteti. Fëmijët një kohë luajtën mirë me top, por aty për aty, Xhekut iu zgjuan tekat dhe qëllimisht i dha  topit me sa fuqi që kishte. Topi i shkoi një burri që dukej se mbante zi. Sisi iu lut që t’ia kthente sa më parë për arsye se binjakët e zemëruar bërtisnin. Zotëria e hodhi topin mu te këmbët e Gertës gjë që e zemëroi atë. U përpoq ta largonte por nuk ia doli. Sisi dhe Edi ia krisën të qeshurës.

Binjakët përsëri filluan të fjalosen dhe Xheku e shutoi topin kah deti. Që të dy u nisën për ta marrë. Sisi dhe Edi brofën dhe u bërtitën nga frika se mos mbyten. Sisi rendi pas tyre dhe i tha vetes se kjo është hera e fundit që i merrte në shëtitje. Edi ua krehu flokët çunave. Pas kësaj u nisën për në shtëpi ngase ishte bërë vonë. Para se ta nxirrnin karrocën në shteg, kishin mjaft për të ecur nëpër plazh. Me t’u përgatitur për nisje, andej kah panairi panë fishekzjarrë.

Tani Gerta kishte mbetur vetë. E hodhi shikimin kah zotëria në të zeza. Shikonte fishekzjarrët dhe e ngriti fundin që ai të mundë t’ia shihte çorapet e tejdukshme, gjalmat dhe brekët. Ajo e dinte se ai po e shikonte dhe po kënaqej. Ishte Leopold Blumi. Fishekzjarrët mbaruan dhe ajo dëgjoi Sisin që e thërriste. Nxori një shami të bardhë që kishte me vete dhe e tundi në shenjë përshëndetjeje.

Blumi e vështronte se si largohej. Iu duk sikur çalonte. I erdhi mirë që s’e pa një gjë të tillë kur ajo i shfaqej, edhe pse kjo nuk do t’i pengonte gjithaq. Vazhdoi të mendonte për vajzën edhe një kohë të gjatë pas shkuarjes së saj. Nisi t’i pëlqente disi vajzat e reja. Donte t’ia lërë njëfarë porosie që të mundë të vinte edhe nesër. Mbase edhe e kishte pritur. Kishte dëshirë ta shihte sërish, por më në fund hoqi dorë. E mori me mend se ora tashmë mund të jetë rreth nëntë, ndaj u nis për në shtëpi.

14.

Horni mbante një shtëpi ku lindnin gratë. Kishte shtatëdhjetë shtretër dhe nëpër atë hapësirë kishin kaluar deri treqind gra. Infermierja që rinte zgjuar e që ishte kujdestare, në hollin e spitalit e priti burrin në të zeza. Ai e pyeti për doktor O’Herin. E pikëlluar, ajo i tregoi se doktori kishte ndërruar jetë. Me të dëgjuar lajmin, u pikëllua sa s’ka. Murgesha i tregoi se si doktori kishte vdekur para tre vjetëve në ishullin Mona, në vigjilje të Krishtlindjeve, nga kanceri në stomak. Pastaj iu drejtua infermieres për ta pyetur për një grua e cili tash tri ditë i përjetonte mundimet e lindjes. Ajo i tha se gruaja së shpejti pritet të lindë dhe se lindja do të jetë e pasigurt. Kurrë deri më sot s’kishte parë një lindje kaq të vështirë.

Ndërsa udhëtari Leopold po fliste me infermieren, u çelën dyert e kështjellës. U dëgjua zhurma e njerëzve që ishin ulur rreth tryezës. Iu afrua dijetari-kalorës Dikson dhe e thirri në kështjellë që t’u bashkohet dhe të argëtohet me ta. Në fillim udhëtari Leopold nuk deshi t’u bashkohej, por Diksoni nuk donte të dëgjonte për refuzimin e tij, kështu që Leopoldi vendosi të pushojë pak në kështjellë. Infermierja i luti në emër të Jezuit që të mos pinë ngase një grua  në dhomën sipër përballej me mundimet e lindjes. Në fund të tryezës, sër Leopoldi pa një pronar tokash i cili quhej Linihen. Derisa të tjerët pinin, sër Leopoldi e kishte mendjen te gruaja që po lindte. Që të gjithë të cilët qenë ulur në tryezë ishin dijetarë. Diksoni me shokët e vet Linkomin dhe Medinin, pronari i tokave Linihen, Stiveni i ri dhe më i dehuri prej tyre, Kostello, si dhe pranë tij sër Leopoldi. E pritnin Mellekin e ri ngase kishte premtuar se do të vinte, por si duket e kishte shkelur fjalën.

Zoti Leopold dëgjonte bisedat dhe refleksionet e tyre për lindjen dhe drejtësinë. Disa prej tyre talleshin dhe qeshnin, por zoti Leopold vazhdoi të ishte serioz ngase iu kujtua Merioni i tij e cila e lindi djalin e tyre që vdiq në ditën e njëmbëdhjetë. Ishte i pikëlluar ngase nuk kishte djalë i cili do të ishte trashëgimtar i tij dhe ishte i brengosur për Stivenin e ri i cili shoqërohej me këta horra dhe bën një jetë të shfrenuar.

Stivni të gjithëve u qiste pije kështu që secili prej tyre gotën e kishte plot. Kostello ndërkaq, ia krisi këngës Stabo Stebella. Ndërkohë u shfaq motra e cila i qortoi dhe u kërkoi të jenë më të qetë. Kujdesej që çdo gjë të ishte në rregull, para se të vinte lordi Endrju. Nuk donte të prishej rendi derisa ishte përgjegjëse gjatë shërbimit të natës. Franku ia nisi bisedës për lopët e Kirit të cilat duhej therur ngase ishin të prekura nga murtaja. Blumi u ndërlidh dhe tha se i kishte parë në mëngjes duke i dërguar për t’i hipur në anije. Nuk kishte mundur të besonte se situata lidhur me këtë kishte qenë kaq e rëndë. Ai kishte përvojë me bagëti të tilla ngase një kohë kishte qenë nëpunës i zotit Xhozef Kafi i cili ka qenë tregtar i bagëtisë së gjallë. Sa e mbaruan bisedën, u shfaq te dera Melleki Malligen me Allis Benonin i cili para do kohe kishte ardhur në qytet ngase donte të siguronte pozitën e flamurtarit në polici dhe të paraqitej në ushtri. Që të dy iu bashkuan të tjerëve në tryezë.

Malligeni u dha nga një kartëvizitë që i kishte bërë para disa ditëve. Ka ndërmend t’ua ofrojë trupin e vet grave që kanë ngecur në martesë dhe po humbasin vitalitetin e tyre për një burrë të papërgjegjshëm. Kishte ndërmend të merrte me qira një pronë në ishullin Llembej dhe të ndërtonte një fermë kombëtare për mbarsje të cilën do ta quante Omfellos. Nuk do të kërkonte para. Janë të mirëseardhura femrat e çdo shtrese, me kusht që ndërtimi trupor dhe temperamenti i tyre të jenë të pranueshme. Diksoni ndërkaq e pyeti në kishte ndërmend të hidhte rërë në shkretëtirë.

Frensisi dhe Stivni evokuan kohën kur shkonin bashkërisht në shkollë. E pyeti Stivenin për shokë të tyre, ku ndodheshin tani. Asnjëri nuk dinte gjë për ta. Pastaj vendosën të shkojnë te Barki. Stiveni u ngrit i pari, e pas tij të tjerët. Ndërkohë, kirurgu zbriste shkallëve për t’ua kumtuar lajmin se lindja ishte kryer. I dhanë fund ndejës në pijetoren e Barkit dhe vazhduan zbavitjen me pije dhe qejfe.

15.

Në rrugën Mebot ishte një gondolë akulloreje. Aty mblidheshin njerëz të cilët merrnin akullore dhe i lëpinin. Shfaqet një idiot shurdhmemec, qyrash me gojë të shtrembët, i lidhur me një zinxhirë duarsh fëmije. Menjëherë pas kësaj e lirojnë dhe ai vazhdon rrugën.

Dëgjohej zëri i Kijsi Kefrit se si këndonte në ndonjë rrugicë. Mbërrijnë Stiven Dedalusi dhe Linçi. Stiveni e këndon me plot kënaqësi lutjen e Krishtlindjes, kurse Linçi e përcjell me fytyrë të mrrolur. Se nga u shfaq një rrufjane e cila u përpoq t’i joshë me fjalët se ka në duar vetëm virgjëresha, por Stiveni vazhdoi rrugën duke kënduar, gjë që e zemëroi gruan. Stiveni u përpoq t’i shpjegonte Linçit se gjuhë universale është lëvizja dhe jo muzika apo aroma. Ia zgjati  shkopin e frashrit që ta mbajë për ta demonstruar bukën dhe poçin e verës. Stiveni dhe Linçi vazhdojnë rrugën, ndërsa Tomi Kefri ngjitet për llambe të gazit. Lojës së tij i bashkohet edhe Xheku.

Ja te është Blumi nën urën hekurudhore. Është duke shkuar në mishtoren e Olhausenit. Del që andej me pakot nën krahë. Mu afër tij kaluan fluturimthi dy çiklistë. Për pak ta marrin përpara. Ai ra në tokë me copa balte në fytyrë. Ia behu babai i tij Rudolfi i cili e qortoi ngase atë ditë e kishte shpenzuar tashmë gjysmën e kurorës. Kurrë s’ka për ta ruajtur paranë po qe se shoqërohet me pijanecët.

I del para Merioni e cila i kërkon që prej sot ta thërrasë zonja Merion dhe jo Moli. Blumi mori frymë thellë. Është i shqetësuar. Ka shumë gjëra për t’i thënë, t’i kërkojë falje. I premton asaj se nesër në mëngjes menjëherë do të shkonte në barnatore për ta marrë losionin dhe lëngun prej luleve të portokallit. Të enjten dyqanet mbyllen më herët.

Gerta e fajëson Blumin dhe i thotë se çdo gjë që ka në botë është e tij dhe e Molit. Për këtë e urrente. Blumi hiqej sikur kurrë s’e kishte parë. Derisa fliste me rrufjanen, e takon Zonja Brin. Ajo e qorton se endet nëpër një lagje të tillë dhe i kanoset se të gjitha do t’ia thoshte Molit. Blumi ia përkujtoi ditët kur shoqëroheshin si fëmijë, iu afrua dhe e rroku për dore, ndërsa ajo dalëngadalë nisi t’i dorëzohej. Nuk mund t’ia falte kur u martua ngase ajo për të ishte çdo gjë.

Blumi vazhdon më tej por e ndalin aktorët e skenës. Marta e akuzon për shkelje të premtimit për martesë dhe dëshiron ta lajë njollën nga emri i vet. Blumi e fajëson se është tepër e dehur dhe nuk di se ç’flet. Aktorët e skenës ftojnë dëshmitarin vijues, Meri Driskolin. Ajo thotë se është e sinqertë, ka pasur një punë të mirë që iu desh ta linte për shkak të sjelljes së tij. Para gjykatës ajo e akuzon Blumin se njëherë e kishte pritur në oborr dhe e kishte mbërthyer.  Nga veprimi i dhunshëm i kishin mbetur në trup shenja të mavijosura, ndërsa dy herë ia kishte futur dorën ndër fund.

Para gjykatës Blumi pohon se nuk është fajtor. Edhe pse është shpallur dele e zezë, ka ndërmend të përmirësohet, ta harrojë të kaluarën dhe të fillojë një jetë të re dhe të qetë familjare, përplot dashuri. Rastin e Blumit e përfaqëson J. J. O’Molloj dhe përpiqet ta mbrojë.

Zonja Jelverton Beri kërkon nga gjykata që ta burgosin për arsye se i ka dërguar asaj letër anonime kur s’e ka pasur burrin në shtëpi. Letrën e kishte nënshkruar me emrin Xhejmz Llovbërç. Në letër i kishte propozuar që të enjten e ardhshme të kryente me të tradhti bashkëshortore. Paraqitet edhe zonja Belingem e cila po ashtu e akuzon për letra të pahijshme. E nderuara z-nja Mërvin Tallbojs tha se asaj i kishte dërguar një njëfarë fotografie të turpshme dhe kërkoi prej saj që ta dënonte dhe ta fshikullonte.

Thirrësi i gjykatës e akuzon Blumin si një falsifikues, bigamist, kodosh. Kryetari i gjykatës penale thotë se dëshiron ta çlirojë Dublinin nga tregtia me femra, kështu që urdhëron burgosjen e Blumit dhe varjen e tij. Shfaqet fantazma e Pedi Dignemit dhe pas kësaj çdo gjë merr fund. Blumi arrin të dalë nëpër kanalin kullues.

Shkon te prostituta Zoi Higins të cilën e pyet për zonjën Smek. Këtu banon zonja Kohin, kurse zonja Mek banon te numri tetëdhjetë e një. Flirton disa çaste me Zonë. Më pas e vesh uniformën e këshilltarit të qytetit. Zgjedhësve ua paraqet programin e vet. Të gjithë brohorisin dhe duan t’i ngrenë përmendore.

Tani Blumi është kryetar i Gjykatës së ndërgjegjes dhe jep falas këshilla juridike dhe mjekësore, i zgjidh enigmat dhe problemet e tjera. Deklaron se angazhohet për reformën e moralit qytetar dhe të dhjetë urdhrave të ri, të pastër. Po ashtu dëshiron bashkimin e të gjithë myslimanëve, të hebrenjve dhe të jobesimtarëve. Po ashtu dëshiron makinë mortore luksoze dhe punë fizike të detyrueshme për të gjithë.

Paraqitet Bojlani i Zjarrtë dhe i drejtohet Blumit. Dëshiron të dijë nëse zonja Blum tanimë është veshur. Blumi është i veshur me një jelek të kadifenjtë dhe pantallona të shkurtra, çorape ngjyrë kafeje të çelët dhe mban në kokë një parukë të pudrosur. Bojlani i hedh Blumit nja gjashtë lekë që të pijë një xhin me sodë, ngase i duhet t’ia bëjë gruas së vet punën. Merioni e pret lakuriqe, ndërsa Bojlani i thotë Blumit zëshëm se atij s’i mbetet tjetër pos të shikojë nëpër vrimën e bravës dhe të kënaqë veten. Blumi i falënderohet me ironi dhe e pyet nëse mund të ftonte edhe nja dy shokë të tjerë.

Nëna e Stivenit mbiu nga dyshemeja, me trup të dobësuar, fytyrë të thatë dhe të zbehtë. Zgavrat e syve i kishte akoma më të zbrazëta. Bak Maligeni e vështron nga maja e kullës. Stiveni është i tmerruar. I drejtohet nënës duke u ngulfatur nga frika dhe të dridhurat. I tregon se si të tjerët thonë se ai e ka vrarë, por jo, s’e ka vrarë ai, këtë e bëri kanceri. Nëna i lutet që të pendohet. Ia afron gjithnjë më tepër fytyrën e saj dhe e sugjeron që të ruhet nga dora e Zotit. Stiveni u trenua dhe me shkopin e frashrit e theu shandanin.

Blumi e gjeti Stivenin duke fjetur i dehur në rrugë. Iu lut policëve që të mos e shoqërojnë ngase babai i tij është një qytetar tejet i respektuar. Madje shkopin e tij, paratë dhe kapelën i ka ai, kështu që për të gjitha do të kujdeset vetë ai. Blumi u përkul mbi të dhe e trandi mos ndoshta do të zgjohej. Për t’ia lehtësuar frymëmarrjen, ia shkopsiti kopsat e jelekut. Mirë që s’është i lënduar. Vazhdoi të mbajë roje pranë Stivenit të dehur. I vinte keq.

Pjesa III

16.

Pasi e mori pak veten, zoti Blum e shkundi një pjesë të madhe të ashklave nga rrobat e Stivenit. Ia dha kapelën dhe shkopin e frashrit. Kërkoi diçka për të pirë, por ishte vonë dhe askund në afërsi nuk kishte ndonjë pompë për t’i larë duart dhe fytyrën dhe për të pirë ujë. Blumit iu kujtua se aty afër, pranë urës Bat ndodhet bujtina e karrocierëve. Aty do të mundë të gjenin ndonjë pije. Asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje të ecë, por nuk kishin zgjedhje ndaj u nisën në këmbë. Blumi ishte plotësisht i përkorë. Ai i foli shokut të vet jo aq të përkorë për rreziqet që i kanosen njeriut gjatë natës në lagje. Më së shumti u zemërohej atyre të cilët bashkë me Stivenin kishin pirë dhe kishin bërë qejfe dhe në fund atë, ashtu të dehur, e kishin lënë në rrugë.

Kaluan pranë Doganës dhe nën urën Lup Lejn. Stiveni e pa rojtarin i cili qëndronte në shtëpizën e errët të rojës, por kur pa se ai ishte Gamli, miku i babait të tij, menjëherë iu afrua shtyllave të urës hekurudhore. Nën harqe u shfaq një figurë për t’i përshëndetur. Blumi rinte në distancë, por nuk kishte frikë, edhe pse ishte shumë e mundshme që në rrethana të tilla dikush t’ju sulmojë me revole. Ishte Xhon Korli. E tërhoqi Stivenin mënjanë dhe iu ankua se kishte mbetur pa para, madje s’kishte as për të paguar strehimin.

Iu lut Stivenit që t’i tregonte se ku mund të gjente punë, çfarëdo pune. Edhe pse e dinte se rrëfimit të Korlit askush nuk do t’i besonte, Stivenit i erdhi keq. Ishte gjashtëmbëdhjeti i muajit, kështu që ankesa e tij drejtuar Stivenit përputhej me ditën kur ai e merrte rrogën. Mendoi t’i jepte ndonjë lekë për të blerë ushqim, por kur e futi dorën në xhep, vërejti se s’kishte para. Nuk i kujtohej nëse i kishte harxhuar paratë, apo i kishte humbur diku. Në xhepin tjetër gjeti do gjysmë monedha. Njërën ia dha Korlit.

Sakaq, Stiveni iu afrua Blumit i cili, me të dëgjuar se Korlit i kishte dhënë një gjysmë monedhe, u shokua. E pyeti se ku do të flinte sonte dhe përse e kishte braktisur shtëpinë e babait. Stiveni ia ktheu duke i thënë se kishte shkuar për të gjetur belanë. E sugjeroi që të ruhet prej mikut të tij, Dr. Maligenit, i cili mendonte vetëm për vete dhe kurrë s’e kishte përjetuar të jetonte pa vakte të rregullta.

Mbërritën te bujtina e karrocierëve dhe u vendosën diku në skaj. Ua tërhoqën vëmendjen e njerëzve të pastrehë dhe të pijanecëve që ndodheshin aty. Pronari i bujtinës u solli  një lloj lëngu që duhej të shërbente si kafe, si dhe një lloj paste. Detari me mjekërkuq shfaqi një interesim të veçantë për të ardhurit, ndaj e pyeti Stivenin se si quhej. Simon Dedalusin ai e njihte. Pastaj u foli për gruan e vet e cila tash shtatë vjet e pret me besnikëri, derisa ai lundron nëpër ete. Ku s’kishte lundruar dhe çka s’kishte parë gjatë lundrimeve. Blumi paksa dyshonte dhe nuk i besoi plotësisht rrëfimit të tij.

Biseda vazhdoi. Ra fjala për fatkeqësitë në det, për anijet që kishin humbur në mjegull. Detari rrëfeu se disa herë kishte mbërritur deri te Kepi i Shpresës së Mirë dhe kishte përjetuar monsunet. Pastaj të gjithë ishin plot mllef dhe ankoheshin për ngecjen e transportit detar në Irlandë, si bregdetar ashtu edhe tej detar.

Blumi preku çështjen e hebrenjve dhe u përpoq t’ia sqaronte Stivenit se si çdokush i fajëson ata për shkatërrimin e tokës, kurse një gjë e tillë assesi nuk është e vërtetë. Tregoi se si Spanja kishte rënë pas dëbimit të hebrenjve gjatë inkuizicionit, Anglia kishte lulëzuar pasi që Kromueli i kishte sjellë aty. E vazhduan bisedën për atdheun, por Stiveni përnjëherë e ndërpreu dhe kërkoi ta ndërronin temën.

Blumi kënaqej në shoqërinë e të riut i cili shihej se ishte inteligjent. Admironte të shoqërohej me njerëz të cilët do ta shtynin të mendonte. Ishte bërë vonë ndaj që të dy u pajtuan se është koha për pushim, por nuk ishte i sigurt nëse do të mundë ta merrte Stivenin në shtëpi. Pasi u mendua pak, e ftoi. Nuk ishte gjithaq i sigurt nëse do t’i pëlqente Stivenit një ide e tillë. Sidoqoftë, për të ishte krejt njësoj.

Dolën jashtë dhe u nisën për te Blumi. Stivenin ende nuk e mbanin këmbët sa duhet, por Blumi e trimëronte duke i thënë se tani që janë në ajër të pastër, do të ndjehet më mirë. Edhe ecja do t’i bëjë mirë. Gjatë rrugës folën për artin dhe muzikën.

17.

Në rrugë e sipër, Stiveni dhe Blumi flisnin për Irlandën, Dublini, Parisin, për miqësitë, për femrat dhe për muzikën. Blumi e nuhati se që të dy më tepër e parapëlqenin muzikën se artin figurativ. Po ashtu më tepër e parapëlqenin jetën tokësore sesa jetën në ishull. Që të dy i shihnin me mosbesim shumë doktrina religjioze, sociale, etike dhe kombëtare.

Kishte edhe çështje për të cilat nuk pajtoheshin ndër vete. Mendimi i Stivenit nuk përputhej me atë të Blumit lidhur me mënyrën e të ushqyerit dhe të mbështetjes së qytetarëve në forcat e veta. Blumi nuk pajtohej me mendimin e Stivenit se shpirti i njeriut vërtetohet në mënyrë të përhershme vetëm në kuadër të letërsisë.

Kur mbërritën në shtëpi, Blumi e kërkoi çelësin në xhep, por çelësi ishte në xhepin e pantallonave që i kishte mbajtur para një dite. Blumi u zemërua për arsye se dy herë i ishte kujtuar që të mos e harronte çelësin dhe përsëri e paska harruar. Ishte në dilemë, t’i binte derës ose jo. Ia doli të futej në kuzhinë përmes sqollit (vendit ku lahen petkat), që ndodhej në përdhese. Pastaj e futi edhe Stivenin. E ndezi zjarrin në vatër dhe solli dy karrige që ndodheshin aty pranë. Kazanin gjysmë të mbushur e vuri mbi qymyrin që u ndez. Pastaj shkoi te çezma për të larë fytyrën dhe duart me sapunin gjysmë të shkrirë, Barington, me aromë limoni, që e kishte blerë më parë e që ende s’e kishte paguar. Uji vloi dhe Blumi e përdori atë për t’u rruar dhe për të bërë çaj për vete dhe për Stivenin.

Që të dy ishin të shkolluar, por temperamentet e tyre dalloheshin. Blumi kishte temperament shkence, ndërsa Stiveni – artistik. Blumi thoshte se më tepër anon nga shkenca aplikative sesa shkenca e pastër.

Mendonte për një prej problemeve kryesore që e preokuponte shpesh: ç’të bënte me gruan e vet? Do zgjidhje të mundshme kanë mundur të jenë: lojërat shoqërore, qëndisja, arnimi ose thurja për t’i veshur të varfrit. Pastaj duetet muzikore, vajtja në zbavitje të ndryshme ose kurse arsimore të natës. Ai anonte posaçërisht për mundësinë fundit për arsye se gruaja e tij nuk i kuptonte sa duhet djallëzitë politike, ndërsa kur i mblidhte shumat e faturave, shërbehej me gishtërinjtë. Në mënyra të caktuara, ia linte asaj librat te faqja e caktuar ose i mbante mësim drejtpërsëdrejti, por ajo e përcillte vetëm një pjesë të tërësisë. Dëgjonte me interesim, por asgjë nuk mbante në mend dhe shpejt harronte. Ai e kuptoi se motivimi i tërthortë më i suksesshëm do të ishte ai që do ta përfshinte interesimin personal. I propozoi Stivenit që të enjten dhe të premten t’i kalojë duke pushuar në krevatin që ndodhej në dhomë, pikërisht mbi kuzhinë. Stiveni kësisoj, të paktën nja dy ditë, do të kishte strehim të sigurt, ndërsa Blumi, duke biseduar me të riun, do ta ripërtërinte shpirtin. Ofertën e tij, Stiveni e refuzoi me urti.

Pastaj Blumi e vuri shandanin në dysheme, ndërsa Stiveni e vuri kapelën në kokë. Kur e hapën derën, macja e shfrytëzoi rastin dhe u përvodh brenda. Kur dolën jashtë vështruan qiellin plot yje dhe Blumi i tregoi mikut disa yjësi.

Kur në fund u përshëndetën, u dëgjua zhurma i kambanës së kishës së Shën Gjergjit. Blumi kaloi nëpër oborr dhe hyri në korridor. Mori qiririn dhe iu ngjit shkallëve. E vuri qiririn në kaminë dhe nisi t’i këqyrte librat që ndodheshin aty. Më voluminoz ishte “Historia e luftës ruso-turke” e Hozierit. Teksa rinte ulur, e ndjeu shqetësimin që ia shkaktonte shtrëngimi i jakës dhe i jelekut. Për këtë arsye e hoq jakën me kollaren e zezë dhe e vuri mbi tryezë. Pastaj i shkopsiti jelekun, pantallonat dhe këmishën. E nxori edhe kanotierën. I zgjidhi lidhëset dhe i nxori këpucët.

Dikur ëndërronte se si trashëgon vilë, se si do ta kishte rregulluar dhe ç’do të mundë të bëhej aty. Konsideronte se mendime dhe rrëfime të ngjashme që ia thoshte vetes para se të shkonte në gjumë, mund ta zvogëlojnë lodhjen dhe si rezultat, mund të ketë gjumë të shëndetshëm dhe vitalitet të ripërtërirë. Si biolog, e dinte se njeriu njëzet vjet të jetës i kalonte në gjumë. Si filozof, e dinte se një numër i vogël i dëshirave të njeriut vërtet mund të realizohen deri në fund të jetës. Si filozof, besonte në zbutjen artificiale të ndikimeve të dëmshme ndaj gjumit.

Do rroba që s’i kishte nxjerrë, i nxori dhe i la mbi karrige. E tërhoq këmishën e gjatë të natës që ndodhej nën jastëk dhe u fut në krevat.

18.

Këtë kapitull e rrëfen në vetën e parë Moli Blum. Po të sëmurej seriozisht ai, mendonte Moli, mbase do t’i duheshin asaj një muaj, për ta bindur atë të shkonte në spital. Kur t’i dilte para ndonjë infermiere apo murgeshë si në fotografinë që e ruan, do të kishte ndenjur atje derisa ta dëbonin jashtë. Njëherë e kishte prerë pëlqyerin dhe kishte menduar se mund të merrte helmim gjaku. Por, sikur të sëmurej ajo, asaj nuk do t’i kushtohej kurrfarë kujdesi. Gruaja e fsheh problemin që ka dhe për sëmurjen e vet nuk u krijon telashe të tjerëve. Iu kujtua se si një natë hyri ajo në kuzhinë për ta njoftuar për vdekjen e Dignemit, kurse Blumi e fshehu letrën nën do letra të punës dhe nisi të aktronte sesi mendonte për punën. Të gjithë meshkujt në të dyzetat bëhen të tillë. Gjejnë ndonjë vajzë të re e cila do t’ua mjelë të gjitha paratë që i kanë. Molit nuk i pengonte se me kë flirtonte Leopoldi. Vetëm të mos e bënte këtë para syve të saj, siç ishte rasti me Merin nga Ontario Tërejs.

Natyrisht, një grua s’i mjafton dot, i nevojite disa sosh. I rrokte shërbëtoret. Njëherë i tha shërbëtores që për Krishtlindjet ajo të darkonte bashkë me ta. Moli assesi nuk e lejoi një gjë të tillë. Përveç kësaj, shërbëtorja ishte prej atyre që vidhte, ndaj edhe e largoi nga puna. Iu kujtua nata me bubullima aq tmerruese saqë ajo kishte menduar se është fundi i botës. Menjëherë u pendua për mëkatet e veta dhe u lut. Atij kjo do t’i dukej tejet qesharake ngase ai kurrë nuk shkel në kishë, as për meshë dhe as për bekimin e shpirtit.

E dinte se ai dyshonte për një lidhje të saj me Bojlenin. Por ajo nuk çante kokën për këtë. E dinte se si e kishte zemëruar atë takimi me Josi Pauelin, funerali dhe mendimi për të dhe Bojlanin. Ai tha se kishte vallëzuar me të, vetëm ngase i kishte ardhur keq për të, sepse askush atë s’e kishte pyetur në dëshironte të vallëzonte. Por, kur e kishin festuar ardhjen dhe strehimin e Xhorxhina Simpsonit, e kishte hetuar se gjatë gjithë natës sytë i kishin te njëri-tjetri.

Sa herë që Josi ishte në shoqëri me ta, ajo e përqafonte Molin, por në fakt mendjen e kishte tek ai. Një kohë ka qenë edhe i pashëm, edhe pse ka qenë tepër i bukur për një burrë, ai përpiqej të ishte si lord Bajroni. Të gjithë meshkujt janë kaq të ndryshëm. Formën e këmbës së saj Bojlani e vuri re për herë të parë kur ajo ishte me Poldin në DBC. Ajo vuri re se si ai po e shikonte kur ajo u ngrit në këmbë. Pas kësaj, ajo dy ditë rresht shkoi atje për të pirë çaj, por atë s’e kishte parë më. Megjithëkëtë, pas koncertit të Guduinit, ajo e bindi atë të kalonte një mbrëmje me të. Iu kujtua edhe burri flokëkaçurrel nga qumështorja e Lakenit, pastaj Bertil D’Erki duke e puthur atë në shkallët e korit të kishës.

Blumi ishte i fiksuar pas brekëve. Iu lut asaj t’i priste një copë nga të sajat që të mundë ta mbante me vete. Gjithmonë i shikon vajzat që ngasin biçikletë, fundet e të cilave ngrihen deri në kërthizë. Kur u njoftuan, ajo ishte e para që e vuri re atë duke qëndruar në shi. Ia puthi dorën dhe iu lut ta hiqte dorëzën. Donte që ajo ta ngrinte fundin dhe t’ia tregonte brekët. Në fund ajo pranoi, edhe pse ishin në publik. Ajo duhej ta gënjente të atin duke i thënë se e kishte harruar portofolin, ndaj i duhej të shkonte përsëri te mishshitësi. Krejt këtë e kishte trilluar Blumi.

Të nesërmen e pyeti mos ndoshta e kishte fyer. Ajo e kishte ulur shikimin. Por e dinte se ai e kishte parë se ajo nuk ishte fyer. Çdo mëngjes i shkruante letër. Ndonjëherë i dërgonte nga dy letra. Kur e humbi punën te Helli, ajo shiste tesha dhe luante në piano në kafene. I tha asaj se kur i lëshon flokët, duket si një pikturë e nimfës kur lahet. Ajo e pyeti nëse nimfat silleshin rreth e rrotull pikërisht ashtu. E pyeti diçka edhe për mishërimin, por ai asgjë nuk di të shpjegojë si duhet. Njeriu kurrë s’mund ta kuptojë. E dogji gjysmën e kopjeve të tij të vjetra të revistës “Freeman” dhe të Foto-revysë. Çdo gjë filloi t’i linte rreth e rrotull. Vërtet po bëhet  i parregullt. Gjysmën tjetër të kopjeve i kishte hedhur mbi tualet, ndërsa nesër do ta detyronte t’i griste në vend që të rinin aty.

Ishte vonë. Ajo u ngrit nga shtrati dhe pa se kishte shoqëri. Shpresonte t’i jepte fund shoqërimit me ata mjekë. Sillet sikur të ishte i ri si dikur dhe vjen në shtëpi në orën katër të mëngjesit. Të paktën kishte kujdes të mos e zgjonte. Ajo dëshironte të dinte për se flisnin gjatë gjithë natës. Përveç kësaj, shumë para harxhonin për pije.

Njëherë iu duk sikur i kishin hyrë në kuzhinë hajdutë. I frikësuar tej mase, Leopoldi zbriti me këmishën e natës dhe me një mashë në dorë. Për t’i trembur grabitqarët eventualë, nisi të bërtasë. Në të vërtetë, aty s’ke edhe ç’të vjedhësh. Sidoqoftë, është një ndjenjë e pakëndshme, sidomos kur Mili nuk është më me ta. Nuk mund të besonte se e dërgoi vajzën të mësonte fotografimin në vend që ta dërgonte në Akademinë e Skerit.

Iu kujtua dita kur e shtyri ta propozonte. Ai kishte veshur një kostum gri dhe kapelë kashte. Rinin shtrirë në Houdh Hed. Ajo i dha nga goja e vet pak tortë dhe pas  puthjes së dytë ndihej sikur kishte mbetur pa frymë. Kjo kishte ndodhur para gjashtëmbëdhjetë vjetëve. Atëherë i kishte thënë asaj se është si një lule mali, se çdo femër është lule, kishte menduar se kjo ishte e vërteta e vetme që kishte thënë ai gjatë jetës së tij. Pasi ia kishte bërë pyetjen, ajo ishte menduar një kohë. Qoftë ai apo dikush tjetër, më në fund ajo i kërkoi ta përsëriste pyetjen dhe ajo tha po.

*   *   *

Personazhet kryesore

Leopold Blumi (Leopold Bloom) – Është një prej personazheve kryesore të fundit të viteve ’30 të shekullit XX. Jeton në Dublin me bashkëshorten Moli (Molly) me të cilën e ka vajzën Milli (Milly), e cila është shpërngulur ngase ka gjetur punë te një fotograf. Pas Millit (Milly) u lindi djali Radi (Rudy) i cili vdiq njëmbëdhjetë ditë pas lindjes. Punon si reklamues në revistën “Freeman” të Dublinit. Blumi është paraqitur si bashkëshort i mirë, i butë dhe zemërmirë. Pikërisht për vetitë e tilla, të tjerët shpesh e përqeshin. Në roman vërehet karakteri tjetër i tij, joshja nga trupi i femrës. Shpesh ka aventura me shërbëtoret dhe i viziton prostitutat. Gjatë letërkëmbimit me Martën përdor pseudonim. Konsiderohet si dijetar dhe kënaqet kur bisedon me të riun Stiven (Stephen) ngase kjo e nxit të mendojë për çështje të ndryshme dhe të ndjehet i ri. Ka një rreth të ngushtë miqsh. Babai i ka bërë vetëvrasje, gjë që bashkë me vdekjen e të birit, tek ai ka lënë gjurmë të thellë. Shpesh mendon për filozofi dhe vazhdimisht e ka parasysh të mos e teprojë me pijen.

Moli Blum (Molly Bloom) – Është bashkëshorte e Leopold Blumit. Nuk është shumë e arsimuar, gjë që midis tyre krijon njëfarë hendeku. Leopoldi përpiqet disi ta arsimojë, por pothuajse gjithmonë pa sukses ngase ajo shumë shpejt harron. Përpos kësaj, atë e irriton edhe fakti se burri i saj gjithmonë flet në mënyrë të ndërlikuar dhe ajo kurrë nuk mund ta kuptojë plotësisht. Është më e re se i shoqi dhe mjaft tërheqëse, gjë për të cilën plotësisht është e vetëdijshme. E tradhton të shoqin me Bojlanin e Zjarrtë ngase konsideron se ai nuk mund ta kënaqë. Këndon dhe shpesh shkon në koncerte, duke krijuar në këtë mënyrë të ardhura. Për shumë arsye nuk është e kënaqur me burrin e vet, por është e vetëdijshme se ka mundur të kalojë edhe më keq, ndaj përkundër të gjithave, është e kënaqur.

Stiven Dedalusi (Stephen Dedalus) – Është poet dhe filozof i ri. Jep histori në shkollë fillore. Ka besim në vete dhe kryesisht është i tërhequr në shoqëri. Synon të dëshmohet si artist por assesi nuk ia del ta arrijë këtë plotësisht. Një kohë ka qëndruar në Paris. U largua nga shtëpia e babait. Në një moment deklaroi se e bëri këtë për të kërkuar telashe. Shoqërohet kryesisht me Bak Maligenin (Buck Mulligan) të cilin të gjithë e konsiderojnë hajdut i cili vetëm e shfrytëzon dhe e prish. Jeton në kullën Martello me Bakun (Buck) dhe Hajnesin (Haines), dy studentë dhe që të dy i urren. Nuk ka raporte të mira me familjen, nuk komunikon me babanë pijanec, Simon Dedalusin. E përndjek vdekja e së ëmës për të cilën refuzoi të lutej në çastin e vdekjes së saj. Në fund të romanit, Stiveni dhe Blumi një kohë kalojnë bashkë dhe ndaj djaloshit të ri, Leopoldi mban një qëndrim pothuajse atëror.

*   *   *

Emrat e personazheve të romanit dhe të vendeve, të shkruar në shqip dhe në origjinal

Leopold Blum; (Leopold Bloom); Merion (Moli) Blum (Marion (Molly) Bloom); Stiven Dedalus (Stephen Dedalus); Bak Maligen (Buck Mulligan); Dizi (Deasy); Milli (Milly); Marta (Martha); Mina Pjurfoj (Mina Purefoy); Hajnes (Haines); Sisi Kefrij (Cissy Caffrey); Riçi (Richi), Valter (Walter); Krisi (Crisse); Mek’koi (M’Coy); Marth (Marthe); Pauer (Power); Martin Kaningem (Martin Cunningham) Selli (Sally); Red Mëri (Red Murray); Naneti (Nannetti); Aleksandër Kijs (Alexander Keyes); Linihen (Lenehan); Xhon F. Tejlor (John F. Taylor); Majëlls Krauford (Myles Crawford); Brin (Breen); Barton (Burton); Rudi (Rudy); Xhon Igllinton (John Eglinton); Rasëll (Russel); Shelli (Shelley); Best (Best); Hejnis (Haines);  Konaht (Connacht); Hajdi (Hyde); Xhill (Gill); Artur (Arthur); Mbreti Xhon (King John); Xhillbert (Gilbert); Riçërd (Richard); Edmond (Edmund); En (Ann); Dejvid Shihi (David Sheehy); Kiri (Kerry); At Xhon Konmi (John Conmee); Korni Kelleher (Corny Kelleher); Dollimount Dollymount; Kejti (Katey); Budi Dedalus (Boody Dedalus); Megi (Maggy); MekGinis (M'Guinness); Tortoni (Thorton); Bojlani i Zjarrtë (Fiery Boylan); Xheku (Jack); Dili Dedalusi (Dilly Dedalus); At Koulli (Cowley); Ben Dollard (Ben Dollard); Ben (Ben); zonjusha Dus (Douce); zonjusha Kenedi (Kennedy); Linihen (Lenehan); Riçi Gulding (Richie Goulding); Alf Birgen (Alf Bergan); Xhorxh Liduel (George Lidwell); Xho Hajnes (Joe Hynes); Xho (Joe); Troi (Troy); Barni Kiernen (Barney Kiernan); Barni (Barney); Pet (Pat); Denis Brin (Denis Breen); Bob Doren (Bob Doran); Uilli Mërej (Willy Murrey); Pedi Dignem (Paddy Dignam); Teri (Terry); Martin Kaningem (Martin Cunningham); Ned (Ned); Edi Bordmen (Edy Boardman); Tomi Kefri (Tommy Caffrey); Xhek (Jacky Caffrey); Gerta MekDouel (Gerty MacDowell); Rigi Uejll (Reggyju Wylieju); Horn (Horne); O’Heri (O’Hare); Dikson (Dixon); Linkom (Lynchom); Medin (Madden); Meleki (Malachi); lordi Endrju (lord Andrew); Frank (Frank); Xhozef Kafi (Joseph Cuffe); Alis Benon (Alece Bannon); Frensis (Francis); Linç (Lynch); Olhausen (Olhausen); Rudolfi (Rudolph); zonja Brin (Breen); Meri Driskol (Mary Driscoll); J. J. O’Moloj (J. J. O’Molloy); zonja Jilvirton Beri (Yelverton Barry); Xhejms Llovbërç (James Lovebirch); zonja Belingem (Bellingham); z-nja Mërvin Tallbojs (Mervyn Talboys); Zoi Higins (Zoe Higgins); zonja Smek (Smack); zonja Kohin (Cohen); zonja Mek (Mack); Gamli (Gumley); Xhon Korli (John Corley); Kromueli (Cromwell); Meri nga Ontario Tërejs; Josi Pauel (Josie Powell); Xhorxhina Simpson (Georgine Simpson); Poldi (Poldy); Guduin (Goodwin); Laken (Lucan); Bertil D’Erki (Bartell D’Arcy); Helli (Hely); historiani Hozier (Hozier); Houdh Hed (Howth Head).

Emra vendesh apo institucionesh që përmenden në roman

Sheshi Mountxhoj (Mountjoy Square); Rruga Qarkore e Veriut (North Circular Road); Irishtoun (Irishtown); Rruga e Princeshave të Veriut (North Princes’s Street); Hyrja e Rrugës së Veriut (North Strand Road); ura O'Konel (O’Connel Bridge); Rruga e Flotës (Fleet Street); “Njerëzit e Killkenit” (Kilkenny People); kolegji Triniti (Trinity); Gelleger (Gallagher); ura Njukomën (Newcomen); Ishulli i Baltës (Mud Island); Rruga Houdh (Howth Road); Rruga Ikllis (Eccles); ura Eseks (Essex); pijetorja e Barkit (Burke); Rreshti Uilliam (Williams’s Row); antikuariati Ridi (Reddy); ura Eseks (Essex); kodra Arbur (Arbour Hill); cepi Çikën Lejn (Chicken Lane); rruga Kepëll (Capel Street); ura Bat (Butt); ura Lup Lejn (Loop Line); Ontario Tërejs (Ontario Tirese); Lidhja Kelte (Celtic League); Lidhja Kundër Bankave dhe Pijes (Anti-Banking and Drinking League); kulla Martello (Martello); Kostello (Costello); ishulli Lembej (Lambay); ferma Omfelos (Omphalos); sapun Barington (Barrington); Akademia e Skerit (Skerry Academy); Bredston (Broadstone); Devi Birni (Davy Byrne); Arten (Artane); Sheshi Mountxhoj (Mountjoy); katedralja në Keshil (Cashel); bregu Sendmont (Sandymount).

*   *   *

Shënime për autorin

Xhejmz Xhojsi (James Augustine Aloysuis Joyce, Dublin, 2 shkurt 1882 – Cyrih, 13 janar 1941) është prozator dhe poet irlandez. Konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm i periudhës së modernizmit evropian. Lindi më 2 shkurt të vitit 1882, si fëmija i parë i një familjeje të shtresës së mesme me pikëpamje katolike. Pas lindjes së tij, e tërë familja u vendos në qendër të qytetit. Prindërit e tij, Meri dhe Xhon Xhojs (Mary & John Joyce) kanë pasur katërmbëdhjetë fëmijë. Xhejmzi ka pasur arsimim më të mirë ngase ashtu kishin vendosur prindërit. Në vitin 1888 u regjistrua në kolegjin jezuit Clongowes Wood. Pas regjistrimit familja u ballafaqua me probleme financiare, kështu që në qershor të viti 1891 Xhejmzi u detyrua të çregjistrohet. Në vitin 1898 ia doli të kryente kolegjin Belvedere dhe të fillonte studimet në kolegjin universitar. Më së shumti i interesonte letërsia.

Jetën dhe veprën letrare ia determinojnë: lidhja obsesive me Irlandën, e cila ka qenë temë e përhershme e veprave të tij; protesta kundër provincializmit dhe ngushtësisë shpirtërore të mjedisit të vet. Jetën e tij e determinon edhe protesta kundër rezistencës për ta legalizuar lidhjen me Nora Berneklin, me të cilën u njoh në vitin 1904. Që atëherë jeton në emigrim vullnetar. Lidhja e tyre u legalizua në vitin 1931.

Më 1 prill të vitit 1900, në revistën “The Fortnightly Review” botoi esenë “Kur zgjohemi ne të vdekurit” (When We Dead Awakan) kushtuar dramaturgu norvegjez Henrik Ipsen (Henrik Ibsen, 1828-1906). Është një program poetik që predikon “sjelljen e ajrit të pastër” në konventat letrare të vjetruara. Pas viti 1902 dhe studimeve të kryera vajti në Paris për të regjistruar mjekësinë, por për shkak të sëmurjes së nënës, nuk qëndroi gjatë. Ajo vdiq në vitin 1903.

Në vitin vijues u njoftua me Nora Bernekli (Nora Barnacle; Galway, Irlandë, 21 mars 1884 – Cyrih, Zvicër, 10 prill 1951), me të cilën krijoi lidhje dashurie. Për Xhejmzin kjo datë kishte rëndësi ngase e përfshiu si ditë të zhvillimit të veprimit në romanin “Uliksi”. Lidhjen e legjitimuan në vitin 1931, një vit para se t’u lindte nipi Stivën Xhojs (Stephen Joyce). Xhejmz Xhojsi dhe Nora Bernekli kishin dy fëmijë: Lucia Xhojs (Lucia Anna Joyce; Trieste, Itali, 26 korrik 1907 – 12 dhjetor 1982) dhe Xhorxhio Xhojs (Giorgio Joyce, Trieste, Itali, 27 korrik 1905 – 12 qershor 1976). Xhorxhio Xhojsi kishte vetëm një djalë, Stivën Xhojsin (Stephen Joyce, 15 shkurt 1932 – 23 janar 2020). Ky ishte nip i Xhejmz Xhojsit dhe Nora Berneklit.

Prej Dublini vajtën në Pullë (Pula) ku Xhejmzi u punësua si profesor i gjuhës angleze në shkollën Berlitz. Këtu punoi prej viti 1904 deri në mars të vitit 1905. Në shënimet që ka lënë thotë se Istria është një vend i mërzitshëm i banuar me popullsi sllave të paarsimuar. Pas Pullës, të njëjtën punë vazhdoi ta punonte në Trieste. Këtu do t’i lindin djali Xhorxhio (Giorgio) dhe vajza Lucia. Një kohë qëndroi në Romë duke mbajtur orë nga gjuha angleze dhe duke punuar në bankë.   Qëndrimi në Trieste gjatë Luftës së Parë Botërore, për të si një shtetas britanik, iu duk si një punë e pasigurt, ndaj vendosi që në vitin 1915 të shpërngulet për në Cyrih.

Biografët thonë se koha që e ka kaluar në Trieste për Xhojsin ka qenë më e frytshme dhe se pikërisht atëherë janë krijuar shumë vepra të tij. Në vitin 1907 botoi përmbledhjen me poezi “Muzikë dhome” (Chamber Music); në vitin 1914 botoi përmbledhjen me pesëmbëdhjetë novela “Dublinasit” (Dubliners); në vitin 1918 dramën “Të mërguarit” (Exiles) që flet për trekëndëshin e dashurisë; e filloi punën për “Uliksin” (Ulysses, 1922), ndërsa dorëshkrimin me titull “Heroi Stivën” (Stephen Hero, 1944), më vonë e shndërroi në roman me titullin “Portreti i artistit në rini” (A Portrait of the Artist as a Young Man, 1916), i cili në fillim doli në vazhdime në revistën “Egoist”, para se të botohej në vitin 1916 si libër.

Në vitin 1918 revista avangarde e Amerikës “The Little Review” e filloi botimin e vazhdimeve të para të romanit të sipërthënë, por për shkak të ndalesës gjyqësore të shkaktuar nga teksti i turpshëm, revista e ndërpreu botimin.

*   *  *

Në vitin 1920 Xhojsi u shpërngul në Paris ku qëndroi njëzet vjet. Atje u shoqërua me surrealistët, Semjuel Beketin (Samuel Beckett) e kishte sekretar jozyrtar. U njoh me Silvia Bek (Sylvi Beach) e cila ishte pronare e një librarie. Ajo e miratoi botimin e “Uliksit”. Shpejt pas kësaj filloi publikimi i vazhdimeve të caktuara të veprës “Puna në progres” (Work in Progress) e cila në vitin 1939 do të botohet me titullin “Zgjimi i Fineganit” (Finnegans Wake).

Në vitin 1934 doli shembulli amerikan i “Uliksit”.

Xhojsi është prozatori më intrigues i zonës angleze të të folurit të shekullit XX. Me teknikën narrative, Xhojsi ushtroi ndikim mbi modernistët, sidomos mbi autorët e përroit të ndërgjegjes siç janë: prozatorja dhe eseistja angleze Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941) si dhe prozatori amerikan, laureat i çmimit “Nobel” (1949), Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962). Duke pasqyruar ritmin e mjedisit urban, frymëzoi shkrimtarët, si: tregimtarin gjerman me prejardhje hebraike, Alfred  Dëblin (Alfred Döblin, 1878-1957) dhe shkrimtarin amerikan Xhon Dos Pasoso (John Dos Passos, 1896-1970). Me temën e egzilit apo të internimit dhe të subversitetit ndaj idiomës së gjuhës angleze, ushtroi ndikim mbi shkrimtarët irlandez, siç është laureati i çmimit “Nobel” (1969), Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989) etj. Lufta II Botërore po afrohej. Xhojsi u vendos në Cyrih, ku vdiq më 13 janar të viti 1941.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora