Kulturë
Mehmet Kraja: Përvjetori i Bajronit
E shtune, 27.07.2024, 06:54 PM
PËRVJETORI I BAJRONIT
(Fjalë
e mbajtur në çelje të konferencës shkencore të Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë në 200-vjetorin e Bajronit)
Nga
Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë
së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Kur
isha nxënës gjimnazi në Ulqin, në vitet ’60, në bibliotekën e vjetër të qytetit
pata gjetur tre libra që do t’i mbaj mend për një kohë të gjatë, të botuar në
Prishtinë, por që ishin ribotime të botimeve të hershme të Tiranës: “Eugjen
Onjeginin” e Pushkinit, përkthyer nga Lasgush Poradeci, librin e parë të
“Faustit” të Getës, përkthyer nga Skënder Luarasi dhe “Çajld Haroldi” ose
“Shtegtimet e Çajld Haroldit” të Bajronit, përkthyer po ashtu nga Skënder
Luarasi.
Nuk
jam i sigurt të pohoj se çfarë ndikimi mund të kenë pasur tek unë këto tri
kryevepra të letërsisë së romantizmit europian, por kam bindjen se mbresat
duhet të kenë qenë të fuqishme, përderisa mbaj mend edhe sot e kësaj dite
kopertinat e këtyre tre librave: i pari me një gravurë të Pushkinit në
kopertinë, i dyti me një portret të vogël të Gëtes, kurse i treti nuk kishte
fare kopertinë, mbase për shkak të vjetërsisë dhe vendosjes së papërshtatshme
në një bibliotekë që i pikte pullazi.
Kam
lexuar më vonë edhe botime dhe përkthime të tjera të këtyre veprave të famshme,
por, dua të jem i sinqertë: nuk kam arritur të lexoj më shumë se 5-6 faqet e
fillimit, jo pse ripërkthimi nuk ia vlente, po për arsyen e thjeshtë se këto
ripërkthime më dukej një “pabesi” jo ndaj origjinalit, por ndaj mbamendjes dhe
kujtesës sime, e cila tashmë i kishte memorizuar këto vepra vetëm në variantin
e lexuar në atë kohë të hershme.
Nga
të tri poemat, lexim më të mbreslënës më fali atëbotë “Eugjen Onjegini”, as sot
e kësaj ditë nuk e kam shumë të qartë pse, për shkak të Lasgushit apo për shkak
të “lehtësisë” së shkrimit të këtij romani në vargje. Por më duhet ta them
menjëherë se me lexime të përsëritura i kam “kurorëzuar” “Çajld Haroldin” dhe
“Faustin. Te “Fausti” më ka impresionuar pa dyshim figura Mefistofelit dhe jam
përpjekur të depërtoj, për aq sa kam ditur atëbotë, në thellësinë e errët të
mendimit të kryedjallit, në një kohë që për “Çajld Haroldin” më nxiste një
tjetër joshje, që ta lexoja dhe rilexoja deri në shterim: Kënga e dytë e poemës
që përshkruante shqiptarët.
Rrallë
mund të gjendet një përshkrim kaq dashamirës dhe kaq mbresëlënës për
shqiptarët, siç është ky i Bajronit dhe kam një bindje se në historinë e
marrëdhënieve ndërmjet dy kombeve (Britani-Shqipëri) është vënë në themel, para
më shumë se dy shekujsh, një gur që shkëlqen fort dhe mbase për këtë arsye këto
marrëdhënie kanë qenë gjithmonë nga më të mirat mes dy popujve të Europës.
Strofa
38 e këngës së dytë të “Çajld Haroldit” nis e flet për Shqipërinë, me një
pathos të jashtëzakonshëm:
O Shqipëri, ku lindi
Iskanderi –
Këngë e rinis’, fanar i
të urtëve...
Dhe pastaj:
Shqipëri, lejom t’i
kthej syt’ e mi
Mbi ty o nënë e rreptë
burrash t’ egër!
Tani
vetëm mund ta marrim me mend se me çfarë entuziazmi duhet të jetë lexuar “Çajld
Haroldi” nga rilindësit tanë, ndërkohë që do të jetë Konica i gjithmonshëm ai
që i pari do t’i bëjë jehonë kësaj vepre dhe udhëtimit të Bajronit në Shqipëri,
duke botuar në numrin e parë të “Albanias” një artikull frëngjisht dhe dy këngë
shqip të mbledhura nga Bajroni.
Në
fund dua të them se ky përvjetor besoj të jetë një homazh për këtë figurë të
jashtëzakonshme të letërsisë botërore dhe po ashtu homazh për përkthyesin
Skënder Luarasin, të cilit i takon merita kryesore që Bajronit i dha një vend
kaq të rëndësishëm në letërsinë shqipe, si të ishte pjesë e saj.
Lord Byron-i me veshje shqiptare, nga Thomas Phillips, 1813