E shtune, 21.12.2024, 02:36 AM (GMT)

Faleminderit

Albert Vataj: Sot në përvjetorin e lamtumirës së poetit të kushtrimeve lirike, Ali Podrimja

E diele, 21.07.2024, 08:58 AM


Sot në përvjetorin e lamtumirës së poetit të kushtrimeve lirike, Ali Podrimja

Nga Albert Vataj

Qysh prej 21 korrikut të vitit 2012, liriku Ali Podrimja do ti mungojë poezisë shqipe. Hapat e tij ndaluan kaq papritmas, sa nuk la kohë as të besonim vërtetë se ai nuk do të ishte më. Zemra dhe pena e këtij shpërthimi, janë thyer në syprinën e një pikëllimi e grishjen e një lamtumire të pakohë dhe zemërthyese. Gjurmët e kësaj ikje u shkruan nxitimthi mbi kujën e kushtruar që nga Franca, për të mbushur me oshëtimë vdekjeje dhe dhimbje ndarjeje, gjithkah flitet shqip e kungohet zashëm tafti gjëmues i poezisë së tij.

Lajmi i zhdukjes dhe vdekja

Podrimja i’u dha një vdekjeje që la shumë mister. Poeti u njoftua nga familjarët dhe të afërmit i zhdukur, të cilët pohuan se kishin humbur kontaktet më të që prej 18 korrikut. Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve, ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë, Voix de la Méditerranée. Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

Duke u fikun të gjallët e Ali Podrimjes, asht shu zani i një poeti, ka shterrun shpërthimi i një ylli, një yll që është me ne në muzgjet medituese të poetit, në amën e pambarueme për me jetu në çdo moment me kangën e shpirtit. Zani dhe pena, zemra dhe poezia e kësaj vullnese shpirtnore u kthyen në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir, ishin dhe mbeten deri në të mbramen frymë, tharmi i kangës që diti me e këndue edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrra e tij. Kushtroi me za shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dha krahët e atij zogu krahthyem e kungimi rënkues.

Ai iku si një poet i madh, si një penë e fuqishme, si një njeri që diti dhe mundi me e mbush jetën dhe gjithkënd përreth tij me energji pozitive. Ali Podrimja vdiq. Vdiq poeti. Ai u shua për të ndritur me kandë e me kushtrim, kahdo ku terri lëshon rraj, e flligsia dëbon dritën. Fjala dhe shpirti mbeten përmes vargjeve të tij, në mbamendjen e sejcilit që kungoi dëshirën për emocione të epërme.

Kur Vdes poeti

– mëton Dritero Agolli, zemra ta do të dëgjosh vetëm heshtje, të dëgjosh vetëm fëshfërimën e gjetheve, vetëm shushurimën e një përroi, vetëm cicërimën e një zogu. Kur vdes poeti, do të doje të heshtnin fanfarat e sukseseve përgjithësisht të gënjeshtërta, të mekeshin fjalët boshe të lëvdatave, të platitej zhurmëria e kotësisë. Kur vdes poeti, do të doje të mos kishte, së paku për një çast, marramenth makinash e manekinësh, pamje klithëse reklamash të zhveshura nga çdo gjë njerëzore, zukama kafenesh mes vdekjes së punës; të mos shihje mjedise të papastra, dorën e lypjes nëpër trotuare, dijen e librave lëshuar për shitje drejt e përdhe. Kur vdes poeti, do të doje të shihje lule e bar, drurë e hije, natyrë dhe prehje. Dhe do të doje që shpirti të zhytej në mendime për kuptimin e jetës, për vlerën e duarve të punës, për dritën e mendjes, për regëtimën e zemrës. Do të doje të bisedoje me shpirtin e poetit përmes gurgullimës së vargjeve dhe fëshfërimës së urtë të të thënave e të pathënave të tij. Dhe të ringrije në mendje atë botë ndjenjash e përjetimesh gjithfarësh të krijuar prej tij, ku ndihet fryma e bekuar e thjeshtësisë, kthjelltësisë, urtësisë. Kur vdes një poet, domethënë një njeri që na jep mesazhe njerëzore përmes poezisë, ajo që të lëndon më shumë është zhurmëria e pashije dhe në thelb blasfemuese që shoqëron krijuesin në shtegtimin e tij drejt strehës së fundit. Befas për atë, që ikën heshturazi e në vetmi, fillojnë e kujtohen plot bujë të gjitha kategoritë e parisë-elitë të vendit: zyrtarë të lartë të shtetit e artistë-politikanë, miq të mëdhenj të të ndjerit, kryeredaktorë gazetash. Rendin kush e kush më parë ta thonë fjalën e tyre me peshë, elitare, ta thonë botërisht, pavarësisht se në ato fjalë gjithçka mund të gjesh veç figurës së poetit jo. Të hidhëron kjo zhurmë në një kohë që vdekja kërkon heshtje nderuese. Të lëndon kjo prirje dyfytyrëshe për vetëdukje, ndërkohë që humbja e një shpirti mendimtar do të duhej të shoqërohej me mendime të thella, me një brengosje të brendshme dhe vlerësim realist, në daç edhe filozofik, por kurrsesi jo propagandistik, vlerësim që të përfshijë dhe paraqesë para lexuesve të çoroditur nga shtypi tregtar atë që kishte më të spikatur kjo dritë e mendimit dhe flakë e ndjenjës së zhveshur nga çdo interes vetjak. Të nervozon belulizmi i shpëlarë, bajat, mjeran, ky egoizëm i pakufi, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe që ia than çdo gjethe të gjelbër e çdo gonxhe. Ndërkohë veshi dëgjon e syri lexon vetëm fjalë, fjalë, fjalë. Nuk ka mënyrë më të shëmtuar për të vrarë kujtesën mbi poetin. Të gjendet këtu njëri ndër ato shumë shkaqe, për të cilat poeti u mbyll në veten e vet? Po iki me trishtim i zhgënjyer nga miqtë, E mbylla dhe derën që rrinte e hapur Për lajkatarët, për rrenacakët e smirëzinjtë, Që shtireshin ëngjëj të dashur, sos këtë ndarje me poetin, Agolli.

Poetika e tij

Ali Podrimja na kujton se e rrjeshtoi kumtin e tij për me çliru poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai konsumoi një përpjekje titane dhe vendosi parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.

Lindja dhe shndritja e yllit poetik

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi. Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura. Gjatë gjithë kandës së tij për me mëtu përmes vargut, metaforës, poezisë atë që shpirti i gufonte, ai e kjartësoi rrugën e tij të një krijuesi, të një poeti të madh. Nuk nguroi kurrnjiherë për me e thanë fjalën e vet, për me ken aty ku sofra e pozisë kishte shtruar zemrat dhe fjalët, shpirtin dhe metaforën. Tash që ai do të mungojë në sofrat e poezisë, kumti që nxuni me tharmin e shpirtit të paepun do të mylmejë në amshim thirrjet e urisë për liri, dashuri dhe devocion.

Krijimtaria e tij

Iku duke lënë pas një mal me këndime e kungime shpirti, prej të cilave veçojmë;

Thirrje, poezi, Jeta e Re, Prishtinë,1961 ; Naim Frashëri, Tiranë, 1972, zgjodhi Pandeli Koçi. Botimi i parë i këtij libri u bë karton.

Loja nën diell, tregime, Jeta e re, Prishtinë, 1967.

Dhimbë e bukur, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1967.

Sampo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1969; Flaka e Vëllazërimit, Shkup 1980.

Hija e tokës, Bota e Re, Prishtinë, 1971.

Torzo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1971; Botimi i dytë, pasthënia Ibrahim Rugova, 1979.

Folja, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1973.

Credo, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1976.

Poezi, lektyrë shkollore, Prishtinë, 1978, 1985.

Drejtpeshimi, poezi e zgjedhur, parathënia Ibrahim Rugova, Rilindja, Prishtinë, 1981.

Lum-lumi, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1982,1986,1990; Toena, Tiranë, 2003, botimi IV dhe V, parathënia dr. B. Kuçuku; Rozafa, Prishtinë, 2003 ; Libri Shkollor, Prishtinë, 2012.

Fundi i gëzuar, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1988.

Zari, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1990.

Në bisht të sorrës, poezi, Art-Pena, Prishtinë, 1994.

Buzëqeshja në kafaz, Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë, 1994 ; Dukagjini, Pejë, 1995.

Tkurrja e Atdheut, ese dhe të paharruarat, Konica 95, Tetovë, 1996; Toena, Tiranë, 2004.

Libri që nuk mbyllet, ese, Rilindja, Prishtinë, 1997.

Ishulli Albania, Rilindja, Prishtinë, 1998; poezi e zgjedhur, parathënia Visar Zhiti, Onufri, 2004 ; botimi plotësuar, AIKID, Prishtinë, 2006.

Burgu i hapur, Rilindja, Prishtinë, 1998.

Harakiri, ese, shënime nga esnafi dhe një miniroman, Rilindja, Prishtinë, 1999.

Dielli i zi, ese, Rilindja, Prishtinë, 2000.

Poema, Enti i Teksteve, Prishtinë, 1979, parathënia Hysni Hoxha.

Poezi, Naim Frashëri, Tiranë,1986, zgjodhën Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, parathënia D. Agolli.

Litari i ankthit, poezi e zgjedhur, parathënia Bashkim Kuçuku, Toena, Tiranë 2002.

Antologji personale, Ora, Tiranë, 2002.

Kush do ta vrasë ujkun, Alba-Ass, Tiranë, 2002. Zgjedhjen dhe parathënien Ali Aliu.

Te guri i Prevezës, parathënia Bashkim Kuçuku, Arbëria, Tiranë, 2003.

Letra nga të vdekurit, ese dhe persiatje, Toena, Tiranë 2004.

Pikë e zezë në blu, poezi, Onufri, 2005.

Sfidë harrimit, ese, parathënia Bashkim Kuçuku, Onufri, Tiranë, 2006.

Gjumi i tokës, poezi e zgjedhur, Ideart, Tiranë, 2007.

Fundi i mitit, tregime, parathënia Sadik Bejko, Onufri, 2007.

Libri mbi të qenit, poezi e zgjedhur, Brezi 9, Tetovë, 2008 ; PEN Qendra, Prishtinë, 2009, parathënia Fatos Arapi;

Vepra 1-9, Vepra e plotë, parathënia Ali Aliu, ASHAK, Prishtinë, 2013.

Poezitë e tij janë përkthyer edhe në hebraisht, danisht, norvegjisht, holandisht, greqisht, çekisht, bullgarisht etj. Po ashtu janë botuar në revista si Poesis 93, Mediteran (Paris), Neue Sirene (Mynhen), Neue literatur (Ofefenbach), Literatur und kritik (Salzburg), Hid (Novi Sad), Slobodnost (Lubjanë), Impegnio 80 (Itali, Mazara del Vallo, Frapani), Literatura na swiecie (Varshavë), Život (Sarajevë), Nëntori dhe Letërsia shqipe (Tiranë), Književnost (Beograd) etj.

Për poezinë e tij kanë shkruar Hasan Mekuli, Vehap Shita, Ali Aliu.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Si u shuan në Shkodër më 17 korrik 1915, rilindasi Çerçiz Topulli dhe intelektuali Muço Qulli Lekë Mrijaj: Një reflektim ne 150 vjetorin e lindjes së at’ Shtjefën Gjeçovit Fran Gjoka: Profesor Vehbi Hoti, intelektuali i vlerave të mëdha Vilhelme Vrana Haxhiraj: Nderim e mirënjohje në kujtim të shkencëtarit elitar Aristidh Kola! Gëzim Bullaku: Nexhip Alpan, dijetar, albanolog dhe atdhetar nga Turqia Jahja Drançolli: Viktor Karpaçi, një nga personalitetet më të mëdha të Shkollës Arbërore të Venedikut Albert Vataj: Agim Doçi, ikja e pakohë e një bardi Hysen Ibrahimi: Prenkë Gjetaj, luftëtar në shërbim të çështjes së Lëvizjes Kombëtare, kundër prapambetjes dhe injorancës Hivzi Muharremi: In Memoriam - Rexhep Ferri Albert Vataj: Agron Luka, fiket nji tjetër dritë dijeje e Shkodrës Ndue Dedaj: Emzot Kaçorri, shëlbuesi i pavarësisë Ndue Dedaj: Marie Tuci, e Lumja në Përjetësi Albert Vataj: Ernest Koliqi, qëndrestari i paepur i rrëmeteve politike, dishepulli i dijes dhe apostull i risive Agim Xh. Dëshnica: Poeti i ndritur Vexhi Buharaja Ibrahim Hajdarmataj: Gjenerali Tahir Sinani ngeli ne zemrat dhe mendjen e Shqiptareve Dorian Koçi: Një datëlindje për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe vepra e tij Nue Oroshi: Përshkrimi i karakterit të Gjergj Kastriotit Eshref Ymeri: Prof. Dr. Shpresa Delija me një karrierë të shkëlqyer pedagogjiko-shkencore Ndue Dedaj: Ganimetet e Lirisë Mihal Gjergji: Një varr për Hodo Nivicën

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora