E shtune, 21.12.2024, 12:15 PM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Ndue Ukaj: Heshtja e Kadaresë

E marte, 16.07.2024, 07:22 PM


Heshtja e Kadaresë

Nga Ndue Ukaj

I

Ishin orët e para të mëngjesit, ditë e hënë, fillimi i një jave të re, fillim i korrikut, muaji i të korrave, kur, në orët e para të mëngjesit, si vetëtima u përhap lajmi se Ismail Kadare iku.

“Ismail Kadare iku”, më shkruanin miq e të njohur, ndërkohë që, minutë pas minute, lajmi merr dheun e bëhet i përbotshëm.

Kjo ishte një gjendje e re: Ismail Kadare nuk ishte më mes nesh, ai nuk shkëlqente me nurin prej shkrimtari mendjemprehtë, që besonte në veprën e tij e në gjenialitetin krijues, nuk ishte më te Juvenilia, i shoqëruar nga Bujar Hudhri, mjediset e së cilës  tashmë ishin kthyer në një vend pelegrinazhi letrar, ku dashurues të artit të tij, lexues e njerëz të ndryshëm, shkonin të ngazëllyer që ta takonin Shkrimtarin, të fotografoheshin me të, të merrnin autografe dhe të përjetonin çaste galdimi.

Në një gjendje mërzie, imazhi i parë që më shfaqet ishte takimi i fundit me të, data 14 qershor, dy javë e pak ditë më parë, kujtoja buzëqeshjet e herëpashershme të tij, heshtjen e gjatë, tymin e cigares në dorën e tij, kafen e ftohtë në tavolinë, bisedat që bënim rreth librave të tij, të cilat, ai, i heshtur, i përcillte me buzëqeshje e ndonjë fjalë të shkurtë.

Atë ditë m’u duk se ai kishte marrë udhën e pa kthim të ikjes në botën e amshuar, një amshueshmëri, të cilën tashmë e kishte fituar qëmoti.

Ishte një ditë e bukur në Tiranë, frynte një puhizë e lehtë dhe dielli nuk ishte përvëlues, siç di të jetë në këtë kohë. Pasi isha bërë gati për promovimin e romanit tim, “Dritarja e Marin Shkrelit”, të botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”, në Qendrën Kombëtare të librit dhe Leximit”, në orën 11.00, pak para se të futesha në promovim, mes disa mesazheve urimi, e lexova me shpejtësi mesazhin e Bujar Hudhrit, në të cilin, ndër të tjera, më shkruante:

“…Pas orës 12:30 të pres te Juvenilia për kafe me Kadarenë.”

Aktiviteti mbaroi në mënyrën më të bukur të mundshme dhe pasi bëhemi gati ta lëmë QKLL-në, u tregoi Anila Mullahit, Elsa Skënderit, Belfjore Qoses e Adil Ollurit, që kishin folur për librin tim se Bujari po më ftonte për kafe, dhe u them:

“Të shkojmë ta takojmë Kadarenë dhe Bujarin së bashku!”

Dhe ashtu ndodhi! Së bashkë me penalistët e familjen time, nisemi drejt Juvenilies. Porsa mbërrimë, Kadare erdhi dhe shfaqja e tij binte përherë në sy, i shoqëruar nga Bujari, duke e ndjekë atë ritualin e tij të bukur. Përshëndetemi ngrohtësisht dhe ai ulet, i heshtur, si një Krijues që ka mbaruar punën e vet dhe po i vështron frytet e saj – si zgjatim te lexuesit e tij.

II

Ishte ditë e hënë,  fillimi i një muaji të ri, 1 korriku, i një mëngjesi krijues, do të thoshte Kadareja, ai që i donte aq shumë mëngjeset krijuese.

I lexoja mesazhet që më vinin ndërkohë dhe nuk kisha forcë t’iu përgjigjesha. Mes goditjes që më dha lajmi, e ndieja një turbullim në mendje, një si moskuptim të saj që kishte ndodhë. Sodisja në raftin e librave, ku iu ngula sytë librave të Kadaresë.

Nuk është e mundur, thashë vet me vete, Kadare nuk ka ikë, ka ndërruar trajtë, është këtu diku, në gjumin ose heshtjen e tij të bukur, si një zotërues, që pasi ka krijuar botën, një univers letrar, është mënjanuar diku në breg të qetësisë dhe po sodit veprën e tij.

Dora më rrëshqet te libri “Kukulla”, në të cilin Kadareja me një çiltërsi të pashoq, pa as më të voglën ndjesi auto censure – cilësi kjo e shkrimtarëve të mëdhenj – rrëfen për familjen e tij, me kryepersonazh nënën e tij, kukullën, siç e cilëson ai, rreth së cilës vërtitet jeta e Shkrimtarit, por edhe jeta shqiptare, në një dimension tjetër, e ku shpalosen aspekte të rëndësishme të kësaj jete, të shtrirë nëpër kohë e rrethana të ndryshme historike. Shfletoja nëpër libër, pa mundur të ngihesha frymë. Shihja se në libër kisha lënë gjurmë të leximit, faqe të thyera, nënvizime, ashtu siç bëja me librat që më pëlqenin.

Mbërrita te faqja 116, fletën së cilës e kisha thyer më shumë:

Ndiej se im atë po i afrohej fundit”, thotë Kadare aty “Ishte ende i hollë e i drejtë, por vdekja dallohej ndërkaq te hapat. Jo më kot himnet fonebre lidheshin vetvetiu me to, si për të dëshmuar se vdekja ishte, veç tjerash, një çështje ritmi.

Vetëm ashtu mund të zbriste atje ku Kadarenjtë ngjanin më të fortë, nën tokë.”

Një e qeshur shtrihet në fytyrën time. Në të vërtetë, e qeshura, humori e inteligjenca e Kadaresë, rrëfimet e tij aq të çiltra për familjen, vetveten, ma rikthyen në kujtesë romanin magjeps “Çështje të marrëzisë”, një prej veprave mahnitëse, ku sintetizohej aq bukur humori i hollë, pafajësia e një të ri përballë marrëzisë, të shkruara me inteligjencë letrare goditëse.

E rilexova fjalinë dhe ndalem te rreshti i fundit, ku Kadareja thoshte se “Kadarenjtë ngjanin më të fortë, nën tokë.”

Kjo tashmë nuk ishte e vërtetë, ngaqë, vetë Shkrimtari ishte i vetëdijshëm se kishte kohë që i kishte përmbysë zakone e rregulla, në art e në kulturë, duke thyer edhe këtë traditë të Kadadrenjve: ai kishte qenë i fortë mbi tokë, madje që në moshë të re, kur fama e tij u bë pjesë e metropoleve, thoshte kritiku letrar, Ibrahim Rugova në vitin e largët 1980, dhe tani, pas vdekjes, kur po niste një epokë tjetër, ai po bëhej edhe më i fortë, nën tokë.

Kadareja kishte krijuar  një epokë, epokën e tij, duke bërë një kapërcim të kohëve, thënë ndryshe, ai ishte bërë një shënjues i një kohe dhe përcaktues i rrjedhave kulturore shqiptare, por edhe më gjerë, atyre të përbotshme, sepse letërsia e tij tashmë ishte e përbotshme: një vlerë autentike e unike.

Ato momente kur lajmi për ikjen e tij mori dheun dhe shikoja si bëhej lajm i përbotshëm, e përfytyroja shkrimtarin e vdekur, dhe në mendjen time, fluturonin imazhe të shtresuara ndër vite nga vepra e tij, nga ai univers magjeps, po, vepra e tij ishte një univers artistik, përplot mistere. Me librin “Kukulla” në dorë, përfytyroja ngritjen e famës së shkrimtarit, humorin e bukur me emrin e tij, të cilin, që kur ishte i vogël donte ta bënte Ismail Hello Kadare, për t’iu ngjarë gjenive, kujtoja humorin e hollë me Kukullën për famën e tij, dyshimet e saj se djemtë kur bëheshin të famshëm mund t’i  ndërronin nënat, kapërcimet nga qyteti pa reklama, në qytetin prej guri, tek një gjenerali  i hutuar që kërkonte eshtrat e ushtarëve që binin në luftëra absurde, pastaj më shfaqej përmasa e romanit “Rrethimi”, ajo kështjellë madhështore, që në përfytyrimin tim, që kur e kisha lexuar për herë të parë në gjimnaz, kishte zënë një vend të madh, kapërceja pas shtatë kodrave e shtatë maleve dhe më dukej se ecja me Konstandinin tek realizonte atë sublimen, besën, dhe sillte të motrën tek e ëma, dhe përnjëherë më shfaqej romani “Qorrfermani”, përmasa e verbërisë me të cilën shtetet autoritare i donin qytetarët e tyre të nënshtruar, dhe ashtu, si Mark Alemi, futesha në “Pallatin e ëndrrave”, ndërkohë që, më dukej se hutimi nuk kishte  të ndalur, tek e përfytyroja shkrimtarin duke lëvizur nga Gjirokastra, në Tiranë, nga Tirana në Prishtinë, pastaj në Paris, Londër, Madrid, Romë, Nju Jork, Jerusalem e plot vende, duke ngrehë kudo trofe letrarë. E lë librin mënjanë, hap kompjuterin dhe pa menduar shumë, në faqen time të Facebook-ut shkruaj këtë status:

Lamtumirë Ismail Kadare

Një mendje e bukur e lartësive më të epërme- atyre qiellore të artit – sot u bashkua me çetën e bukur të shkrimtarëve të pavdekshëm, ku janë Homeri e Dante, Servantesi e Shekspiri, Tolstoi e Gëte, Kafka e Kundera, e plot e plot emra të tjerë të pavdekshëm.

Lamtumirë Ismail Kadare për gjithçka të bukur që na ke dhanë.

Unë, sot e përgjithmonë i detyrohem veprës së tij, ngaqë, si djalë i ri, që nga vitet egra të 90-tave, kam filluar udhëtimin nëpër shtigjet e bukura të letërsisë i mahnitur nga vepra e tij, e në të cilat shtigje aspak të lehta, vepra e tij më ka ushqyer shpirtnisht, kulturalisht e intelektualisht. Dhe këtyre shtigjeve nuk iu kam ndarë kurrë dhe nuk do t’iu ndahem kurrë.

Jam i lumtur për të gjitha ato takime të bukura ndër vite dhe i pikëlluar pse udhës së tij sot i erdhi fundi.

Para pak ditësh, e takova. Ishte një takim i heshtur, të cilin e përshkoi buzëqeshja e bukur Kadaresë tek shihte zgjatimin e bukur të veprës së tij grandioze tek breznitë e reja.

Tashmë qielli është më bukur, por toka jonë më e varfër.”

III

Ishte ditë e hënë. Fillimi i javës dhe e hëna në përfytyrimin tim kishin diçka të mistershme, që lidhej me krijimin, domethënë me krijuesin. Kadareja ishte Krijues në kuptimin më të lartë të fjalës, një diçka që dukej qartësisht, si të gjitha gjërat e mëdha: toka, dielli, qielli, deti. Dhe kurdoherë bëhej fjalë për krijues, Kadareja ishte aty, një zotërues i këtij zanati, një sundues, që komandonte me forcën e ligjeve të artit, një ngrehinë madhështore artistike, që e kishte ndërtuar përgjatë shtatë dekadave të krijimtarisë së tij. Dhe kjo ngrehinë ishte një univers plot mistere, ku kryqëzoheshin udhë e kultura, kohë e epoka, ku mund të dukeshin plasaritje të thella të tokës e çarje të lartësive qiellore, ku mund të shfaqeshin shpirtrat e lumtur, një botë përplot çudira, moskuptime, kuptime, kuptime të shumëfishta, mistere të përhershme, siç ishte vërtetë bota njerëzore.

Korriku ishte muaji i të korrave dhe Kadareja, dukej se e kishte zgjedhë të ikte në këtë muaj, për të lënë një simbolikë mbrapa, në ditën e parë, në një të hënë. Ai kishte ikë dhe prapa kishte lënë të korrat e mëdha, frytet e së cilave ishin ushqim shpirtëror për brezni e brezni, për të mësuar si luftohet e keqja përmes artit në kohë jonormale dhe si të krijohej e bukura në kohë të egra, kur shëmtia, diktatura e shtypja, shfaqeshin me fytyrën e shëmtuar e të pamëshirshme.

Kështu, duket qartësisht se ikja e Kadaresë nuk e kishte kuptimin e një ikjeje të zakonshme, të një ikjeje që e kapërdinte harresa, të një ikje që mund të rikthehej në një kohë tjetër: bëhej fjalë për një shndërrim: Kadare kishte ndërruar trajtë, ngaqë ai si frymë e kulturë, ishte shtrirë në gjuhën tonë e në mendimet tona.

Ai ishte bërë një me heshtjen, mendoja vetvete dhe e përfytyroja shndërrimin e tij, duke marrë trajtë tjetër, një shndërrim në kuptimin qiellor të fjalës.

Në një gjendje të tillë, dola në dritare dhe sodita qiellin. Qielli i korrikut ishte i kthjellët sa t’i mpinte sytë. Po, Kadareja ishte në lartësi qiellore të artit, në Olimp, dhe ajo botë tani ishte më e gëzuar, kurse te ne, kishte rënë një vetmi e ftohtë, tokës i kishte rënë një tis mërzie, si një dendësie errësire, që mund ta kapje me duar.

Atëherë, me shpejtësi rrufeje, në mendjen time u kryqëzuan shumë imazhe, takime me shkrimtarin, disa email-e që kisha shkëmbyer me të ndër vite, ndonjë telefonatë, pritja në Aeroportin e Prishtinës së bashku me Kujtim Shalën, asokohe ministër i Kulturës, kur erdhi së bashku me Helenën nga Parisi, për të marrë çmimin ndërkombëtar, “Letërsia Shqipe”, që i dhamë në vitin 2017, pikërisht më datën 6 prill 2017, në një ceremoni të bukur, të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare, në të cilin Kadareja veç tjerash tha se “këtë çmim e konsideronte si më të veçantin në jetën e tij.”

Më kujtohen takimet e atyre ditëve, darka, energjia e pashterur e tij për të folur për libra, për art, kërkesat e tij, që kombi shqiptar të ruante petkun e tij europian e të mos e përlyente, sepse ishte petku i tij, autentik, dhe siç e kishte zakon të thoshte, ai i donte gjërat e klasit, autentike.

Pastaj e kujtova edhe takimin e parë me të, kishte botuar romanin “Darka e gabuar”, ishte viti i largët, 2008, dhe unë prisja një autograf, pa e menduar që ai të më njihte në atë mori njerëzish e të shkëmbente ndonjë fjalë, por ndodhi befasia, ai më foli me dashamirësi, një gjë që mua më habiti. Dhe këtë libër tani e ruaj si një vlerë të paçmuar.

IV

Gjatë ditëve të para të korrikut të ikjes së tij, po lexoja anë e kënd botës lajme për vdekjen e tij, vlerësime e epitete dhe ndërkohë kthehesha te librat e tij, pranë të cilëve ndieja sërish atë gëzimin e lexuesit ri të dashuruar pas veprës së tij.

Shkrimtari Kadare vërtet kishte ikë, në anën tjetër, si të thuash, të gjumit, të heshtjes, të vdekjes. Që në ditën e parë pas ikjes së tij, bëra një ekskursion në jetën time dhe thashë me vete: sa e varfër do të ishte bota ime, bota e breznisë sime, pa librat e Ismail Kadaresë, një gjë që e kisha thënë disa herë. Dhe m’u kujtua një shkrimtar, po ashtu i madh, Milan Kundera, që thoshte diku se një libër i ndaluar në vendin tënd, kishte më shumë vlerë se miliarda fjalë që vjellin universitet tona.

Dhe unë isha rritë në një klimë ku librat ishin të ndaluar, bashkë me shkollat, universitetin, asokohe, kur Kosova, si një tregim zie, ishte futë nën thundrën e egër të pushtimit serb dhe unë i pushtuar nga ankthi e paqartësia, kërkoja shpëtim te librat dhe përmes veprës së Kadaresë nisa të udhëtoja shtigjeve të letërsisë, të udhëtoja nëpër Shqipëri, tashmë kisha parë qytetin e gurtë dhe Kështjellën e pamposhtur të Shkodrës, atë kështjellë që kishte zënë hapësirë të madhe në mendjen time, ku thyheshin e rrokshmja dhe e parrokshmja, realiteti e imagjinarja.

Ajo që më kishte magjepsë pafund te Kadareja ishte raporti i tij me lexuesit, sidomos me lexuesit e veprës së tij, me lexuesit e ri, të cilët i çmonte, si pjesën themelore të letërsisë, pa të cilën, shkrimtari nuk ia dilte. Në këso çaste, ai dukej se zbriste prej Olimpit dhe bëhej krejt i përzemërt, fliste qetë e shpjegonte kujdesshëm, duke kërkuar fjalën e zgjedhur, për çdo gjë që thoshte, me kujdes dhe klas të lartë.

Kadarenë e kisha takuar edhe në raste tjera, por mbaj si të përzemërt një takim, së bashku me familjen time, bashkëshorten Editën, Luisin e Izabelën, në qershor të vitit 2021. Ishte një ditë e bukur. Fëmijët kishin lexuar vepra të Kadaresë dhe kjo gjë e gëzoi, madje edhe për faktin se fëmijët me vete, kishin marrë dy libra të tij për autograf, gjë që e entuziazmoi Shkrimtarin për të na dhuruar një bisedë shumë të bukur dhe të paharrueshme.

V

E kisha pohuar në shumë raste se Ismail Kadare ishte bërë pjesë e jetës sime, që në moshë të re, kur isha pesëmbëdhjetë veç, ato vite të egra, kur në Kosovë gjithçka ishte e mjegullt dhe e paqartë, përveç librave, që më ngjanin në shandanë drite atyre këndeve të errëta të jetës, të atyre udhëve që ndërronin emra dhe kontrolloheshin nga policë të egër serbë. Dhe atëherë e kisha kuptuar forcën që kishin librat e mirë, në të vërtetë, ata ishin ilaç kundër marrëzisë e kundër shtypjes.

Asokohe, Shqipëria kishte dalë prej errësirës komuniste, kurse Kosova kishte hyrë në natën e errët, do të thoshte vetë Kadare, ishte kapërdirë nga regjimi i egër hegjemonist serb, i cili e kishte lidhë një popull të tërë në litarin e robërisë. Kadareja ndërkohë kishte ikë në Paris dhe prej aty bënte një punë madhështore, që ky litar të hiqej prej qafës së popullit të tij, për të cilin shkroi e u angazhua pareshtur.

Asokohe, isha lidhë shpirtërisht me Shqipërinë, e doja Gjirokastrën e Shkodrën, Lezhën e Tiranën, ndonëse nuk i kisha vizituar deri pas luftës së Kosovës së vitit 1999, dhe kjo ishte një çudi që mendja zor e rrokte. Po, Shqipërinë e doja përmes dashurisë që kishte mëkuar në mua letërsia, për çka vepra Kadaresë kishte meritën kryesore.

Dhe sot, një falënderim qiellor për të!

Prishtinë, 08. 07. 2024



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora