Përjetësi » Kadare
Edison Ypi: Kodi Kadare
E merkure, 03.07.2024, 06:57 PM
Kodi Kadare
Nga
Edison Ypi
Ëndërra
sheh. Era e blirit të deh. Natën në pyll ndonjëherë ke fjetur. Dëshpërimin që
shkakton muzgu e ke mik të pandarë. Në detin e një pike lot, disa herë je
mbytur.
Ke
lexuar të paktën nja dy a tri tragjedi të Shekspirit, disa romane nga letërsia
klasike, disa novela nga Cvajgu, Çehovi, etj.
Di
përmendësh ndonjë poezi nga Shekspiri, Gëte, Lasgushi, Lermontovi.
E
ke të qartë se nuk lypset talent vetëm për të shkruar por edhe për të lexuar.
Ke
vënë re se ndonjëherë një fjali e vetme të mbreson më fort se një roman i tërë.
Me
atë që tha se: “Gjithmonë ka një mënyrë për t’i hedhur hi syve shtetit që
dyshon”, je plotësisht dakord.
Që
ferri është plot me shkrimtarë dhe poetë mediokër që vjershëzat e veta dhe të
njëritjetrit i mbajnë për kryevepra, nuk ke kundërshtim.
E
di se themeluesi i Endokrinologjisë, jo mjek por shkrimtar, është Balzaku.
Që
Tolstoi nuk e honepste dot Shekspirin, dhe se mospëlqime të tilla mes të
mëdhenjve të Letërsisë ka pafund, e ke mëse të qartë.
E
di se libër i vërtetë nuk është ai libër që lexon, por ai libër që të lexon.
Pse
shkrimtarin e godasin me shpifje dhe intriga, ndërsa inxhinierin kurrë me
hekura dhe çengela, e di prej kohësh.
Ta
kallin krrupën morrat e neveritshëm që thonë "si shkrimtar është
"çka", por si njeri "hiç"".
Nga
"mbledhja e kolektivit" kishe ndoht.
Aksionet
e rinisë të bënin për të vjellë.
Kur
komunisti Pikaso po bënte Guernikën, jashtë kërcisnin bombat. Papritmas hyri në
derë një partizan i përgjakur që e ndiqnin për ta vrarë. J'u lut partizani
Pikasos ta fshihte. Pikaso i tha;
-Mos
më pengo Po bëj një Kryevepër që tash e tutje do shpëtojë miliona si ty.
Dhe
e shtyu me shkelm në rrugë, e i mbylli derën nga pas.
Ta
kanë thënë, ose e ke lexuar, se Romen Rolan e vizitoi Bashkimin Sovjetik në
kulmin e krimit stalinist. Nuk habitesh pse kur u kthye nga ajo vizitë në
vendin e Gulagëve, nuk tha asnjë fjale për ato që pa.
E
di prej kohësh se njëri ndër miqtë e Shën Terezës ishte Moris Dyvalie,
diktatori i Haitit, nga diktatorët më gjakatarë që ka njohur bota.
Nuk
e vë aspak në dyshim se Ismail Kadaresë zemra nuk i punon me naftë dhe truri me
bateri, lëkurën nuk e ka prej amianti, kockat nuk i ka prej duralumini.
Mrekullohesh
kur mendon se sa iluminuese është dhe çfarë rrënqethje i shkakton cilitdo
njeriu të ndjeshëm në botë "Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”.
Ke
vënë re qysh herët se në librat e Kadaresë diktatori është personazhi më
skematik, më i shpëlarë, më i rrafshët, partia është inekzistente ose
qesharake, komunistët janë të gjithë primitivë, trashanikë, të ngathët nga
mendja dhe të penduar ose të dëshpëruar.
Je
mrekulluar kur ke vënë re sa me pasion i përshkruan, dhe sa të larmishëm, sa kompleksë, i paraqet
Kadare përfaqësuesit e “Klasës së Përmbysur”. Plakën Nurihan, për shembull, që
është një monument njerëzor i skalitur në diamant nga dalta gjeniale e
Kadaresë.
Ke
qeshur me episodet djegëse, thumbat, kunjat, që në librat e Kadaresë nuk janë
katër a pesë por qindra.
Të
merret fryma nga krenaria kur mendon se po nuk i vodhe zgjedhjet dhe po nuk
bëre rrëmuja, Perëndimi të jep çfarë të duash dhe sa të duash, por shkrimtarë
si Kadare nuk të jep asnjë. Jo sepse s'do. Sepse as për veten e vet s'ka.
Atë
Vargun e Kadaresë "Ju që gjer në hënë keni vajtur, si s’depërtoni dot gjer
në gjoksin tim" ja ke përsëritur qindra herë vetes duke ikur rrugës.
Je
i bindur se Ismail Kadare është shkrimtari më i madh i botës.
Nëse
sa më sipër të duken rrena, s'ka problem, vazhdo vegjeto, ha, pi, shumzohu,
fli, gërrhit, dërrdëllit, por mos guxo të thuash se e di çfarë është Letërsia.
Ama
po qe se për sa më sipër nuk ke kundërshtim;
Një
Xhehenet plot mrekullira ka hapur dyert e të pret. Kodin Kadare e ke.