Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Skandali te Onkologjiku dhe skandalizimi "legjitim" i opinionit publik
E shtune, 29.06.2024, 07:00 PM
Skandali te Onkologjiku dhe skandalizimi "legjitim" i opinionit publik
Nga
Albert Vataj
Duhet
të ndodhte skandali i Onkologjikut, që të merrej vesh se çfarë abuzimesh skandaloze
bëhen në trajtimin shëndetësor shtetëror. Edhe kësaj here, u ranë alarmueshëm
kambanave të alamit, thua se ishte hera e parë që fatkqinjtë janë në mëshirën e
pamëshirshme të abuzimeve skandaloze. Masmedia, i parapriu kësaj stuhie
denoncimi dhe linçimi, dhe... bëri asgjë më shumë se detyrën e saj. Ajo ka
denoncuar dhe reaguar vijimisht dhe energjikisht, ndoshta jo duke qenë me kohë
të plotë një gardian e fatit të pafatit, por edhe ajo seri betejash që ajo
bëri, nuk e luajtën nga istikami, spekulantët, matrapazët, abuzuesit me jetën e
njerëzve dhe vrasësit gjakftohtë me bluza të bardha.
Në
rrjetet sociale, njerëzia, shumë prej tyre të karikuar nga përvoja personale të
mosfunksionimit të “shëndetësisë që duam”, nuk lanë gjë pa u thënë dhe nuk
mbeti kush ka u bërë pjesë e kësaj zemërate publike. Reagimi solli reflektimin,
vetë Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, nga foltorja e Kuvendit lidhur me
skandalin tek Onkologjiku është shprehur:
“Padiskutim
abuzimi i rëndë me detyrën i një grupi farmacistësh, dhe stafi mjekësor që kanë
luajtur me njerëzit dhe shëndetin e tyre, ka vetëm një përgjigje: ndëshkim
ligjor, administrativ dhe moral. Për çdo njërin nga ata që kanë nisur hetim, do
të mbajnë mbi shpinë moralin e turpin. Për të sanksionuar me ligj ata mjekë,
s’mund t’i quaj më as profesionist, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall të
shumicës, do të përballen me masa që do t’i bëjmë të ditura. Do t’u hiqet e
drejta e profesionit në rast se do të bëjnë sjellje amorale nëse cenojnë
profesionin e tyre”
Dhënë
Zoti ta kenë dëgjuar ata që duhet këtë zë, dhe t’i thërrasin mendjes ata që
kanë se çfarë të humbin. Ndoshta bëhet mësim ky pësim, edhe pse për skeptikët
dhe realistët, “Qameti tre ditë zgjat”.
Pak
prej atyre që e thanë mendimin e tyre në këtë reagim publik, besojnë se diçka
do të ndryshojë. Largimet nga puna dhe përgjegjësia penale dhe morale, nuk do
t’i vënë kapakun kësaj historie të shëmtuar dhe mizore. Sërish do të kemi
skandale dhe arsye të skandalizohemi për shërbimin shtetëror shëndetësor.
Nuk
duhet të harrojmë se secili nga ne, kush më shumë e kush më pak, kush indirekt
e kush drejtpërdrejtë, kush nga dashuria dhe kush nga pasioni, për të përfituar
më të mirën nga një shërbim ku varet jeta e të shtrenjtit tënd, ka ndikuar që
kjo situatë të jetë e tillë.
Duhet
ta vëmë “vëth në vesh” proverbin: “Nëse i mpreh thonjtë luanit, nuk ke pse
ankohet se një ditë ai do të të shqyej”. Nëse nga dashuria për të afërmin dhe
nga mundësia financiare, nuk kursehesh ta blesh kurimin me para, në një shërbim
që detyrohet të të ofrohet falas, nuk ke të drejtë të ankohesh një ditë kur je
i detyruar të paguash, ndryshe je i vdekur, madje nuk ke pse mundohesh edhe për
më tej, sepse rretheqark spitaleve ka sekserë që të rrinë gati të të ofrojnë
secili një shërbim funeral ekselent dhe me leverdi. Kështu ke edhe mundësi të
zgjedhësh duke bërë hesap, nëse i’a vlen më mirë të vdesësh apo të mbetesh
gjallë në një katastrofë financiare.
Ndoshta
e keqja që sot na alarmoi nuk është tamam-tamam një e keqe që na zu në befasi,
është pikërisht ajo që ne kemi yshqyer, pa e ditur se një ditë ajo do të jetë e
pangopur të ushqehet me ne.
Eksplodimet
e tilla të gurgulesë publike, janë thjeshtë rastësi “fatkeqe”, për ata që janë
e keqja më e madhe e shërbimit shëndetësor shtetëror, fatlume përkohësisht do
të jetë kjo situatë sensibiliteti dhe solidariteti me të sëmurët, për ata që do
të përfitojnë përkujdesin e merituar si reflektim i agravimit që mori situata e
denoncimit të rastit.
Përgjithësisht
dhe fatkeqësisht situata është me pak shpresë për të ndryshuar, pavarësisht
mjeteve dhe betejave të ngadhënjimshme që nuk nguruam të bëjmë dhe nuk do të
hezitojmë të jemi të mobilizuar gjithnjë si në kohë lufte.
Me
gjasë, jo!
Sa
kohë që doktorë që paguhen nga shteti, delegojnë për trajtim më të specializuar
të të sëmurëve në klinikat e tyre private, që jo rastësisht janë fare pranë
institucioneve shtetërore të shëndetit publik;
Sa
kohë që mosfunksionimi i aparaturave mjekësore në poliambulanca apo qendra
spitalore, favorizojnë klientelizëm për privatët, duke sajuar marifete të
larmishme që i’a pamundësojnë të sëmurëve ta marrë këtë shërbim falas dhe në
kohën e duhur, jo të presë për një diagnostikim pasi të jetë tepër vonë;
Sa
kohë që spitale dhe klinika private i bëjnë karshillëk dhe sfidë shërbimit
shëndetësor shtetëror, me vendndodhjen dhe pompozitetin, me yshtjen dhe
publicitetin, por edhe duke i kategorizuar ata si të vetmet mundësi shpëtimi;
Sa
kohë që mjekë dhe specialistë, laborante dhe infermierë, i përgjigjen Betimit
të Hipokratit vetëm në ambientet ku shërbimi ofrohet me kundravleftë
financiare, edhe pse pothuajse 100% e tyre venë firmë në bordero shtetërore,
edhe fusin dorën thellë në xhepin e të sëmurëve;
Sa
kohë që tregu farmaceutik lulëzon frikshëm duke ofruar medikamente të
pretenduara të nga të sëmurët si të paefektshëm, apo të linçuar nga gojët e
liga si tregtarë të hedhurinave të botës;
Sa
kohë që laboratoret, shtetëror dhe privat, aplikojnë 'copy paste' si përgjigje
analizash;
Sa
kohë që të paaftët, arrogantët dhe të paskrupulltit mbushin klinikat dhe
spitalet;
Jemi
në kohë për të mos besuar se gjërat kanë shans të ndryshojnë, se nuk është as e
re dhe e panjohur se të duhet të paguash edhe nëse thuhet se e ke falas. Sepse
sikur s’nuku na pëlqen të marrim diçka falas, ngase e kemi besuar dhe do ta
kemi të vështirë të mësohemi se nuk është me të futur.
Nuk
kemi gjë në terezi! Do të vijojmë të lutemi “Zot mos më ço në atë derë!”, sepse
sëmundja do të jetë më e lehtë se çfarë të pret si mundësi trajtimi.
Çduhet
bërë?
Fatkeqësisht
nuk kanë mbetur shumë mundësi për të bërë diçka, për të rrëzuar këtë ngrehinë
që po na zë brenda, për të shpresuar se betejat mediatike dhe reagimet publike,
do të sjellin ndryshim. Kjo e keqe, kjo papajtueshmëri, ky mostolerim, kjo
situatë e frikshme, është një sistem dhe lufta ndaj tij është thjeshtë një
mision i pamundur.
Na
mbetet vetëm të lutemi, “Na e ruaj Zot shëndetin” dhe të kursejmë pak para nga
ato pak që marrim për një ditë të keqe, se kur thotë populli, “Kur vjen e keqja
hapi derën”, dmth hap kuletën dhe shko atje ku pretendohet se të mundësohet një
shërbim shëndetësor i garantuar financiarisht.
Por
nuk mund të ngutemi dhe të themi se gjithçka është terr dhe tmerr, në shërbimin
shëndetësor shtetëror. Duhet të jemi të sinqertë me veten së paku, që ka raste
dhe janë jo të pakta që bëhet maksimumi për të të dhënë një përkujdes klinik
apo spitalor i duhur. Ndër këto herë, ka prej tyre që mund të bëheshin më mirë
gjërat, siç ka edhe raste që duhet marrin vlerësim ndryshe trajtimet e të
sëmurëve, edhe atyre që ndoshta u maston zemra por nuk u mjafton kuleta të
shprehin nevojën për të marrë ndihmën e merituar.