| E shtune, 29.06.2024, 06:54 PM |
ANTON PAPLEKA SHEH NË “ËNDËRR” SHEKSPIRIN
(Në
vend të një eseje)
NGA
NDUE DEDAJ
Mos
u habisni, gjithçka është e mundur në kozmosin e poezisë. Na e thotë vetë Anton
Papleka në poezinë e tij “Shekspiri në ëndërr”, botuar fundjavën e kaluar, më
22 qershor 2024, në gazetën letrare “Nacional”, me botues poetin, publicistin
dhe studiuesin e letërsisë Mujo Buçpapaj, në krye të një cikli prej 10 poezish
të reja:
“Mbrëmë e pashë në
ëndërr Shekspirin
Me vetulla të
ngërthyera, me vështrim të zemëruar”.
O
Zot! Ç’ka ndodhur që gjeniu i tragjedisë angleze, njëherësh të përbotshme,
është trazuar kështu mbas pesëqind vjetësh, që na sheh nga qielli. Nuk i ka
mjaftuar lavdia e epokës së tij elisabetiane, që është hedhur në këtë epokën
tonë të quajtur postmoderne, për më tepër duke na qortuar rreptë për fjalën? E
shpjegon ëndrrën e tij me të madhin vetë Papleka:
“Të kam parë me librat e
mi në duar më tha ai
I lexoj si të ishin
ungjij i thashë unë
Atëherë po qe se i ke
kuptuar sadopak
Grisi fletët e shkruara
që ke në tryezë
Pastaj shko te pylli më
i afërt
Dhe hidhe stilolapsin
midis shkurreve të dendura”.
Ja
si qenka puna! Shekspiri ka parë marrëzitë e njerëzimit mbi letra dhe në rafte
librash dhe ka shpërthyer në këtë farë fejet. Më tej gjatë asaj “ëndrre” ai i
këshillon shkrimtarët që para se të blejnë fletë të reja letre dhe stilopas të
ri të binden se ato që shkruajnë nuk janë një gjë e kollajtë, por që dalin si
klithmat nga shpirti etj. Ti përnjëherësh kupton se këtë ëndërr para se ta
shihte Papleka e ka parë Faik Konica, se përndryshe si do të sokëllinte para
njëqind vjetësh dhe ai si një Shekspir: “Nëse nuk keni asgjë për të thënë, mos
e zini penën me dorë!” Ose, më saktë, ai lut Zotin që t’i kthjellojë në këtë
gjë. Doemos që këtë ëndërr “shekspiriane” e kanë parë të gjithë ata shkrimtarë
që kanë krijuar veprën e tyre me mundim e pas shumë sprovash krijuese.
Njëri
nga ata është vetë Anton (Ndoc) Papleka, poet i mirënjohur shqiptar i gjysmës
së dytë të shekullit XX e më sot, prozator, skenarist, përkthyes i poezisë
botërore nga frëngjishtja dhe studiues i zellshëm i etnokulturës shqiptare,
profesor doktor, që hyri në letërsi në agun e viteve ’70 me vëllimin poetik
“Zëri im” (1971), edhe pse poezitë e para i kishte botuar një dhjetëvjeçar më
herët. Dhe mbeti zëri i vet! Me librat poetikë: “Ecim”, “Njatjeta diell”,
“Arkitektura e dritës”, “Rrathët e lisit”, “Gjaku i tokës”, “Lumi e di ku
buron”, “Gjethnaja në trup” etj. Poezia
e tij pasi zbuloi poetikisht, ashtu si Martin Camaj, tek endej nëpër Europë,
Skënder Buçpapaj e Hamit Aliaj në vendlindje, metaforën e bjeshkëve shqiptare,
përshkënditjen e tyre përrallore, gjysmë shekulli para se ta zbulonin si
realitet turistët e sotëm të Valbonës e Thethit, u zhyt në poezinë botërore, aq
të larmishme, duke e sjellë në shqip, çka do të ndikonte dhe në modernitetin e
poezisë së tij autoriale.
Poeti,
sado larg të shkojë në kohë e hapësirë, duke shtegtuar nëpër modernitet, nuk
“konformohet” për asgjë, as për shkak të moshës, por fshikullon klieshtë
parazitare të një poetike të kaluar:
“Unë i kam zët flokët e
bardhë
Të bardhë të bardhë të
bardhë të bardhë
Sepse ata simbolizojnë
gjithçka që kam humbur
Bashkë me ngjyrën e tyre
të mëparshme”
Edhe
pse ka do kohë që zgjohet pranë Kullës Ejfel, mendja e tij ka mbetur “bletë e
egër”, si në alpet e tij vigane, gjithnjë në kërkim të “bukurisë së botës”:
“Në zgjoin e kokës sime
Gumëzhijnë ende bletë
vargjesh
Që kanë mbetur gjallë
nga dimri
Ato kanë ende dëshirë të
kullotin
Lulet e bukurisë së
botës…”
Poetët
si Papleka, edhe në një cikël poetik ngërthejnë mbarë universin,
gjithëkohësinë, kontradiktën ekzistenciale të planetit, nëse mund të themi
kështu, pasi, ndërsa teleskopi i markës së fundit James Webb shkel në orbitë
“për të udhëtuar drejt zanafillës së gjithësisë” dhe eksploron “nëpër hapësirat
ndëryjore”:
“Dy fshatarë në
gadishullin ballkanik ose gjetiu
Vrasin njëri-tjetrin për
disa pëllëmbë tokë
Që njëri prej tyre ia ka
rrëmbyër fqinjit
Duke zhvendosur gardhin
midis dy pronave!…
E
nuk është vetëm individi mes malesh që nuk ka gjetur qetësi me qytetërimin
modern, por me të njëjtën mendësi shpelle e shpellari vepron dhe “një supërfuqi
që pushton fqinjin e saj / duke shpërthyer një luftë të përgjakshme…”
Poezia
e Paplekës është fshikulluese kundër denatyrimit planetar nga njeriu i
papërgjegjshëm, si ajo kushtuar peshkatarit të moshuar uzbek që kundronte me
trishtim detin Aral të shkretuar nga tharja:
“Deti Aral i ngjante
syrit të një lypësi të verbër
Që i lutej me dëshpërim
qiellit të kaltër
Të ndëshkonte marrëzinë
e pushtetarëve
Që ua kishin ndërruar
rrjedhën lumenjve”.
Gjer
këtu shkon poezia, e rebeluar nga prishësit e rendit të natyrës dhe shoqërisë,
si një akt-akuzë e hapur dhe e drejpërdrejtë ndaj tyre dhe armiqve të tjerë të
njeriut. Në këtë kontekst, i gjithë cikli poetik i “Nacional” është befasues
për kumtet e reja që mbart, edhe pse kambana është po ajo e më shumë se një
gjysmë shekulli. Kështu, Prometeu, “kur vuri re midis krijesave të mbrojtura
prej tij / luftënxitës që vringëllinin armët bërthamore / të gatshëm për të
asgjësuar njerëzimin dhe planetin”, “shpërtheu në lot indinjate dhe
dëshpërimi”, sa harroi dhe të paharrueshmen:
“Ndëshkimin e tmerrshëm të Zeusit
Zinxhirët e rëndë të
farkëtuar nga Hefesti
Çukitjet mizore të sqepit
të orlit
Që u sulej me tërbim
krasharorit dhe melçisë së tij”.
Poeti
ka “fluturuar” shumë larg, deri në antikitetin romak, jo për të na sjellë
lavditë dhe mbrapshtitë e një gjenerali dhe politikani të famshëm si Marcus
Licinius Crassus, për të cilin thotë “ke mbajtur një emër të denjë për t’u
harruar”, porse, mjerisht, gjeneralë e politikanë të babëzitur si ai për flori
e prona, të denjë për t’u harruar, na shohin sytë përditë, edhe pse jemi në
mijëvjeçarin e tretë. E bash në këtë kohë është një vend ku nuk ekziston më
vdekja, shkruan poeti:
“Në fshatrat e
shpopulluara të vendit tim
Vdekja nuk ekziston më
Jo sepse dikush e ka
zbuluar
Sekretin e pavdekësisë
Që e kërkuan me ngulm
Gilgameshi dhe pasuesit
e tij.
As
se atje “ka ndodhur ndonjë mrekulli e padëgjuar / Siç ndodh në romanin e Jose
Saramagos “Ndërprejet e vdekjes”, porse ato fshatra “i ka braktisur jeta
njerëzore”.
Meriton
të veçohet poezia autentike “Mos rri në errësirë” (nga ato që shkruhen vetëm
njëherë ne jëtë!), që përmbyll ciklin; poeti gjithnjë e ka dëgjuar zërin që e
ka porositur të mos rrijë në errësirë, por të shkojë kah drita - në fëmijëri,
në djalëri, në moshë të madhe - por që nuk do ta dëgjojë vetëm njëherë, kur ai
të jetë një zë i përtejme, i gurit të varrit:
“Për
herë të parë unë nuk do të lëviz nga vendi
Dhe
nuk do të shkoj drejt zërit që do të më thërrasë…”
Kujtohu,
i dashur lexues, metafora e parë e Paplekës është ajo e zërit, a nuk është dhe
këtu po zëri, i pandërprerë, si “zëri im” i fillesës së tij poetike, porse
tashmë me një tjetër vegim? Doemos poeti nuk është një Kostandin dhe as që
dëshiron të jetë i tillë, nuk ka ndonjë amanet për të mbajtur a peng të
pakryer, “Doruntina” e tij (poezia) ka shtegtuar me kohën, që kur ne si lexues
filluam të ecnim në vazhdën e tij poetike, me plot mite, legjenda, balada,
epose, që pak nga pak sikur do të shmangeshin nga poezia e të hynin në prozën
dhe studimet shkencore të zotit Papleka, që diti ta ruajë aq mirë poetin pa u
eklipsuar nga studiuesi po aq i thekur.
Anton
Papleka, lindur në Lekbibaj të Nikaj - Merturit, edhe gjashtë muaj e kremton 80
-vjetorin, më 10 janar 2025, ku sigurisht nuk do t’i mungojnë urimet e lexuesve
dhe dashamirëve të tij, ama nuk dimë nëse ndokush po mendon për këtë kremtim?
Presidenca. Ministria e Kulturës. Shoqatat e shkrimtarëve. Ka jo pak shkrimtarë
që u rrinë larg podiuemeve, kamerave, ndërkohë që të tjerë individë vrapojnë
t’ua zënë derën për të promovuar shpesh asgjënë e tyre. Si t’ia bëjmë me këta
që nuk shfaqen, por që janë elita e fjalës, mendimit, artit? E vërteta është se
ata nuk janë dhe aq mosbegenisës të ekraneve e mediumeve publike, po që se prej
tyre nuk do të qaseshin mediokrit. Papleka tani rron në Francë, por dhe në
Tiranë ishte “i padukshëm”. Nuk është se kësaj kategorie i nevojiten ekranet, publiciteti,
përpos se kur dalja aty iu shton lexuesit, e nëse do të mirfunksiononte, tregun
e librit, çdoherë tjetër janë ekranet që i kanë të domosdoshëm shkrimtarët, apo
studiuesit e rrafsheve të ndryshme, për të rritur cilësinë e emisioneve dhe
audiencën. Asgjë nuk pati humbur Lasgush Poradeci që nuk iu pa fytyra sa qe
gjallë në televizionin e vetëm të vendit, kurse ky i fundit padyshim që po.
Po
çfarë do të na thoshte Antoni, nëse do të ishte ftuar në Qendërën Kombëtare të
Librit dhe Leximit, apo ndonjërin nga emisionet letrare të kryeqytetit, si
“Bibliotekë”, “Artes”, “Tempull” etj. Mbase do të ishte ndalur në strofat
fundit të poezisë së tij me të cilën e nisem këtë ese:
“Kur më doli gjumi
Ende isha i tronditur
nga fjalët e Shekspirit
Dhe tërë bota më dukej
Si një fletë letre e
shkruar
Që kishte përreth një
anë të bardhë
Vetëm disa milimetra të
kësaj ane të bardhë
Ishin trashëgimi im...”
Kjo
do të thotë se Papleka nuk e paskësh parë në ëndërr Shekspirin për vete, por
për ne të tjerët, nëse do të guxonim ta fusnim dhe veten në njerëzit e penës.
Për të gjithë, por kryekrejet për një kategori shkruesish letrarë që e kanë
kthyer qëllim në vetvete “shkëlqimin” përmes letrës së shkruar, aq delikate në
vetvete, me botime të pafundme, promovime të zhurmshme dhe gjithçka tjetër që
do ta përdhoste krijimin si akt, apo aktin krijues...
Na
beko o Zot dhe neve me atë “ëndërr”!...