Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Masakra e Paramithisë
E merkure, 26.06.2024, 05:50 PM
Masakra e Paramithisë
Nga
Kastriot Dervishi
“Masakra
në Çamëri” është një libër i imi, botim i vitit 2008, përmbledhje dokumentesh,
kryesisht të deklaratave të popullsisë çame që emigroi në Shqipëri. Në
përkujtim të 27 qershorit 1944, po evidentoj pjesë nga deklarata mëposhtme e
emigrantëve nga Paramithia me banim në Vlorë, Mustafa Gaxiri, Elmaz Mustafaraj,
Reshit Dako, Xhemil Sako:
"Më
datë 27 qershor 1944 kanë ardhur me ushtri komitë që rrethuan qytetin e
Paramithisë dhe vunë tellallin që populli të mos ketë frikë. Tregtarët të hapin
dyqanet dhe më vonë foli prapë tellalli që çdo mysliman që ka armë, duhet të
vijë e t’i dorëzohej në komandën e Paramithisë, pasi populli muhamedan të
shkojnë në shtëpitë e tyre dhe deri në darkë të kësaj date duhej të
dorëzoheshin të gjitha armët. Pasi mori fund dorëzimi i armëve, dhanë urdhër që
asnjë të mos qëndrojë në dyqan orët e vona. Kështu u veprua dhe në orët e vona
të natës hynë ushtarët nga 8 për çdo shtëpi, mbyllën brenda me roje, ndërsa
pjesën më të madhe i vranë rrugës pa i dërguar më në shkollë. Kështu që vrasjet
dhe masakrat i filluan të martën mbrëma dhe deri të mërkurën i mbaruan burrat
së masakruari me thika e hanxharë. Pasi mbaruan me burrat, u kthyen nga gratë
dhe mbasi i rrihnin gratë, u merrnin gjithçka të kishin në shtëpi dhe së fundi
zhveshën gratë e reja lakuriq dhe mbasi i çnderuan sa deshën dhe i grabitën që
nuk u lanë gjë pa marrë dhe filluan e masakruan gra e fëmijë me thika. Këtu
poshtë po shënojmë disa persona nga të masakruarit sa për të pasur një ditë se
si i vranë: Omer Murati, Haxhi Shehu, Sali Prenjo, Muhamet Prenjo, Sali
Muhedini, Nuhu Muhedini, Brahe Vejseli, Hysen Veseli, Rexhep Berberi me gjithë
familjen e tij, të gjithë të masakruar me thika barbarisht. Janë edhe shumë të
tjerë, me qindra.
Gratë
e masakruara me thika ishin: Bitulla Brahimi, Qiza Mustreti dhe shumë të tjera
të copëtuara me thika dhe sopata, por edhe fëmijë të vegjël (Sanije Durre e
djegur me vajguri, Kadrile Qazim Rexhepi e varur me litar në oborrin e Met
Brahimit.