E diele, 22.12.2024, 01:26 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Nëpër Kolonjë e Leskovik…

E hene, 24.06.2024, 06:05 PM


NËPËR KOLONJË E LESKOVIK…

UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA

Të nisësh një udhëtim…mjafton të guxosh; siç do të bëje për shumë gjëra të tjera: për t’iu gëzuar qetësisë, bukurive të Natyrës, të cilat ndonjëherë mund të të çojnë larg (në rrugë të reja) për të përjetuar të veçanta që shfaqen vetëm duke ecur e shijuar plotësisht.

I nisur nga Korça, mezi prisja të arrija sa më parë në Kolonjë, sepse (për hir të së vërtetës) nuk kisha njohuri të gjera rreth saj. Ecja në rrugën e ndërtuar kohët e fundit. Mendimet shkonin larg, te rruga historike (automobilistike) Manastir - Korçë- Janinë (investuar e ndërtuar nga qeveria turke, kryesisht për ecejaket e forcave ushtarake në viset shqiptare).

Qafa e Qarrit shpërfaqi përpara nesh pamjen madhështore të Pllajës së Kolonjës, që përkon me ndarjen administrative të Bashkisë Ersekë (një ndër krahinat shqiptare kufitare) me një larmi të madhe bukurish, për të kënaqur gjithsecilin.

Gramozi pushtetplotë, i tundte jelet e reve mbi kreshtën e lartë (gjithmonë shpërfaq pamje të papritura): anët e fshehura (të çmuara, unike) që të tërheqin si magnet, me kënaqësinë e etjes për zbulim.

Makina nxitonte, teksa me kureshtje hamendësoja se çfarë do të më kishte hyrë në sy për herë të parë prej andej, të cilën do ta kisha në memorje (pamje të panumërta, në çdo kohë të ditës: me çfarëdo gjendje moti, me çdo detaj: shkëmbinj, pemë, apo vendbanime) ngjyrat, në varësi të kohës: ndonjëherë jo mjaftueshëm për të qenë pjesë e saj (shkrirë në peizazh).

Mbizotërojnë e gjelbërta dhe e verdha. Një det me qershi të kuqe që ngjyrosin me dhjetra drurë... Dëgjoj qartë tingujt më të bukur të Natyrës që na rrethon: cicërimat e zogjve në pemë, flluskimet e ujërave, tringëllimat e kambanave të varura në qafat e lopëve, apo të kuajve.

Takon njerëz, krijon miqësira…Merr shumë edhe nga gjëra të vogla (mbi të gjitha nga bujaria e banorëve). Ndoshta me pak fjalë, por të dala nga zemra të madha. Aty - këtu vendbanime: me shtëpi të fshehura nën drurët (aq të përkulura nëpër kodra) të puthura nga Dielli: (si piktura impresioniste) të pajisura me mjetet e pazëvendësueshme për mbarëvajtjen e përditshmërisë.

Kureshtja na kishte pushtuar në këto vende, me një përmbytje pamjesh të bukura, ende lëndina të lulëzuara, ku njeriu tashmë ndjehet i vetmuar: nga largimet prej mungesës së kushteve. Por kemi gjurmët e tyre, që flasin për histori të lashta dhe për besim të thellë:

Vende me aromën e atyre që gëzonin një emër të mirë në Kolonjë e më gjërë. Vende me kaq shumë histori të ruajtura; kaq shumë ëndrra të jetuara; kaq shumë vetmi; kaq shumë fantazma të Së shkuarës.

***

Ndalesa e parë (natyrisht në krahun e majtë të rrugës) atje ku shfaqet e mbërthyer në një kodër “Sofra Kolonjare” (një copëz mrekullie e dukshme), si “kartolinë”: disa herë subjekt i dokumentarëve interesantë televizivë shqiptarë.

Qëndrojmë për pak çaste duke soditur hijeshinë e “Sofrës kolonjare”. Dora e njeriut e ka kthyer në vend pushimi, me një bukuri dhe një gjallëri të lakmueshme që tregon se vullneti e puna e përkushtuar plot pasion bën të mundur të qëndisësh si Parajsë peizazhin e shkrirë me një mendësi arti ndërtimor dhe gjelbërimi (me fantazi organizuese).

Koha e drekës është afër, prandaj i shtrijmë hapat në “Sofrën kolonjare”, për të shijuar gatimet tipike të traditës kolonjare, e cila është e pasur me mishin e pjekur të qengjit, specat me gjizë, lakrorët me 40 peta që (siç na thanë ata që shërbejnë) u ka lënë mbresa turistëve.

E mobiluar në dru të gdhendur, shkëlqen dhe pamja mbi bujtinën e drunjtë (një strukturë e bukur) pa dyshim e organizuar mirë (brenda thjeshtësisë së saj) ta quash mahnitëse është pak që, sjell mundësinë e kalimit të çasteve vërtet të këndshme. Vërtet një oaz bukurie çlodhëse.

Kur hyn brenda të hapet një botë origjinale artistike: një mënyrë e veçantë e Së bukurës, që të ngjan si një muze arkeologjik, historik dhe etnografik:

E stolisur me antikuare, që të merrnin sytë, ishte një nga ato qoshet autentike, të cilat nuk i shpëtojnë syrit të shtegtarit (qeramika, punime hekuri, veshje popullore për burra dhe për gra, zile dhe këmbora bagëtish) të mbledhura me përkushtim, dashuri e respekt për Të kaluarën e traditën e trevës. Një qasje interesante për të joshur sa më shumë vizitorë, që të le një shije buzëqeshjesh nëpër fytyrë, me formën marramendëse, aq sa të duket sikur vjen nga E kaluara në shumë vendbanime tona të hapësirave gjeografike.

Xhensili të rrëfen se Të huajt mahniten me bujtinën: me pemët, bimët, lulet, çezmat; mullirin, skulpturat; ndërsa brenda me bukurinë e veshjeve popullore të trevës. E lemë të tregojë për thesaret natyrale dhe artistike të Kolonjës. Na fton të veshim gunën e dhirtë të çobenjve edhe të bëjmë foto me të; por edhe kostumin popullor; por edhe të preknim këmborët, fyellin dhe kërrabën e bariut.

Në bisedë e sipër vjen babai i Xhensilit, Pëllumbi dhe, teksa ecim përqark “Sofrës kolonjare”; pranë minimullirit për të bluar drithin; pranë zgarës me prush për të pjekur mish, e mora si në ”intervistë’’.

- E hapëm 20 vjet më parë, - thotë ai, - mes sakrificave, por me shumë entuziazëm.

Natyra përreth, në kodrinën e harlisur nga gjelbërimi, të bën të ndjesh fëshfërimën e pyllit, aromën e tokës, e barit të kositur të një are me grurë të pjekur, që zverdhon si ar e valëvitet era, në fermën e “Sofrës kolonjare”.

I kishte të gjitha bujtina: elementin bujqësor (toka të mbjella me misrin shtathedhur, perimet midis të cilave kuqëlojnë domatet, jeshilojnë specat e trangujt; drurët frutorë dhe më tej bagëtitë: lopët, delet, derrat, patat, rosat, pulat (si bazë e furnizimit të bujtinës) duke ndihmuar kështu edhe në punësimin e banorëve.

***                        
   Mbërrijmë, pra, në Ersekë, në qendrën socializuese të Kolonjës
. Magjepsemi nga qoshet e vogla; thithim ajrin e qetë e paqësor tipik të qyteteve të vogla, që kënaqin shikimin dhe shpirtin: rrugicat me bukuri të rrallë; kanalet që gjarpëronin mespërmes tyre, me ujin e rrjedhshëm nga Gramozi.

Por pamja që tërheq më së shumti për bukurinë është sheshi i mbushur me buste të figurave historike të kësaj treve, të cilët aq shumë i kanë dhënë Atdheut në kohëra të vështira.

Ato bëjnë një shpërfaqje të bukur të vetes në sheshin e qytetit dhe ne humbasim duke bërë foto pranë tyre. Kështu, duke ecur, vështronim shtëpitë dy -trekatëshe me stil arkitekturor të ngjashëm. Takohesh me ndonjë vendas, që të përshëndet me buzëqeshje dhe fjalë të mira.

Qyteti i Ersekës dukej i vogël: i tkurrur dhe përgjumur si një vend i braktisur; me pak njerëz të shkujdesur në ngutjen e tyre, gjë që ishte jashtë logjikës së një jete të zhurmshme shkëlqyese të dikurshme, kur rrugët, shtëpitë, objektet social-kulturore, jehonin nga lëvizjet edhe vonë netëve.

Atëherë… Kur ndjehej gumëzhitja e artistëve të arrirë (të grupit folklorik me këngët e bukura në aktivitetet e pafundme, të cilat, të para me syrin e kohës, ishin të larmishme edhe dinamike.

Tani ngjarjet kulturore janë tejet të rralla. Por të habit fakti se në Ersekë ndodhet një muze “i madh”. Dhe do ta vizitonim muzeun, duke na u kujtuar zakonet e një kohe që “na ishte një herë”: me historitë: që nga Antikiteti gjer në ditët tona.

Secila relike është në fakt një fije e hollë që të çon tek ata që kanë jetuar në mijëvjeçarët më parë, por që në fakt janë më afër sesa duken: për të kujtuar shkëlqimin e jetës dhe të Së shkuarës, e cila na përqafon në çdo cep. Natyrisht, edhe biografinë e njerëzve të shquar të kësaj treve: luftëtarë të pushkës dhe të penës; krahas kontributit të shumë figurave, që më vonë Lufta e Klasave i shpalli armiq. Korifenjtë e mendimit dhe të veprimit janë ata që e kanë lartësuar emrin e Kolonjës: të shumtë në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore. Dhe më të spikaturëve u janë ngritur buste.

Në një kafene i flet shpirtit të përgjumur nga paqja. Kamarierin e pyesim se çfarë ka tjetër interesante në Ersekë. Ai hedh vështrimin nga relievi i orientueshëm në prirjet për lëvizje në thellësi, ku mund të hysh…Por s’mund të dalësh lehtë. Rehova nuk është vërtet një gur i hedhur larg nga këtu.

Rehova, e mbledhur në prehërin e Gramozit, është një vitrinë e shndritshme e artit gurpunues (të përngjan më një lagjeje pasanikësh në periferi të Ersekës sesa me një fshat, pak vendbanime fshatare në Shqipëri i kanë).

Peizazhi i Rehovës është magjepsës. Do të thoja gati sureal. Prej plepave të anërrugës të duket se po bie borë prej boçeve me push të bardhë. Sapo hyjmë, Rehova (e bukur dhe interesante në sytë tanë, me atë grumbull të lashtë shtëpish) na mirëpret me atë elegancën si një zonjë e moshuar. Për një çast, e gjejmë veten të zhytur në rrugica që të magjepsin me bukurinë evokuese. Edhe disa hapa dhe këtu shfaqet (në gjithë madhështinë e saj) Kisha e bukur e Shën Kollit, me një kullë të bukur këmbanore.

Rehova, pra, paraqitet me një arkitekturë tipike të shumë vendbanimeve: me shtëpi të gurta e çati guri, sup më sup me njëra - tjetrës; me ndonjë shtëpi të re: ndërtuar nga emigrantët, me shpresën për kthim…

Ka një ujësjellës me qeramikë, që daton hershëm; ka rrugica të bukura plot lule, që tregonin kujdesin dhe dashurinë e banorëve zanatçinj:

Rrobaqepës, shoferë, muratorë, këpucarë…

Në Rehovë kanë lindur shkrimtarët Naum dhe Peter Priftit, aktori Agim Qiriazi, poeti Piro Kuqi, etj.

Pas Viteve ’90, kur në Shqipëri emigrimi u bë masiv në mënyrë të paligjshme, por si mënyrë jetese, nga Rehova niseshin të rinjtë, ngjiteshin malit Gramoz, si rruga më e shkurtër dhe e mundshme, që të kalonin kufirin, në kërkim, të një jete më të mirë, për t’iu larguar burgut shqiptar komunist.

Vise që godasin për bukurinë e tyre

Në pasditen e vonë vazhdojmë udhëtimin, në dalje nga Erseka, ku qyteti përfundon në varrezat e përbashkëta (ortodokse e myslimane) duke ndjekur rrugën që na çon në Leskovik. Të duket se ndjek udhëtimin e Edith Durhamit:

“Kolonja mua më priti më së miri në rrugën time drejt Leskovikut”.

Duke ecur, për të shijuar plotësisht të gjitha nuancat e ngjyrave dhe aromave që Natyra të ofron (pamjen e hapur pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj) sigurisht panoramike (me tatëpjeta e të përpjeta) në kodrat që ulen e ngrihen si pa formë; në luginat, përrenjtë, të ofrohen edhe shumë dëshmi historike (pllaka përkujtimore dhe lapidarë) që të kujtojnë ngjarje tragjike, gjurmë të ekspeditave pushtuese.

Edith Durham, që i ndoqi nga afër krimet dhe masakrat e andartëve grekë mbi popullsinë e paarmatosur në Shqipërinë e Jugut, do të shkruante:

“Nuk mund t’i besoj ato skena që kam parë. Mizori të panumërta; krime makabre ndaj popullsisë vendase (gra e fëmijë; të besimit mysliman; për të mos folur për djegje shtëpish, rrëmbime bagëtish, etj)”.

Grekët si ujqërit ishin vërsulur trojeve shqiptare:

Plaçkitën, vodhën, dogjën shtëpi (jo vetëm këtu, por deri në Përmet, Skrapar, Tepelenë) dhe detyruan mijëra shqiptare të braktisnin shtëpitë gjatë Viteve ‘1914 - 1915.

Meditojmë për luftra të tjera, për pushtues të tjerë, për inkursionet e tyre, për dëme materiale, për masakra, të vrarë...

Nazistët gjermanë të “Divizionit të Parë Malor” (elitë i Ëehrmacht-it) në ditën e parë të shkeljes në Shqipëri, pas pritës që i bëjnë partizanët e Çetës së Kolonjës, si kundërpërgjigje, më 6 korrik 1943 masakrojnë 107 banorë të Borovës, duke mos kursyer burra, pleq, gra e fëmijë.

Këtu është ngritur memoriali që kujton këtë ngjarje tragjike: në kujtim të viktimave dhe shkatërrimeve të Luftës.

Barmashin e lemë në krahë të rrugës, me karakteristikat vetiake të shtrirjes në një luginë.

Kalojmë përtej kishës simpatike të Trinisë së Shenjtë, e cila ndodhet në të djathtë të rrugës (në paqen e vet) dhe të bënte të adhuroje Zotin. Nuk kemi kohë për ta vizituar kishën dhe kështu zbresim para memorialit, në kujtim të përplasjes së Forcave Partizane, kur i bënë pritë pushtuesve hitlerianë dhe u shkaktuan humbje të ndjeshme.

Ujërat, bimët dhe kurorat e dendura të pyllit, përzjehen me rrudhat shkëmbore. Tek - tuk të zinte syri ndonjë bari që kulloste delet dhe i binte ëmbël fyellit, apo ndonjë tjetër, të ulur mbi ndonjë gur anë rruge, duke shitur qershi, tufëza trumzash, apo çaj mali.

Ecim dhe ndonjëherë ndalojmë në ndonjë majë kodre, që të çon mendjen për një foto, për një shaka, apo duke u freskuar në një çezmë të përlyer me parrulla politike. Rruga gjarpëron më tej, e ngushtë, nëpër pyllin me gjelbërim të harlisur bredhash dhe pishash; sikur kalon në një tunel të gjelbër. Pamja (edhe pse me re, që ngjyrosin qiellin në lëvizje të vazhdueshme duke krijuar dritëhije) na jep atë paqe në Gërmenjin e Themistokliut.

Të shfaqet dhe të zhduket në këtë lojë të çuditshme vendndodhja unike e tij, qetësia absolute, paqja me bukurinë e tij të kahmotshme (si një përrallë) peizazhi i disa prej bukurive shqiptare. Duke parë këto vende, menjëherë mendja jonë vrapon në kohën kur atë vetëm ushtarët e kufirit e shkelnin.

Sheleguri, një vend pak i njohur, por i një natyre të qetë (si një oaz çlodhës për ata që kalojnë pranë) është aq shumë i bukur: me shtëpizat e vogla mahnitëse të ndërtuara me drurë dhe gurë (pothuajse si qëndisje) nga dora e njeriut, përballë një pylli të errët dhe të dendur. Shikimi të shkonte në një lëndinë me disa kuaj të lezetshëm, me një tufë lopësh që kullosin paqësisht, me koshere bletësh si konakë përrallash dhe një shteg të bukur që të çonte për t’u çlodhur në një liqen të vogël.

***

Një udhë e bukur ngjitet e zbret, duke iu përshtatur terrenit. Atje, ku ende ishin prezente ca struktura ushtarake të rrënuara, na shfaqet (me një imazh të zymtë) Leskoviku, që mund ta quash edhe fshat të madh.

Hija e Melesinit (këtij kulmi të bukur që dukej sikur do të shembej mbi Leskovikun e përgjumur duke fituar cilësi shënjtërie, me formën e veçantë si një fortifikim i papushtuar) të joshte. Dikur, në kohë të hershme, quhej Dhëmb i Qenit.

Leskoviku është themeluar në Vitin 78 (para Krishtit) nga një udhëheqës ushtarak i quajtur Lasko, të cilit iu dha si shpërblim trualli i Leskovikut: Kohë kjo që përkon me periudhën e Sundimit Romak.

Një herë e një kohë ishte një qendër e rëndësishme; madje vilajeti më i madh i Jugut.

Në periudhën e Socializmit ishte vendburim njerëzor dhe gumëzhitës, që po masivizohej dita -ditës: me intelektualë dhe ushtarakë, të cilët e hijeshonin qytetin dhe kontribuonin në zhvillimin e tij. Dikur me jetë artistike, me qytetari, me aq më shumë resurse argëtuese, ndërsa tani qetësia dhe bukuria janë sinonim. Banorët jetojnë me lavdinë e dikurshme të trevës së Leskovikut, që rivalizonte me atë të Kolonjës. Sheh ndonjë kalimtar që shfaqej me një nxitim të pakuptimtë dhe të moshuar të mpakur, të cilët sikur mbajnë mbi shpatulla peshën e qytetit të boshatisur.

Në Leskovik, një shesh i madh i gurtë, në mes të të cilit gjendet një rrap shekullor me trungun e tij të stërmadh, saqë nuk e pushtojnë dot as katër burra, me kurorën si tendë të ulur afër tokës, të jep atë përshtypjen e një plaku të mençur. Dikur këtu ndalonin e pushonin shtegtarët e lodhur, mbytur në djersë udhëtimi; si edhe mblidhej Pleqësia e qytetit për të merrë vendime të rëndësishme.

Ulemi nën hijen e rrapit. Pimë nga një kupë raki Leskoviku, të shoqëruar me ujë, nga çezma me koritë guri që gurgullon paqësisht. Pastaj e ndjen se, pa kuptuar, ke thithur freskinë e gjetheve të tij; ke shijuar cicërimat e zogjve nëpër degë, aromat e stinës, ngjyrat e saj, që ta mbushin shpirtin plot. Nga kafeneja buronte kënga e bukur leskoviqare. Leskoviku mburret me “tapinë” e pasur kulturore. Ende sot flitet për veçantitë e këngëtares Hafize, ashtu si nëpër një legjendë.

Shëtis në këtë qytet të vogël magjik, në vetminë e heshtur të tij, tashmë që shumë shtëpi janë mbyllur. Hedh sytë përtej Leskovikut, që zbulon vështrime të shumta: disa kureshtsjellëse në tokën matanë horizontit. Këtu ka shumë gjëra për të parë. Vreshtat (të mbjella në vija të drejta) të shoqërojnë gjatë gjithë rrugës. Për të cilat thuhej se kishin qenë të Osman Gazepit, teksa kantinat sot janë shndërruar në nektar të denjë për tryezat e banorëve.

Një botë piktoreske shfaqej në të dyja anët e rrugës: një shtrirje e cila i jep vetes ndalesën drejt Tri Urave, kësaj porte të ndaluar (prej betoni e hekuri në regjimin komunist) tani doganë e hapur me Greqinë. Në krah rrjedh lumi i Sarandoporit dhe kufiri me Greqinë. Sarandpori të befason me rrjedhën e ujërave dhe vlerën e shtuar (ujërat termale, të shëndetshme për trupin, jo thjesht për lëkurën, për qarkullimin e gjakut, çlirimin e muskujve, etj, po edhe kënaqësi e veçantë për psikikën njerëzore) të njohura që në kohën e turkut, por për të shkuar këtu gjatë komunizmit ishte e vështirë. Më pas pak vetë kanë marrë mundimin të shkojnë.

Shfaqen edhe dritat e Cerckës në një kodër. Cercka është një vendbanim përtej Mesjetës së Hershme. Nga Cercka ishte Andronik Paleologu, qeveritar i trevës së Beratit e Vlorës në mesin e Shekullit XIV). Ikona e tij është një nga 3 ikonat murale, pikturuar brenda kishës së Shen Triadhës në kalanë e Beratit (mbi derën e hyrjes).

***

Udhëtimi në Kolonjë e Leskovik, në këtë cep të vogël Parajse do të mbetet i këndshëm dhe interesant. Kështu që vetëm një vizitë nuk mjafton… Duhet të kthehesh përsëri për të thelluar dhe vlerësuar njohuritë mbi thesaret e saj.

Kthehemi për në shtëpi, me shikimin në majat e ngjyrosura prej perëndimit të Diellit dhe nga retë; sikurse edhe të lodhur nga kilometrat e përshkuara. Por të kënaqur për shumë gjëra që kemi parë. Mbi të gjitha, të ripërtëritur në shpirt me traditat tona të mira tërë elemente të papërseritshme për çaste çlodhëse.
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora