| E enjte, 13.06.2024, 06:56 PM |
BAZA E TEKNOLOGJISË INDUSTRIALE SI PREMISË E ZHVILLIMIT EKONOMIK
Nga
Fadil Sahiti
Vendet
në zhvillim si Kosova dhe Shqipëria nuk njihen si 'novatorë teknologjikë'.
Shqetësimi kryesor i firmave tona prodhuese nuk është zhvillimi i produkteve
ose shërbimeve të reja, apo shtyrja e kufijve teknologjikë. Edhe shteti edhe
firmat prodhuese ndajnë pak para për aktivitetet e kërkimit dhe zhvillimit
(R&D). Kosova dhe Shqipëria ndajnë 0.1% respektivisht 0.15% nga PBB e tyre,
ndryshe nga Sllovenia që ndan 2.15%. Pothuajse e gjithë teknologjia industriale
e aplikuar në vendet tona importohet nga bota e zhvilluar. Prandaj është e
pritshme që kapaciteti inovativ, veçanërisht baza teknologjike industriale, si
shtytës i zhvillimit industrial, të jetë e ulët.
Ndërtimi
i bazës teknologjike industriale nuk është një proces i lehtë. Qeveritë tona
shpesh lavdërohen se kanë bërë mjaft për zhvillimin industrial të vendit, kanë
përmirësuar infrastrukturën ligjore, përmirësuar kushtet për importin e
teknologjisë - hequr barrierat tregtare, ulur tarifat doganore, etj. Përvoja sugjeron
se kjo nuk mund të jetë kurrë e mjaftueshme, ngase me bazë teknologjike nuk
nënkuptohet vetëm blerja e aseteve fikse bashkë me instruksione përcjellëse,
qofshin ato edhe fjala e fundit e teknologjisë. Thelbi i bazës teknologjike
qëndron në zhvillimin e aseteve tjera jo-fikse, aseteve të buta. Thelbi qëndron
në krijimin e dijes ‘tacite’, e cila nuk blihen në treg. Fjala është për asetet
organizative (aftësitë teknike të fuqisë punëtore, krijimi i proceseve dhe
procedurave moderne të punës, hartimi i strategjive të biznesit, krijimi i
kulturës organizative, etj.); asetet e jashtme (krijimi i rrjetit të biznesit,
aleancat me partnerët, me furnitorët, me klientët, me aktorët politikë, etj.);
dhe aseteve të brendshme, që nënkuptojnë aftësitë dinamike për të përdorur dhe
veçanërisht për të transformuar asetet fikse, organizative dhe të jashtme. Për
shkak të dështimeve të ndryshme që ndodhin në treg, mbështetja e shtetit në
zhvillimin e këtyre aseteve është thelbësore.
Ndodh
që një firmë prodhuese në Kosovë dhe në Korenë e Jugut të blejë teknologji
industriale nga i njëjti burim, por efikasiteti i prodhimit ndërmjet tyre
ndryshon shumë. Një fabrikë çeliku në Korenë e Jugut është tre herë më efikase
se një e ngjashme në Kosovë. Ky ndryshim mund të lidhet me politika të ndryshme
industriale të aplikuara në vendet përkatëse, pasi ato të aplikuara në Korenë e
Jugut u mundësojnë firmave të përgjigjen më mirë ndaj sinjaleve të tregut.
Megjithatë, përvoja sugjeron se faktori kryesor në efiçencat e ndryshme të prodhimit
qëndron në aftësitë teknologjike.
Aftësia
teknologjike përbëhet nga aftësitë menaxheriale, teknike dhe institucionale që
zotëron një firmë prodhuese në përdorimin e pajisjeve dhe informacionit
teknologjik. Po flasim për dije institucionale që krijohet duke ndërthurur
aftësitë e fuqisë punëtore të fituara ndër vite. Këto dije nuk nënkuptojnë
domosdoshmërisht aftësinë për të inovuar, por për aftësi që mundësojnë
përmirësimin e procesit të prodhimit. Dhe, kjo dije institucionale nuk krijohet
me një akt, vendim apo veprim të vetëm. Zhvillimi i njohurive institucionale
është një proces evolutiv që zhvillohet vetëm në faza, nëpërmjet reagimeve
kritike dhe përmirësimeve të njëpasnjëshme. Çdo fazë i paraprin fazës tjetër,
ose secila fazë ndërtohet mbi supet e asaj të mëparshme.
Si
përfundim, zhvillimi i aftësive teknologjike kërkon investime të rregullta dhe
afatgjata si nga ana e firmave prodhuese ashtu edhe nga ana e shtetit. Qeveritë
tona shpesh përdorin termin 'shtet zhvillimor'. Megjithatë, një shtet zhvillimor
e përqëndron veprimtarinë e politike në mbështetjen e projekteve afariste
zhvëllimore. Në veçanti, shteti zhvillimor i mirëfilltë i përqendron investimet
kapitale në ndërtimin e bazës teknologjike industriale, sepse e di se kjo është
premisa e zhvillimit ekonomik dhe e rritjes së mirëqenies së qytetarëve, e jo
investime në asfalt dhe beton.