E shtune, 21.12.2024, 12:28 PM (GMT)

Mendime

Afrim Krasniqi: Një President që duhet nderuar

E marte, 20.01.2009, 09:29 PM


George W. Bush
Një President që duhet nderuar

Nga Afrim Krasniqi

Në SHBA po kryhet rotacioni normal i pushtetit midis Presidentit në detyrë Xhorxh W. Bush dhe Presidentit të zgjedhur, Barak Obama. Procesi i kalimit të detyrës dhe i ceremonisë së betimit të Presidentit të ri, përbën një nga traditat më të konsoliduara amerikane, një shembull për pjesën tjetër të botës, ku tradita të tilla janë të brishta ose të papraktikuara.

Zgjedhjet presidenciale amerikane dhe vetë procesi i tranzicionit dymujor patën vëmendjen maksimale të të gjithë botës politike. Vende demokratike e jo demokratike, udhëheqës të shquar shtetesh dhe diktatorë të paskrupullt, miq të SHBA-ve dhe vende armike të tyre, të gjithë pra, drejtuan sytë tek zgjedhjet presidenciale dhe njeriu që do të drejtojë për katër vitet e ardhshme shtetin më të fuqishëm e më me ndikim në botë.

Pikërisht në këto ditë, secili vëzhgues, media dhe politika, vetë SHBA-ja dhe vendet e tjera, tentojnë të bëjnë një bilanc presidencial të njeriut që drejtoi SHBA-në në tetë vitet e shkuara. Xhorxh W. Bush mbetet unikal në shumë tregues.

Ai mori postin më të lartë amerikan vetëm 8 vjet pas lëshimit të këtij posti nga babai i tij. I panjohur më parë në politikën ndërkombëtare, Bush i ri u bë shpejt simboli i burrit të shtetit që përballoi me kurajo e aftësi të madhe tragjedinë më të madhe amerikane të kohëve moderne, sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Bushi u angazhua për një botë më të mirë dhe sjellje të ashpër ndaj diktatorëve, grupeve terroriste dhe asaj që u njoh si "boshti i së keqes". Pas tetë vjetësh, në Afganistan, vendin e talebanëve ekstremistë e mesjetar, e kanë zënë Karzai dhe një regjim demokratik.

Në Irak, vendin e diktatorit paranojak Hysein e ka zënë një President dhe një qeveri demokratike. Në Serbi, gjithashtu vendin e diktatorit Milloshevic e ka zënë një qeveri dhe regjim demokratik.

Sic deklaroi vetë Presidenti Bush në lamtumirën e tij, "ka debate të ligjshme rreth të gjithë këtyre vendimeve, por ka vend për shumë pak debat rreth rezultateve të tyre. Amerika ka kaluar shtatë vite pa asnjë sulm tjetër terrorist në tokën e saj "dhe se rreth e qark botës, Amerika po promovon lirinë njerëzore, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor".

Një qytetar amerikan e vlerëson Bushin jo vetëm nga ky aspekt pozitiv, por edhe për pasojat që patën vendime të tilla. Zgjatja e luftës në Irak, kostoja njerëzore e financiare e luftës, problemet me sistemin ekonomik amerikan, çështjet e cenimit të imazhit amerikan në disa pjesë të botës, etj., janë disa prej treguesve kritikë.

Disa kujtojnë numrin e madh të vrasjeve në Irak, të tjerë mangësitë në përballimin e uraganit Kaltrina, disa krizën e Woll Street-it, e disa protestat agresive në disa rajone të botës me djegien e flamurit amerikan. Kjo është çështje e vetë amerikanëve, të cilët tashmë e kanë dhënë vendimin.

Amerika do të drejtohet nga një Presidenti i ri, me një filozofi e program të ri politik, që premton të eliminimojë problemet dhe të krijojë një model të ri të sjelljes amerikane në botë. Pas katër vjetësh secili do të ketë mundësinë të gjykojë nëse ai vertet do t'ia arrijë të sjellë ndryshimin e premtuar.

Sot është koha të flasim vetëm për Bushin. Jo më si qytetarë amerikanë, por si qytetar të Shqipërisë, një vend i vogël, gjeografikisht shumë larg SHBA-ve. Shqiptarët kanë arsye të bëjnë një bilanc, sa ndikuan tetë vitet e presidentit Bush në realizimin e disa prej aspiratave dhe kërkesave të tyre.

Për ne, Presidenti më i mirë amerikan nuk është ai që ul taksat dhe kështu mund të fitojë zemrat e shumicës amerikane. Ne e respektojmë këtë zgjedhje, por ideale për ne është e mbetet Presidenti amerikan që e përdor mandatin e tij për të mbrojtur apo promovuar, sidomos në momente kritike, parime e vendime që kanë të bëjnë me interesat tona kombëtare.

Parë në këtë prizëm, Xhorxh W. Bush ishte një Presidenti i shkëlqyer në raport me Shqipërinë e shqiptarët. Ai ishte Presidenti i parë në historinë e SHBA-së që vizitoi Tiranën, kryeqendrën shqiptare në Ballkan. Ai ishte Presidenti i parë amerikan që në formë angazhimi dhe ultimatumi deklaroi vendosmërinë amerikane për pavarësinë e plotë e pa kushte të Kosovës.

Ai është Presidenti i parë amerikan që zyrtarisht i vuri veton çdo përpjekjeje për ndarjen e Kosovës. Në raport direkt me Shqipërinë, Bushi ishte Presidenti që në Samitin e Bukureshtit, më 2008-n, përdori veton dhe autoritetin politik për të mundësuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

Pa hyrë në detaje të qëndrimeve të njohura amerikane pro interesave kombëtare të shqiptarëve, në rrethanat që çuan në këto vendime, apo në programet e shumta të ndihmës, mbështetjes, asistencës e promovimit të demokracisë e vlerave qytetare shqiptare, kam bindjen se vendimet e mësipërme janë mëse të mjaftueshme që shqiptarët të përcjellin me duarttrokitje dhe respekt maksimal mandatin tetëvjeçar të Xhorxh W. Bushit.

Nëse Presidenti Wilson nderohet prej shqiptarëve, sepse vuri veto për njohjen e shtetit shqiptar, nëse Presidenti Klinton ka zënë vend në historinë tonë kombëtare me vendimin e tij për ndërhyrje të armatosur në shpëtimin e Kosovës, Bushi ishte vazhdues i denjë, i qartë dhe i vendosur i kësaj tradite dhe si i tillë, një nga Presidentët që do të kujtohen e respektohen më gjatë në memorien tonë kombëtare.

Në këto rrethana, pavarësisht kritikave mediatike dhe analizave të bilancit politik, të cilat gjithsesi, siç pranon edhe vetë Bushi, gjejnë argumente ilustruese, për shqiptarët nuk ka vend për dilemë. Ashtu siç Busih në lamtumirën e tij tha se ishte privilegj e fati më i madh i jetës së tij të shërbejë si President, ashtu edhe për ne shqiptarët, ishte fat e privilegj që gjatë presidencës së tij fituam më shumë sesa prej gati një shekulli.

Pritja e jashtëzakonshme e banorëve të Fushë Krujës, të cilët përfaqësuan praktikisht çdo qytetar tjetër të këtij vendi, fatmirësisht i dhanë mundësi popullit amerikan, dhe sidomos Presidentit të tyre, të njohin nga afër ndjenjat e respektit dhe mirënjohjes së pakufi për shtetin dhe kombin që na u gjend në krah në ditët tona më të vështira, nga 1920-a, më 1999-n, më 2007-n dhe me shpresë të madhe, edhe në vitet që do të vijnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora