E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: 1944-2024

E enjte, 06.06.2024, 06:59 PM


1944-2024

Nga Prof. Blerim Latifi

Si sot, 80 vjet më parë, nisi zbarkimi më i madh ushtarak në histori, zbarkimi në Normandi. Mijëra ushtarë amerikanë, britanikë, kanadezë e australianë do të vdisnin në atë që njihet si Dita D, e cila shënon fillimin e çlirimit të Francës dhe të gjithë Europës perëndimore nga Nazizmi.

Çlirimi i Francës dhe avancimi britaniko-amerikan drejt Gjermanisë naziste, bëri që kjo e fundit të urdhëronte tërheqjen nga Europa Juglindore.

Duke shfrytëzuar këtë tërheqje, partizanët e leckosur komunistë, që bridhnin maleve të Shqipërisë, Jugosllavisë e Bullgarisë, vrapuan të zënë qytetet dhe të shpallin rrenën se ata vetë i çliruan ato me luftë heroike. Me këtë rrenë të madhe regjimet që dolën prej tyre do të legjitimonin veten për gjysmë shekullin që do të vinte.

80 vjet pas Epopesë së Normandisë, Europa e ka humbur ndjesinë e sigurisë  dhe besimin për veten si një oazë e paqes së përhershme kantiane. Kjo për shkakun se një regjim tjetër, që bartë shumëçka nga bagazhi ideologjik i fashizmit, regjimi autokratik i Putinit, po synon revanshin historik ndaj fitorës së Perëndimit liberal në vitin 1989. Shumica, për të mos thënë gjitha forcat dhe regjimet autoritariste të botës, në një mënyrë apo tjetër, qëndrojnë të rreshtuara në mbështetje të revanshizmit rus.

Kështu, pas rënies së iluzionit të "Fundit të Lumtur të Historisë", të cilin e përqafuam me naivitet pas rënies së komunizmit, historia botërore është rikthyer, me të gjithë huqet e saj të moçme.

Në epiqendër të këtij rikthimi është një konfrontim i ri midis botës demokratike dhe botës autoritariste.

A do të jetë kjo Lufta e Tretë Botërore?

Apo Lufta e Dytë e Ftohtë?

Apo edhe Armagedoni biblik?

Apo veç një tension i përkohshëm deri në stabilizimin e një rendi të ri multipolar?

Aktualisht nuk mund të jepen përgjigje të sigurta shkencore e filozofike në këto pyetje themelore të ditëve tona. Arsyet mund t'i gjejmë tek libri i shkëlqyer "Mjerimi i historicizmit" i filozofit ma të rëndësishëm të sh?encës Karl R.Popper.

Të privuar nga kjo mundësi për të ditur se si do të përfundojnë gjërat në të ardhmen, ankthet dhe frikërat tona targetohen nga matrapazët, babavangat dhe budallenjtë e teorive konspirative, të cilët sot janë shtuar si bari i keq në një tokë të mbetur djerrinë.

Por përtej të gjitha pasigurive tona mbi rrjedhën e historisë në shekullin që po jetojmë, një gjë tanimë është bërë e qartë : historianët e shekujve pasues do të kenë shumë punë me trashëgiminë e tij.

___________

Shikojeni këtë fotografi. Është shkrepur këtu e 40 vjet më parë. Një polic dhe një tjetër i policisë sekrete jugosllav po e dërgojnë në polici një të ri shqiptar. I riu është i moshës 20 vjeçare. E akuzojnë për pjesëmarrje në një grupim ilegal që agjiton për Kosovën Republikë. Në gjyqin e shpejtë që i bëhet, e dënojnë me gjashtë vite burg të rëndë. Pas katër vitesh del nga burgu. Ende i ri, por i rrënuar fizikisht nga vitet e vuajtjes së dënimit. Në atë gjendje merr rrugët e mërgimit për t’i ndihmuar familjes së rrënuar ekonomikisht, por kudo që shkon nuk e harron detyrën që ia kishte caktuar vetes që kur ishte adoleshent : të bënte aq sa kishte fuqi për lirinë e atdheut të tij. Gjithandej diasporës dëgjohet zëri i aktivitetit të tij patriotik. Fundi i majit 1999. Në Malet e Koshares nuk pushojnë luftimet e ashpra për jetë a vdekje midis UCK-së dhe ushtrisë serbe, të nisura gati dy muaj më parë. Në mëngjesin e 31 majit ato zhvillohen rreth “Majës së Zezë”. Bashkë me Milazim Shalën atë ditë bie në atë betejë edhe djaloshi i kësaj fotografie. E quanin Xhemajl Fetahaj. Kjo tokë nuk e fitoi rastësisht lirinë.

___________

Katër llojet e tradhtarëve

Kohë më parë e pata pa një dokumentar mbi luftën e agjenturave gjatë Luftës së Ftohtë. Më ka mbetur në kujtesë klasifikimi që një ekspert u bënte arsyeve që çojnë në krijimin e një spiuni. Ai rendiste ?atër arsye kryesore: shantazhin, paranë, ideologjinë dhe trashëgiminë familjare.

Dikush përfundon spiun pasi shantazhohet nga një agjenturë e cila kërkon shërbimet e tij. Kuptohet format e shantazhit gjithmonë janë të shumta.

Dikush bëhet spiun për arsye se i ofrohen para nga agjenturat.

Dikush për arsye se e mbështet ideologjinë e shtetit armik dhe është kundër ideologjisë së vendit të tij.

Dhe e katërta: dikush bëhet spiun për arsye të ndikimit nga familja që ka trashëgimi spiunazhi.

___________

Po qëndroja në kafe, këtu në lagjen time. Një djalë i vogël kaloi krejt afër meje. Në krah mbante një thes plastike. Dukej qartë se ishte lypës, nga të shumtit që përditë i shohim rrugëve të Prishtinës. Shkoi tek kontejnerët e mbeturinave dhe nisi kërkimin e tij. Pas pak minutash futi diçka në thes dhe kaloi në anën tjetër të rrugës. Pastaj ndaloi dhe u ul në qoshin e një lokali. Thash me vete: I shkreti djalë, e ka këputur lodhja dhe do të marrë pak frymë. Në atë çast ndodhi befasia: djaloshi nxorri nga xhepi një telefon dhe nisi lundrimin në oqeanin e hiper-realitetit. Mbase për t'u arratisur për pak kohë nga realiteti i vrazhdë fizik në të cilin ndodhet e mbërthyer qenia e tij reale. Mbase për të dëshmuar se sot askush, pra as kategoria e të vuajturve si puna e tij, nuk mund të marrë frymë duke qenë i shkëputur nga sistemet e ëndërrimit me sy hapur që quhen "rrjete sociale". Për të dëshmuar se sot mund të jetohet pa bukë dhe kulm mbi kokë, por jo edhe pa qasjen në këto rrjete. Ky është triumfi i hiper-realitetit mbi realitetin, siç e kishte parashikuar dekada më parë filozofi francez Jean Baudrillard.

Pas disa minutash u ngrita për të shkuar në punën time. Kur po dilja nga kafja, hodha edhe njëherë shikimin tek vendi ku pak më parë qëndronte djaloshi me thes dhe telefon. Ishte larguar edhe ai. Në rrugët e poemës së tij të mjerimit. Me thesin e tij të mbushur me rraqe dhe me ekranin e shikimit të ëndërrave në xhepin e pantallonave të tij të vjetëruar.

___________

E lexova si lajm: Një aeroplan i "Air Albania", i nisur për në Gjermani, pas 15 minutash kthen rrugë dhe kthehet në Rinas. Udhëtarët dyshojnë se kjo ka ndodhur për shkakun se përgjegjësit e fluturimit kanë harruar ta mbushin me karaburant aeroplanin.

Industria e komunikacionit ajror mbështetet në shkencë precize dhe në disiplinë të hekurt të punës. Shqiptarët nuk i duan edhe aq këto dy gjëra, prandaj është me rresik të madh t'u lihen ato në dorë.

Shqiptarët e pëlqejnë atë që Sloterdijk e quan "kapitalizmi magjik": të bëhen të pasur shpejt dhe lehtë, brenda natës, si me magji, pa e munduar shumë veten. Ngritja graduale për ta është e bezdisshme. E padurueshme.

___________

Kishte ikur nga atdheu i tij i rrënuar prej talebanëve. Për t'i shpëtuar vdekjes së sigurtë qoftë nga dhuna qoftë nga uria. Në Gjermani i kishin dhënë strehim, bukë dhe mundësi për të jetuar duke punuar. Por diçka nuk shkonte mirë me të.Ai e kishte lënë prapa Afganistanin gjeografik, por jo edhe Afganistanin mental. Këtë e kishte sjellur me vete në Gjermani. Dhe një ditë ky Afganistan mental ishte zgjuar brenda tij. Me gjithë tërbimin e mundshëm. Ai kishte rrëmbyer hanxharin dhe ishte sulur mbi njerëzit që paqësisht po protestonin në një shesh. Një polic( ky në foto), që thjesht po kryente detyrën e tij ligjore, humbi jetën nga goditjet fatale gjatë këtij sulmi. Bashkatdhetari i famshëm i këtij polici, Immanuel Kant, ka shkruar njëherë se "mosmirënjohja është thelbi i qenieve të poshtra", por kjo historia e vrasësit afgan të policit gjerman shkon përtej thelbit të poshtërsisë. Ajo është histori mbi thelbin e egërsisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora