Kulturë
Vlash Prendi: Kur shpirti këndon për dashurinë
E marte, 04.06.2024, 06:50 PM
KUR SHPIRTI KËNDON PËR DASHURINË
- Persiatje rreth librit
“Emrin tend ka dashtnia” të poetit të njohur Llesh Ndoj” -
NGA VLASH PRENDI
Poeti
i mirënjohur Llesh Ndoj, vjen keto ditë para lexuesit me librin e tij më të ri
“Emrin tend ka dashtnia”, i cili përbën një arritje të suksesshme në
krijimtarinë poetike të këtij autori, tashmë të afirmuar në fushën e
krijimtarisë poetike, jo vetëm se ai vjen pas botimit të 10 vëllimeve me poezi që
mbajne firmën e tij, por edhe sepse poeti tani ka krijuar një profil të qartë poetik,
duke gdhendur në krijimtari portretin e tij si poet dhe krijues me vlera. Në këtë
vepër, autori pasqyron jo vetëm të vertetat aktuale, por edhe tingëllimin
artistik me anë të të cilit shprehen këto vlera, sepse edhe frymëzimi i ka
ardhur poetit si rrjedhim i njohjes së realitetit dhe qëndrimit që duhet të
mbajë krijuesi ndaj këtij realiteti. Dy janë linjat në të cilat autori ka ndërtuar
veprën e tij, realiteti i sotëm dhe problemet shqetësuese që reflekton ai sot
dhe tema e bukur e dashurisë njerëzore, për të cilën në ditët e sotme shumë
flitet, por pak bëhet, prandaj trajtohet gjërësisht edhe në poezi. Kjo temë e
trajtuar gjërësisht nga autori, paraqet një larmi të gjërë të shprehjeve të
dashurisë njerzore për objekte dhe persona të ndryshëm që janë në jetën e
autorit, duke shprehur ngrohtësi, emocion dhe pasqyrim ndjenjash të fuqishme të
dashurisë së pastër dhe të sinqertë ndaj atdheut, vendlindjes, njerëzve të tij
të dashur dhe figurave të njohura të letërsisë sonë, duke zbuluar dhe
kristalizuar përmes vargut poetik vetitë dhe virtytet më të larta njerëzore të
tyre. Dhe tingujt e bukur të këtyre poezive, i ngjajnë herë rreptësisë së
burrave namuzçarë të maleve të Mirditës, herë krenarisë së ligjshme të malësorit
mirditorë për vendlindjen, herë bukurive të natyrës së Domgjonit, herë këngëve
e melodive të korit të zogjëve që këndojnë pa pushuar në malin e Munellës në
çdo stinë, por edhe tingujve të këmborëve dhe blegërimave të kecave dhe
qengjave bjeshkëve të Fanit, që poeti thotë se i ka kullotur me shumë dashuri në
malet dhe lendinat e vendlindjes. Në këtë vëllim, ndeshim disa poezi përmes të
cilave autori bën përpjekje për të krijuar hapësira të reja në krijimtari, për
të rrokur tematika të larmishme dhe për të ngritur në një nivel më të lartë
mjeshtërinë e shprehjes artistike. Prandaj këto vargje të emocionojnë, sepse
kemi përpara poetin e ndjenjës së bukur, të thellësisë së mendimit, të botës së
pasur poetike dhe shpirtërore, sepse poeti ynë bën perpjekje për t’i dhënë
vargut përfytyrime reale, për t’a gjallëruar poezinë me imazhe tematike dhe emocionale,
prandaj poeti si një vëzhgues i vemendshëm e meditativ, sjell të gjalla para
nesh, përjetimet e tij nga koha e fëmijërisë. Në kontekstin kuptimorë, në këtë
vëllim poetik autori dallohet për gjallërinë, impulsivitetin dhe përpjekjet për
sensibilizimin e lexuesve për gjendjen aktuale që po kalon vendi ynë në ditët e
sotme, duke e vënë theksin tek shumë faktorë ekonomikë dhe politikë që ndikojnë
në këtë drejtim, siç janë abuzimi me pushtetin, emigracioni, vështirësitë
ekonomike, gjëndja shoqërore, marrdhëniet mes njerëzve etj.
Në të vërtetë, vepra ka në qendër të
saj dashurinë, si një nga ndjenjat më të thella dhe më humane në shoqërinë e
sotme, një nga tiparet më të lashta qe e ka shoqëruar njeriun që nga lindja e
shoqërisë njerëzore deri në ditët e sotme. ?shtë një motiv që ka frymëzuar në
dekada krijuesit dhe poetët, duke na dhënë larmi vargjesh, duke shprehur larmi
ndjenjash dhe duke pasqyruar larmi motivesh. Duke lexuar poezitë e poetit Llesh
Ndoj, kupton lehtë se sa bukur i ka kënduar ai dashurisë njerzore, produkt i
jetës, punës, aktivitetit në familje, shoqëri dhe komunitet, prandaj poeti ynë
ka pasqyruar në poezi dimensionin kulturorë, botën e tij të pasur shpirtërore,
marrdhëniet e gjëra shoqërore dhe normat morale, përmes të cilave përcaktohet përmbajtja
e dashurisë. Dashuria për prindët, për vëllezërit, motrën, bashkëshorten, fëmijët,
nipërit dhe mbesat, si dhe miqtë e shokët, zënë një vend të kosiderueshëm në këtë
vëllim poetik. Përmes vargjeve të bukura, të ndjeshme, autori shpreh dashurinë,
dhembjen, mirënjohjen dhe respektin për njerzit e tij të afërt, për investimin,
edukatën dhe kulturën me të cilën e kanë paisur ata nëpër vite. Ndonse nuk e ka
njohur gjyshin, poeti dëshiron t’a përjetësojë përmes vargjeve dhe këtë e
realizon mjaft bukur përmes një bashkëbisedimi imagjinar që realizon me gjyshin
Ndue: “…Po u pyes për gjyshin, / që kurrë nuk e njoha, / Për dy
vllezërit e tij, / që larg i pat tret koha. Ju pyes për t’parët tanë, / Vallë
si ata jetuan? / E ç’porosi iu lane, / nga ju kur u larguan? / Po ju pyes për
Zepën / edhe për Munellën, / Për
Gurrën e Lashtë / edhe për Qytezën. / Dua të di për Gjonin / priftin, të parin
tonë, / E për të pesë vllaznit / kudo ku ata jetojnë”. ?shtë më se e
kuptueshme se ndjenja poetike ngjizet në vetëdijen e
poetit, nën
sundimin e përjetimeve
emocionale që e
pushtojnë atë në biseda të
ndryshme me ata, që e kanë njohur atë burrë fisnik.
I njejti emocion dhe ndjesi e përfshin autorin edhe kur flet për hyjnoren nënë, ku vihen re shpërthime të
fuqishme emocionale, të cilat të ngërthejnë
emocionalisht: “Fjala
nënë, / n’të gjitha gjuhët e botës / s’përngjet me një emër. / Më shumë i
ngjanë foljes / se nëna s’tregon kush je, / por çfarë bën ajo… / Është lëvizje
e padukshme / që botën e shpëton. / …Është frymë hyjnore, / një forcë përherë
magjike / E ndjejmë, e prekim, s’e kuptojmë, / por na rrëmben të gjithëve. /
Nanë!, - thërret fëmija, / Nanë!, - thërret edhe plaku, / E mbreti, ndihmë me i
kërkue / kur rreziku i troket tek pragu”! Përmes paraqitjes poetike të këtij personazhi, poeti
sjell vargje plot ndjenjë, poezi që vrullon dhe sjell copëza interesante jete
nga veprimet humane të nënës së tij të dashur.
Më tej, vemendjen e poetit e tërheq djali i tij i dashur, që fatkeqësisht pati humbur jetën në një aksident, i cili përjetësohet përmes vargjeve në poezinë “Si të uroj sot?”: “…Numërimi im ka mbet / i mbytur në lotë, / kujtime e dhimbje pa fund, / tash tetëmbëdhjet vjet. / Por jo përkujtimi i kësaj date, / as falenderimi për t’Shnandojin / që e mban në krahët e vet. / Numërimi ka ngec, / tash tetëmbëdhjet vjet. / Por jo Ora e Shpisë me emrin Ervis, / as falenderimi i kësaj dite, / as gëzimi, as loti, as… / Lutja ime që pushton qiejt / nga ku pres një vegim drite”. Këto vargje lapidare, padyshim përbëjnë një homazh për atë engjëll që Zoti e pati marrë pranë vetes, por kujtimi dhe dashuria për të, nuk shuhet kurrë. Poeti Llesh, nuk ka të ngopur duke lexuar poezi, tregime dhe biografi të shenjtneshës shqiptare Nenë Terezë, për të njohur më mire jetën e vështirë, sakrificat, rolin e saj në fushën humanitare, prandaj e vlerëson lart këtë figure të shquar të katolicizmës dhe humanizmit botërorë, tek poezia “Nanë në tokë, e shejt në qiell”: “ …Pa u ngrit n’qiell, n’të gjallë t’vet / E gjithë njerëzia e vlerësoi Shejt, / Iu përkul veç bamirësisë / Shëroi lebrozët n’Kalkutë t’Indisë. / Nanë në tokë, shejtneshë në qiellë / Nga Jezusi kjo Gonxhe e mbjellë, / Kurrë s’pranoi për veten levdata / - Janë t’Jezusit, - tha, - duart e bardha! / - Nuk jam unë asgjë mbi tokë / Jam një vegël n’dorë t’lumit Zot, / Se asgjë s’mund të realizoj / Kurrë pa pas frymën e Jezusit! / T’qofshim falë, oj nanë shqiptare / Ty shejtneshë me famë të madhe, / Na mësove botën si me e ndryshue / Nga punë t’vogla, me dashtni gatue”. Janë këto vargje të bukura që rrisin tek poeti krenarinë kombëtare, duke kërkuar artistikisht që gjithë njerëzit të ndjekin shembullin e saj, sepse puna dhe aktiviteti i Nënë Terezës, bënë që mbarë bota të flasë shqip dhe t’a duan me shpirtë këtë hyjneshë shqiptare.
Por lirizmi vetiak, do të prekte me vargun e tij, shtratin poetik të poetit, i cili e shpreh mjaft mirë në poezitë për bashkëshorten, për vajzën apo për nusen e djalit, duke përshkruar artistikisht rolin e tyre në familje dhe marredhëniet shoqërore. ?shtë një numër jo i vogël poezish që poeti Llesh Ndoj ua kushton njerëzve të tij më të dashur, atyre me të cilët ka jetuar dhe jeton çdo ditë, atyre që në kontekstin njerzorë dhe familjarë i kanë mësuar rrugët e jetës, e kanë rritur dhe edukuar me normat e moralit shoqërorë. Poezi të tilla si: “Bisedë me gjyshin”, “Bekimi im”, “Ati im”, “Nënë është veprim”, “Bashkëshortes”, “Bijës time”, “ Motrës time”, “Nanë”, “Diell i diellit tim”, “Im atë dhe vlla Ndoj”, “32 vite pa ty”, “Nana e Zoti” etj, kanë vlera të veçanta, sepse e nxisin lexuesin të gjykojë dhe mësojë mbi këto vargje që kanë jo vetëm vlera poetike, por pedagogjike dhe edukative. Nëpërmjet vargut poetik, ai tregon, se respekti dhe dashuria për bashkëshorten nuk erdhi rastësisht, prandaj ata duhen si në rininë e dikurëshme: “ …Zhytem kaltërsive / të detit që na bashkon, / i përhumbur… / Ai herë është i qetë, / herë tërbohet n’valë / por ne kurrë s’na ndanë! / Kështu ka qenë / kështu dhe ka mbet, / ndoshta përgjithmonë / Një ndjesi e dehur, / flladitur zemrash / detmirëkuptimi jonë”. Kjo edhe për faktin se kanë ndërtuar dhe edukuar një familje me vlera njerëzore dhe unitet shoqërorë. Kur flet për vajzën e tij, vargu lirik perziehet fort me përjetimet e momentit dhe ndjenjat emocionale të poetit, kësisoj vargjet rrjedhin natyrshëm, pa sforcime dhe mjaft domethënëse: “…T’kisha me mujt, fuqi me pasë / T’gjitha yjet për rreth t’i bie, / E n’mes tyre, me shumë gjasë / M’a shumë ti do të shndritje! / Gjashtëmbëdhjetë, as shumë as pak / Vite plot mbushur me lumturi, / N’preh?rin tonë sa shpejt u rrite / Na dhurove shumë vite rini. / Ç’të dhamë ne, nuk di t’a them / Ndoshta s’ditëm me qenë si ti, / Por të bindur kemi qenë, / Me t’rrethue me shumë dashuri”. Kjo ndodh edhe për faktin se Ola zë një vend të vaçantë në zemrën e poetit, prandaj edhe vargjet e thurura për vajzën e tij të dashur janë aq të bukura dhe tingëlluese.
Praktika krijuese poetike na tregon se poeti, përveç fantazisë krijuese që ze vend në poezi, përdor me sukses edhe përjetimet e dukurive jetësore në perditshmërinë e tij. Shkrihet i tëri poeti Llesh kur flet për nipin e vogël, Ervisin për të cilin sakrifikon gjithçka. E shoqëron kudo, në çdo lëvizje, në shqiptimin e çdo tingulli, në rrëmujën e bukur që i bën studios së tij të punës dhe përsëri derdh mbi qenien e tij dashuri jo vetëm fizike, por edhe emocionale
të cilën e shpreh përmes vargut të bukur poetik: “…
Kam nis t’lakmoj rrëmujën, / t’i dua gjërat pa rend, / Nuk e pranoj dot
disiplinën / qetësia nuk më pëlqen. / Mezi e pres unë ditën / atë fatlumen, që
zien, / Kur vjen mbreti im, nipi / e gjërat n’vend s’i len. / - Eja bir, eja sa
më shumë / jeta të marr kuptimin e vet,
/ S’e dua shtëpinë një museum / rrëmuja jote asaj i jep jetë! / Eja bir, të
përjetoj fëmijërinë / që jeta nuk ma dhuroi kurrë, / Lojërat tuaja t’i mësoj
dhe unë / të bisedojmë si burri me burrë”. Këtu, më tepër se kudo, dashuria na vjen si një ndjenjë e pashuar dhe si atribut thelbësorë i gjyshit poet, për nipin e tij të vogël.
Duke vënë në qendër të poezive të tij tipin e njeriut të dashur, të zgjuar, punëtorë, bashkëshort dhe njeri bujar nëpërmjet interpretimeve artistike
poeti shpalos vetë jetën e perditëshme plot vrullë dhe itensitet, por edhe me sakrifica dhe vështirësi
të shumta. Me magjinë dhe të fshehtat e saj, vendlindja ngjallë tek poeti
ndjenjën e dashurisë dhe kreshërinë për t’a ruajtur thellë në shpirt mallin e
pashuar ndaj saj. E tërheq vemendjen e poetit natyra e bukur e fshatit të tij
të lindjes, Domgjon. Madje poeti eksperimenton me sukses edhe një gërshetim të
prejardhjes historike të emrit përmes vargut poetik. Këtu poeti ka arritur të
bëjë një lidhje të brendëshme ideore mes monografisë “Domgjoninë dokumenta, gojëdhëna
dhe histori”, botuar në vitin 2019 dhe poezisë “Kengë e kengëve”, ku evokohen
bukur kujtimet e fëmijërisë së heshme. Por poezitë që shprehin bukur dashurinë
për vendlindjen përbëjnë një cikël më vete, madje edhe këndvështrimet artistike
me anë të cilave e përcjell autori këtë fenomen janë interesante dhe mjaft
tërheqëse. Forca emocionale e poezive kushtuar vendlindjes, qëndron në përfytyrimet
e poetit që burojnë nga përjetimi i bukurive të natyrës dhe i jetës së njerëzve
të thjeshtë, punës dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar në atë trevë të
njohur. Poeti e do me shpirt vendlindjen e tij, krenohet me bukuritë natyrore, toponimet
historike dhe figurat e shquara që ka nxjerrë ky fshat i njohur. Përmes
përshkrimit të objekteve historike të fshatit, të lidhura me botën shpirtërore
të banorëve, poeti na jep artistikisht pamje realiste që lidhen me vatrën e
lashtë, kullat me dy pode, këngët e trimërisë, malet dhe lëndinat ku
tringëllinin këmborët e tufave dhe dëgjohej këndshëm blegërima e qengjave.
Bukur e shpreh poeti mallin e tij dhe dhimbjen e brendëshme shpirtërore tek
poezia “Paskam mallë”, ku ndër të tjera thotë: “…M’ka marr malli si
dikur moti / me u ngjit pemëve këmbëzbath, / Bash si ketër unë tu e gjurmue /
ndonjë frut t’zanë nata jashtë. / A n’prag t’dimrit një vesh tajke / si dikur
dhelprës, tu m’u krenue, / N’pranverë herët me bark t’uritur / lule t’bardha
tue përtyp n’ftue. / Janë idhnue livadhe e pyje / gjethi e bari krejt janë
egjrue, / Askund kumonë ma nuk po bie / zá çobani s’nihet tuj k’nue. / Mallë e
paskam freskinë e gurrës / edhe hijet ku mrizonin bagtia, / Ku roje bënte ai
qeni i tufës / e kanga e zogjve ish simfonia”.
Përshkrime të tilla artistike nga
fshati, gërshetimet e tyre me kujtimet e bukura të fëmijërisë e bëjnë poezinë e
poetit Llesh Ndoi të prekshme dhe mjaft emocionale. Poezia kushtuar vendlindjes
është e bukur, emocionuese dhe e pasur me nota frymëzimi. Kjo ndodh sepse e kaluara
ka qënë vërtetë motivuese, gjallonte fshati, punohej, jetohej dhe kishte respekt
dhe unitet mes banorëve. Prandaj autori thotë: “I këndova me radhë / krejt kangët e jetës, /
Qëkur t’parët zatetën, / në këmbë të Munellës. Mundarë duhet të ishin / aty të
jetonin…, / Prej mademesh e nxirrnin / pushkën edhe shkrolën. / Munella ishte
hyjni / për t’parët e atij vendi, / Pastaj i fali koha, / emrin e një shejti. /
Barnabën e zgjodhën / shejtin e ngushëllimit, / Bera ia dhanë emrin / n’respekt
të kujtimit… / I miri prifti Gjon / u lut fort n’altar, / Këtij vendi t’i
ngjallej jeta / t’shtoheshin njerëz krenarë...”. Këto poezi të bukura
shprehin më së miri atë lidhjen e brendëshme shpirtërore të poetit me
vendlindjen e tij të bukur. Por jo gjithmonë poeti shkruan me nota optimizmi për
vendlindjen e tij, sepse në kushtet e sotme, banorëve të këtyre zonave po
kalojnë një jetë të vështirë dhe si e tillë po u imponohet largimi nga këto
zona malore, dikurë plot gjallëri. Dukuria e boshatisjes së fshatrave për shkak
të emigrimit masiv të të rinjve, tokat e mbetura djerrë, shtëpi të mbetura
bosh, mungesa e gjallërisë së dikurshme, s’ka si të mos tërheqi vemendjen e
poetit Llesh Ndoj. Ai e sheh me shqetësim të madh këtë dukuri shoqërore, prandaj
u bën thirrje të gjithë faktorëve shoqërorë dhe politikë që t’a parandalojnë
këtë fenomen negativ: “Do të
doja ti të ishe / gjithmonë lule rinore, / Se ti vend i bekuar / m’je dashuri
hyjnore. / S’të
plaken luftërat, / as betejat për liri, / Se
nëpër furtuna / linde dhe u rrite ti! / Po
të plak braktisja / frymën t’a pakëson, / Ky kurbeti i mallkuar
/ që rininë t’a largon. / Gjak i
pastër arbnor / udhëkryqeve të botës, / Rrudhat e
tkurrjes n’ty / dëshmi arkeologësh”! Ky është një mesazh i qartë artistik që u percillet të rinjve,
autoriteteve shtetërore dhe gjithë shoqërisë që t’i kthejnë sytë kurdoherë nga
vendlindja dhe atdheu.
Trajtimi poetik
i disa figurave të shquara të letersisë që kanë dhënë kontribut të shquar në letërsinë
tonë, ngjan me një mesazh poetik për të zgjuar kureshtjen e lexuesit mbi vlerat
e kësaj treve nga e kanë prejardhjen figura të shquara të letërsisë sonë. Dihet
tashmë se Domgjoni është vendorigjina e poetëve të mëdhenj të kombit tonë Atë
Gjergj Fishta dhe Hasan Hasani – Përkola, personazhe të njohura letrare, që nuk
mund të rrinin jashtë vemendjes së autorit, si pasardhës i tyre. Por poeti
kërkon t’a zgjerojë gjeografinë e këtyre figurave të shquara, sepse e ka
tërhequr krijimtaria e poetëve të njohur
të kombit tonë, prandaj në këtë vëllim përmendet edhe Dritero Agolli, Ndoc
Gjetja, Havzi Nela, Gjokë Beci e ndonjë tjetër që poeti e ka më për zemër dhe
shpesh motivohet dhe frymëzohet nga krijimtaria e tyre. Ndonse është e vështirë
të flasësh për poetë të tillë elitarë, poeti Llesh Ndoj ia ka arritur qëllimit
të përjetësojë në vargun poetik figurat e tyre madhore. Veç intuitës artistike
për të analizuar artistikisht këto aspekte të botës shpirtërore dhe krijuese të
këtyre personazheve, kanë ndikuar edhe mbresat që ka përjetuar poeti kur ka
lexuar veprat e tyre. Fishta është njëri prej tyre: “…Shtati jot i vujtun /
Kryet mbush plot mend, / Zemra e gjanë sa bota / dallohet fare lehtë, / nën
veladonin tend. / Veç këmbët ke zbuluar… / Dëshmi e lidhjes përjetshme, / Me
këtë tokë të bekuar / që prej kohësh po vuan / nga lakuriqësi e ethshme. /
Lakuriq në krye e shtat / Me gisht të tregojnë… / E thonë ç’është ky frat, / që
as këmbët e tij, / s’ka mundur t’i mbulojë? / Ah, vllau im i dashur / Qe i
k’ndove Babatasit, / Zgjohu nga heshtja e gjatë
/ k’noj prapë vargjet e Lahutës / k’noju dhe Anzave të Parnasit”! Edhe aq, është e mjaftueshme që këtij
profeti të shqiptarisë t’i ngresh një përmendore përmes vargjeve. Edhe poeti i
shquar Hasan Hasani - Përkola, përvijohet artistikisht në faqet e këtij libri,
sepse veprat e tij kanë lënë gjurmë në vetëdijen e Krijuesit Llesh Ndoj,
prandaj ai na jep artistikisht çastet e fundit të poetit në rrugëtimin e tij
jetësor dhe artistik: “Aty tek Lisi i Vetmuar / n’kodrinën e vogël, / ku u frymëzova
moti / e vargjet e para shkrova, / ku zemra fort m’rrahu / për dashuritë e
para, / dhe etjes i dhashë jetë / në Krojet e Bardha… / Po, po! / Aty
m’qetësohet shpirti / e dua të pushoj, / përjetësisht… / Kur Zoti t’më thërrasë / e unë t’i mbyllë sytë. / Kokën t’ma ngrini
pak / e dy dritare hapur i dua, / një rreze drite mëngjeseve / t’më vije nga
Dushkaja, / e në Perëndim, dielli / mua t’më bëje dritë, / andej nga vendi i
t’parëve / me emrin përshëndetës, / e mallin tim t’pashuar / Mirditë”! Ky tipar përshkrues që vjen para nesh në formën e porosisë, ka bërë që poezia të ketë imazhe reale të shoqëruara me meditime dhe rrëfime poetike. Kështu ndodh edhe me poezitë që poeti u ka kushtuar krijuesëve të tjerë, që duke ngjizur përfytyrimet poetike të tyre, duke vlerësuar krijimtarinë letrare dhe shpesh edhe
personalitetin e tyre pozitiv, sjell si të gjallë para nesh poetë të tillë si Dritero Agolli, Havzi Nela, Ndoc Gjetja, Gjokë Beci: “… Me Hasan poetin / e
trojeve të vjetra, / Dua t’rrjeshtoj veten / Po… më tradhëton pena. / Ai këndoi pa u ndalë / për Krojet e Bardha, / Mua m’burojnë
vargjet / n’Hurdhëdushe e n’Krratlla. / Me Becin e vargjeve himn / e Gjikolën e Gurit Gjon,
/ Dua t’i rreshtoj vargjet / por vargu mirë s’rimon. / Si Ndoci ynë poet / me
Dhjatën në dorë, / Vargjet rrjedhin qetë / dashurisë i këndojnë. / Me lulet e
bjeshkës / vargun unë lulëzoj, / Si rrjedhë e lumenjve / kurrë s’dua të ndaloj”. Natyrshmëria dhe këndvështrimet interesante, janë gjetje të bukura për të dhënë aq bukur portretet krijuese të këtyre poetëve, të cilët kanë lënë gjurmë në kujtesën e tij. Tërheq vemendjen e lexuesit edhe një poezi e bukur kushtuar poetit martir Havzi Nela, i cili u
ekzekutua vetëm se pa frikë, atë që mendonte nëpërmjet vargut poetik: “…Thërrita pastaj kujtesën / ç’është 10 gushti, vallë? / E
vargjet për Havzi Nelën / rrugën gjetën me dalë. / Poetin tonë të pamposhtur / as varja s’e
nënshtroi, / Martir i fjalës së burgosur / dhe n’varr në këmbë qëndroi! / Ah,
pashpirtësi mizore / e kohës së marrosur! / Me litarin nuk u mjaftove /
Gjerizeve - trupin varrosur. / Ani! Kështu u kishte hije / Burrave si Havzi
Nela, / Shtatë pash të varrosur / Ringritur shtatë mbi dhera”! Kjo menyrë të shprehuri, krijon një antagonizëm poetik, sepse kemi dy anë të realitetit: Respektin dhe dashurinë e pashuar të poetit ndaj figureës së krijuesit të njohur Havzi Nela dhe urrejtjen ndaj atyre veglave të pushtetit totalitarë që bënë të mundur eleminimin e tij. Toni
polemizues që përdor poeti ndaj veglave të pushtetit të dikurshëm, i japin Havzi Nevës vlera të padiskutueshme si poet dhe si njeri. Por poeti Llesh
Ndoj nuk ndalet këtu, pasi përmes vargut poetik vlerëson edhe disa njerëz të thjeshtë, që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të artit, kulturës dhe jetës shoqërore si: Gjovalin Lleshi, poeti Fran Laska, këngëtari i njohur Kastriot Kola, ushtaraku Ndre Keli,
Gjergj Laska e ndonjë tjetër, të cilët i përjetëson në vargje duke vlerësuar aktivitetin dhe punën e tyre në sherbim të shoqërisë dhe atdheut. Ja si shkruan poeti për krijuesin Fran Laska: “…Vite plot, sa të doje zemra, / Kërkon kënga vargje t’reja, / E
kërkon sot fjala mjeshtrin, / Për datëlindje uron poetin. / Jetofsh ti sa vargu
e kanga, / Sa urimet që i qëndis nana, / Plot me muzë e me shëndet, / I gëzofsh
dhe njëqind vjet! / Presin Zepa edhe Munella, / Me u thurë ti vargje të reja, /
Pret Bisaku, Fani e Mirdita, / Vargje kange bash si drita”. Përmes këtyre vargjeve, poeti vlerëson krijimtarinë disa vjeçare të krijuesit në lëmin e krijimtarisë folklorike, duke vlerësuar talentin e tij dhe vlerat poetike. Nuk mbeten jashtë vemendjes së autorit edhe problemet dhe shqetësimet që krijohen në ditët e sotme me anë të rrjeteve sociale, të cilat autori i quan të dëmshme, sidomos për brezin e ri. Përmes poezive “Një Fusun s’po m’le kurrkund!”, “Për miqtë virtualë”, apo “Një
mosmirënjohje për mua!”, poeti jo vetëm kritikon disa padrejtësi shoqërore që ndodhin rëndom në jetën e përditëshme,
por thekson edhe dëmet që sjellin dukuri të tilla në shoqëri. Ja disa vargje: “…Moj Fusun, turkeshë për
s’mbari / s’m’bajnë punë eurot, as dollari, / Bá me kenë unë një arnaut i ri, /
n’Stamboll çerdhen ta gjejë ty. / Luj Fusun, ti sa të dush k…qet / ty jo kund
s’ti kam gjet shoqet, / Krejt ma parë m’kan lyp kuletën / - He ty të hangshin
shtatqind dreqën”! Vlerat poetike vijnë para lexuesit nëpërmjet një humori të hollë sarkastik dhe pse jo, përdorimit të disa fjalëve vulgarë, plot humor, që nuk ua ulin vlerat poezive.
Poezia e Llesh Ndojt në këtë vëllim vjen para lexuesit disi ndryshe, më e pjekur, më emocionale, më e organizuar, më e bukur, sepse poeti shprehet lirshëm, pa komplekse, shprehet natyrshëm dhe mjaft thjeshtë, duke thyer në një fare mase kornizat tradicionale të krijimit poetik dhe në shumë raste duke e afruar poezinë me prozën poetike. Përdorimi i metaforave sipas një shkalle të caktuar, krijon në shumë raste enumeracionin, i cili i jep muzikalitet dhe ritëm vargut, por shkon në harmoni edhe me stilin konciz të të shprehurit poetik. Por edhe krahasimi, epiteti,
hiperbola e shpesh edhe ironia, i japin librit vlera ideoartistike dhe letrare.
Poeti na paraqet në këtë vëllim një poezi me strukture të re, intonative dhe emocionale, ku struktura e poezive të tij është
skicuar më e organizuar, më e thjeshtë, më e kuptueshme dhe më solide. Vlera të
veçanta librit i jep edhe ritmi i brendshëm, i cili është plot ndjeshmëri dhe
rrjedhshmëri, gati muzikorë me efekte artistike spontane. Kësisoji duhet të
themi se libri më i fundit me poezi i Poetit Llesh Ndoj, është një kontribut i
shquar, një vlerë e shtuar në krijimtarinë tonë poetike kombëtare.