Faleminderit
Ndue Dedaj: Emzot Kaçorri, shëlbuesi i pavarësisë
E hene, 03.06.2024, 06:58 PM
EMZOT KAÇORRI, SHËLBUESI I PAVARËSISË
NGA
NDUE DEDAJ
Është
për t’u habitur qe me disa figura të kombit kemi një qasje si të dyzuar, të
përgjysmët, a thua se jemi ne që vendosim sot se cilët ishin ata në histori
dje. As Emzot Nikollë Kaçorri nuk bën përjashtim, edhe pse ai u ndodh në vendin
e duhur, në kohën e duhur në misionin më të madh kombëtar, shpalljen e
Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë modern të shqiptarëve. Atëherë si
shpjegojet ky ngurrim thuajse njëqindvjeçar për të pohuar të vërtetën e tij?
Ndërkohë që do të mjaftonte shtypi i kohës, si pasqyrë e mirënjohjes për atë
çka ai kishte bërë për Shqipërinë, duke provuar dhe prangat, qelitë dhe gjyqin
xhonturk, gjë e rrallë asokohe për një misionar, ku Kurbini ishte vatra e tij e
qendresës.
Në
regjimin e kaluar, krejt në të rrallë, kur frynte ndonjë erë e mbarë andej nga
Tirana, jepej porosi që në shtypin qendror të botohej ndonjë artikull
përkujtimor kushtuar Emzot Kaçorrit si Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, çka nuk
ndodhte në vijimësi. Sepse, figura e tij kalonte nga hija në dritë e nga drita
në hije!? Ka tridhjetë vjet që nuk është më ai regjim, por hija e tij ka mbetur,
si shumëkund tjetër, edhe në trajtimin e figurës së Kaçorrit. Drita ishte e
tij, hija është e jona. Ndaj nuk është e rastit që sa herë ka përvjetorë të
këtij personaliteti, siç ishte dhe ky 29 maj, ka reagim intelektual, se me
Kaçorrin nuk është bërë më e mira, e merituara. Të gjithë zëvendëskryeministrat
e mëvonshëm të Shqipërisë do të mbetën anonimë, kurse Emzot Kaçorri ishte më
shumë se kaq. Ai është prelati që u thirr në shugurimin e Pavarësisë së këtij
kombi. Kishte sigurisht shumë prelatë të tjerë me merita atdhetare e kombëtare,
pa qenë nevoja të përmendim emra, por historia vendosi atë në piedestalin e
madhnueshëm. Pa asnjë dilemë e ekuivok. Kësisoj Kaçorri është i papërsëritshëm
si personazh historik. Në personin e tij ishin përbashkuar e mishëruara:
prelati i lartë kishtar, qendrestari i pashoq i Pavarësisë, misionari i
diturisë e kombëtarisë, flamurmbajtësi i Atdheut, njeriu i besuar i diplomacisë
perëndimore për të bërë shtetin shqiptar.
Nga
treshja kryesuese e qeverisë së 1012-ës, emrat e dy prej saj, Ismail Qemalit
dhe Luigj Gurakuqit i mbajnë dy universitete, përkatësisht i Vlorës dhe i
Shkodrës, kurse emrin e Dom Nikollë Kaçorrit një shkollë e mesme durrsake. Një
shpërfillje sado e vogël shihet dhe këtu. Nuk themi se dhe emrin e Imzot Kaçorrit
duhet ta mbajë doemos një universitet, por natyrisht një institucion i
rëndësishëm shtetëror, kombëtar po. Doemos është shkruar për Dom Nikollë
Kaçorrin në këto tridhjetë vjet, janë botuar disa monografi kushtuar figurës së
tij, prej disa vitesh eshtrat e tij janë tërhequr nga Vjena dhe prehen në
kishën e Shën Luçisë në Durrës, emrin e tij e hasim në rrugë qytetesh të mëdha
dhe fshatrash të vegjël. Kisha katolike i ka bërë nderimet e saj. Shoqata të
ndryshme përpiqën gjithashtu të bëjnë diçka rreth personalitetit të tij. Por në
këtë rast, pyetja që bëhet është çfarë ka bërë shteti posaçërisht për një
burrështetas të vetin. Nuk jemi ne që e bëjmë për herë të parë këtë pyetje.
Shteti ka përgjegjësinë e krijimit institucinalisht të panteonit.
Nëse
institucionet tona akademike, në radhë të parë ato, nuk janë “bindur” ende se
ç’përfaqëson një figurë e tillë madhore, atëherë pa droje mund të themi se ato
shohin mes dritës dhe hijes, ashtu si dje, jo se figura të tilla kanë hije nga
pas. Rasti i paprecedentë i mospritjes së eshtrave të Tij në Rinas sipas një
protokolli shtetëror të merituar, tregon pikërisht këtë qendrim të papërgjegjëm
qeveritar, që u bënë përpjekje për ta korrigjuar disi gjatë një meshe më pas në
Durrës. Por dhe sot e kësaj dite duke na munguar Memoriali i tij, si firmëtar i
Pavarësisë dhe njëri nga të paktët themelues të shtetit shqiptar.
Post scriptum. Ka qenë viti 1974 kur ne gjimnazistët e Rrëshenit na dërguan në fshatin Mërkurth për një javë në aksion për të shkulur patate. Një buzëmbrëmje, bashkë me dy mësues tanët, morëm udhën për në fshatin Krejë Lurë ngjitur, të ftuar nga një shok yni i shkollës, i shtëpisë së Rajtës. Fushën e Krejës (Kreut) e përshkuam nëpër shi. Atë natë mbaj mend se u fol jo pak për Dom Nikollë Kaçorrin. “Orën” më të mirë të mësimit rreth kësaj figure pata fatin ta përjetoja në vendlindjen e tij, ku më bëhet se në varrezat e fshatit ishte dhe një “varr kushtimi” i Dom Nikollit, që kishte ndërruar jetë në Vjenë dhe ishte varrosur atje. Tirana zyrtare askohe ishte gjysmëmemece sa i takon figurës së këtij burrështetasi, vendlindja jo. Më vonë firmën e tij si sekretar i Argjipeshkvisë së Durrësit e Tiranës, bashkë me vulën përkatëse, do ta hasja në rregjistrat kishtarë arkivorë të famullive të Rrëshenit, Kthellës, Selitës, Lurës etj., që vareshin nga ajo Ipeshkvi. Na vitin 2012, pak ditë pasi qenë sjellë eshtrat e Emzotit nga Austria, në kishën e Shan Luçisë në Durrës na pati pritur Monsinjor Damian Kurti gjithë venerim. Ishte një ndjesi e veçantë, që më kujtonte vajtjen herët si “pelegrin” në tempullin e fëmijërisë së tij...