Kulturë
Viron Kona: Në atmosferën e 1 Qershorit
E diele, 02.06.2024, 06:55 PM
Mes
fëmijëve, Vimmberb, Suedi, 2011
Në
atmosferën e 1 Qershorit
Nga
Viron KONA
Prindërit
duan që Bubulinoja të bëhet i famshëm
Bubulinoja gjashtëvjeçar, së bashku me të dy
prindërit po shëtisnin nga parku i
liqenit. Ishte një ditë e bukur
marsi dhe sipërfaqja e liqenit shndriste nga rrezet e
diellit. Tufa patash dhe rosash notonin qetësisht dhe herë - herë kridheshin në ujë për të
kërkuar ushqim. Zogj të shumtë fluturonin në ajrin e pastër, duke gjallëruar me
cicërimat e tyre hapësirën mbi liqen dhe pyllin që po vishej me gjelbërim. Mes
shkurreve shfaqeshin të freskëta, të verdha dhe plot aromë mimozat, lulet e
para të pranverës. Vogëlushi shkëputej nga duart e të dy prindërve dhe vraponte
andej-këndej si një zog i vogël, që i gëzohej natyrës, diellit, ajrit të
pastër, gjelbërimit dhe flladit që frynte nga kodrat përreth.
Ndërkaq të dy prindërit bisedonin për vogëlushin e
tyre të dashur dhe për të ardhmen e tij.
-Muaji mars që ka lindur biri ynë, - po i thoshte
babi i Bubulinos bashkëshortes, - është jo vetëm muaji i ardhjes së pranverës
dhe i përtëritjes së natyrës, por edhe muaji i lindjes së shumë njerëzve të
mëdhenj e të famshëm.
-Marsi mua më bën më shumë të lumtur, sepse në këtë
muaj ka lindur djali ynë, - tha mami i Bubulinos, duke i hedhur një vështrim
plot dashuri vogëlushit çapkën, i cili ato çaste po vraponte pas një tufe
fluturash.
-Edhe ti,
edhe unë e kemi marsin muaj të shënuar, - i tha babi i Bubulinos
bashkëshortes, - por këto dita lexova në internet se ata që kanë lindur në këtë
muaj, kanë disa karakteristika dhe cilësi të vyera
-M`i trego edhe mua, – i tha me kureshtje
bashkëshortja.
-Po, ja, lexova se ata që kanë
lindur në mars janë me kurajë, pa vese, të sinqertë dhe shumë të suksesshëm.
Ata janë origjinalë, kanë ide
interesante, si dhe aftësi krijuese për
poezi dhe muzikë, por ata kanë dhe një imagjinatë të jashtëzakonshme, madje
dikush shkruante se “muaji mars është muaji i
ëndërrimtarëve dhe i heronjve”.
-Qenka
interesant dhe fatndjellës marsi! - tha mami i Bubulinos e mikluar dhe vijoi: -
Mua më duket se të gjitha cilësitë që ti burrë i dashur përmende, i shoh si në
pasqyrë edhe te vogëlushi ynë. Ja shikoje, ka disa minuta që po vrapon pas fluturave
dhe nuk u ndahet asnjë çast, duket sikur do që t`u bashkohet atyre në fluturim.
-Shikoje
dhe vështrimin e tij ëndërrimtar drejt
zogjve që fluturojnë në qiellin e kaltër
apo ulen nëpër drurët e parkut, - tha babi i Bubulinos. - Duket se ai po dëgjon
me vëmendje cicërimat e zogjve, mënyrën sesi ata komunikojnë me njëri-tjetrin! Shikoje
sesi ai ndjek fluturimin e tyre të lirë. Kurse tani po qëndron pranë një dege
mimoze me lule të verdha. Unë e di që mimozat
janë lulet e para të pranverës, por shprehin edhe liri, ndjeshmëri,
bukuri dhe gëzim, cilësi këto që harmonizohen me cilësitë e vyera të vogëlushit
tonë. Ja, tashmë ai po i vëren ato lule si një studiues i vërtetë, si të ishte
vetë “princi i botanistëve”, Karl Lineu.
-Ke të drejtë, - i tha mami i
Bubulinos, - pak minuta më parë, e vura re tek po ngrinte gjithë kujdes e
delikatesë nga toka një filiz bime të shkelur nga këmba e ndonjë njeriu të
pakujdesshëm, kurse këto çaste vogëlushi ynë po vëzhgon me interesim
shkencëtari rosat dhe patat që kridhen në
thellësi të liqenit për të kapur peshq.
-Aman, aman, pa shiko me sa
natyrshmëri po i afrohen dy qen të vegjël dhe një mace. Po i vijnë rrotull, si
të duan t`i kërkojnë shoqëri, teksa ai tregohet kaq i butë, i dashur dhe
miqësor, madje i gostit me biskota dhe i përkëdhel me kujdes e dashuri...
E dua akulloren aq të madhe, sa
ajo të mos mbarohet asnjëherë
Mami dhe babi i Bubulinos
bisedonin me entuziazëm dhe dashuri për vogëlushin e tyre, duke mos i ndarë për
asnjë çast vështrimin dhe duke komentuar të ngazëllyer çdo veprim të tij. Në
ato çaste, vogëlushi kishte përqendruar vështrimin te një kioskë lëvizëse, që e
shtynte një burrë, i cili thërriste: Akullore! Blini akullore! Kemi akullore me
krem karamele, me luleshtrydhe, me krem
kakao, me qershi, me ananas...Ndërkaq, shitësi me kioskën me akullore, ndaloi
pranë tyre. Vogëlushi erdhi vrap te kioska dhe po shihte me lakmi akulloret.
-Bubulino,
si e do akulloren? - e pyeti babi.
-Me
luleshtrydhe, po të madhe, o ba!
-Akulloret njëlloj janë nga madhësia, - i tha mami duke bërë buzën në gaz.
-Unë
e dua ndryshe, ajo të jetë aq të madhe, sa të ngjitem me shkallë deri lart dhe
sado që unë të ha, ajo të mos mbarohet asnjëherë! - tha vogëlushi pa e hequr
për asnjë çast shikimin nga kupat e
mëdha e të mbushura me akullore shumëngjyrëshe.
-Po
mirë, o Bubulino, - deshi të bënte pakëz humor babai, - ta zëmë se ne e
porositëm atë akullore aq të madhe, por
ajo nuk do të qëndrojë në këmbë, sepse
fundi i kaushit është i hollë dhe pjesa tjetër vjen duke u ngritur. Ai
kaush aq i lartë, do të bjerë në tokë dhe ti do të mbetesh pa e ngrënë
akulloren, - i tha babi duke qeshur.
Vogëlushi
heshti vetëm një çast dhe i tha:
-Kaushin
e madh me akullore do ta mbash ti, o ba, që ai të mos bjerë derisa unë të
mbaroj të gjithë akulloren.
Babi,
mami dhe shitësi qeshën dhe shumë shpejt vogëlushi nisi të lëpinte me qejf e
kënaqësi dy akullore të mëdha, një me luleshtrydhe dhe tjetrën me kremkakao,
ndërkohë që shoqëronte me vështrim kioskën e akulloreve.
-Dua
edhe një akullore tjetër, por me krem
karamele, pastaj, o ba, një me qershi, pastaj...
-Do
që të shëtisim, apo do që të qëndrojmë këtu tek akulloret? - vërejti mami. -
Duket se ti, Bubulino ende nuk e di se ngrënia e shumë akulloreve të sëmur nga
grykët dhe atëherë ne do të detyrohemi të shkojmë në ambulancën e lagjes të
marrim mjekim.
-Mirë,
sot nuk do të kërkoj akullore të tjera. Po këto që kam në duar do t`i ha, - tha
vogëlushi duke vijuar të lëpijë, herë njërën akullore dhe herë tjetrën.
Prindërit
duan që Bubulinoja të bëhet i famshëm
Ndërsa
shëtisnin, babi i tha Bubulinos:
-Ne
po bisedojmë për ty dhe për të ardhmen tënde. Po i thosha mamit se ti je me fat që ke lindur në muajin mars,
pasi shumë njerëz që kanë lindur në
muajin mars, janë bërë të famshëm. Do që të dish emrat e disave prej tyre?
-Po,
- tha vogëlushi.
-Në
muajin mars, - u përgjigj babi i Bubulinos, -
ka lindur Ameriko Vespuçi, një lundërtar i famshëm, emrin e të cilit sot
e mban Amerika. Ka lindur Juri Gagarini, i cili u bë njeriu i parë që
udhëtoi në hapësirën përreth tokës me
një satelit artificial. Në
muajin mars ka lindur fizikani dhe shkencëtari i madh Albert Ajnshtajni, ka
lindur skulptori me famë botërore Mikelanxhelo, ka lindur piktori Vincent van Gog. -Në muajin mars, - vijoi
mami, - kanë lindur edhe shkrimtarë dhe muzikantë të mëdhenj. Unë dhe babi,
besojmë që edhe ty Bubulino të pëlqen të bëhesh si ata njerëz të famshëm, por ti mund të bëhesh edhe kozmonaut, që të fluturosh me raketë si
Armstrongu, i cili është njeriu i parë që shkeli në Hënë. Apo të lundrosh me
anije në dete dhe në oqeane si Kolombi dhe Magelani, të bëhesh piktor i famshëm
si Leonardo da Vinçi, muzikant si Bethoveni, shkrimtar si Shekspiri,
matematikan si Gausi, botanist si Lineu, bamirës si Nënë Tereza, futbollist si
Maradona...
Mami
dhe babi, herë njëri dhe herë tjetri,
përmendnin pareshtur emra njerëzish të famshëm, kurse Bubulinoja po u
jepte fund akulloreve dhe vijonte të mos e hiqte vështrimin nga kioska, që
tashmë po humbiste diku në fund të rrugës.
-Si
thua Bubulino, ke dëshirë të bëhesh njeri i madh dhe i famshëm si ata që ne
përmendëm?
Bubulinoja
ka një dëshirë tjetër
Bubulinoja
gëlltiti çfarë kishte mbetur nga dy akulloret, pa mamin dhe babin në sy dhe iu
përgjigj:
-Unë
kam një dëshirë tjetër, ta them apo të mos ta them?
-Thuaje,
o bir, thuaje dëshirën tënde! - e nxitën
thuajse me një zë mami dhe babi.
-Unë
e them, por e di që ju do të mërziteni kur ta dëgjoni.
-Ti
thuaje njëherë dëshirën, Bubulino, thuaje, ne prandaj të pyetëm. Të dy
prindërit po vrisnin mendjen të gjenin se ç ‘dëshirë fshihte në kokë vogëlushi i tyre i shtrenjtë. Duket do kishte
në mendje ndonjë emër tjetër të famshëm, që prindërit ende nuk e kishin
përmendur. Ata dinin plot raste që
Bubulinoja kishte qenë befasues në përgjigjet e tij. Kujtuan se një ditë, një
mik i familjes, duke dashur të dinte se sa i zoti ishte Bubulinoja në
matematikë, e kishte pyetur: “Ta zëmë Bubulino se ti ke një kokërr mollë dhe
atë ta mora unë, sa kokrra të mbetën ty?” Dhe, ndërsa miku i familjes dhe të
gjithë në shtëpi prisnin me kureshtje përgjigjen e Bubulinos, ai e kishte parë
mikun me sy të përshkënditur nga zemërimi dhe i kishte thënë: “Pse ma more
mollën ti, ore!” Edhe në kopsht kishte ndodhur një episod i ngjashëm. Edukatorja
kishte pyetur fëmijët për kuptimet që kishin emrat e shtatë ditëve të javës.
Fëmijët ishin përgjigjur njëri pas tjetrit. Kur i kishte ardhur radha
Bubulinos, edukatorja e kishte pyetur: “Bubulino, çfarë kuptimi kanë dita e
shtunë dhe dita e diel?” Bubulinoja, ngaqë nuk e dinte përgjigjen, i kishte
thënë: “Edukatore, e shtuna dhe e diela
janë pushim!”
Këto
kujtonin të dy prindërit, pa ia ndarë vështrimin vogëlushit, por dhe vazhdonin
të prisnin me kureshtje e ankth përgjigjen e tij. Ndërkohë Bubulinoja nisi të
përgjigjej:
-Unë,
dua që të bëhem…
-Ambasador!
– e ndërpreu babi i bindur se e gjeti përgjigjen përpara se vogëlushi ta
shprehte.
-Jo,
o ba, jo ambasador!
-Aktor
i madh si Aleksandër Moisiu, - u hodh e tha mami dhe vijoi: -Më duket se e
gjeta, Bubulino, apo jo?
-Jo,
o ma, jo, nuk e gjete! - tha vogëlushi.
-E
po na i thuaj atë përgjigje, o Bubulino, mos na mundo më, - i tha babi.
-Ju,
mos më ndërprisni, më lini t’jua them, - u shpreh vogëlushi.
-Nuk
të ndërpresim, por na e thuaj shpejt se na plase! – i tha babi.
-Shitës
akulloresh! - u përgjigj shkurt Bubulinoja.
-Çfarë?!
- sigurisht të dy prindërit nuk e dëgjuan mirë përgjigjen e vogëlushit. Apo
jo?!
-Unë,
o ma dhe ba, - përsëriti Bubulinoja, - dua që të bëhem shitës akulloresh.
Të
dy prindërit kishin shtangur pa e besuar dot atë dëshirë, që po u dukej fare e
pa vlerë dhe e çuditshme.
-Pse
paske kaq shumë dëshirë të bëhesh shitës akulloresh? - e pyeti mami.
-E
po, ky i përkëdheluri ynë do që të bëhet shitës akulloresh, sepse nuk do që të
mësojë, - vërejti babi i mërzitur.
-Jo
se s`dua të mësoj, o ba, por ju më pyetët dhe unë ju përgjigja se çfarë
dëshiroja. Akulloret mua më pëlqejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Në qoftë
se unë bëhem shitës akulloresh, mund të
ha akullore sa të dua gjithë ditën dhe gjithë natën dhe nga të gjitha llojet.
Edhe juve nuk do t`ju mërzit, duke ju kërkuar vazhdimisht të më blini akullore,
por edhe do të kem miq gjithë kalamajtë e lagjes, madje do të jem i rëndësishëm
përpara tyre. Gjithë ditën ata do të përmendin emrin tim: “Bubulinoja shet
akullore të shkëlqyera!” “Po vjen Bubulinoja me akullore!” “Eh, sikur të ishim
edhe ne si Bubulinoja!” Sa herë që fëmijët do të kujtojnë akulloret, do të përmendin
emrin tim. Kështu, unë do të plotësoj, jo vetëm dëshirën time, por edhe
dëshirën tuaj që të bëhem i famshëm.