E shtune, 21.12.2024, 12:01 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Jeton, po po, jeton, basi Luk Kaçaj

E premte, 31.05.2024, 06:59 PM


Jeton, po  po, jeton, basi

LUK  KAÇAJ

100 Vjetë të pafund per Luk Kaçaj...

Nga Fritz RADOVANI

Kangtari i madh Luk Kaçaj do të kujtohet gjithmonë në 100 vjetorët që asht le, sepse zani i Tij asht i perjetëshem per të gjithë ata, që e kanë ndigjue tue këndue kjoftë edhe vetem njëherë në jeten e vet në skenë!

Njëditë nade heret në Bajzë të Kastratit ushtuen armët e Malësorve tonë dhe lajmuen se u shtuen ata male me një djalë: Asht lé atje Luk Kaçaj!

E oxhakët e atyne Maleve lajmojnë per Ty o Lukë, se u shtue një pushkë që, nder shekuj, do të kujtohet gjithmonë per zanin e Tij Burrnor!

E pranë furrave plakat vazhdonin me shtrue sofrat me bukë të ngrohët: Hajde bujrum, urdhnoni “Mirse Ju ka prue Zoti, urdhnoni Buk’ e krypë e Zemer!”, bash ashtu si nder Shekuj pritej e percillej Miku nder ato male që ishin ndera e Atdheut! E burrat shkrepshin gotat e tyne si asht zakoni.

Ishte viti 1924, me 24 Shkurt, në Bajzë të Kastratit të Malsisë së Madhe, kur u le Lukë Kaçaj. Luka porsa mori mend ju kushtue Urdhnit Fretenve të Vogjel, dhe shkoi me vazhdue shkollen e Tyne “Illyricum” në Gjuhadol të Shkodres, ku spikati zani i Tij. i pakrahasueshem per bukuri e forcë.

Muzikanti At Martin Gjoka ishte i pari që dalloi talentin e rij dhe i tregoi rrugen artistit të madh me të cilen Ai mbeti nder Shekuj i paharrueshem. Atje në Liceun “Illyricum” Luka, atëherë kur Mjeshtri i Madh i muzikës At Martini i vuni në ballë djaloshit Bajzës, shenjen e perjetshme t’ artistit t’ panjoftun e t’ pashoq, gati kjo s’besohej nga askush n’ Trojet tona.

Luka më ka tregue me gojen e Tij, sesi kur po permbytej Shqipnia nga stuhia e komunizmi, në vitin 1945 – 46 ishte: “At Mati Prennushi Ai që thrret në Kuvend të Gjuhadolit baben e Lukës dhe i thotë: “Koha sa vjen e po bahet ma e rrezikshme si per xhakoj ashtusi per ne, prandej, merre Luken në shtëpi, sikur ai nuk do me ndejë ma këtu dhe mundou me i dhanë rrugen e muzikës, mbasi ka mundsi që Liceu i ynë, të mbyllet nga komunistët e të mos hapet kurrma. Kjo këshillë e At Matisë dhanë babës sim, më shpetoi nga arrestimi i sigurtë që në vitin 1946. Gjithmonë e kam kujtue At Matinë me mirnjohje dhe respekt të veçantë si shpetimtarin tim.” (Dëshmi gojore e të Nderuemit Lukë Kaçaj, në Shkoder, 1996).

Luka u ndihmue prej kompozitorit Kristo Kona, tue e angazhue Luken me korin e Filarmonisë. Luka fillon punen në Filarmoni. Sjellja e Lukës prej qytetari me njohuni si pak kush të disa gjuhëve të hueja, italisht, latinisht, greqisht e në mënyrë të persosun gjuhen Shqipe në vitin 1951, i hapë rrugen Atij per studime jashta shteti në Moskë, në konservatorin “P.I.Çajkovski” në B.S., ku Luka paraqitet në konkurs e porsa perfundon së kënduemi, Drejtori i Konservatorit asht çue në kambë tue thirrë: “Otliçno! (shkelqyeshem)” Nuk do të vonojë kur Prof. Shaporin tha: “Ky bas asht një Shaljapin i ri, Shaljapini Shqiptar!” Luka i befasoi si artist i madh të gjithë. Ai ishte interpretues në disa gjuhë, tue mësue atje edhe rusishten, frengjishten dhe gjermanishten. Në një turne në shtetet “demokratike” të Europës Lindore, Luka kishte një repertor të gjanë mbi 100 pjesë në 5 gjuhë të hueja dhe i duertrokitun nga e gjithë Europa!

Në 1966 emnohet pedagog i kantos në Institutin e Naltë të Arteve dhe jep kontributin e tij me vlerë në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve.

Po, nuk shkon gjatë. Po në vitin 1966 - 67, ndryshoi gjithshka, në kuadrin e “Revolucionit Kultural”dhe Luken e largojnë nga skenat! Luka filloi me mendue: “Mos vallë, ky asht fundi im!?” Kjo ju ngul në kokë Lukës. Parandjente até që do të ngjiste me 28 Maji 1973,kur sigurimi i shtetit do ti vente hekrat Lukës në prani të studentave dhe pedagogëve, në hollin e Akademisë së Arteve të Bukura, me etiketen e njohun të “rrezikshmërisë shoqërore, dhe në emër të popullit arrestohet si armik i tij.”

Lukë Kaçaj, djali Fisnik i Bajzës së Kastratit, asht para xhelatëve shpifës e terroristë, kur Nana Tone me lot perfaqe i lutej “trupit gjykues” per djalin e pafajshem të vetin, por dënimi i tij asht i pashmangshem. Luka u dënue me 5 vjet heqje lirie.

“Revolucioni Kultural” antinjerzor e burgosi artistin LUK KAÇAJ.

Luk Kaçaj ishte “armik i popullit” se kishte recitue nga vargjet e At Gjergj Fishtes, mësuesit të vet, që nuk i kishte “harrue asnjëherë” qyshë i ri.

Luk Kaçaj vazhdonte me i ra në gjuhen e Tij Gegënishte “Lahutës së Malësisë”, të cilen, e adhuroi dhe e dashunoi deri në vdekje. Ana, zonja e Tij e nderueme nuk mungoi as nder telat rrethues me gjema të kampeve.

Ajo u mundue nder rrethana shumë të vështira ekonomike me i dergue dishka ushqimore, mbasi ishte pa asnjë burim ekonomik dhe pa punë.

Luka u lirue nga burgu i “vogel” në vitin 1978. Vazhdoi me punue në burgun e madh me gjithë popullin e vujtun shqiptar, disa vite hamall tek Pazari i Ri në Tiranë. Ndoshta kjo asht shumë e pabesueshme sot!

Në vitin 1988, e bukra Ana, që nuk kishte kursye me shitë edhe “gjakun e vet” per me mbajtë gjallë burrin besnik të saj në burg, Ajo mbylli vuejtjet e jetes e mbeshtetun per gjoksin e basit të njohun në Botë, me sytë e Saj të bukur të ngulun te Luka! Gjithshka sa vinte e mekej drejtë Pafundsisë!

Luka jetonte i vetem edhe pse merzia e madhe Ate e kishte pushtue shpirtnisht. Gjendja shndetsore e Lukës nuk u kuptue gati asnjëherë.

Ai e mbante veten! Ndoshta nder të paktit njerzë që e kuptoi gjendjen e Tij ishte një nga nxanësit e Tij kangtari Loro Sata, që jo vetem i rrinte pranë, po edhe mujti me depertuue thellë në Shpirtin e vuejtun të Lukës, Mësuesit të vet të Nderuem! Loro Sata dallohej per edukaten e Tij.

Loron e kam njohë afer dhe në librin e Tij per Luken, besoj ka shkrue ate shka pak kush kishte mujtë me i lanë të shkrueme shqiptarve per Luken.

Tek libri i Loros ka vlerë të madhe vertetësia dhe korrektesa e Loros! Nuk do të persëris asnjë fjalë nga libri i të Nderuemit Loro Sata, mbasi kam frikë se ndonjë “mizë” do të më njollosin foton e paster të Lukës!

Me 7 Shtator 2001, Luka nuk këndoi kurrma!

Komunizmi kerkoi me e varrosë “hamall” të Madhin Lukë Kaçaj, basin e njohun nga të gjitha skenat europjane e botnore që, e dishruen praninë e artistit Luk Kaçaj në shtetet e veta.

Ne njohim një brilant të muzikës Shqiptare që nuk i vjen kurrma Asaj!

Ai ishte i madhi artist, basi Lukë Kaçaj,

Ka shumë që po punojnë me i harrue Këta Figura të mëdhaja! Gabojnë!

Ai asht një Portret i Pavdekshem plot Dritë, Dije e Mirsi!

Sot, na vetem nderojmë kujtimet e Lukës!

Ai jeton, po po, jeton e do të jetojë nder Shekuj, se asht një brilant shumë i çmueshem i Popullit Shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe, i atyne kangve të bukra e t’ ambla të Nanës Tereze, që Shqiptarët sot Ata i këndojnë vetem me ”Lahuten e Malësisë” së Mësuesit të Luk Kaçaj!

Per Ty po flas në këte skaj të Botës o i Madhi e i Pavdekshmi Luk Kaçaj,

O kangtari i Madh i Shqipnisë sonë të vogel!

Malet, Shkodra e gjithë Shqipnia, do të kujtojnë gjithmonë o Luk Kaçaj!

Melbourne, 31 Maji 2024.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora