E premte, 27.12.2024, 07:29 PM (GMT)

Kulturë

Llesh Ndoj: Poezisë dhe artit në përgjithësi, i rri ngusht çdo kostum

E shtune, 25.05.2024, 06:56 PM


Poezisë  dhe artit në përgjithësi,

i rri ngusht çdo kostum…

NGA LLESH NDOJ - POET

Rrjedha e jetës nuk dihet se nga të mban e kurrë, nuk mund të thuash kurrë! Personalisht, gjatë periudhës shkollore ndjeja lehtësi në matematikë, në biologji, në lëndët shkencore përgjithësisht, ndërkohë që gjuhën e letërsinë i doja, por më dukeshin të lodhshme.

Modestisht e them, sot jam autor i 20 veprave, shumica janë libra me poezi. Mes dhjetra e qindra prej tyre, besoj se ka diçka që vlen, sigurisht pa pretenduar majat.

Nejse... tjetër është qëllimi i këtyre pak radhëve.

Më ka rënë rasti të marr pjesë në disa promovime e diskutime të veprave letrare të autorëve të ndryshëm me shumë kënaqësi dhe me vetëdije kam kuptuar se diçka mund të mësoj prej tyre, por në disa raste edhe jam zhgënjyer. Shumica e folësve e analizojnë pa e lexuar veprën së cilës i referohet aktiviteti, bile dikush edhe e deklaron këtë me krenari, pastaj nis e “bën kritikë” për strukturen e librit, menyrën e të shkruarit, kategorinë e llojin e tij, për madhësinë e strofës, gjatësinë e vargut, rimën e përdorur e të tjera gjera, duke tjerrë teori letërsie pafund.

Unë mendoj ndryshe! Arti është shpirtëror, ai lind nga shpirti dhe synon të ndikoje në gjendjen shpirtërore të lexuesit. Nëse e arrin këtë, është art, nëse nxit edhe qëndrime etike e estetike dhe edukative tek ai, është i arrirë. Ç’kuptim ka të marrësh kompasin e të nisësh “matjet”, a thua ke me i vendos krijuesit në prove, sa e ka realizuar normën, për t’a vlerësuar me pikë, si dikurë në ish - kooperativat bujqësore. Pak më shumë se në gjinitë e tjera, kjo vërehet më tepër në poezi. Për mendimin tim, nuk lind poezia (as vepra e artit përgjithësisht) mbi bazën e normave të shkencës letrare, përkundrazi: teoria e letërsisë lindi mbi bazën e studimit të saj dhe pasurohet krahas saj. Duke patur vlera shpirtërore, ajo (letërsia - arti) është shumëformësh e gjithnjë një hap përpara, ndërsa teoria mbi të duhet t’a ndjekë, të pasurohet e zhvillohet, natyrisht edhe duke ndikuar mbi të. Por artistët, jo doemos duhet t’a njohin teorinë mbi artin që të jenë të tillë. Nuk është qëllimi im, as mundësia, që të mohoj rolin e shkollave artistike në zhvillimin e artit. Breza të tërë artistësh janë formuar në këto shkolla, duke realizuar hope cilësore në artet respektive. Por jo të gjithë ata që studjojnë letërsi, bëhen shkrimtarë, poetë apo kritikë. Shumica bëhen thjesht mësues në lëminë e tyre, as sta që studjonë muzikë nuk bëhen të gjithë muzikantë. Më së shumtit mësojnë një vegël muzikore, ose japin mësim në kolegjet përkatëse, jo të gjithë ata që studjojnë artet figurative bëhen piktorë apo skulptorë. Mund të rrjeshtoja pafund të tillë, ndërkohë që nuk di sa e ka njohur teorinë mbi artin poetik Fishta, por poezia e tij qëndron në piedestal, apo Ndue Shyti s’besoj të ketë njohur teorinë e muzikës, por arti i tij është i papërsëritshëm, këngëtarët e polifonisë labe hedhin “tuç” çdo teori muzikologjie etj. Artisti krijon, jep shpirtin e tij, e nëse gjen qoftë edhe një “shpirt” që ndjen emocion e ndryshim të gjendjes shpirtërore, është në misionin e tij.

Emrin vendosjani si të doni….

Me kujtohet një ngjarje reale:

Një burrë mesomoshë, udhëton nga Fani i Mirditës për në Shpalë, duke bërë rrugën rreth 5 orë në këmbë. Cfilitet në pritje derisa merr rracionin e drithit dhe me të në kurriz merr udhën e kthimit. E zë nata në Bisakë (fshati i parë në Fanë) dhe futet tek dikush për të bujt. E presin si s’ka më mire. Veç ushqimeve të tjera, e zonja e shtëpisë kishte gatuar edhe laknurë (fli). Udhëtari, i lodhur e i uritur, hëngri laknurin, ndoshta pak si me turr, e ata të pranishmit nisën të pyesnin njëri - tjetrin: - Si i thoni ju këtij ushqimi? Dikush thoshte fli, dikush tjetër laknur, dikush… Udhëtarit, pasi hengri mirë e mirë, i erdhi radha t’i përgjigjej pyetjes:

- Po ju, or filani, si i thoni laknur, apo fli?

- Besa, as keshtu e as ashtu! Na i themi knaq!

***

Edhe arti në vetvete ka mision kryesor të knaqë njerëzit, të pasurojë botën e tyre shpirtërore, duke ndikuar sa mundet pozitivisht tek ata, e jo t’u përgjigjet “normave” që sado të qepura bukur, i rrinë ngusht atij!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora