Kulturë
Ndue Dedaj: Triptik politiko-ironik
E premte, 24.05.2024, 06:53 PM
Triptik politiko-ironik
NGA
NDUE DEDAJ
1. (MOS) TA RRITËT ZOTI
PUSHTEDEN
Një
ndër urimet, që me gjasë zë fill me shekullin XX, është “Ta rritët Zoti
pushteden”, që në gjuhën letrare do të thotë pushtetin. Kjo ishte në atë kohë
kur pushteti i shqiptarëve ishte në fillimet dhe ishte normale t’ia uroje
dikujt edhe pushtetin, postin, karrierën shtetërore, natyrisht dhe atë
politike. Ne e kemi hasur tek At Anton Harapi, duke bërë fjalë për vitin 1918
në Shkodër. Por zor që kjo shprehje të këtë qenë aktive në kohën e regjimit
komunist, pasi njerëzit nuk mund t’ia uronin pushtetin dikujt që me anë të
pushtetit nesër do t’iu kërcente në qafë. Mund të jetë rikthyer si shprehje në
fillimet e demokracisë, por me siguri më vonë askush nuk ia ka uruar pushtetin
dikujt, pasi përmes të pushtetit ai dikushi do ta vidhte vendçe!...
Prandaj
sot e gjithë ditën është aktuale e kundërta e saj: “Mos ta rritët Zoti
pushtetin!”
2. TELEVIZIONET SI
“KARUSEL” I POLITIKËS
Duket
se media televizive e mbrëmjes, në rreth dhjetë emisione debatesh e opinionesh
në javë, nuk ka një agjendë të veten, por vetëm t’i përgjigjet “flakë për
flakë” politikës së ditës, një sëmundje e së kaluarës. Bën ndonjë xhiro
Kryeministri, brenda ose jashtë vendit, lëshon ndonjë nga ato të tijat dhe
mediat në darkë komentojnë për tre orë rreth asaj që ishte dhe s’ishte, duhej
apo s’duhej, shkurt e lagu s’e lagu. Sigurisht agjenda e kreut të qeverisë ka
raste që prodhon lajm, por jo përditë e përnatë. Sa për kryebashkiakun e
Tiranës, dihet që ai s’rron dot pa kamerat, por si duket as kamerat pa atë. Të
vetmet kamera që ai kurrë nuk do t’i kishte dashur janë ato që japin protestat
e opozitës para godinës së Bashkisë që drejton. Apo, sa herë që kreu i PD - së
del në foltorën e shtëpisë, do të ketë dhe kronika televizive apo emision live.
I teket kryetarit tjetër të PD-së të mbajë një fjalim për një orë, mediat
informative e japin të gjithin, edhe se ai pas tri ditësh do të mbajë prapë po
atë fjalim! Po ashtu, edhe kur presidenti i partisë së tretë ka për të bërë
deklaratën e radhës kundër SPAK-ut, mediat janë aty.
Ku
me gjetë kamera dhe mikrofona që të vijnë prapa, edhe kur nuk ke asgjë për të
thënë.
3. SI MOS ME QENË “SHOK
PARTIE”
Në
vitet ’80 isha mësues fshati dhe kaloja vazhdimisht nga miniera, ku ishte
qendra e punës, posta, dyqanet etj. Sekretari i organizatës së Partisë të
njërit nga sektorët e nëntokës, një minator me shkollë nate, më ndalonte herë
pas here në “koenfìdencë” dhe më thoshte se para se t’i dërgoja shkrimet në
gazetë, duhet t’i shihte Partia, dmth ai. I thosha se dhe atje ku i çoja
artikujt kishte Parti, kështu që nuk ishte e nevojshme, por ai ngulmonte: “Puna
asht që dhe ti të jesh shok Partie si ne”.
Nuk
do të isha kujtuar për këtë detaj, nëse... dreqi ta marrë, kanë kaluar dyzet
vite e prapë nuk na ndahen tutorët ideologjikë vullnetarë, që kërkojnë të
shkruajmë si “shok Partie”, mirëpo me keqardhje këtë kërkesë të tyre nuk
mundemi me e plotësue, as majtas e as djathtas. Pa merak, nuk ua heqin veshin
në organizatë nëse nuk mbani qëndrim ndaj nesh, që nuk përçojmë vijën e partisë
në shkrimet tona, pasi jemi në demokraci!
Nuk
ka asnjë te keqe që ju nuk rroni dot pa qenë “shokë Partie”, por ky është
problemi juaj e jo yni! S’keni ç’bëni, jemi të dënuar të biem dakord, për të
mos qenë dakord!...