| E enjte, 23.05.2024, 07:00 PM |
Torollepsur bukur
Nga
Edison Ypi
Turista
nga Bota që nisen për Tepelenë dhe falë mrekullive tona përfundojnë të
torollepsur bukur në Kukës, ose nisen për Theth dhe përfundojnë të torollepsur
bukur në Tomorr, të tillë gjen në çdo shesh, në çdo kryqëzim.
Por
më të torollepsur bukur se ata që ngatërrojnë qytetet, janë ata që bëjnë lëmsh
shtetet.
Niset
spanjolli, për shembull, nga Anglia për në Rusi, qëndron pak në Shqipëri,
torollepset bukur, dhe ja ther tatëpjetë, përfundon në Turqi.
Për
shkak të torollepsjes bukur bëjnë lesh arapi edhe kontinentet. Si bëri Kolombi
i torollepsur nga suksesi kur Amerika iu duk Azi.
Ka
dhe nga ata që për shkak të torollepsjes bukur ngatërrojnë galaktikat. Është
nisur suedezi apo japonezi apo australiani, për te e Andromedës, kalon nëpër
Shqipëri, torollepset bukur nga Shkodra apo Berati apo Gjirokastra, dhe
përfundon te Rruga e Qumështit.
Para
pak ditësh një hordë me turista shumkombësh hëngrën tav dheje te një restorant
prapa dajtit. Pasi mbaruan, sesi u ndjenë, si më të fortë, si më të bukur, si
më të torollepsur. Duke mos ditur si ta shpenzonin energjinë e tavës së dhesë,
ikën përpjetë, te Kroi i Kuq, ku është një krua dhe një kryqëzim katër rrugësh.
Një
të arritur te kroi dhe kryqëzimi, një francez që kishte shqyrtuar me imtësi
hartat, relievin dhe natyrën e atyre nahieve, me një nervozizëm të dukshëm
tipik për të torollepsurit bukur, një të marrë një shkop në dorë, vajti në mes
të kryqëzimit. Të gjithë heshtën. Dëgjohej vetëm shushurima e Kroit.
-Krahasur
me këtë kryqëzim madhështor, nisi të thotë francezi i torollepsur bukur dhe i
armatosur me shkop druri, rotondat tona që ne për çoç i mbajmë, janë qesharake.
Në këtë drejtim, pra në veri, vazhdoi francezi me shkop në dorë, rruga të çon
te një çudi gjeologjike botërore, te Mali me Gropa.
Në
lindje, Bizë, Martanesh, Fush Studë etj. për t'i bërë sa më të bukur Zoti i ka
çarë malet me sqepar.
Në
jug, pasi kalon nëpër ca pyje dhe liqene prrallore, del në Labinot.
Ky
krua, përfundoi francezi i torollepsur bukur, e ka ujin më të mirë se çdo
birrë, dhe...nuk arriti të mbarojë, se nga torollepsja e bukur dhe intensive u
alivanos, rrëzua. Mezi e sollën në vete dhe e ngritën duke ja lagur ballin me
ujin e Kroit.
Një
anglez udhëtar i krisur u nis më këmbë Kodovjat e përpjetë. Kaloi rrënqethjet
estetike Kukur, Rovie, Kishtë, që e torollepsën goxha bukur. Në majë të malit
busulla ngeci, GPS nuk punonte, rrethepërqark askush, vetëm era dhe cicërrima
zogjsh. Kishte arritur në mes të kurrkundit. U torolleps i tëri. Nisën t'i
dridhen gjunjët. Kolona e kurrizit sa s'ju dërrmua. Vertebrat sa s'iu shkoqën.
Pas pak e mori veten. Ja theri Bishnicë e tatëpjetë nëpër katundet e Mokrës.
Provoi një për një ujin e disa krojeve. Desh u çmend. Njëri më dehës se tjetri.
Sa të kthehem, tha me vete, do futem në qilar do thyej krejt shampanjat qindra
vjeçare të koleksionit të stërgjyshit mbi tre milionë dollarë. Do vi do blej sa
të bëjnë disa kronj në Mokër. Do ngre restorante, pa birra, pa verëra, vetëm me
ujë të krojeve të Mokrës.
Në
Berat, qytetin më të magjishëm të botës, turistat e torollepsur bukur e kanë
bërë udhë: zhdëpen përposhtë, ikin pa paguar me vrap lart në Kala shtrihen mbi
kalldrëmet e freskët derisa të vijnë në vete nga stërngopja me mish e pilaf,
bukuria, torollepsja dhe zemërgjërësia e pronarëve të restorantave të cilëve në
këto raste u mjafton publiciteti i kronikave.
Gjithë
ditën e gjithë jetën nëpër zyra dhe fabrika, një ushtri me të torollepsur nga
të gjitha vendet e botës duke folur një babylon gjuhësh po kalon nëpër Luginën
e Vjosës duke vrarë mendjen si mund të tingëllojë "Peshkatarët e
perlave" po tu shtosh ison gjeniale vajtimtare të këtyre anëve.
Ca
të tjerë të torollepsur bukur nga tingujt e lahutës, kanë vendosur pjesën e
mbetur të jetës ta kalojnë në Tropojë.
Torollepsja
turistike labe po bën kërrdinë nga Vlora në Tepelenë. Turista nga gjith bota,
me kokat përpjetë, duart nga qielli, sytë me lot, pyesin njëritjetrin: Çfarë
vendi është ky o Zot ? Si ka mundësi, nga bregu i detit prejku veza piqet nën
diell, deri te majat me dëborë, nuk është më larg se 1 orë ?
Torollepsja
bukur, në dallim nga budallallepsja bukur që është krejt tjetër gjë, bën mirë
për shëndetin po aq sa dhe për pamjen e jashtëme të cilën e përmirëson dukshëm.
I torollepsuri bukur, përveçse ka shëndet për t'ja pasur zili, gëzon edhe një
surrat më simetrik, hundë të rregullt, buzë të puthëshme, veshë të
ridimensionuar, kokë me qoshe të rrumbullakuara, flokë që nuk bien as në
pleqërinë e thellë e të tjera e të tjera. Aq e vërtetë është kjo, sa kur i
torollepsuri bukur kur kthehet në vendin e vet, duket tjetër njeri, nuk e
besojnë që është po ai Antonio, Alan, Keneth, Richard, Rodrigo, që u nis për
turizëm në Shqipëri.
Turistave
të torollepsur po u flet një shqiptar:
-Kot
i paskemi bërë gjithato luftra, heroizma, dëshmorë, mite, legjenda, rapsoda,
lahuta, çiftelira duke u mburrur se jemi të pamposhtur, duam njëritjetrin, kemi
mbrojtur Atdheun nga armiku. Paskan qënë të gjitha rrena.
Jemi
vrarë e prerë kot. Hidhini të gjitha në zjarr. Paska qënë e thjeshtë. Mjaftoka
të hapësh portat. Të hyni e të dilni, të hani e të pini, të punoni e fitoni.
Ejani zini vendin e budalljve që ikin. Asnjë humbje. As për ju as për ne. Vetëm
fitim. Për ju dhe për ne. Kush s'e kupton është budalla. Ky vend me shenjtorë
që çpojnë shkëmbin me gishta për të dalë uji, si eksodet fatkeqe dhe
torollepsjet e bukura i ka biblike, sidomos gjëja që më tepër i plak është e
qeshura kot, nuk meriton të vuajë më gjatë. Zjarri i Xhehenemit i djegtë e i
shkrumboftë ata që s'e pranojnë këtë të mirë që e ideoi dhe e realizoi Sari
Salltiku. Ndizni qirinjtë, fenerët, llampadarët. Festoni. Mishi Tomorr. Rakia
Osum. Gjak e dhjam.