Kulturë
Hamza Halabaku: Kur kungulli blihet për bostan
E marte, 21.05.2024, 06:54 PM
KUR KUNGULLI BLIHET PËR BOSTAN (SHALQI)
Tregim
humoristik nga Hamza Halabaku
Shpendi
dhe Drita ishin sëbashku një kohë të gjatë. Kishin krijuar familje të gjerë.
Trashëgimtarët e tyre ishin rritur e orientuar mirë. Të gjithë pasardhësit e
tyre jetonin të pavarur. Edhe pse nuk jetonin nën të njëjtin kulm, pasardhësit
e këtij qifti, nuk ishin larg tyre. Shpendi e Drita edhe pse kishin bërë një
moshë nuk kishin fare nevojë që dikush të kujdesej për ta. Ndiheshin ende të
fortë si fizikisht po ashtu edhe materialisht.!
Megjithatë,
pasardhësit asnjëherë nuk e linin pa i vizituar prindërit e tyre, të paktën, dy
tri herë gjatë javës. Kur i vizitonin, asnjëherë, nuk u shkonin duarthatë!
Ndihmat, që çdo njëri prej tyre, ua sillte kohë pas kohe, nuk ishin aq të
mëdha, por Shpendi e Drita ndiheshin mirë që fëmijët nuk i harronin edhe pse
nuk kishin fare nevojë për tu ndihmuar materialisht.
-I
kemi gjitha të mirat, o lum nëna për juve! - u thoshte Drita, përherë, kur ata
e vizitonin. Nuk keni nevojë të brengoseni për neve, mjafton që po na vizitoni.
Përveç mallit që na merr për juve për tjetër gjë nuk kemi fare nevojë. Ju pastë
nëna!
Në
verën e saj të gjashtëdhjetë, pak pasi kishin festuar me tërë familjen këtë
ditëlindje si jubilare, Drita nuk po ndihej mirë.
-Nuk
e di, po, kam një etje të papërshkrueshme! Jam shumë optimiste dhe besoj që do
të më kaloj shpejt, por më ka lodh. Është pak moti i nxehtë dhe ndoshta kjo
ndjenjë imja, më vjen nga ky mot kaq i
nxehtë. Kjo nxehtësi është e rëndë dhe e
padurueshme për mua! Ndoshta është nga mosha... I kishte folur, një ditë, Drita të shoqit.
Shpendi
e kishte dëgjuar me kujdes dhe e kishte porositur që të ikte sa më shumë nga
rrezet e diellit dhe të qëndronte nën hijet e pemëve që i kishin me bollëk në
truallin e tyre, dhe ishte nisur në punët e veta.
Ajo
kishte disa ditë që nuk po ndihej mirë...!
Shpendi
që merrej me kultivimin e perimeve në kopshtin e tij që ishte në bregun e majtë
të lumit Morava e Binçit, Ishte ndër kopshtarët më të mirë të Moravës së
Epërme! Për ta vërtetuar, respektivisht, për ti bindur bashkëbiseduesit se
ishte ndër kopshtarët më të mirë, ai shpesh e tregonte Mirënjohjen të cilën ia
kishte dhënë Drejtoria e Bujqësisë së komunës ku jetonte.
Me
që ishte ditë tregu në qytet, Shpendi herët në mëngjes, kishte përgatitur ca
perime të freskëta nga kopshti i tij për ti qitur në treg. Me të hollat që i
fitonte nga shitja e perimeve të tija të hershme e të freskëta, përherë blinte
gjërat e nevojshme për familjen.
Perimet
e radhitura e të ndara veç e veç nëpër koritat e plastikës, i kishte vendosur
në qerren që e tërhiqte gjoku i tij jo shumë i fuqishëm po, me shumë sukses i
kryente punët për të cilat kishte nevojë familja e Shpendit.
Pak
para se Shpendi të dilte nga oborri i shtëpisë, me qerren e tij, Drita kishte
dalë në krye të shkallëve në katin e parë të shtëpisë. Të lutem, Shpendi im i
mirë, i kishte folur me zërin e saj të ëmbël e lutës, ma blej një bostan se mu
dogj shpirti nga etja. Vazhdimisht jam përpjekur që etjen ta shuaj me ujë, por
etja nuk më shuhet, se nuk më shuhet dot! Ndoshta një shalqi i freskët do të ma
shuaj këtë etje e cila që nga mbrëmë nuk më hiqet se nuk më hiqet assesi!
I
shoqi i Dritës, duke i mbyllur dyert e oborrit, i premtoj Dritës se do t’ ia
blej shalqirin që e porositi ajo. Qëndro, si të dish e si të mundësh, deri sa
të kthehem, pasdite se do ta kesh në tryezë shalqirin e porositur, i tha të
shoqes dhe u nisë për në treg...
Në
afërsi të Shpendit, një tregtarë tjetër, sikur Shpendi, po shiste shalqinj të
rrumbullakët e laraman, pjepër, po, kishte edhe e perime të tjera dhe me gjasë
edhe kunguj ...
Pasi,
Shpendi i kishte shitur të mirat e veta, ishte ofruar te shitësi i shalqinjve
dhe perimeve të tjera dhe e kishte pyetur për çmimin.
Pasi
i kishte treguar për çmimin, shitësi i shalqinjve, Shpendi e kishte lutur që
t’ia peshonte, por tani kishte treguar me gishtin tregues një kokërr, kinse të
shalqirit, duke i thënë ma mat këtë të lutem!
Shitësi
e kishte peshuar atë në terezinë e vet dhe Shpendi pasi kishte paguar paratë,
mallin e blerë, e kishte vendosur në qerren e tij.
Me
një përshëndetje “mirupafshim” në ditën tjetër të tregut, secili kishte
vazhduar punën e vet!
Shpendi
ishte nisur për në shtëpinë e tij me qerren dhe kalin e vet, jo edhe aq të
fortë, po shumë të vyeshëm.
Kur
ishte mbërri në shtëpi Drita si zakonisht e kishte pritur me fjalët më të mira.
“Mirë se erdhe i miri im”! E Shpendi ishte përgjigjur me “mirë se të gjeta o e
mira e shtëpisë tonë”! Bostanin e porositur e ke në qerre, nëse nuk mund ta
bartësh deri te kuzhina, sapo ta rehatoj kalin, ta sjellë unë!
Drita
ishte nisur drejt qerres dhe e kishte parë se në qerre nuk kishte shalqi, por
ishte një kungull me ngjyrën sikur shalqinjtë laraman!
-
Po çka ke bërë kështu more i miri im! Po ky qenka kungull o i dashuri im i
mirë!
Të
lutem Drita, unë e kam blerë dhe e kam paguar për shalqi e pse ka dal kungull
nuk është ky faji im...