Faleminderit
Ndue Dedaj: Marie Tuci, e Lumja në Përjetësi
E hene, 20.05.2024, 07:00 PM
MARIE TUCI, E LUMJA NË PËRJETËSI
NGA
NDUE DEDAJ
Marie
Tuci, e vetmja grua në 38 martirët e kishës katolike në Shqipëri, ishte aq e re
për të pasur një biografi me shumë fjalë, por po e krijonte atë dita - ditës,
nëse nuk do t’ia këpusnin pemën e jetës bash kur kishte nisur lulëzimin.
Përpiqemi të përfytyrojmë fëmijërinë e saj, në Mirditë, sigurisht si e të
gjithë moshatarëve, derisa në trurin e saj të fekste një dritë e të ndizej një
shkëndijë naltësuese. Ishte lindur në Ndërfushaz, buzë Fanit të Vogël, më 12
mars 1928, në kullën e përmendur të Mark Tucit, të Derës së Gjomarkajve,
trungut të Preng Bib Dodës, Princit të Mirditës, një nga figurat e rëndësishme
politike shqiptare me fund tragjik. Sado të kalojnë kohët, fëmijëria dhe rinia
e njeriut gjithnjë “fërshfërijnë” në gjurmët dhe hapat e parë që ai hedh në
jetë, pa e ditur se cili do të jetë fati i tij...
Familja, nga Mali i
Shenjtë në “Oroshin e Poshtëm”
Para
tre shekujsh, si shumë familje të tjera oroshiane, të parët e Maries kishin
zbritur nga bjeshkët e Oroshit në zonën e ulët fushore, përkufi me Rrëshenin,
duke u shtrirë nga Ndërfushazi e Qafë - Molla në Bukmirë, Livadhëz, Qurkëz e
Shpërdhazë, që thirreshin “Oroshi i Poshtëm”. Në anën veriore, aty ku ky areal
oroshas takohej me Kaçinarin, një kodër jo fort e naltë do të quhej “Maja e
Lleshit të Zi”. Nuk është e rastit që në anën e tejshme të Fanit të Vogël,
kapidani legjendar Lleshi i Zi pati ndërtuar një kanal vaditës, “Vijën e
Madhe”, që në Mirditë do të ishte vepra e dytë ujore arkitektonike, pas
Ujësjellësit antik të Domgjonit. Ky ishte kompensimi i oroshasve të zbritur nga
Mali i Shenjtë për ndërfanorët vendalinj, që u kishin bërë hise në miranë e
tyre.
Në
vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përmendet Kapidan Marka Tuci i
Ndërfushazit, si një ndër figurat kryesore të Mirditës në atë kohë, i cili në
vitin 1880 mori pjesë në luftën për mbojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës
nga sulmet malazeze. Portreti i tij, ashtu si i luftëtarëve të tjerë mirditas,
del në një foto të “Marubit” të atij moti. I ati i Marie Tucit, Nikollë Mark
Tuci dhe i vëllai Zef Mark Tuci ishin bijtë e Kapidan Mark Tucit.
Kur
Marie Tuci erdhi në jetë, Mirdita, siç del nga shkrimet dhe monografitë e
autorëve Zef Mark Harapi, Dom Nikollë Kimza, Dom Prend Suli, Stavri Frashëri
etj., ende nuk kishte dalë nga “izolomi” i shekujve, mungonte infrastruktura,
si rrugët automoblistike, telefonia, energjia elektrike etj. Shkollat gjithsesi
ishin të pakta. Shërbimi shëndetësor i papërfillshëm në raport me nevojat që
kishin banorët. Bujqësia ishte e kufizuar në kulturat që mbillte, si misri,
fasulja etj. Tregtia ishte në një shkallë të ulët, me pak dyqane të tregtarëve
shkodranë e krutanë. Industria e bakrit sapo kishte filluar me sipërmarrës
italianë. Rrjedhimisht, kushtet e jetesës ishin të pakta. Krahina, ndër më të
përmendurat e botës shqiptare, krenohej me historinë qendrestare ndaj
pushtuesve ndër shekuj, ndërkohë që epopeja e saj e qendresës do të vazhdonte
dhe përgjatë shekullit XX, mishëruar në figura të papërsëritshme si ajo e të
Lumes Marie Tuci.
Djepi
që përkundi fëmijërinë e saj ishte një kullë, një zallnajë dhe një pyll lisi
midis Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël. Në trollin ku ajo lindi janë aq të
pakta kujtimet, ngaqë të moshuarit nuk rrojnë më. Qenë tre fëmijë të një votre,
një vëlla dhe dy motra, që do t’i përpinte revolucioni ideologjik, lufta e
klasave, përsekucioni gjysmëshekullor. Ndokund, gabimisht, është shkruar se ata
ishin katër.
Dy pisha në Ndërfushaz,
të mbjella nga Marie Tuci dhe e motra Liza
Si
për ta bërë më të prekshëm rrëfimin tonë për Marie Tucin kemi ardhur në
vendlindjen e saj në Ndërfushas. Jemi bashkë me Bardhok Filopatin, nip
Gjomarkajsh, nëna e të cilit Tereza na pati rrëfyer vite më parë ndodhi nga
jeta e “Sarajeve” të Kapidanit në Orosh, si dhe për kushërirat e saja, Davidën
e Marien. Në oborr na pret nipi i Marie Tucit, Zefi, avokat, i cili na rrëfen
për kullën, që tashti është përshtatur si vilë moderne. Kanë qenë dy kulla
bashkë, trekatshe, ndërtuar nga mjeshtrit gollobordas nga fundi i shekullit
XIX, në një “vit zije” buke. Kullën e Marka Tucit e pati marrë në përdorim
kooperativa, siç bëri dhe tjetërkund qeveria me shtëpitë e kulakëve dhe
“reaksionarëve”, duke ua hequr të zotëve për një kohë të gjatë. Poshtë në breg
të Fanit ishte “Mulliri i Gjomarkajve”, ku vinin nga ana e anës për të bluar mistrin.
Ajo
që të mbetet në mendje janë dy pisha, që motrat Marie dhe Lizë kishin shkulur
në Ndërshenë (Orosh) dhe i kishin mbjellë në zabelin e lisit afër shtëpisë. Ato
dy pisha që i kanë mbijetuar kohës janë drurët më të lartë e më të vjetër aty,
si një kujtim i rrallë i një kohe të shkuar. Dy pisha që janë bërë të mëdha si
në bjeshkë, edhe pse toka aty nuk është e përshtatshme për këtë dru pyjor.
Ngjajnë si dy pisha amanet!... Si dy gjymtyrë të blertë që zgjatën në kohë për
kah pavdekësia. Maria nuk do të mund t’i shihte më, kurse Liza, e martuar në
familjen Gega të bajraktarit të Kryezezit, sa herë vinte në derën prindërore,
ndalonte një çast e përlotur nën kurorën e tyre. Lisnaja përreth pishave ka
krijuar një oaz të bukur, çlodhës e meditativ, por që mund të zvillatej paksa
për t’u bërë pishat më të dukshme për vizitorët që duan ta prekin disi
realitetin në të cilin kaloi fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e Lumja Marie
Tuci.
Nuk
është e rastit historia e shtegtimit të drurëve të bekuar, si dy ultinjtë e
kishës antike të Oroshit në Nënshejt etj.
Ndërkohë
biseda me Zefin nuk mund të mos rrokë selinë e Gjomarkajve në Shkodër, me
kullën karakteristike të projektuar nga Kol Idromeno, ku kemi qenë disa herë
dhe kurrë nuk mund t’i harrojmë portretet fisnike të mohikanëve të fundit të
saj, fëmijëve të Kapidan Gjonit: Dedë Gjomarkajt, motrave të tij Martes dhe
Bardhes, që e kishin shkrirë jetën në burgje politike e internime, si dhe të
Gjonit që u shua shpejt, më 2003, duke lënë pas gruas e tij të fisme Gjildën, që
u bë pjesë e kësaj familje të shquar, duke u kujdesuar aq shumë për të
moshuarit e saj të shumëvuajtur.
Kryqëzimi prej “Jezusi”
i mësueses në mesin e shekullit XX
Kemi
marrë një dëshmi të tërthortë rreth arrestimit të Marie Tucit, që publikohet
për herë të parë. Frrok Gjoka, 80 - vjeçar, nga Ndërfushazi, kujton: “Më 1964
isha ushtar shofer në Pogradec. Një ditë, njëri nga rezervisitët, B. L., që
kryente zborin në repartin tonë, më tha: Kam qenë ushtar me Forcat e Ndjekjes
në Rrëshen, kur një grup prej 5 - 6 vetash, kemi arrestue një mësuese, që quhej
Marie Tuci. Kishte një kullë të madhe. Kur thirrëm në oborr, doli e ëma. Ishte
një grua si burrë. Është filanka këtu? pyetëm. Na e nxirr se do ta marrim me
vete. Hajde e pini një kafe, sa të bëhet gati, tha ajo. Nuk hymë se kishim
frikë mos na hidhte ndonjë granatë. Mësuesja e re doli e veshur allafranga. E
kemi marrë pa e lidhur derisa kemi kaluar oborrin. U zbathëm të gjithë për të
kaluar lumin e Fanit. Ajo ishte e lidhur dhe përpiqej të mos i lagej fustani.
Ishte më shumë kulturë. E lamë te një kullë në kodër, ku ishte komanda. Nuk kam
dëgjuar më se çfarë u bë me të”. Ngjarja ishte e freskët për ish-ushtarin e
Ndjekjes, pasi kishin kaluar vetëm 14 vjet. Ishte jo larg “Manit të Lalë
Ndreut” në qytet, që mirditorët ia dinë mirë historinë e kobshme.
Ku
ta kërkojmë dhe si ta rindërtojmë portretin e saj fisnik? Te buzëqeshja e
menduar që na vjen nga ato pak fotografi që kemi? Fytyrën e saj të hijshme e
shpërfytyruan në dhomat e hetuesisë dhe qelinë numër 13 të ish-burgut të
Shkodrës. Një qeli me një dritare të verbër, si një sy katallani. Torturat ndaj
Maries ishin të përbindëshme. I duhej përkulur karakteri e gjunjëzuar krenaria.
Ky ishte kryqëzim në mesin e shekullit XX. Ku e gjen forcën që nuk dorëzohet,
pyesnin veten gjeneralët “ponspilatë” të Punëve të Brendshme, që orë e çast
kryenin punë të zeza mbi njerëzit e fesë, nacionalistët etj. Për herë të parë
në historinë tonë femra ishte shndërruar në pré e përgjakshme e sadistëve me
uniformë shtetërore. “Toger Baba” kishte kryer mizori të pashembullta në
Mirditë dhe Zadrimë, duke dhunuar burra e gra, përfshi dhe një murgeshë në
Zadrimë. Disa dëshmi jetësore e të dhëna biografike rreth jetës së martires
Marie i gjejmë në librin “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë Martirë”, përgatitur
nga At Leonardo Di Pinto dhe botuar nga Argjipeshkvia Shkodër – Pult më 2016,
ku bien në sy sidomos kujtimet e të motrës, Lizës, dy vite më e vogël se Maria,
e cila e përshkruan me detaje fëmijërinë e tyre të përbashkët në fshatin e lindjes.
Ajo kujton se Maria “në gishtin e dorës së djathtë mbante një unazë me fytyrën
e Zojës, ndaj së cilës ishte shumë e devotshme”. Ishte rritur në një familje
katolike, ku praktikoheshin rregullisht uratët, rruzarja, lutjet. Edhe pse
fshati nuk kishte kishë, sa shkonte ora 12, të moshuarit kujtojnë se Maria
dilte në derën e kullës dhe bënte kryq. Me siguri që atë çast i dëgjonte
kumbonët zemra e saj.
Ishin
aq të rralla vajzat që asokohe dilnin nga kulla e tyre për të shkuar në
shkollë, mbase vetëm pak që mësonin për t’u bërë murgesha. Maria e kishte pasur
këtë fat. Kishte mësuar në Kolegjin e Motrave Stigmatine në Shkodër që kur
ishte 12 vjeçe dhe më mbylljen e tij në vitin 1946 ajo kthehet në Mirditë. Ja
si e përshkruan jetën e saj ajo gjatë dëshmisë në hetuesi: “Në vjetin 1940 jam
shkëputun nga familja që banonte në katundin Ndërfushaz dhe kam ardhë në
Shkodër, për me vazhdue shkollën në vjetin e ardhshëm 1941. Kam kalue tri
klasat e para të fillores deri në fundin e 1943-it. Në vjetin ’44 jam futun në Normale,
ku kam mbarue klasën e parë e të dytë për nji vjet dhe kam vazhdue të tretën.
Jam largue nga shkolla në vjetin 1946 dhe jam kthye në shtëpi. Në mbarim të
dyzet e gjashtës e deri në prill të dyzet e shtatës kam drejtue punët e Rinisë
në fshat dhe në prill të dyzet e shtatës kam fillue si mësuese në fshatin
Gojan, ku kam qëndrue deri në prillin e dyzet e tetës. Në këtë kohë jam pushue
nga puna në arsim me motivacionin se familja jeme nuk kishte qëndrue mirë
politikisht. Prej asaj kohe e deri në gushtin e dyzet e nandës kam qëndrue
shtëpiake...” Maria ka shërbyer si mësuese për një vit dhe në Sang të Fanit.
Shtëpia e Marka Tucit kishte miq në të gjithë Mirditën, pra dhe në Gojan e
Sang, prandaj ajo banonte atje ku shërbente. Kanë qenë fatlumë ata vocrrakë
mirditas që i ka mësuar një vajzë e fisme, në një kohë kur të gjithë mësuesit
ishin burra që kishin kryer Konviktin e Oroshit, Pedagogjiken e Elbasanit,
Gjimnazin e Shkodrës etj. I nipi, Zef Mark Tuci, kujton: “Në vitet ’80 të
shekullit të kaluar punoja në gjeologji në Spaç, kur një ditë më drejtohet një
burrë nga Sangu: “Çfarë e ke pasë Marie Tucin?” “Hallë”. I thashë”. “Ëh, ka
qenë mësuesja ime. Çfarë mësuesje që ka qenë!...”
Kundër të Lumes Marie,
një proces politik kafkian
Marie
Tuci ishte njeriu i besimit e kishës dhe nuk lidhej me politikën. Hyjnorja
ishte prarimi i saj shpirtëror, ashtu si dhe e paraardhësës së saj, motrës
saleziane Marie Gjomarkaj, në gjurmët e së cilës po ecte. Për më tepër ajo
ishte formuar për gjashtë vite në Shkodër, një qytet me tradita të shquara në
rrafshin e kulturës dhe krishtërimit. Kundër saj u ngrit një akuzë e paqenë, u
zhvillua një proces tipik kafkian, ku njeriu i vënë nën akuzë, pavarësisht
mosfajsisë duhej të merrte patjetër dënimin kapital. Kështu dhe martirja jonë.
Ajo me ditë e me orë shtyhej nga regjimi drejt fundit të saj të pakthyeshëm.
Duhej mbyllur ajo gojë përgjithmonë. Nuk duhej t’i fliste kohës. Duhej
përçudnuar bukuria e saj fizike dhe shpirtërore. Ish - i dënuari politik i
Spaçit Gjetë Kadeli na dërgon në CD dosjen penale në ngarkim të Maries, që nuk
arrinë ta fajësojë dot atë me prova për bashkëpunim me grupet e rezistencës
antikomuniste, takime me të arratisurit në mal, strehim e furnizim me ushqim të
tyre, që duhet thënë se është akuza steriotipe ndaj të gjithë atyre që
arrestohen nga viti 1945 deri në vitin 1953. Dhe ku një akuzë e tillë absurde?
Në vendin e mikpritjes tradicionale, ku shtëpia ishte e Zotit dhe e (ar)mikut!
E megjithatë, në gusht të vitit 1949 e gjitha familja e saj goditet rëndshëm politikisht,
Maria vetë mbahet në në qeli për 14 muaj gjersa vdes, prindërit i internohen në
Tepelenë dhe për vdekjen e së bijës njoftohen thjeshtë me një telegram me dy
rreshta, i vëllai Marku dënohet me pushkatim, por me ndërhyrjen e një të
afërmeje me ndikim në pushtetin e kohës, Marte Bib Marku, i kthehet në 25 vite
burg politik. Zor të gjendet një emër për gjithë këtë tërbim të shtetit ndaj
njerëzish që nuk kishin kryer asnjë krim që mund të njihej si i tillë në
Europë, por që thjeshtë kanë refuzuar apo kundërshtuar komunizmin. Ndërsa
sistemi ishte vërbuar, njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët nuk e kishin
humbur vetëdijën dhe kodet morale të shqiptarit. Pas viteve 90 kemi shkuar në
Shkodër në shtëpinë e mbesës së Imzot Frano Gjinit, Rozinës, në shtëpinë e
motrës të Dom Nikollë Mazrekut, Maries, si dhe atë të studiuesit të vjetër
shkodran Kol Shtjefni, i cili na kishte folur për miqësinë e hershme që kishte
pasur me familjen e Mark Tucit, ku ishte kujdesur dhe për varrimin e Maries në
varret e Rrmajit.
Marie
Tuci ishte ëndërra e ndërprerë e ndryshimit dhe emancipimit social - kulturor
në trevën e saj, por jo e vetmja. Krahas saj përmendet dhe martirja tjetër,
Bardhe Krosi nga Kaçinari, që gjithashtu vdiq nga torturat shnjerzore në
burgjet komuniste, në vitin 1949, e akuzuar dhe ajo se kishte ndihmuar
nacionalistët e arratisur në male. Asokohe, ndonëse në Shkodër, Tiranë, Korçë
etj. kishte një elitë grash të botës së artit të rangut europian, si Tefta
Tashko Koço, Marie Kraja, Lola Gjoka etj., në përgjithësi zëri i vajzave
qytetare ishte i mbytur dhe motua e tyre ende ishte “Sikur të isha djalë”.
Kurse në Mirditë pati vajza dhe gra që u përfshinë në jetën publike, si mësuese
për zhdukjen e analfabetizmit, aksioniste në hekurudhat e para të vendit etj.
Vetëm nga Oroshi qenë tri gra arsimtare, kushërirat Marie Tuci e Davida
Gjomarkaj, si dhe Prena Përkola e të njëjtës derë me to. Por kjo qe njëherësh
dhe drama e tyre, pasi të gjitha ato, paçka frymëzimeve politike të ndryshme të
disave prej tyre, e paguan me jetë idealin e emancipimit shoqëror. Ato gra
ishin më përpara se koha në kapërcyell sistemesh politike, se shteti i
diktaturës së proletariatit, se familja patriarkale etj. “Fisheku në pajë” në
qindra vjet nuk kishte shkaktuar vrasje grash sa do të ndodhnin në këtë
periudhë.
Babai i Maries le amanet
ta fusnin në një varr me të bijën!
Zefi
thotë se historia e familjes së tij kishte qenë një plagë për shumë mote, ndaj
dhe nuk e kishte pyetur dhe aq të atin si për të mos e lënduar me kujtime të
trishta. “Gjyshi Nikollë Mark Tuci, ndonëse i pashkolluar vetë, i shkolloi dy
fëmijët e tij në shkollat më të mira të kohës, gjë qe do t’u kushtonte jetën me
hyrjen e regjimit komunist. Ai pas një burgosje për ndihmë ndaj forcave të Mark
Gjomarkut, vdiq në vitin 1956 në spital në Shkodër. Duke e ditur se familja
kishte mbetur në gra la amanet që ta varrosnin në varrin e Maries. Amaneti tij
u përmbush me ndihmën e Luigj Bardhokut (Shtija) nga Jezulli, me banim në
Shkodër, i cili ishte i afërm i gjyshit. Tregojnë se kryetari i Këshillit të
fshatit kishte nxjerrë tre ndërfushaxhinj për të pritur kufomën te Ura e Fanit,
me qëllim që ta varrosnin pa i bërë ceremoni. Ata pasi pritën deri në muzg u
kthyen dhe e njoftuan kryetarin se arkivoli nuk kishte ardhur. Ai e kishte
kuptuar ndaj kishte thënë: “E, mor Nikoll Marku, edhe i vdekur u tregove më i
mençur se ne...”
Mark
Tuci i ri kishte mësuar në Normalen e Elbasanit, por nuk e kishte ushtruar
asnjëherë mësuesinë. Ai kishte qenë shpallur kulak dhe ka vazhduar edhe pas
daljes nga burgu në vitin ’57 të paguante borxhin që ishte marrë nga familja
për të paguar detyrimin tatimor. Në vitin 1980, kur e arrestojnë për herë të
dytë për agjitacion e propagandë, hetuesit morën nga shtëpia çdo letër të
vjetër e dokument, ndër to dhe fotografi të Preng Bib Dodës etj. që kishin
shpëtuar deri atëherë pa u sekuestruar. Ndër reliktet e vjetra familjare Zefi
ruan dhe dy fotografi të rralla, një të Luçies, të shoqes së Prengë Pashës,
dalë me vëllain e Marie Tucit, Markun, asokohe fëmijë dhe gruan e axhës së saj,
Dilën e Zef Marka Tucit. Fotografia tjetër është mortore, bërë në Shkodër më
1956 dhe i përket të atit të Marie Tucit, ku te kryet i qëndrojnë tri gra të
shtëpisë së tij: e kunata Dila e Zef Mark Tucit më e vjetra, nusja e djalit
Luçia e Mark Tucit në mes dhe e bija Liza Tuci (Gega).
Në
Ndërfushas trajtoheshin si familje e deklasuar, pa asnjë të drejtë për t’u
zgjedhur, veç asaj për të votuar. Kur vdiq nëna e Maries, Dila Tuci (Fusha) më
1973 kulla ka qenë plot, pasi fshati mori pjesë në varrim, por u bë problem në
organizatën bazë të Partisë. Por fshati nuk mund të “gabonte” dy herë, prandaj
Dila e Zef Marka Tucit, që ndërroi jetë më 1981, u përcoll për në varreza veç
nga një grusht njerëzish të rrethit të afërm familjar, si Preng Nikoll Lleshi
etj.
Rrëshen, Sheshi “Marie
Tuci” para Katedrales
Marie
Tuc i shpresonte se do të mund t’i mbaronte mësimet fetare e të bëhej murgeshë
stigmatine, por kjo nuk ndodhi pasi Kolegji nuk u rihap. Kështu që ajo nuk
ishte një motër. U shua në moshë të re, pa u bërë e tillë, përpos se në shpirt
e në përshpirtni. Nuk e kishte shkuar asnjëherë ndërmend se do të bëhej
protagoniste e një kohe, aq më tepër simbol i qendresës njerëzore. Ajo ishte
një bijë e traditës, e mbrujtur me besimin në Zotin dhe i mjaftonte kjo. Por
ndoshta të gjithë ata që dëgjojnë thirrjen dhe vendosin t’i kushtohen kishës, e
shkojnë nëpër mend se një ditë mund të jenë dhe martirë, mbasi kjo është
historia e Krishtërimit, gjithë salvime. Maria ndërroi jetë më 24 tetor 1950,
në spitalin civil të Shkodrës, kur ishte veçse 22 vjeçe e gjysmë, por nuk u
shua. Shëmbëllesa e saj është në Motrat shqiptare dhe ato të kombësive e
kongregatave të ndryshme, që veprojnë mes nesh. Ato janë aty ku nuk janë të
tjerët. Pa kurrëfarë krenie. Misioni i tyre është i “padukshëm”. Kanë më shumë
se tridhjetë vjet në Rrëshen, Rubik, Fan, Perlat, Suç, motrat françeskane
italiane, motrat vinçensiane kosovare “Bijat e Dashurisë”, motrat e Nënë
Terezës, ashtu si motrat bamirëse gjermane të Fushë-Arrëzit etj.
Sheshi
para katedrales së Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës” prej disa
vitesh mban emrin “Marie Tuci”, ku njerëzit pushojnë dhe meditojnë për hirin e
martirizimit. Në hyrje të Katedrales, në ballinë, janë fotografitë e martirëve
të Abacisë së Mirditës, abati Frano Gjini, famullitari i Oroshit Dom Mark
Gjani, famullitari i Gëziqit Dom Jak Bushati dhe Marie Tuci. Jo thjeshtë për
kurreshtje, ajo kishte qenë pagëzuar në kishën e Gëziqit bash nga Dom Jaku, që
sot e ka në krah, i Lum dhe ai. Portreti i saj, ashtu si dhe ai Zojës Lurdë,
shfaqet dhe një kapele lutjesh në spitalin e Rrëshenit.
Jo
se është bërë si modë kjo puna e shtëpive muze, por në rastin e kësaj
martireje, një dhomë kujtesë në vendlindje do të ishte e nevojshme, pasi do t’i
kushtohej jo vetëm një individi të flijuar politikisht, por një familje fisnike
të zhbirë nga komunizmi. Zef Tuci thotë se kanë ardhur njëherë katër furgona me
pelegrinë nga Berati, që donin të njiheshin më vendlindjen e të Lumes Marie.
Njerëzit që do vijnë këtu nesër, pasnesër, përherë, me siguri do të thonë: Pamë
dhe prekëm “Pishën e Marie Tucit”. Si Pisha e Shën Françeskut...