Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Gjekmarkaj: Enigmat e zbuluara nga 'Rrugëtimi im'

| E hene, 20.05.2024, 06:48 PM |


Enigmat e zbuluara nga “Rrugëtimi im”. Fjala e një mjeshtri

Nga Agron Gjekmarkaj

Në çdo shëtitje në natyrë njeriu merr shumë më tepër se sa ai kërkon. Në Lezhë ajo e ka ndikuar njeriun për fat më shumë se ai atë. Mes malit dhe detit, fushës e lagunave, muzgjeve të përflakura të verës apo stuhive dimërore, secili individ në mënyrën e vet, flet me gjuhën e natyrës dhe të historisë. Piktorët me dhunti më të eperme, ku e ku më shumë. Pashk Përvathi e ka bërë me qindra vepra në telajo, së fundmi edhe me kujtimet sipas toposit “Rrugëtimi im”. Kjo e fundit (historia) me dy mijë vjet krishtërim, kishat e vjetra me afreske të shpërndara aty-këtu mbi kodra e bashtina si rojtare e pishtarë, ende flasin me njerzit dhe vendin.

Fillimi i rezistencës kundër otomanëve me ‘lidhjen’ e 2 Mars të vitit 1444  apo nostalgjia që jep ajo tokë e cila mbështolli heroin e amzës Gjergj Kastriotin-Skenderbeun në misterin e përjetshem në janarin e 1468, në atë kolanë po aq ‘koncili i Arbnit’ , ‘seminari i Troshanit’, Ati madh Gjergj Fishta, Ndre Mjeda i pazakonti, Frati i kujtimeve At Zef Pllumi, Kështjella mbi qytet e shumë tjetër,  shfaqen si fari në detin e gjërë për tu ankoruar në portin e lirisë, identitetit dhe të qytetërimit. Po arti çfarë është? Për të ka përkufizime pa fund! Ndër shumë syresh thuhet “iluzion i lirisë”. Ky iluzion me gjasë është vertitur mbi qiellin e Lezhës duke i bërë fëmijët pavetëdijshëm të ënderrojnë poezinë apo pikturën,  dhe ne të rriturit duke shpërndarë farën e saj iluzive kudo nëpër Shqipëri.  Vit pas viti Preç Zogaj, Pashk Përvathi, Rudolf Marku, Nikolin Ivanaj, Ndoc Gjetja, Agustin Shyti, Marash Mirashi, Ymer Metalia, Tonin Çobani, Mikel Paluca, Martin Luca, Alban Bala, Frano Kulli, Salvador Gjeçaj, Kujtim Dashi dhe Paulin Zefi i cili historinë ende e jeton, e shumë  e shumë të tjerë.

I shoh bashkë poetë e piktorë lezhjanë se piktura është poezia e heshtur dhe poezia piktura që flet.

Do e kisha më të lehtë ta filloja këtë shënim pët librin me kujtimet  e Pashk Përvathit, me stilemat e zakonshme siç në këto raste ndodh, por e ndjeva të pamundur sepse gjithë këto indicje, gjurmë e shënja të lartë përmendura kanë pjesën e vet pos talentit e punës,  shkollës e këmbënguljes në realizimin e autoportreti publik të mjeshtrit të madh që të gjithë njohim.

Nëse dikush më pyet mua, si e ka shkruar librin e jetës piktori Pashk Përvathi, e kam menjëherë përgjigjen. Bukur, të emocionon, mbetet vetvetja në të.

Aty është historia e gjithkujt që ka luftuar centimetër për centimetër për të dominuar rrethanat, për të përmbushur vetveten, të djalit nga Manatia që së pari kërkon mundësi për të çliruar talentin e vet i cili atij i jep famën dhe ne shijen e së bukurës.

Në fillim emrin ta venë prindërit pastaj bëhesh ti prindi i emrit tënd. Aty gjej historinë e personaliteteve  që më sipër shkrova! Aty gjej historinë time, ku të përbashkët kemi fuqinë për ti buzëqeshur jetës përtej një sistemi të thatë, varfërisë e periferisë.

Pashk Përvathi na ka pikturur të gjithëve dhe në kujtime na rrëfen se si e ka bërë qysh i vogël e deri më sot. Ai ka ëndërruar të pikturojë dhe tani pikturon ëndrrën e vet. Sot ai shfaqet, unik, si poeti i peisazhit, duke kataloguar gjeografinë e Shiperisë në raport me njeriun e shumë vende të botës.

Më ka nderuar duke më bërë pjesë të kujtimeve të veta siç ka bërë me shumë të tjerë të cilat jeta i ka perfshirë në kombinacionet e komunikimit njerëzor nga At Zef Pllumi tek Ismail Kadare, tek Sali Berisha e Edi Rama e të tjera spikama të universit të madh.

Në "rrugëtim e tij" një ditë befas hyra edhe unë dhe të dy bashkë u nisem për Shkoder në Kuvendin Françeskan nga ku u kthyem me portretin historik tashmë të At Zef Pllumit dhe kujtimin e një bisede të paharrueshme mes Fratit dhe Ismail Kadaresë, si koncentrat shekujsh e prognozë për ata që vinë. Më vonë nga ajo aromë temjani e tinguj lahute doli edhe portreti i Padër Gjergj Fishtës.

Në një përfundim me qiti “rrugëtimi im, ynë” i dhjetra djemve e vjazave të Lezhës e Shqipërisë se  “pak janë ata, të medhenj mjaftueshëm për të ndryshuar rrugën e historisë''.  Por ndonjëri prej nesh mund të ndryshojë një pjesë të vogël të gjërave, e më shumën e gjithë këtyre veprimeve, do të shkruhet historia e këtij brezi”. Pashku e ka bërë dhe po e bën! Rruga vazhdon. Të gjitha të çojnë tek e bukura !

https://www.facebook.com/profile.php?id=100069034779753