Mendime
Nikë Gashaj: Miratimi i Rezolutës një hap i rëndësishëm civilizues në luftën për të vërtetën dhe drejtësi
E diele, 19.05.2024, 06:55 PM
MIRATIMI I REZOLUTËS NJË HAP I RËNDËSISHËM CIVILIZUES NË LUFTËN PËR TË VËRTETËN DHE DREJTËSI
NGA
NIKË GASHAJ
Projekt
– rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, duhet të votohet në
Asamblenë e Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara, më 23 maj 2024. Krimi në
Srebrenicë u shpall gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Ai i referohet vrasjes së më shumë se 8.000 boshnjakëve, siç përcaktohet nga
vendimet e gjykatave ndërkombëtare, në korrik 1995, nga ushtria dhe policia e
Republikës Serbe. Lidhur me këtë, në përvjetorin e gjenocidit, Unioni Evropian
deklaroi se Srebrenica është një nga faqet më të errëta të historisë evropiane.
Propozuesit
oficiel të rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda, dhe sponzorët janë vende nga të
gjithë bota. Midis tyre janë vendet perëndimore më me ndikim dhe SHBA-së.
Vendet nga rajoni aplikuan gjithashtu për të sponsorizuar rezolutën e OKB-së
për gjenocidin në Srebrenicë: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina,
Shqipëra, Maqedonia e Veriut. Edhe pse 35 deputetë të Parlamentit të Malit të
Z, 84 OJQ dhe më se 100 intelektualë të shquar iu drejtuan me shkrim qeverisë
së Mali të Zi më një kërkesë për një vendim për të sponsorizuar rezolutën e
OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe vendet të tjera rajonale,
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se Mali i Zi nuk do të
sponzoroj Rezolutën e Kombëve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë, por do
ta mbështesë atë.
Në
ndërkohë, qeveria e Malit të Zi i ka përgatitur dhe dorëzuar propozuesëve të
rezolutës dy amendamente për rezolutë në fjalë. Në amendamentin e parë
thuhet:”Duke përsëritur se fajësia për krimin e gjenocidit është e
individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik,
fetar apo tjetër në tërësi”, ndërsa në amendamentin e dytë thuhet:”Rikonfirmimi
i paprekshmërisë së Marrëveshjes së përgjithshme kuadër për paqën në Bosnjë dhe
Hercegovinë në të gjitha dispozitat e saj”.
Mirëpo,
shumë ekspertë juridikë dhe politikë e kanë vlerësuar se ndërhyrja e qeverisë
së Malit të Zi ka qenë e panevojshme, sepse amendamentet janë të përfshira në
tekstin e rezolutës. Andaj edhe kryeministri Spajiq, e dinë atë, por qëllimi
tij është të riparojë dëmit politik në marrëdhëniet me Serbinë për shkak të
vendimit për të votuar për rezolut.
Gjithashtu,
subjekti tij politik “Evropa tani” është në një koalicion të gjerë të
shumicës parlamentare politike me parti
proserbe/proçetnike dhe proruse, si dhe me shumicën e partive shqiptare në Mal
të Zi. Pra të gjitha këto parti kanë gjetur një gjuhë dhe vlera të përbashkta
politike. Ajo është dhe e natyrshme, sa që janë në një koalicion, apo në një “përqafim”
të përbashkët politik. Prandaj, për fat të keq, partitë politike shqiptare kanë
hyrë në “Vallen çetnike dhe proruse” për shkak të karriges.
Kryeministrit,
Spajiq, amendamentet i shërbejnë si “ perde tymi” për të qetësuar tensionet
politike dhe për t’ua bërë më të lehtë partive të koalicionit që ta “përpijnë”
votimin e rezolutës. D.m.th. të konfirmojnë besnikërinë ndaj Presidentit të
Serbisë, Aleksadar Vuçiq dhe ideologjisë që ua mundësoi strukturës aktuale
politike që të vijë në pushetin shtetëror të Malit të Zi.
Pushteti
politik në Serbi ka kundershtuar prej vitesh miratimin e çdo rezolute që do ta
quante krimin në Srebrenicë gjenocid. Qeveritarët në Serbi edhe sot janë
fuqishëm kundër miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Andaj, Presidenti
i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka lobuar kundër miratimit të rezolutës për ditë të tëra në selinë e Kombëve të
Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk do ta pengojë miratimin e saj në Organizatën e
Kombëve të Bashkuara.
Ekzekutimi
i akteve gjenocidiale, kriminale,
antinjerëzore janë produkt i regjimeve politike diktatoriale shtetërore,
sikurse ka qenë regjimi politik i diktatorit Millosheviq. Në lidhje me krimet
gjenocidiale në Srebrenicë ekzistojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare të
formuara nga OKB-a. Prandaj, tëra shpjegimet të tjera janë irelevante dhe të pa
pranueshme në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë.
Antari
i Kryesisë së BeH-së, Denis Beqiroviq, para pak ditësh, në fjalimin e tij para
Kombëve të Bashkuara, theksoi: “Gjenocidi në Srebrenicë është vertetuar me
vendimet e gjykatave të OKB-së, si dhe me vendimet e gjykatave në BeH. Më
tutje, ai tha: “Në Srebrenicë 8.700 persona u vranë, duke përfshirë 563 fëmijë,
se 85 varreza masive u konfirmuan dhe se më shumë se 800 persona të zhdukur
janë ende duke i kërkuar. Më shumë se 2.500 pjestarë të ushtrisë/policisë morën
pjesë në gjenocid, se 79 persona u dënuan me 783 vite burg, me pesë burgime të
përjetshme.
Dr.
Zharko Koraq, profesor në pension i Fakultetit Filozofik në Beograd dhe
ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë, thotë: “Është një tronditje për pushtetin
politik serb që bota befas tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën. Megjithatë,
faktet historike nuk mund të ndryshohen, sepse në tre aktqykime të gjykatave
ndërkombëtare përmendet fjala gjenocid me një shpjegim të detajuar. Më tutje
profesori Koraq, shprehet: “Ata që “kërcejnë” më shumë kanë qenë në politikë
kur gjenocidi ka ndodhur. Mendimi im është se ata po e kundërshtojnë vetëm për
veten e tyre. Por, për fatë të keq, kjo politikë vazhdon edhe sot. Përfundimi
është se si ne e trajtojmë krimin e kryer në emrin tonë”.
Profesori
i njohur i së drejtës ndërkombëtare, akademiku Tibor Varadi, shprehet:”Për sa i
përket situatës juridike, vendimet e gjykatave ndërkombëtare janë të një
rëndësie kyçe dhe ato vendime janë marrë. Dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër
para nesh në botë, përpos asaj që e kanë vërtetuar gjykatat ndërkombëtare. Më
tutje konkludoi, se Gjykata e Tribunalit e ka konfirmuar se në Srebrenicë është
kryer gjenocid”.
Në
projekt-rezolutën, asnjë komb i vetëm nuk përmendet si fajtor për gjenocidin në
Srebrenicë. Por në projekt-rezolutën kërkohet të dënohet pa rezerva çdo mohim i
gjenocidit në Srebrenicë dhe të inkurajohen
anëtaret e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë
programe të përshtatshme përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të
parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen. Ai dënon gjithashtu
veprimet që lavdojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe
gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.
Rezoluta
e OKB-së do ta shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe
Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, të kryer në vitin 1995. Të gjithë ata
që kundërshtojnë miratimin e rezolutës të OKB-së për gjenodin në Srebrenicë po
përpiqen të mbrojnë politikën kriminale të luftës. Në fakt, është një përpjekje
për të ndaluar atë që nuk mund të ndalet – të vërtetën. Gjegjësisht, bëhet
fjalë për faktin se disa politikanë do të donin të justifikonin të kaluarën e
tyre politike.
Më
në fund, Jamë i bindur se Serbia ka kryer gjenocid dhe në Kosovë ku gjatë
luftës së viteve 1998-1999 kanë mbetur të vrarë rreth 13,500 persona, mijëra të
tjerë janë të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Muaji më i përgjakur ishte prilli i vitit 1999 me rreth 4 mijë viktima. E
gjithë kjo meriton një padi të Kosovës kundra Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare
të Drejtësisë. Mirëpo, për këtë ekziston një problem formal, pasi Kosova nuk
është anëtare e OKB-së. Por, juridikisht ekziston një mundësi, që padia në emër
të Kosovës të ngrihet në Gjykatën Ndërkombëtar të Drejtësisë përmes një vendi
të tretë, antare i OKB-së. Mirëpo, në
praktikë vështirë mund të supozohet se një palë e tretë do ta pranonte një rol të
tillë.