Mendime
Ndue Dedaj: 'Mallkimi' i fuqisë së Mujit
E marte, 07.05.2024, 06:58 PM
“MALLKIMI” I FUQISË SË MUJIT
(Varacion
satiriko-politik)
NGA
NDUE DEDAJ
1
Rrojmë
në një vend ku të gjithë bëjnë të fortin, cubin, horrin, në rrugë, në qeveri,
në familje, në skenë, në prapaskenë. Ministri i Brendshëm tha para pak ditësh
se gjatë katër muajve të parë të vitit janë raportuar në Polici 629 raste
dhune, që shpesh përfundojnë në vrasje, si ajo e dy të moshuarve në Dropull. Nga
bullizimi mes adoleshentësh te tritoli, që së fundi iu vu banesës së një
gjyqtari në Shkodër. Çfarë mund të presësh më shumë. E kemi “mallkim” forcën që
nga Muji i kreshnikëve, që ishte “çoban lopësh” dhe i tillë ka mbetur dhe sot
që nuk është më kreshnik e nuk ka zana që t’i japin “tamël gjiu”.
Rapsodia
e famshme thotë:
“A
don forcë, Mujo, me qindrue?
A
don luftë, Mujo, me luftue?
A
don gja, Mujo, a don mall?
A
don dije, Mujo, a don gjuhë?”
Edhe
pse zanat e pyesin “a don dije... a don gjuhë”, Muji lyp veç forcë me rrah
shokët, me ua kalue atyre, me i mund e me i koritë:
“Shpesh
po m’ngucin çobanija,
Shum
inad çobajt si më kanë,
Paj
me forcë me jau kalue un due”.
Ja
kështu përgjigjet Muji ynë legjendar, nuk don forcë me qëndrue e as me luftue,
nuk don gja e as don mall, nuk don me qenë i ditur, as njeri i gjuhës e i
fjalës, i duhet veç forcë me “ua kalue” çobanëve të tjerë... Edhe në kohë
moderne është po ai, idhnak, inatçor, i “papërkulur” në të veten. Ai e s’ka
tjetër. Tridhjetë vjet në llogore e istikam pa iu dridhur qërpiku. Kanë ikur
“kreshnikët” e “krajlive” të tjera, në Europë e Amerikë, pasi kanë qeverisur
një a dy mandate vendet e tyre, dhe sot rrojnë në paqe me veten, me kohën, me
historinë, pa u tunduar për të qendruar gjithë jetën maje kalit...
2
Kemi
një kryeministër që kërkon mandatin e katërt, pa dhënë llogari për tre mandadet
radhazi, dhe pse ministrat e tre qeverive të tij gjysma janë në burg e në SPAK.
Dhe pse drejtorët e bashkisë më të madhe të vendit, thënë ndryshe të “qeverisë”
së kryeqytetit janë pas hekurave dhe në shkallët e saj protesohet nga opozita,
madje me “molotov”. Kemi një lider legjendar të PD-së që thotë përnatë
“psallme” demokracie nga baxha e naltë e banesës së tij, pa u ndierë kurrë i
kryer në atë që ai e quan mision të tijin për demokracinë. Kemi një
ish-president republike që kërcënon përditë publikisht kreun e SPAK-ut dhe
ndëshkon pa dhimbtë armiqtë (familjarë) në Partinë e tij të Lirisë. Kemi një
kryetar tjetër PD-je, që vërtetë ka vulën e partisë, por për shumëkënd ai ka
“çelësat e kashtës”. Grushti është simboli ynë i djeshëm në totalitarizëm dhe
sot në demokraci. Edhe nëse në kohën e sotme nuk është më nëpër logo, shihet në
dhjetëra qëndrime e fjalime të liderëve politikë, është grusht dhe kur nuk
duket, është gisht që iu tundet të tjerëve, sepse kjo është psikologjia e
mbartur nga udhëheqësia shqiptare, që në jemi të epërmit. Të gjithë këta bëjnë
si të fortë, a thua se pa ta në fron ky vend nuk bën. Keni dëgjuar ndokund për
ndonjë dorëheqje? Jo, të fortit e politikës tek ne nuk e njohin këtë fjalë. Ata
sikur kanë lindur për të vdekur në politikë!
Kaos
politik gjithandej, dhe pse vetëm pas një viti kemi zgjedhjet e përgjithshme.
Pas 11 vitesh në pushtet të socialistëve, lajmi do të ishte fuqizimi i opozitës
dhe përgatitja për rotacionin politik. Po e thotë këtë një qytetar, që do ta
thoshte në do rast tjetër të ngjashëm. Por nëse këtu ujërat rrjedhin në të
njëjtat gjërize si tash tridhjetë vjet dhe me të njëjtët partiakë, ndonjë lajm
i mirë vjen nga jashtë vendit, ku disa të rinj shqiptarë bëjnë manifestime në
kryeqytetet europiane e deri në Kuvendin e Shqipërisë, duke kërkuar që t’iu
njihet e drejta e votës emigrantëve. Këta i drejtohen forcës së ligjit! Tjetër
gjë për t’u shënuar është ai dokumentari i RAI 3 për Shqipërinë, që thotë ca
gjëra të dhimbshme që na e mërzisin qeverinë dhe kreun e saj, por që në thelb
na duhet ta mirëkuptojmë, njëlloj si ato reklamat e mediave të huaja pozitive
për turizmin shqiptar në ngjitje. Ja që e vërteta i ka të dy anët e medaljes në
këtë rast, në vend të të kishte vetëm njërën, atë që na bën nder.
Të
krijohet bindja se sot qeveriset me gjuhën e forcës, ani se veprimet shpesh
bien në kundërshtim me ligjin. Por a njihni ndonjë akt “rebelimi” të ndokujt
nga ministrat, nën-ministrat apo zyrtarë të tjerë të lartë, ndaj shefave të
tyre më të mëdhenj në këto dhjetë vjet? Asnjë për be! Nëse kjo do të kishte
ndodhur, sot do të kishim më pak klientë nga radhët e qeverisë në Prokurori. Ju
ka pëlqyer vartësve të përdorën nga eprorët! Jo nga ndonjë dobësi e tyre karshi
shefave, porse ata kanë synuar, nëse perifrazojmë Volterin te “Zadigu”, që atë
kokrrizën e rërës ta shndërrojnë në diamant. Rrëfenja thotë na ishte njëherë
një kokrrizë rërë që ankohej se ishte një grimcë e panjohur në shkretëtirë dhe se
pas disa vjetësh ajo u bë diamant dhe tani është stolia më e bukur e kurorës së
mbretit të Indisë. Po si ndodhi “metamorfoza” e saj? Na e thotë vetëë
ajo:“Fillova të vidhja dy kuaj; u bashkova me ca shokë dhe tani isha në gjendje
të plaçkitja karvane të vegjël... pata dhe unë pjesë në të mirat e kësaj bote,
bile filluan të më nderonin shumë. U bëra hajdut me vulë”... Si duket Volteri
nuk paska ikur me shekullin e tij të 17-të, por ka vazhduar të rrojë e të
“përgjojë” këndej nga ne, ku diamante të “hajdutëve me vulë” janë
inceneratorët, aferat me pronat në bregdet, dosjet 5D etj. Është kjo një tjetër
lloji “force” e njerëzve me pushtet, pra, që me anë të korrupsionit të ngrënë
mirëqenien e tyre ekonomike.
E
si mund të ishte ndryshe në kohë moderne “mallkimi” i Mujit? E kemi prej tij
dhunën. Ajo është kryetema e përhershme e ditës dhe e natës, sepse gjatë njëzet
e katër orëve raportohen ngjarje të dhunshme, në rrugë, familje, në zyra. Ne
nuk bëjmë dot pa lënduar të tjerët fizikisht e psikologjikisht. Në një tokë të
fortish asgjë nuk është normale, e qetë, e sigurtë. Përkundrazi është e
frikshme. “Unë të sfidoj” është një shprehje politikanësh, por çuditërisht dhe
e ndokujt në media. Çfarë do të thotë unë të sfidoj? Që jam më i zoti se ti? Po
ku është dëgjuar kjo ndonjëherë në njerëzit profesionistë? E kush e sfidoi kë,
në këtë Shqipërinë tonë. Me zbulimin e ndonjë “Uotërgejti” shqiptar nga
gazetaria investigative?...
3
Nëse
në asgjë që ka të bëjë me qytetarinë europiane nuk kemi diçka për t’u shënuar,
jemi ndërkohë kampionë të lëndimit të tjetrit, të dhunës gjithëfarëformëshe, që
shpesh shkon deri në hakmarrje. Thuhet se kështu janë ballkanasit, gjaknxehtë,
që grindën për pak e pa shkak. Kjo sikur e zbeh disi atë retorikën e epikën
heroike. Kot që qenkemi mburrur me Mujin, që e kemi kthyer në mit, ai paskësh
pasur vetëm “kultin” e forcës, ani se në kohë duelesh kalorsiake apo barinjsh
në male. Mbase kështu duhet shpjeguar Muji në shkolla, që zanat kanë bërë
“gabim” të madh që i kanë dhënë forcë me u ndesh me shokët, se Muji e ka
shpërdoruar dhuntinë e tyre gati hyjnore, ai mbasi ka rrah shokët, ka kthyer e
ka vënë dorë si harbut bash mbi ato që i kanë dhënë forcë, zanat e malit...,
përndryshe, ka dhunuar nënën, gruan, motrën, gjithë graninë e këtij dheu. Është
treguar cub e shkuar cubit ai që ishte kreshniku i kreshnikëve, që mund të
bënte gjithë ato trimëri e sojni në Lugjet e Verdha e kudo tjetër, si vëllau i
tij Gjergj Elez Alia, që e përdori forcën për të shpëtuar nderin e së motrës
dhe atdheun nga bajlozi i zi që kishte dalë prej detit.
Nuk
duam asesi ta bëjmë “tokësor” Mujin, mbase mundja e shokëve ishte vetëm një
çast dobësie e tij, por si t’ia bëjmë me këta “Mujët” e sotëm të shekullit XXI
që kanë zbritur nga logu i bjeshkëve veriore e jugore e kanë hyrë në Kuvendin e
Shqipërisë si burra trima, që mund të luajnë me duar dhe me gratë deputete... e
poete!? Dy të tillë i kemi parë njëherë t’i hiqnin mikrofonin e t’i tresnin
dosjet nga tavolina drejtueses së komisionit parlamentar të Edukimit dhe
Medias, bash si Muji atëherë që nuk donte dije e gjuhë, por “grusht” me u rrah
me shokët...
Eh,
“sindroma” e Mujit, me i mund shokët me çdo kusht e me çdo mënyrë,
kundërshtarët politikë, ata brenda llojit, apo të profesionit!...
Ndjesë
i papërsëritshmi, legjendari Mujo që të “trazova” paksa aty në guvën ku fle
prej pesëqind vjetësh, po vetë e kishe lyp forcën atëhere, or mik!...