E merkure, 05.02.2025, 05:50 AM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Poezia 'Drekë malsorësh' e Martin Camajt, histori gjakmarrjeje

E diele, 05.05.2024, 06:54 PM


Poezia “Drekë malsorësh” e Martin Camajt, histori gjakmarrjeje

Nga Albert Vataj

“Drekë malsorësh” është një poezi, e cila jo vetëm përfaqëson forcën poetike, me të cilën Martin Camaj, ju qas shqipshkrimit dhe këndimit ndër ne, t’frymun gjallnimit ndër male, shkrepave e shitime zanash, dhanun trazimshëm t’kodeve t’rrepta zakonore, ku gjakmarrja asht e themelta e të drejtës më lyp drejtësi dhe nder.

Ndërsa përcjell vargjet e kësaj poezie monumentale të Camajt, përjetimi, me t’cillin fjala dhe shpirtja shprehëse poetike, të thërret, mundet me të çue atje thellë ndër male, me t’kthy mbas në kohë, e tue lexu, çdo fjalë e përpi çdo varg, ti bahesh pjesë e këtij realiteti, shtërngim i këtij trazimi qi e përmbyll tragjizmin e ashpërsisë së jetës, me drekë malsorësh.

Simbolizmi i kësaj dreke, parë në një kontekst tjetër kohor, mundet me ken nji papajtueshmëri me të cilën arsyetimi modern e ka t’pamujtun me e kapërdi. Gjithkujt qi e ndin erën e gjakut dhe n’shpirt i këputet diçka, mundet me e pas fort t’idhnueshme. Por tue lyp me e kthy kohën mbas, me e lexu realitetin siç Camaj e ka sendërtu, ndoshta edhe tue u pajtu me ligjet e ashpra të maleve, gjejm nji shteg dhe hyjmë në një realitet imagjinar gjaku, vrasje dhe drekimi.

Ligjërimi poetik i Camaj e përshkon në një lineare të krejt tragjizmit, qysh prejse “Dy plumba lëshuen përdhe një burrë”, “Sot ashtë marrë një gjak”. Një pritë dhe plumbat qi marrin jetën e një mashkulli, një qiell që shkuen petkun e vet t’murrm të reve, e malet qi e barin zanin, tue e çue prej një skaj në tjetrin, e thirrjet e pushkshme burrash, që pyesin, ç’ka asht zani moreeee?!

Dhe tjetër krismë që rreshk ndër shkami e i zatetet qiellit: O filani muer gjakun moreneeee! E njashtu zani i burrave e krismave rrinë pezull mbi këtë skenë morte, si perdja e nji skene tragjike qi nuk asht hapun plotësisht.

Tue kenë lypë burrnie e normë fisi, gjaku i marrun kthen nderin e paguem me nji jetë, nji jetë që i mbivendoset një vorri ku ka mbi bari. E vijon poeti, tue cek te riti i drekës së malësorëve, të ceremoniali i përmbushjes së një zakoni, i cilli asht ma i ashpër se vetë vdekja, që merr jetë burrash, e ngujon meshkujt nëpër kulla ku fillërojnë tyta pushkësh ndër frëngji.

“Pëlset rrashta e kaut te prroni.”, (Drekë të mëdha po bahen sot!), vijon kjo panoramë e zymtë. Ceremoniali i sakrifikimit të një kafshe, asht e pse jo pjesë bashkëjetesës së malësorëve me forcën për të besu, si më e epërmja, qi mban kulmuem shpirtrat si kullat dhe malet.

Drithëron në çdo fjalë e t’ngërthen në çdo varg kjo panoramë, e trisht e përcjellun me kaq fuqi shprehëse, prej nji nga penat tona ma t'njimendta të shqipes. I gjëmimshëm ai shpirt qi foli, e zjarmshme ajo zemër qi flaku.

“Gjama e burrave tërbueshëm / Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.” Ky dyvargësh duket se mban tan peshën e këtij qielli që nderet mbi këtë atmosferë morte. Zani i burrave që thërret vajshëm e goditja e gjokseve me grushte, që oshtin maleve që dridhen si tue dasht me përposht një ortek kiamet, tue marrë me turr çka shtegun e kallëzon.

“Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.”/ E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë/Ndë tryeza, jashtë/ Natë. Në vorrezat mbi kodër/ Tokë e re, hanë e re./ Ujqit janë ulë prej malesh/ E pijnë gjak në përrue.” Kulmon zani dhe shpirti i poetit, në këtë përshkrim të simbolshëm, tue përafru tan elementet shprehës poetik në krijimin e një skene të plotë, ku luhet jeta dhe fati i malsorëve. Zakoni, natyra, tradita, mitikja, përzihen në një masë që tue u ngjesh fort mësyn tue zgju të shkumen, tue e përtëri kujtesën, si tue mos me e lan qi harrimi me e rikthy çka koha e mori me vedi e poeti e ktheu në monument.

Deka dhe dreka përbashkohen në një epikë që fjala rreket me e përshkru sa mundet, por tue mos mujt me përafru si vetë realiteti shpalon, e robnia i neper këtij ceremoniali. Deka dhe jeta tue shku bashkë mujn me tregu se sa ngërthyem shkuen motet e sa zoritshim e gjamshme u gjegjën jetët. Të ashpra si malet, të mrazt si qiejt, epike si vetë amfiteatri i atij realiteti.

Martin Camaj me “Drekë malsorësh” shkruan përmes hyjnisë së poezisë historinë e trishtë të jetës dhe të së drejtës për jetë dhe nder, tue mos e fjalë e prrall se sa dhe qysh me e pague. Kjo poezi dëshmon një faqe të historisë së jetës dhe mbijetesës së malsorëve, thërret me za poeti t’shkumen tue dasht na ftu t’tanve në nji homazh për jetët që shkuen për nji fjalë goje, e flijimet që ju banen nji altari ku lutjeve nuk ju përgjigj kurrkush.

Drekë malsorësh nga Martin CAMAJ

Sot ashtë marrë një gjak.

Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.

Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës

Pëlset rrashta e kaut te prroni.

(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm

Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.

E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë

Ndë tryeza, jashtë

Natë. Në vorrezat mbi kodër

Tokë e re, hanë e re.

Ujqit janë ulë prej malesh

E pijnë gjak në përrue.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Tradita zadrimore, etnosi mahnites i ngjyrave, bukurise dhe sharmit Albert Vataj: Librat dhe miqtë Albert Vataj: Dita Botërore e Librit, dita e magjisë së fjalës Albert Vataj: Ibrahim Kodra, ai që zbuloi në pikturë “sekretin e madh të papërshkrueshëm të alkimistit” Albert Vataj: Monica Bellucci, gruaja e suksesshme e kinemasë dhe modës Albert Vataj: Faktet që na ndihmojnë të njohim më mirë gjeniun e çuditshëm të fizikës, Albert Ajnshtajn Albert Vataj: Miq poetë! Albert Vataj: Lamtumira e magjikut të "Realizmit Magjik", Gabriel Garsia Markez Albert Vataj: Gëzuar Fitër Bajramin! Albert Vataj: Pablo Picasso, gjeniu i sprovave të kurajshme, hovi i shpenguar i sublimitetit në art Albert Vataj: Aleksandër Moisiu - Njeriu është fenomeni më i lartë dhe më i rëndësishëm i botës Albert Vataj: Lotët e dhimbjes biblike në art, "Shkëputja nga Kryqi", një nga kryeveprat e Rogier van der Weyden Albert Vataj: Buzët, petalet drithëruese të epshi, ato që na shpërblyen me shenjtërinë e puthjes Albert Vataj: Biblioteka e parë publike, ku lexoheshin libra të lidhur me zinxhirë Albert Vataj: Historia e malësorit që jetonte në shpellë Albert Vataj: E florinjta dehëse dhe hiret joshëse të grave në pikturën “Një natë vere” të Albert Moore Albert Vataj: Grua, ti je vetë poezia Albert Vataj: Sara Breedlove, si u bë nga asgjëja, gruaja e parë milionere Albert Vataj: Hiri i bukurisë së gruas, liria e magjepsjes që mbeti e “ngujuar” në shkëmb Albert Vataj: Zoti pastë mëshirë për ne!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora