Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Feti Tunuzliu: Pantallona prej tullave

| E shtune, 04.05.2024, 04:34 PM |


Feti TUNUZLIU

PANTALLONA PREJ TULLAVE

(Shokut tim, Agim Vërbovci i cili, dallohej ndër ata pak adoleshentë të lagjës sonë i cili me forca t’veta punonte me meditje dhe ndihmonte sadopak mirëqenien e familjes së vet tetë anëtarëshe që varej nga babai minator).

Derisa të tjerët i lëje të ngopen me gjumë,

ti - zgjoheshe me natyrën - pa bërë zhurmë.

Ah, që n’moshë mitare qaje rrugë e rrugica,

vetëm për t’arrirë  me kohë, te lumi Sitnica.

N’punishten “Te dyneku”, buzë lumit t’rrëmbyeshëm,

me tjegullarë t’rritur rreshtoheshe i pathyeshëm.

Po. Preje tulla nga balta, deltina - sa zgjatte orari,

duke zbrazur kallëpe druri ngjeshur nga baltari.

Prej mëngjesi deri n’mbrëmje punoje fizikisht,

as vapa e madhe s’të pengonte praktikisht.

O, ndonëse shtatë palë djersë - t’bënin veç  ujë,

mbijetoje në heshtje, me durim, e – pa bujë.

Ndër pak nxënës ishe, që kaloje pushimet verore

duke prodhuar tulla për paga ditore.

Me to, plot gëzim e modesti bleje pantallona, një palë,

vallë, vëreje se - të gjithë i leje pa fjalë !