Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kush si votoi në Asamblenë Parlamentare lidhur me pranimin e Kosovës në KE
E merkure, 17.04.2024, 07:00 PM
KUSH SI VOTOI NË ASAMBLENË PARLAMENTARE LIDHUR ME PRANIMIN E KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
* * *
Më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 20, Asambleja
Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg, me 131 vota “për”, i
dha dritë të gjelbër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Të pranishëm
në votim ishin 171 anëtarë të AP të KE-së.
Para se të shkohej në votim, delegatët i hodhën poshtë amendamentet e delegacionit serb me të cilat
kërkohej që vendimi për pranimin e Kosovës të shtyhej, ndërsa formimi i
asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë kusht për anëtarësimin e
Kosovës.
Kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e
Evropës votuan 29 vetë të vendeve të poshtëshënuara:
Tetë përfaqësues të Spanjës votuan kundër raportit të
raportueses Dora Bakojani (Dora
Bakoyannis, 1954- ) e cila
rekomandoi dritë të gjelbër për Kosovën.
Kundër Kosovës ishin: katër
përfaqësues nga Hungaria, dy
përfaqësues nga Qiproja, një greke dhe një gjerman. Kundër Kosovës
votuan edhe dy përfaqësues nga Franca dhe
një italian.
Kundër anëtarësimit të Kosovës
ishin edhe shtatë anëtarët e delegacionit të Serbisë, Maja Vukiqeviq nga Mali i Zi si dhe Snjezhana Novakoviq dhe Branisllav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina. Një përfaqësues
tjetër i Malit të Zi votoi në favor të Kosovës.
Me
fjalë të tjera, me 131 vota “për” dhe me 29 vota “kundër”, Këshilli i Evropës
mori vendim për miratimin e raportit të Dora Bakojanit për pranimin e Kosovës
në organizatën e sipërthënë.
Të përmbajtur ishin 11 delegatë:
një malazias, gjashtë italianë, tre të Moldavisë dhe
një gjerman.
Përkundër faktit
se Athina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, katër përfaqësues të Greqisë,
midis të cilëve edhe Dora Bakojani, votuan për pranimin e Kosovës.
Rumunët nuk erdhën në votim, me përjashtim të delegatit Julian Bullai, i cili e
mbështeti Kosovën. Nuk votuan as aremenët. Të dy shtetet – Rumania dhe
Armenia – nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Rekomandimin për
pranimin e Kosovës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do t’ia
dërgojë Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme, i cili e merr vendimin
përfundimtar, pikërisht me shumicën prej dy të tretave të ministrave apo të
ambasadorëve që i përfaqësojnë dhe që janë të pranishëm në çastin e votimit.
Mbledhja e
Komitetit të Ministrave që ka 46 anëtarë duhet të mbahet në Strasburg, prej
datës 16 deri më 17 maj të vitit në vazhdim.
*
* *
Shefja e delegacionit serb në AP
të KE-së Bilana Pantiq Pila lëvdon disa “kolegë” nga Italia dhe nga Hungaria
të cilët nëpërmjet amendamenteve paskan manifestuar qëndrim ndryshe nga ai i
shumicës.
Delegatja e Partisë Demokratike
Popullore Maja Vukiqeviq, e cila njëherazi është edhe shefe e delegacionit të
Malit të Zi, deklaroi gjatë debatit se ajo nuk do ta mbështesë pranimin e
Kosovës në AP të KE-së, edhe pse, siç tha, në delegacionin malazez do të ketë
edhe vota për pranimin e Kosovës.
Kundër pranimit të Kosovës u
prononcua edhe Branisllav Borenoviqi nga Bosnja dhe Hercegovina.
Deputeti i grupit të liberalëve
dhe demokratëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Iulian Bulai vlerësoi se Kosova është e
gatshme për t’u anëtarësuar në KE.
Aleksej Gonçarenko nga Ukraina vlerësoi se Kosova meriton të
pranohet në Asamblenë Parlamentare të KE-së, duke shtuar se “bota
e lirë duhet të bashkohet”.
Për pranimin e Kosovës në AP të
KE-së u angazhua edhe Alen Milon nga
Franca.
* * *
Në Asamblenë
Parlamentare të KE-së folën gjithsej 59 përfaqësues shtetesh Prej tyre, gjashtë serbë. Anëtarë të
delegacionit të Kosovës në AP të KE-së janë deputetët: Enis Kervan, Arben Gashi
dhe Saranda Bogujevci. Katër përfaqësues të Shqipëria ishin: Blerina Gjylameti,
Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj. Një prej
përfaqësuesve të delegacionit të Maqedonisë së Veriut ishte deputetja Arta
Bilalli Zendeli.
Paraprakisht,
në emër të grupeve politike folën Iulian
Bulai nga Rumania, Aleksis Cipras
(Alexis Tsipras) nga Greqia, Frank
Shvabe (Frank Schwabe) nga Gjermania, Ingjerd
Schie Schou nga Norvegjia dhe Zolt
Nemeth nga Hungaria.
Gjatë ditës,
Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, i hodhi
poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegacioni serb si dhe nga disa
deputetë italianë, përfshi edhe
amendamentin e një deputeti hungarez që kusht për anëtarësimin e Kosovës
në KE të jetë themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Më 15 prill
2024, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe për të Drejta të Njeriut pranë
Këshillit të Evropës u votua njëzëri pro
aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Pas një dite, d.m.th. më 16.04.2024,
Asambleja Parlamentare e mori në shqyrtim raportin që rekomandonte anëtarësimin
e saj.
Hapa drejt
anëtarësimit në Këshillin e Evropës Kosova bëri më 27 mars të vitit në vazhdim.
Me këtë rast, Serbia dhe dy vende të tjera votuan kundër. Megjithëkëtë,
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së e miratoi raportin për Kosovën të
raportueses Dora Bakojani (Dora
Bakoyannis), e cila vlerësoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare
e Këshillit të Evropës.
* * *
Pas miratimit të
propozimit nga Asambleja Parlamentare e KE-së për pranimin e Kosovës, u
prononcua edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë
Ivica Daçiq, duke thënë: “Sot është një ditë
turpi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.
Shënim: Dora Bakojani (Theodora “Dora” Bakoynnis, mbiemri i vajzërisë
Mitsotakis) ka lindur më 6 maj 1954. Është më e madhja prej katër fëmijëve të
ish-kryeministrit Konstantin Micotakis (Konstantinos Mitsotakis, 1918-2017).
Dora është shkolluar në Athinë, në Paris dhe në Universitetin e Munihut. Flet
anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ka qenë kryebashkiake e Athinës dhe ministre
e Punëve të Jashtme.