| E enjte, 04.04.2024, 08:00 PM |
ZANAFILLA E KULTURËS MATERIALE DHE HISTORIKE NË KOSOVË
Nga
Qazim Namani: Dr. Arkeologji
Trashëgimi Kulturore
Zanafilla e Kulturës materiale
Bazuar në hulumtimet e gjertanishme,
gjurmët e para të trashëgimisë kulturore në truallin e Kosovës së sotme fillojnë
që nga kulturat e neolitit të hershëm. Që nga kjo periudhë kemi kulturë të
pandërprerë të jetës dhe civilizimit deri më sot. Këto kultura ndeshen me
gërshetime të elementeve të hershme indoevropiane, para krijimit të etnosit
ilir në epokën e bronzit, për të vazhduar deri më sot, të shoqëruara me
ndikimet e kulturave më të zhvilluara të kohës, si janë: helene, romake,
bizantine, osmane dhe sllave. Ndikimi i këtyre kulturave la gjurmët e
trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe materiale me vlera të llojllojshme
kulturore dhe historike.
Në këto rrethana, lindën kultet
pagane-kulti i natyrës për objekte, kafshë, ndryshime periodike, vende,
fenomene të veçanta tronditëse dhe u visheshin cilësi të mbinatyrshme, të
thurura me enigma. Sipas besimit të njeriut në lashtësi për këto dukuri, kanë
lindur e ruajtur nderim i veçantë për lutjet ceremonitë, flijimet, tabutë
kushtuar objekteve e vendeve te kultit[1].
Nga këto besime të lashta vlen të
veçohen besimet në diell dhe hënë e të cilat na paraqiten shpesh në trevat
shqiptare të skalitura në objekte të ndryshme që nga parahistoria.
Për besimet dhe simbolet e kultit kanë
shkruar edhe rilindësit shqiptarë. Mark Tirta shkruan se Pashko Vasa në vitin
1879, vë në dukje se shqiptarët betoheshin në diell, në hënë, në qiell, në dhe,
në gur dhe elemente tjera të natyrës e jo në perëndi e shenjtorë të
krishterimit e të islamizimit. Këto betime Pashko Vasa i shpjegon si të
lashtësisë shqiptare e më burim vendës[2].
Besimet e shoqërisë primitive lindën
gjatë ndeshjes së njeriut me natyrën dhe fenomenet që ngjanin në të. Ato janë
pasqyrim i dobësisë së njeriut në marrëdhënie me mjedisin që e rrethonte,
dobësive që vinin për shkak të nivelit shumë të ulët për të kuptuar misteret e
fenomeneve natyrore[3].
Këto dukuri në territorin e Kosovës janë të paraqitura në plastiken gurore dhe
datojnë që nga koha e vjetër e gurit e që u bartën brez pas brezi deri në kohët
moderne.
Në besimet popullore gjejmë
përfytyrimet e hënës si grua dhe të diellit si burrë, e ku flitet edhe për
fëmijët e tyre. Në një legjendë popullore tregohet se hëna me diellin kanë qene
motër e vëlla, ndërsa në ndonjë variant tjetër paraqiten si burrë e grua. Në
popullin tonë të zënët e hënës a të diellit mbahej si një shenjë shumë e keqe[4].
Kulti i hënës edhe diellit te popullata
shqiptare pasqyrohet edhe me betë e tyre në gurë. Këto elemente të lashta të
besimit në traditën tonë popullore i shënoi edhe Shtjefën Gjeçovi. Shtjefën
Gjeçovi, po ashtu la në dorëshkrim të dhëna të shumta për trashëgiminë
shpirtërore të popullit tonë. Po japim disa të dhëna nga Gjeçovi për doke,
zakone dhe tradita shqiptare.
Doke dasmash, shkruar nga Shtjefën Gjeçovi[5]
Beja me gurë shkruar nga Shtjefën Gjeçovi [6]
Paraqitja e Hënës në qiell
me tre forma të ndryshme, krijoi një sërë mitesh dhe besëtytnish, që shprehnin
tri periudhat kohore të njeriut: jetën, vdekjen-botën e përtejme dhe
ringjalljen. Ndërgjegjësimi se i vdekuri nuk ringjallej, nuk do ta ndalonte njeriun
e lashtësisë të kërkonte “pavdekësinë”. Edhe në trupin e tij duhej të ndodhej
pjesa “e pavdekshme” (energjia
krijuese), siç kishte edhe Hëna. Kështu, lindi ideja e “shpirtit të përjetshëm”, që shkëputej nga trupi i të vdekurit, i
cili i përkiste dheut për t’u ngjitur në botën e përtejme dhe ky vend ndodhej
në yllin e afërt dhe të madh tokësor - në Hënë[7].
Njeriu dhe Hyjnizimi i
hënës dhe diellit si simbole kulti
Dielli, Hëna, Yjet në mite, rite e
besime të popullit tonë në plot rast na dalin të lidhura me pjellorinë në
bujqësi e blegtori[8].
Guri ”Hënor” i zbuluar në fshatin
Pogragjë në komunën e Gjilanit, dëshmon bindshëm për gjurmët e civilizimit të
hershëm në vendin tonë.
Në të gjitha trevat shqiptare, kur lind
hëna e re, fëmijët i këndonin këngë: “Hënë
e re/ vashë e re, unë në punë/ti në gjumë, unë shëndet/e ti gërshet[9].
Mendojmë se hyjnizimi i hënës në
popullin tonë më një masë kaq të madhe ka të bëjë me ndonjë hyjni të lashtë
htonike vendëse me atribute të bujqësisë dhe të jetës familjare[10].
Në shtëpinë e re nuk mund të hyhet në
çdo ditë të javës, por vetëm në ditë të mbara. Si ditë të mbara konsideroheshin
dita e hënë, e mërkurë, e enjte dhe dita e shtunë. Në aspektin tjetër hyrja në
shtëpi të re lidhet edhe me hënën si objekt qiellor. Në disa rajone thuhet se
në shtëpi të re hyhet për herë të parë me hënë të re, diku me hënë drapër, diku
me hënë në rritje dhe diku haste më rrallë edhe me hënë të plotë[11].
Në traditën tonë popullore ruhen
thëniet për besimet e lashta që lidhen me Hënën:
Lëndët e drurit për ndërtimin e
shtëpive duhet të prehen me hënë të vjetër.
Hunjtë e gardhit duhet të prehen me
hëne të vjetër.
Plehu ne arë edhe nëse është qitur sa
ka qenë hëna e re, është dashur që ara të livrohet vetëm kur të bëhet
hëna e vjetër.
Po të ndodhë që të livrohet
ara me hënë te re, është e njëjtë sikur mos të plehërohet toka fare.
Muaji Hënor ka 29 ditë.
Dita e hënë dhe e enjte
asnjëherë nuk janë pa hënë
Kur ndërrohet hëna vetëm
një ditë nuk duket, pra një ditë e muajit është pa hënë
Kjo ditë pa hënë mund të
jetë pa hënë dita e martë, e mërkurë, e premte, e shtunë, e diel, por nuk mund
të jetë dita e hëne dhe dita e enjte[12].
Kur hëna merr formën e
gjysmë hënës së plotë dhe është e ndritshme pa njolla, në popull thuhet se koha
është e qetë.
Kur hëna është e plotë me
njolla ose hëna pesëmbëdhjetë, në popull thuhet se koha do të ketë ndryshime
(jo e qetë) [13].
Guri me simbolikë të lashtë i zbuluar në fshatin Pogragjë,
Komuna e Gjilanit
Në territorin e Kosovës është shumë i
pranishëm edhe kulti i gjarprit. Kulti i gjarprit është evident edhe te shumë
popuj të botës që nga Azia Lindore e deri në Amerikë. Shumë e njohur dhe e
famshme është legjenda e Gjarprit Hitit, emri i të cilit ishte Illurjanka, që
për disa autorë shërben si burim nga rrjedh edhe emri ilir[14].
Kulti i gjarprit si kult botëror, daton prej kohës së paleolitit dhe vjen deri
në ditët tona, ndërsa në trevat ilire ai evidentohet qysh nga koha e neolitit.
Kulti i gjarprit Kosovë haset në objekte të kultit, shtëpi të banimit, në
drugdhendje, në qeramikë që dëshmon një periudhë të gjatë të besimit dhe
traditës popullore.
Gjarpri është kafshë toteme dhe kryetar
i fisit ilir, simbol i mençurisë, i së keqes, shëndetit, pjellshmërisë, personifikim
i shpirtit të ndjerit, mbrojtës i vatrës
së shtëpisë e, mbi të gjitha, kafshë mitologjike[15].
Mbrojtja institucionale e trashëgimisë kulturore në Kosovë
Me ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e
vlerave të trashëgimisë kulturore dhe krijimin e kombeve në Evropë, filloi edhe
përvetësimi i vlerave kulturore, duke humbur kriteret njerëzore dhe humane.
Në shekullin XIX e sidomos ne shekullin
XX, trashëgimia kulturore dhe historike e shqiptarëve të Kosovës u shkatërrua
për qëllime politike, duke përdor praktikat shkatërruese nga pushteti dhe
administrate turke dhe sllave në këto hapësira.
Mos respektimi i konventave dhe
marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë me ligje dhe kritere
universale, ndikuan që Shtjefën Gjeçovi, me tërë forcën e tij intelektuale dhe
materiale të vihet në mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në Kosovë
dhe Shqipëri.
Gjarpërinjtë në gur, pranë kishës së vjetër
në fshatin Firiqevë, në Malësinë e Galabit
Gjeçovi u shqua për studime folklorike,
etnografike, arkeologjike dhe të drejtën zakonore. Avni Alcani shkruan se
Shtjefën Gjeçovi, është i pari arkeolog shqiptar që zhvilloi kërkime dhe
sondazhe në terren brenda territorit të Shqipërisë që në vitin 1920. Ai e botoi
shkrimin e parë në fushën e arkeologjisë me titull “Argëtim Arkeologjik”[16].
Gjeçovi ngriti dy muze në Shkodër të jezuitëve dhe të françeskanëve, është fjala për dy koleksione antikitetesh që ishin
grumbulluar për të zbukuruar dy dhoma të klerit katolik. Këto muze u themeluan
rreth viteve 1880 dhe 1890. Gjeçovi ishte etnografi, arkeologu dhe studiuesi i
parë shqiptar i kulturës ilire.
Përballë Gajtanit në Shqipëri sot
ndodhet një shpellë që e mban emrin e Gjeçovit, sepse në këtë shpellë i bëri
gjurmimet, ku e la edhe një mbishkrim të vetin[17].
[1] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë,
2004, fq. 50
[2] Po aty, fq. 68
[3] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë,
2004, fq.49
[4] Mark Tirta, “Mitologjia ndër shqiptarë”, Tiranë,
2004, fq. 72-73
[5] Arkivi Qendror
Shtetëror, Tiranë, F.58, V, D. 76, fl. 1.
[6] Arkivi Qendror
Shtetëror, Tiranë, F 58, V, D, 70, fl.25
[7] Fatbardha Demi, www.pashtriku.org, “Besimi Hënor – Dëshmi e Autoktonisë së
Kombit Arbër”, e enjte, 19 dhjetor , 2013
[8] Mark Tirta, “Etnologjia Shqiptare”, Tiranë, 2003,
fq.443
[9] Po aty, fq. 74
[10] Po aty, fq. 74
[11] Ali Muka, “Ndërtimet tradicionale fshatare”,
Tiranë, 2007, fq.538
[12] Shaban Hajzeri, (1936), fshati Vllahi, Komuna e Mitrovicës.
[13] Vehbi Reçica, (1946), fshati Llugagji, Komuna e Lipjanit.
[14] Aleksander Stipçeviq,
“Ilirët, Historia-jeta-Kultura Simbolet e
Kultit”, Rilindja, Prishtinë, 1990, fq. 17
[15] Po aty, fq. 321
[16] Frrok Kristaj, “Gjurmë të Gjeçovit”, Janjevë, 2001, fq,
49 - 50
[17] Stilian Adhami, “Muzeologjia Shqiptare”, Tiranë, 2001,
fq. 24 - 26