| E shtune, 23.03.2024, 08:00 PM |
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
SHERIF
FRANKU-REPUBLIKË KUSHTETUTË- JA ME HATËR JA ME LUFTË
(1962-
e vranë me 3 prill 1981)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kur
lindi Sherif Franku me 1 janar 1962, Kosova ishte vend i okupuar nën pushtetin
gjenocidal serbo-jugosllavë. Shqiptarët edhe në tej bënin një jetë prej robi
dhe vazhdimisht ishin të shtypur dhe nuk gëzonin as të drejtat më elementare
njerëzore. Ajo periudhë në popull njihej si koha e Rankoviqit. Dhe mu në atë
kohë Sherifi lindi në fshatin Sllatinë, (komuna e Vitisë) vetëm dy kilometra larg rrugës kryesore
Ferizaj-Gjilan, në një rrafshinë të gjerë që mbaron në brigjet e Moravës.
Sherifi ishte fëmijë i Bislim Frankut
dhe Alldyze Frankut e lindur Beqiri nga Zhitia e Vitisë. Sherifi ishte fëmija i
tret nga dy vëllezërit dhe tri motrat që kishte: Xhymshitin, Lumnijen, Mirveten,
Merxhanin dhe Zejnepjen. Familja Franku ishte një familje e ndershme,
patriotike dhe bujare. Në fshat i respektonin dhe ishin të afërt me të gjithë.
Sherifi si
fëmijë nga prindërit trashëgoi urtësinë dhe guximin. Andaj edhe dallohej nga të
tjerët me zgjuarsi, me guxim, me vet disiplinë dhe me mençuri. Mësimin fillor e
vazhdoi në shkollën e fshati “Liria” të cilën e përfundoi me sukses të dalluar.
Ndërsa shkollën e mesme e filloi në Viti që më vonë kaloi në Ferizaj dhe aty u
dallua në mësime dhe ishte shumë solidar me shokët. Deri në përfundimin e
shkollës së mesme i kishin mbetur vetëm edhe dy- tre muaj dhe familja i gëzohej
suksesit të djalit dhe mezi pritnin që të vazhdonte fakultetin në Prishtinë.
Ishte
muaji mars i viti 1981, kur në lajme Sherifi kishte dëgjua se në Prishtinë
kishin filluar demonstratat studentore. Diçka e madhe ndodhi tek ai. Ai u entuziazmua
dhe filloi të mendonte se sa mirë kishte qenë që demonstratat ta përfshinin e
tërë Kosovën. Ai ishte i gatshëm që nesër të dilte në demonstrata dhe të
shprehte tërë mllefin dhe urrejtjen të akumuluar me vite tek familja e tij dhe
te vet ai. Në ditët në vijim vinin informacione se demonstratat studentore po
përhapen gjithandej ku jetonin shqiptarët. Muaji mars digjej nga zjarri rinor duke
mbushur rrugët e Kosovës me të rinj e të reja që brohorisnin “Kosova-
Republikë”. Në rrugë dolën të gjithë ata atdhetar që i kishte lodhur robëria
dhe ishte koha të ndryshonin diçka. Rrugët e sheshet ishin mbushur me student,
,të rinj e të reja, me punëtor, me fshatar dhe populli shqiptarë kishte vërshuar
si lum rrugëve ku bëheshin demonstratat.
Pas
demonstratave studentore të 11 marsit që kishin filluar në Prishtinë, ato
vazhduan pastaj edhe me 25 mars vazhduan në Prizren; më 26 mars rinia studentore përsëri doli në
rrugët e Prishtinës; më 30 mars doli në Obiliq;
më 31 mars përsëri ndodhën në Prishtinë; më 1 prill në Podujevë e
Prishtinë; me 2 prill në Vushtrri, Lipjan, Gjakovë , Gjilan,
Gllogoc, dhe me 3 prill, në Ferizaj, në Viti, në Vushtrri e në Mitrovicë. Këto
demonstrata kishin përfshirë tërë Kosovën, e që kulmuan me një organizim të jashtëzakonshëm
në tërë Kosovën që u bënë gjithë popullore. Demonstrata këto, të cilat tundën
themelet e Jugosllavisë së atëhershme, e që kjo ngjarje shënonte fillimin e
fundit të okupimit të trojeve shqiptare ne ish-Jugosllavi, ngjarje që ka mbetur
thellë në kujtesën historike të kombit shqiptar.
Pas
këtyre ngjarjeve që patën jehonë të madhe në vend dhe në botë, Kryesia e RSFJ
dhe Kryesia e Komitetit Qendror të LKJ-së, më 2 prill 1981, mbajti një mbledhje
urgjente me të gjithë anëtarët e saj lidhur me gjendjen e krijuar në KSA të
Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për shpalljen e situatës së krizës në
territorin e KSA të Kosovës dhe për aplikimin e planit për të tejkaluar këtë
situatë; vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e
komunës së Prishtinës; dhe vendimi për aplikimin e masave të gatishmërisë. Në
harmoni me këtë vendim, Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i
Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës urdhëroi aktivizimin e planeve për
situatën e krizës. U dha urdhri për aktivizimin qind për qind të njerëzve, për
organizimin e luftës të organeve të Punëve të Brendshme në KSA të Kosovës.
Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, gjithashtu lëshoi urdhër për
ndalimin e lëvizjes së personave në
numër të madh në vende publike. Ky
urdhër hyri në fuqi menjëherë. Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës,
në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 1981, mori vendim që, me qëllim të eliminimit
të rrethanave të jashtëzakonshme dhe të
mbrojtjes së rendit publik, të kufizohet ose të ndalohet lëvizja e njerëzve në vendet e caktuara publike dhe në ato vende
në të cilat, me veprimin e individëve
apo të grupeve, mund të cenohej
rendi publik dhe qetësia ose të rrezikohej rendi publik. Me vendim u urdhërua
kufizimi i qëndrimit në vende të caktuar për ata persona, për të cilët ekziston
dyshimi i arsyeshëm se me veprimin e tyre do të mund ta rrezikonin rendin
publik. Po atë ditë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të komunës së Prishtinës
urdhëroi që të ndërpritet mësimi në shkollat fillore, të mesme, të larta dhe në
fakultete, të mbyllen konviktet e studentëve
dhe internatet e rinisë së shkollave të mesme në Prishtinë. Më vonë këto masa u aplikuan edhe në organet
krahinore dhe në komunat e tjera të krahinës.
Me
kërkesën e udhëheqjes së krahinës iu dërguan përforcime organeve të Punëve të
Brendshme të KSA të Kosovës nga efektivët e Federatës dhe të të gjitha
republikave socialiste të KSA të
Vojvodinës, të cilat veprojnë në bazë të urdhrave të Kryetarit të Kryesisë së
KSA të Kosovës.
Kur
pushtetarët morën masat më të rrepta ndaj Kosovës dhe popullit të saj dhe kur
menduan se demonstruesit ishin zmbrapsur nga dalja në rrugë, ndodhi e kundërta.
Më 3 prill në Ferizaj, në Viti, në Vushtrri dhe në Mitrovicë kishin filluar
përsëri demonstratat. Studentët dhe rinia dolën në rrugë dhe me forcën e
shpirtit luftonin kundër një armiku që ishte shumë më i fort dhe shumë fish më
i armatosur.
Sfida
shqiptare do të habisë jo vetëm bashkësinë jugosllave, por gjithë Evropën. Ngjarjet e zhvilluara në Kosovë shtypi gjerman, ai
francez dhe pothuajse e tërë bota demokratike e Perëndimit i trajtuan me një
ndjenjë admirimi. Më 1981 (në qershor), një gazetë franceze për numrin e të
dënuarve do të shkruante: ”rreth 1.700 persona janë burgosur gjatë trazirave
dhe 154 pritet të gjykohen”. Gazeta tjetër frënge, “Liberasion”, ndër të tjera,
shkruan: “më shumë se 800 veta janë shpallur fajtorë, nga të cilët 400 kanë
marrë dënime deri në 15 vjet burg dhe 1.300 të tjerë kanë marrë dënime që janë
në kompetencën e policisë, pra më pak se një vit”.
Statistika e të dënuarve në Kosovë asnjëherë nuk ishte e saktë. Ajo ndërronte nga
momenti në moment. Dënoheshin studentët që ishin pjesëmarrës të demonstratave,
dënoheshin profesorët e tyre, ngaqë kishin përkrahur kërkesën “Kosova-Republikë”.
Dënoheshin qytetarët e zakonshëm pse u kishin dhënë ndihmë studentëve dhe pse i
kishin strehuar ata. Dënoheshin gratë, pse mbronin bijtë dhe bijat e veta dhe,
në fund, dënoheshin edhe fëmijët. Dënoheshin edhe ushtarët shqiptarë kudo që
ndodheshin, duke u montuar procese të ndryshme politike. Prandaj, ishte e
vështirë të dihej numri i saktë i të burgosurve dhe i të dënuarve shqiptarë.
Në vazhdën e dënimeve dhe të përndjekjeve nuk u kursyen
as fshatrat e viseve më të thella të Kosovës, e as fshatarët e pafajshëm, siç
ishte rasti i Tahir e Nebih Mehas nga Prekazi i Drenicës. Shqiptarët për këto ngjarje ndiqen edhe jashtë
kufirit. Rasti më makabër ishte likuidimi i martirëve shqiptarë: Jusuf
Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri etj.
Vrasjet dhe mizoritë ndaj shqiptarëve nuk kishin të ndalur, ato vazhduan
deri në vitet e fundit të shek. XX. Më 11 janar 1984, po ashtu, vriten dy të
rinj shqiptarë: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Këta nuk ishin të
vetmit. Aktet rrëqethëse të vrasjeve vazhdojnë në rrugë, në shtëpi, në shkolla,
në ushtri e në vende të tjera publike.
Si ngjarje që ndodhën në zemër të Ballkanit dhe në
Evropë, ku takohen politika, ideologjitë, kulturat dhe
interesat e ndryshëm, demonstratat shqiptare të vitit 1981 patën jehonë dhe
rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Edhe shtypi i huaj i kushtoi vëmendje të
posaçme pranverës kosovare. Po përmendim revistën suedeze “Tempus”, e cila, veç
të tjerash, shkruante: ”Njerëz të pafajshëm qëllohen me armë. Më shumë se 300
veta janë goditur. Fëmijë të vegjël janë qëlluar nga forcat e armatosura serbe.
Asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka ndodhur të jetë përdorur një dhunë
e tillë në Jugosllavi kundër një grupi njerëzish, siç ndodhi në këtë
rast kundër shqiptarëve. Njerëzit qëlloheshin nga helikopteri vetëm pse
protestonin kundër politikës së padrejtë të regjimit të Beogradit”. Më 27 prill edhe
gazeta gjermane “Frankfurter Alemajne” shkruante: “vrojtues të informuar
jugosllavë numrin e të vrarëve e çonin në minimum, nga 30-40 veta, dhe të
plagosur deri në 1000 veta”, ndërsa gazeta daneze “Arbeideren” theksonte: “këto
masakra, ku janë vrarë me qindra veta dhe janë plagosur e janë burgosur mijëra
të tjerë, paraqesin, pa dyshim, gjenocidin më të madh të kryer në Evropë pas
Luftës së Dytë Botërore”.
Parulla e asaj pranvere të vitit '8l “Republikë,
kushtetutë - ja me hatër, ja me luftë”, paralajmëroi se për një qëllim të
tillë, nëse paraqitet nevoja, do të luftohet. Ishte kjo dëshmi e një
sinjalizimi qysh atëherë pararendës të një bërthame të kësaj force, që me emrin
UÇK, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, do të shfaqet në momentin me të duhur
historik, për mbrojtjen si të popullit, ashtu edhe të tokave shqiptare, që
ishte përpjekje dhe dëshirë brezash të gjakosur shekuj me radhë.
Rinia kosovare kudo që ndodhej ishte e mllefosur ndaj
sulmeve që bënte policia e ushtria jugosllave ndaj demonstruesve duar thatë.
Por Sherif Frangu i përjetoi rëndë të gjitha këto.
Andaj, në demonstratat e 3 prillit, që u mbajtën edhe
në Viti, që në
orën 1000 të mëngjesit, grupe nxënësish grumbulloheshin para Qendrës
së shkollave të mesme. Një numër i konsideruar të organizuar mirë dolën në
rrugë dhe u drejtuan në drejtim të qendrës së qytetit, dhe duke ecur lëshonin
parullat: “Republikë Kushtetutë- Ja me hatër ja me luftë”, “Duam Republikë”. Pastaj ata u ndalën para ndërtesës së
Kuvendit Komunal duke brohoritur “Lironi
shokët nga burgu”. Sherifi në këtë demonstrata u dallua në përleshjet me
policinë jugosllave dhe në brohoritjen e parullave që brohoriteshin nga të
pranishmit. Pasi
një kohe ndërhynë forcat policore dhe me ndihmën e aktivistëve të LKK-së, nxënësit u shpërndanë.
Pas përfundimit të demonstratave në Viti, Sherifi, së
bashku edhe me shumë shokë të tjerë u nisën me autobus për Ferizaj. Në qytet
arrin aty kah ora 13 e ditës. Pas një qëndrimi të shkurtër në punëtorinë e
Xhemë këpucëtarit, ai del nga aty dhe futet në turmën e demonstruesve.
Menjëherë vihet në krye të demonstruesve me kërkesa të qarta politike: “Kosova
Republikë!”, “Trepça punon – Beogradi ndërton”, “Republikë- Kushtetutë-Ja me
hatër ja me luftë”, “Liri, liri…” dhe qyteti në çdo anë buqiste nga kënga “Besa-besë”. Sherif si çdo
herë i pari, edhe këtu iu printe demonstruesve. Rreth orës 16, të 3 prillit, përleshjet
kishin arritur pikën e vlimit, Sherifi duke e parë se çfarë bënin policët kriminel
të cilët sulmonin sa mundnin në drejtimin e masës. Ata gjuanin me gaz
lotsjellës në turmat e studentëve, sulmonin me shufra gome por nuk mungonin
edhe të shtënat e edhe krismat e automatikëve në drejtimin e tyre. Sherifi duke
qenë ballë për ballë me ta, me një shpejtësi prej rrëfeje kërcen mbi një policë dhe ia rrëmben
automatin duke thirrur “Përpara shok...”. Në atë moment nga policët e tjerë
serb, të cilët ishin të befasuar me guximin e demonstruesit, por edhe të etur
për gjak, shtien me armë në drejtim të Sherifit, i cili nga rafalët e shumta
bie për tokë. Edhe pse Sherifi ishte rëndë i plagosur, e kishte mbulua gjaku, policët
e çartur nga urrejtja, filluan ta godasin me kondak të pushkëve dhe me shqelma.
Në ndërkohë turma e madhe e demonstruesve, duke e parë se Sherifi po luftonte
me vdekjen, vrapojnë drejt tij, dhe një ambulancë e ndihmës së shpejt e dërgon
në ambulancën e Ferizajt. Mjekët aty duke e parë se sa në rrezik ishte jeta e
tij, urdhërojnë që ai menjëherë të dërgohet në spitalin e Prishtinës. Por, në
dalje nga qyteti, Sherifi i ri, që ende nuk i kishte mbush 20 pranvera mbyll
sytë në prehrin e shokut të tij të idealit Fadil Lubishtanit, i cili kishte
hyrë në veturën e ndihmës së shpejt, për mos ta lënë vetëm shokun e jetës e të idealit. Fadili po ashtu ishte pjesëmarrës aktiv i
demonstratave më 3 prill në Ferizaj. Sherifi mbylli sytë duke kërkuar nga shoku
që demonstratat të vazhdojnë deri në fitore. Ai ra heroikisht në fushën e
nderit për të mos vdekur kurrë.
Pas lajmit se ia kishin vrarë të birin, baba Bislimi
shkon për ta kërkuar trupin e pajetë të djalit në UDB-en e Ferizajt. Komandanti
i postëkomandës, një serb çetnik i thekur, babë Bislimit i ven tytën në fyte
duke e kërcënuar se edhe ty do të vrasi. Babait të dëshmorit nuk i bënë syri
verr, e hap gjoksit me krenari duke i thënë, “Gjuaj o kriminel, se ju më vratë babin
më 1945, e tani më vratë edhe djalin, Më vritni edhe mua! Por, ta dini se kemi
edhe shumë djem të tjerë mbrapa. Plumbat tuaj vetëm do të na forcojnë!”. Komandanti
tmerrohet me guximin e tij dhe zbut fjalët. Por, më vonë, për të bërë presion
dhe për të krijuar trishtim edhe më të madh, UDB-ashët serbë pas ca ditësh ia
dërguan prindërve të dëshmorit pallton e ulur në gjak të birit të tyre të
shtrenjtë, duke i kërcënuar: “Ruani fëmijët më mirë!”. Nënë Alldyzja, deri sa
po e merrte pallton e përgjakur të të birit, arriti ta bënte zemrën gur dhe të
thoshte para UDB-ashëve: “Hallall të qoftë gjini, o Sherifi i nënës, që u
flijove për Kosovën!”.
Dëshmorin e kombit, trimin e patrembur, maturantin e
shkollës teknike në Ferizaj e varrosën më 5 prill, 1981, në vendin e lindjes në
Sllatinë të Poshtme me nderimet më të larta. Edhe pse policia kishte urdhërua
që mos të ketë grumbullim të njerëzve, në varrezat e fshatit u tunden mbi 5000
veta, duke ardhur edhe nga vendet më të largëta të Kosovës. Nga plumbat e
shumtë dhe nga goditjet e kondakëve të pushkëve të policisë vrastare serbe, shokët
e tij mezi që e njihnin trupin e pajetë të dëshmorit! Do të mbetet në kujtesë
për kohë të gjatë qëndrimi i nënë Alldyzes, e cila e bëri zemrën gur dhe, duke
i ngushëlluar familjarët e vet dhe, sidomos, shokët e Sherifit të saj, me të
cilët kishte qenë shok shkolle dhe pjesëmarrës në demonstratat e 2 dhe 3
prillit në Viti dhe në Ferizaj, tha: “Sherifi na e zbardhi fytyrën, na nderoi
të gjithëve dhe vdiq si i ka hije luftëtarëve për lirinë e Kosovës! Lumja unë
për djalin tim!”.
Si edhe në të gjitha qytetet e Kosovës, ku u zhvilluan
demonstrata masive më 1, 2 dhe 3 prill 1981,pati shumë të lënduar, të plagosur
dhe të vrarë. Në përleshje me forcat policore jugosllave në Ferizaj ra
heroikisht edhe dëshmori Riza Matoshi. Po ashtu, pas një viti ra dëshmor edhe
Afrim Abazi, nxënës i shkollës së mesme teknike, i cili u mbyt barbarisht, duke
e hedhur nga kati i pestë i ndërtesës së shërbimit policor të atëhershëm
jugosllav. Ndërsa të lënduar dhe të plagosur me armë zjarri, ndër ta ishin edhe:
Elmaz Kishnapola (68 vjeç) nga Gjilani; Fadil Lubishtani (22 vjeç); Milazim
Mejdi Ymeri (20 vjeç) nga Sllatina; Sylë Faik Muharremi, nga Katundi i Vjetër;
Vehbi Azizi, nga Komogllava; Salih Ferizaj, e shumë të tjerë. Ndërsa, vetëm nga
Ferizaj ishin 21 veta të plagosur.
Pas demonstratave filloi fushata e arrestimeve masive
të organizatorëve të tyre. Kështu, në grupin e parë, u dënuan: Nexhat Tërstena
- 10 vjet burg; Naim Ramadani - 8 vjet; Isuf Lipovica - 8 vjet; Hilmi Hyseni -
10 vjet; dhe, Ilaz Hysa - 3 vjet. Në grupin e dytë, u dënuan: Rifat Avdiu - 9
vjet burg të rëndë; Abdullah Loha - 14 vjet; Milaim Jashari - 7 vjet; Hajrullah
Hasani - 8 vjet; Hazir Haziri - 5 vjet; Remzije Jashari - 2 vjet; Rashit
Mehmeti - 8 vjet; dhe, Lulzim Haxhimusa - 3 vjet. Ndërsa, në grupin e tretë, u
dënuan: Sadik Sadiku - 7 vjet; Zylfi Ratkoceri - 6 vjet; Sadik Balaj - 5 vjet;
dhe, Jashar Istrefi - 1 vit.
Vargu i të rënëve, i të plagosurve dhe i të dënuarve
në tërë Kosovën ishte tmerrësisht i gjatë. Bilanci i të gjitha demonstratave ishte gjatë kësaj periudhe nga viti 1981 e deri më 1989 në anën e demonstruesve
pati 8 të vrarë dhe 130 të plagosur, prej të cilëve 55 të plagosur me armë zjarri. Në anën e
forcave të sigurisë 1 polic i vrarë dhe 135 të lënduar, 4 prej tyre rëndë. Prej 11 marsit deri më 10 prill, janë marrë një varg masash
parambrojtëse për 1.500 vet. Por nga ky numër i të arrestuarve, 460 prej tyre janë të
dënuar për kundërvajtje, procedurat
penale kanë filluar ndaj 90 personave, ndaj 160 vetave ashtë aplikuar masa e
izolimit për arsye të ndryshme dhe 743 janë marrë nga organet e SPB-së, me të
cilët është biseduar dhe janë liruar. 700 veta janë në burg për këto shkaqe:
kundërvajtje, procedurë penale dhe izolim. Struktura kombëtare e të dënuarve për kundërvajtje është: shqiptarë 419, serb
37, malazez 1, mysliman 1. Struktura
sociale: studentë 70, nxënës 132, punëtorë 164, punëtorë të arsimit 27, bujq
21. Struktura sociale e personave kundër të cilëve zhvillohej procedurë penale është: studentë
13, nxënës 27, punëtorë 23, punëtorë të arsimit 10, nëpunës 1, bujq 7 dhe të tjerë 8 veta.
Andaj, Sherif Franku, nuk ka vdekur. Ai jeton me ne,
dhe do të jetoj me ne, ai hyri guximshëm në panteonin e lirisë për të mos
vdekur kurrë në zemrat e Ferizajasve, në zemrat e Kosovës dhe Kosova e
shqiptarët do ti thurin lavdi të përjetshme.
Literatura:
Bajram Kurti, Gjaku i lirisë V/VI, Prizren, 2003, f.
134
Sabile Keçmezi- Basha, Organizatat
dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989, Prishtinë,
2003,
Ballafaqim me dëshmitë historike,
Instituti i Historisë, Prishtinë,
2018,
Kosova 1945-1990 (Vështrim
politiko-historik), Instituti i Historisë, 2017,
https://www.epokaere.com/11-marsi-81-parathenia-e-republikes-se-kosoves/
https://rtvzeri.com/demostratat-e-1981ngjarje-qe-ndryshuan-rrjedhen-e-historise-foto/
https://www.facebook.com/J.Krasniqi51/posts/1609527192496910/?locale=sw_KE
Jakup Krasniqi, Lëvizja për
Republikën e Kosovës, 1981-1991, Sipas shtypit shqiptar, Prishtinë, 2011