Mendime
Enver Bytyçi: “Vrit pulat për të trembur majmunët”! Vrit Berishën ‘’për të trembur Ramën’’!
E premte, 15.03.2024, 07:57 PM
“Vrit pulat për të trembur majmunët”! Vrit Berishën „për të trembur Ramën“!
Nga
Enver Bytyçi
Para
pak ditësh Këshilli i Ambasadorëve të SHBA-ve publikoi raportin e tij për
gjendjen në Shqipëri e në rajonin tonë dhe trajtoi me seriozitet edhe çeshtjen
e shpalljes non-grata të ish-kryeministrit e ish-presidentit shqiptar, Sali
Berisha. Dua të shpjegoj se Këshilli i Ambasadorëve të SHBA-ve është një
organizatë me ndikim të fuqishëm në opinionin politik e diplomatik në këtë
vend. Anëtarë të tij janë mbi 200 ambasadorë të kohëve të qeverisjes së shumë
presidentëve, Bush senjor, Clinton, Bush junior, Obama, Trump dhe Biden. Eshtë
një autoritet moral më i fuqishëm sesa vetë DASH. Më tërhoqi vëmendjen veç
tjerash ky paragraf nga ky raport:
“Ambasadorja
Kim na tha privatisht se lufta kundër korrupsionit ishte e një rëndësie kaq
thelbësore për politikën e SHBA-së dhe e një prioriteti kaq të lartë, saqë
zyrtarët e administratës së Bidenit e konsideruan të rëndësishme që ta bënin
dikë shembull– për të theksuar se askush nuk qëndron mbi ligjin ose imun kur
bëhet fjalë për krimet e korrupsionit. E kemi parasysh faktin se Berisha është
79 vjeç dhe mund të konsiderohet se po i afrohet fundit të jetës së tij
politike, një figurë politike e pazëvendësueshme për disa, por nuk është mënyra
amerikane e drejtësisë të verë në shënjestër dikë tjetër për t’i dhënë një
mësim një fajtori aktual. Kjo do të ishte më e ngjashme me shprehjen kineze
“vrit pulat për të trembur majmunët”.
E
kam lexuar dhe rilexuar këtë pasazh brilant të përshkrimit aq të saktë të asaj
që ka ndodhur me Sali Berishën. Më ka mbetur në mendje, sepse mjafton ky
paragraf që të rrëzojë të gjitha pretendimet e DASH për korrupsionin e tij, aq
më pak për atë që Blinken e quan “rrënimi I demokracisë”! Sipas ambasadores
Kim, shpallja non-grata e zotit Berisha është bërë për të trembur kryeministrin
Rama, ministrat e tij, drejtorët që marrnin nga shteti miliona dhe ia japin
firmve që ata kanë krijuar, kriminelëve drejtorë të administrates së shtetit,
që blejnë firma me 600 euro dhe e shesin me gjashtëqind mijë euro pas gjashtë
muajsh! Në fakt Juri Kim nuk tembi asnjë prej të korruptuarve aktualë, duke
dënuar një 79 vjeçar që ka qeverisur para 12 vitesh.
Raporti
thotë se kjo “nuk është mënyra amerikane e drejtësisë të verë në shënjestër
dike tjetër për t’i dhënë një mësim një fajtori aktual”! Dhe unë e besoj këtë
parim, i cili udhëheq drejtësinë dhe politikën amerikane. Po nga e mësoi Juri
Kim dhe ata që bashkëpunuan me të këtë formulë të shteteve totalitare? E mësoi
nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Gjithashtu me sponsorizimin e Sorosit,
i prirur për të diktuar me dhunë ideologjinë dhe parimet e veta. Babai i Edi
Ramës firmosi varjen e Avzi Nelës jo se e njihte atë dhe se ishte i bindur te
fajësia e tij. Por se ai besonte që shembulli i varjes së Avzi Nelës do të
terrorizonte popullin, qytetarët shqiptarë, me qëllim kontrollin e situates.
Rama e kishte të freskët këtë skemë nga i ati. Asokohe ai ishte mbi 20 vjeç. Ai
e dinte se Kristaqi dha votën e tij për varjen e poetit që të merrnin mend të
gjithë poetët e tjerë të Kukjësit e të Shqipërisë e të mos e kundërshtonin
komunizmin si ideologji, si rend e si sistem.
Ndaj
ai kishte mundësi ta mrekullonte Kimin me shpjegimet e veta.
Juri
Kim me siguri që është entusizamuar nga mënyra si ia ka servirur kryeministri
këtë formulë. “Shiko zonja ambasadore! Në Shqipëri Berisha konsiderohet si
politikan i paprekshëm. Prandaj ne duhet ta godasim pikërisht atë, që të
thyejmë mitin e paprekshmërisë. Këta tanët që sot korruptohen do të kuptojnë se
kur goditet Berisha, askush nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar“!
Kjo
është pak a shumë skema. Më pas janë vënë në punë organizatat e gazetarët e
Ramës e të Sorosit, është gjetur McGonigal si instrument ligjor dhe
përfundimisht është realizuar skema. Megjithatë, unë besoj se zonja Kim ka
gënjyer, kur u ka thënë përfaqësuesve të Këshillit të Ambasadorëve se „donte të
bënte një shembull“, pra se donte „të vriste Berishën për të trenbur Ramën“.
Shkaku
i vërtetë është ndihma ndaj Edi Ramës për të larguar pengesën Berisha, me
qëllim që kryeministri i Shqipërisë të vepronte i qetë në realizimin e planeve
të Sorosit, sidomos në Ballkan e ato për Kosovën. Por në mungesë të provave dhe
fakteve, të cilat kreu i opozitës i kërkon vazhdimisht, ambasadorja amerikane
ka përdorur trikun e të bërit shembull të „të fortit Berisha“, për të
„paralajmëruar „të dobëtin“ Rama““! Një alibi, të cilën askush nuk e beson, por
edhe si alibi duket se është autogol në portën e pambrojtur të Juri Kim dhe
Antony Blinken, të stimuluar nga penicilina Soros.