| E diele, 10.03.2024, 07:53 PM |
KISHA KATOLIKE SHQIPTARE ME UDHËHEQJE TË RE
Imzot
Gjergj Meta – Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë: Takime
me krerët e feve -- Të gjithë për të mirën e përbashkët të Shqipërisë! Një mësim dhe shembëll i mirë edhe për
politikën shqiptare
Nga Frank Shkreli
Me 20 të muajit
shkurt, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore ka
zhvulluar punimet Asambleja e përgjithshme e ipeshkvijve
të Kishës Katolike të Shqipërisë, për të shqyrtuar veprimtarinë e zakonshme të
Kishës vendore dhe asaj universale dhe për të zgjedhur udhëheqjen e re të
Kishës Katolike Shqiptare për tre vitet e ardhëshëm, sipas portaleve kishtare.
Njoftohet se zgjedhjet e
reja përfunduan përzgjedhjen e Ipeshkvit të Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj
Meta, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, detyrë të cilën
deri me atë datë e kryente Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë
Metropolitane të Shkodër-Pultit. Përveç kryetarit të konferencës Ipeshkvnore,
në udhëheqjen e re të Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Simon Kulli, ipeshkvi i
Dioqezës së Sapës, është zgjedhur Zëvendës-Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të
Shqipërisë dhe Imzot Giovanni Peragine, Administratori Apostolik i Jugut, është
zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë,
gjithashtu me një mandat prej tre vitesh.
Në atë takim, të 20 shkurtit që kaloi, ishte tepër domethënse
pjesëmarrja në atë asamble e ipeshkvijve të Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë
dhe në Tivar nën Malin e Zi: Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkëv i
Prishtinë-Prizrenit dhe Imzot Rrok Gjonlleshajt, Arqipeshkëv i Tivarit. I
pranishëm ishte edhe Imzot Luigi
Bonazzi, Nunci Apostolik në Shqipëri.
Udhëheqja
e re e Kishës Katolike Shqiptare – Në mes Imzot Gjergj Meta – Ipeshkëv i
Rrëshenit, President i Konferencës Ipeshkvnore. Imzot
Simon Kulli – Ipeshkëv i Sapës, Zv/President i Konferencës
Ipeshkvnore dhe Imzot Giovanni Peragine –Administrator Apostolik i
Jugut, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore.
Në ditët që pasuan zgjedhjen e tij në
krye të Kishës Katolike Shqiptare, si President i Konferencës Ipeshkvnore,
Imzot Gjergj Meta, hapi i parë që ndërmori në detyrën e re, ishin takimet me
udhëheqsit e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri – një gjest ky shembullor
i traditës më të mirë të bashkjetesës, tolerancës dhe vëllazërimit fetar ndër
shqiptarët. Sipas të dhënave në portalet përkatëse, Imzot Gjergj Meta zhvilloi
takime kortezie me bashkvëllëzrit e tij fetar -- me Kryetarin e Komunitetit
Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, me Kryegjyshin e Kryegjyshatës
Botërore, Baba Edmond Brahimaj, Kryepiskopin
e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos dhe me
Kryetarin e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Ergest Biti. Në rolin e
tij si President i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare, Imzot
Gjergj Meta është takuar edhe me Sekretarin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë
Z. Genti Kruja dhe me Kryetarin e Komitetit të Kulteve Z. Klodian Bulku. Njoftohet se në qëndër të këtyre takimeve të
Imzot Gjergj metës me udhëheqsit e tjerë të komuniteteve fetare në Shqipëri,
ishin “Marrëdhëniet vëllazërore
ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, bashkëpunimi për të mirën e përbashkët
të popullit dhe mbarëvajtjen e shoqërisë” ndërsa citohet Imzot Gjergj Meta, të ketë thenë se, "Veprimi
i përbashkët mes të gjitha komuniteteve është për të kontribuar në të mirë
shoqërore të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar, është e mira e
përbashkët", ka thënë ai, sipas Radio Vatikanit në gjuhën shqipe.
Është kjo frymë
bashkëpunimi — për të mirën e përbashkët dhe për të mirën e popullit dhe Kombit
shqiptar në përgjithësi— që Imzot Gjergj Meta ka kembëngulë edhe më përpara
gjatë viteve me mesazhin e fortë të vëllazërimit se, “Nëse është e vërtetë që
Evropa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të
shkoj në Evropë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të
cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendu e u jam
gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj
me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse
në Evropë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj
ofertën e vazhdoj jetën!” Imzot Gjergj Meta – I sapo zgjedhur President i ri i
Konferencës Ipeshkvnore i Kishës Katolike Shqiptare -- Frank Shkreli: O zot, ky është
vendi ynë, na ndihmo! | Gazeta Telegraf
Sa
për kujtesë të lexuesit, ishte Asambleja e Përgjithshme e Konferencës
Ipeshkvnore e Shqipërisë, që me 15 Nëntor të vitit të kaluar, ka miratuar një deklaratë
me shkrim, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Presidentit të Republikës së
Shqipërisë dhe Kryeministrit të vendit që të shqyrtojnë seriozisht dënimin me
ligj të dukurive të “krimit të apologjisë” të komunizmit në Shqipëri, siç e
quajnë udhëheqësit e Kishës Katolike në Shqipëri fenomenin e shfaqjeve
nostalgjike për ish-regjimin komunist dhe liderin e saj Enver Hoxhën, në
Shqipëri. Besoj se është përgjegjësi fetare, morale dhe shoqërore që edhe
komunitetet e tjera fetare në Shqipëri të shfaqin gjithashtu shteqësimet e tyre
më të thella mbi këto dukuri të krimit të apologjisë, si të papranueshme dhe të
dënueshme, në nivelet më të larta qeveritare e shtetërore. Kjo do të ishte një
provë e bashkëpunimit të vërtetë midis komuniteteve
fetare për të mirën e përbashkët të popullit dhe për mbarëvajtjen e shoqërisë
me mbështetjen e të gjitha komuniteteve për një thirrje të tillë -- për të
kontribuar për pajtim, në të mirë shoqërore të vendit dhe të Kombit, duke
kërkuar dënimin e krimeve të komunizmit dhe ballafaqimin me të kaluarën
komuniste në Shqipëri. Në fund të fundit ishin komunitetet fetare në Shqipëri
ato që e pësua më keq nga komunizmi. Heshtja ndaj këtij fenomeni nuk u ka hije!
Apologjetët e komunizmit nuk duhet të tolerohen më në nivelet më të larta të
qeverisë, shtetit dhe në sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me bazë
ushtarake të NATO-s në territorin e saj. Mjaft është Mjaft! Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i
“Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf
“Në një klimë mjaft
miqësore, Ipeshkvi Gjergj Meta u prit në ambientet e Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë nga Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë. Gjatë takimit dy palësh, Imzot Meta theksoi rëndësinë e veprimit
të përbashkët mes të gjitha komuniteteve për të kontribuar në të mirë shoqërore
të vendit tonë. E mira e një komuniteti të caktuar është e mira e përbashkët
dhe aplikimi në shoqëri i vlerave fetare duke ruajtur laicitetin, është rruga e
duhur për një vend më të mirë,” nënvizoi Imzot Meta.
“Takimi me kreun e
Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Edmond Brahimaj u zhvillua
në një klimë mjaft të këndshme dhe miqësore. Në bisedat e rastit, udhëheqësit
përkatës, kujtuan kontributin e shquar që këto dy komunitete kanë dhënë në
etapat e ndryshme historike të shtetformimit për vendin tonë. Baba Edmond
Brahimaj duke uruar përzemërsisht Imzot Meten për detyrën e re, kujtoi
bashkëpunimin e çmueshëm që ka karakterizuar në vite këto dy besime”.
“Një
vizitë kortezie zhvilloi edhe me Kryetarin e Komitetit të Kulteve Z.
Klodian Bulku. Gjatë bisedës me të, Imzot Meta rinovoi gatishmërinë e
bashkëpunimit mes Kishës dhe shtetit. Ai gjithashtu duke shprehur vlerësimin
maksimal për rolin e shtetit, shprehu domosdoshmërinë e koordinimit të sfidave
dhe problematikave mes palëve, të cilat qëndrojnë nën mbikëqyrjen e këtij
institucioni”.
*Burimet dhe fotot për këtë reportazh nga portalet: Konferenca Ipeshkvnore e Kishës Katolike Shqiptare, Radio Vatikani dhe Ipeshkvia Rreshën