Kulturë
Blerim Rrecaj: Pranë një dritareje të hapur në krah
E diele, 10.03.2024, 07:50 PM
Blerim Rrecaj:
Pranë një dritareje të
hapur në krah
Kaluan
duke parë në katin e parë të këtij reastuaranti të gjithë ata që kishin zënë
vendet, dhe u ngjitën shkallëve për në të dytin. Njerëz kishte edhe jashtë në
verandën e tij, që dukej jashtë xhamave të mëdhenj që shkonin deri në tavan kah
ana me pamje nga fshati, fusha e aeroportit, kodrat, e një maje mali me borë,
ku veranda dukej si bord anijeje, që ngadalë e qetë u afrohej atyre brigjeve. E
kur erdhën në katin e epërm, këtu vështrimi u hodh përreth dhe edhe këtu kishte
njerëz, ndonëse më pak, dhe po mendonin se ç'vend do të zinin. Nganjëherë ky
problem, kjo mëndyshje, u merrte mjaft kohë, as vetë s'e dinin përse, e
mateshin para se të uleshin, si të ishin para ndonjë mendimi që do peshuar mirë
e mirë, sikur të ndodheshin para marrjes së një vendimi të rëndësishëm. Sikur
të ishin duke blerë ndonjë copë trualli, a ndonjë shtëpi, veturë, sikur
shisnin, a ndërronin diç,sikur mendonin
për fshirjen a kërkimin e ndonjë borxhi, ndonjë kredie, sikur po vendosnin se çfarë do të bënin për një propozim për
ndonjë vend pune, për ndërrim pozicioni a pozite, për një çështje të ndërlikuar
personale a profesionale, a për një projekt të nisur, që përmbante diçka
pëmbajtësore, të dobishme, të vlefshme e me vlerë, duke e vërtitur kokës një
çështje shumë serioze. Ndonjëherë shpejt vendosnin e pajtoheshin. Varej si
ishin me disponim. Ose përsëritej ndodhia, dhe kalonte kohë derisa vendosnin
për këtë çështje, kur këmbëngulnin për të arritur qëllimin. Dhe kjo i bënte
qesharakë. E ndonjëherë merrnin vendim e
ndërronin vendin që sapo kishin zënë, ia mësyenin një tavoline tjetër, më në
mes a më në qosh, për një, për dy a për asnjë arsye. Punë zënie vendesh më.
Këtë herë u ulën fare pranë xhamave, më saktësisht pranë një dritareje të hapur
në krah, reza e së cilës rrinte kokëpërpjetë vertikalisht. Njëri prej tyre
qeshi, se iu kujtua diç. Në kohën kur dikush derisa hapte dritarën në këtë
mënyrë, dikush tjetër pranë kishte vënë dy duart duke e mbajtur, pasi me sa
dukej ishte hera e parë që shihte një hapje të tillë, duke menduar se ajo do të
binte, e do të thyhej copë-copë. Eh,
shumë kohë kishte kaluar që atëherë. Dhe u kthye te ajo ndejë, deri në mëngjes,
në shtëpinë e një shoku të klasës së mesme. Ta tregonte edhe një herë, a të
heshte. La këtë kujtim dhe u hodh në një mozaik të ndërlikuar bisedash, që nga
informatat që merrte në ekran telefoni, duke filluar nga ndonjë ngjarje aktuale
e deri te armët nukleare a intelegjenca artificiale. Kështu bënte dhe tjetri,
bashkëshoqëruesi. Dhe kishte rast që kjo ndejë u dukej e tepërt, e zbrazët, pa
kuptim. Më mirë që sot të mos ishin takuar. Të rrinin vetëm, diku. Rrëshqisnin
me fjalë, nxeheshin, qetësoheshin paksa, për të folur përsëri me tone që
shkaktonin bezdi. Kërcenin nga biseda në bisedë. Nga dritarja e hapur në krah
vinin valë freskie që përplaseshin në akullsinë që ndjenin prej sa kohësh.
Pjesëmarrës në një
gjysëm-maratonë
E
kishte vendosur të merrte pjesë, në këtë garë
ndërkombëtare, që mbahej tash sa vite, filluar dy vjet pas çlirimit të
Kosovës. Dhe që vazhdonte. Për çdo vit nga ballkoni i banesës ku jetonte, ose
zbriste poshtë shkallëve e dilte në trotuar t'i shihte garuesit që vraponin
shtegut, rrugës kryesore të qytezës së tij. Tre katër zezakë krijonin një
distancë mjaft të madhe me të tjerët, pastaj kalonin garuesit tjerë, atletë
profesionistë e amatorë, dashamirës të vrapimit, e figura fushash e profilesh
të ndryshme, derisa erdhi koha të hynte në këtë valle vrapimi pas më shumë se
një dekade. Dy ftesa i bëri në drejtim të të njohurve të tij për
bashkëshoqërim. Përgjigjet nuk qenë pozitive, ndonëse as negative s'ishin
aspak. Kështu që shkoi, u regjistrua, mori trikon mëngëshkurër me logo dhe
numrin që do e ngjiste për të. E nesërmja u bë e sotme. U nis bashkë me të
tjerët, nga aty ku edhe ku do të ktheheshin, nga porta që mbante fjalët
START-FINISH, që ishte pothuajse në mes përkrenares së Skënderbeut dhe Objektit
të Teatrit Kombëtar. Rrugës u takua me tre vrapues nga Vlora dhe një nga Peja,
dhe nisën bisedën derisa vraponin. Pasi bën një copë rrugë, i treguan dhe
kishin marrë pjesë në mjaft gara të tilla. U tregoi se po merrte pjesë për herë
të parë, në një garë të tillë, nuk kishte bërë farë përgatitjesh, e më shumë
merrte pjesë për ta provuar e shuar kureshtjen. Maratonistët vlonjatë që
shpejtuan hapat, i dhanë ca këshilla, që të mos ngutej, ta ngadalësonte ritmin,
dhe të vazhdonte vrapin me pejanin që njihnin, të moshuarin me një përvojë të
mirë në këto gara, pasi edhe baci flokëthinjur shtatëdhjetëvjeçar u kishte
treguar se ritmi i vrapimit të tij, nuk do të ishte aq i shpejtë si i ca viteve
më parë. U uroj vrapim të këndshëm e suksese, dhe thirri me zë mjaft të lartë,
përpara, përpara Sotiri, më i miri, atij që i mësoi emrin e që fliste derisa dy
të tjerët ishin më të heshtur, e dëgjonin me vëmendje. Vazhdonte vrapin tash me
bacin, që i fliste për ca gjysëm maratona kryesisht nëpër Ballkan ku kishte
marrë pjesë. Mbërritën përballë strehës së tij, e përshëndetën të afërmit me
duar, nga ballkoni e duke i uruar vazhdim të mbarë. Ndërkohë të tjerë sa
parakalonin, sekush linte garën gjatë rrugës, mjekët me ambulancë përcillnin
gjendjen, e ofronin ndihmë nëse ajo kërkohej e ishte e nevojshme. Qytetarë e
fëmijë, që kishin dalë ta ndiqnin nga afër garën,nëpër pjesë të ndryshme skaj
rruge përshëndesnin, duartrokisnin e
buzëqeshnin. Rrugës shërbeheshe me ujë ose me ndonjë pije energjike. Dhe sa më
shumë kohë që kalonte e ndjente që po lodhej, por afër kishte atë që e
thërriste bac, dhe i cili i jepte
kurajo. Dhe hap pas hapi, që herë herë ngadalësoheshin dukshëm, e herë
shpejtoheshin paksa për të mos u shëndrruar në ecje e në shëtitje. Rrugës
ndodhën dhe ca ndodhi të këndshme komike. Derisa ngriti duart duke bërë
shqiponjën, dikush nga spektatorët nxori fjalët: jepju këmbëve, se kemi të
bëjmë me garë vrapimi e jo fluturimi. Ndërsa jo fort larg, derisa po afroheshin
e afroheshin, të dy u çuditën por edhe ishin të kënaqur që po preknin cakun.
"Hajde, hajde edhe pak" , tha dikush që ishte aty pranë.
"Unë
jam shtatëdhjetë", tha baci.
"Ani
cilin vend po e zë", tha i panjohuri.
"Nuk
e di, veç një vend ma të mirë se tëndin po se po", tha baci dhe vazhduan
pasi kaluan Ulpianën, e po hynim më në qendër. Teksa po hynim, po bëheshim
bashkë me garuesit e fundit që po hynin në cak, me ne edhe një njeri me ngjyrë,
pra zezak, ky prej atyre të ngadalshmëve, një punonjës në Kosovë, kushedi se
për çfarë institucioni, por emrin tha që e kishte Muhamed, e edhe ambasadorja e
Shba-ve në Prishtinë. U shënuan në ca fleta të bardha koha e mbërritjes së
secilit. Kur tash çlodheshin, e merrnin frymë me ritëm më të përshpejtuar,
fituesit mbanin medaljet krahëqafe dhe buqeta lulesh në duar. Ceremonia mbaroi.
I dhembnin këmbët, gjymtyrët, trupi, po ishte i lehtë pendël, e me disponim të
mrekullueshëm, përgjatë një jave të tërë.