Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Grua - Jetë dhe Dashuri

| E premte, 08.03.2024, 08:00 PM |


GRUA -

JETË DHE DASHURI…

8 MARS

8 GRA + 1 si pafundësi…

Nga Visar Zhiti

Na jepni nëna të mira, të bëhemi fëmijë të mirë, - thoshin latinët. Të flasim për Rozafën e madhe?

Duke qenë 8 Marsi, dua të kujtoj gra të reja të epokave të reja, shqiptare, që i bënë ballë së keqes, u martirizuan…

Janë shumë, i kemi dhe shtëpive tona, më erdhi mrekullia e buzëqeshjeve të tyre. Po risjell për sot ato që përzgjodha një herë, nga ato të parat gra, që do të ishin shkrimtare, shkencëtare, juriste, muzikante, piktore, të laureuara dhe universiteve të Europës, morën dhe rrugën e shenjtërimit, por që diktatura e atdheut, - nuk them dot e burrave, e vëllezërve dhe bijëve të tyre i dënoi rëndë, deri dhe në pushkatim.

O tmerr, që ia kalon dhe ferrit! Fali, o Zot, se s’ditën ç’bënë!

Ato, të përkushtuara si është nëna, të afërta shumë si motrat, të bukura si e dashura, që bëhet gruaja, ikona ndritëse të gjitha, yje që na vështrojnë me sytë e tyre plot...

Po përkujtojmë 9 zonja të jetës në nderim të të gjithave.

1- Musine Kokalari,

shkrimtarja e parë grua në letrat moderne shqipe, studioi për letërsi në Universitetin “La Sapienza” në Romë,  disidentja e parë grua në perandorinë komuniste. Bëri 18 vjet burg në Burrel dhe u shua në internim në Rrëshen, e braktisur.

2- Sabiha Kasimati,

shkencëtarja e parë grua, studioi për Shkencat Biologjike në Universitetin e Torinos, iktologe…

Në Tiranë, nga që u hodh një bombë artizanale në ambasadën e Bashkimit Sovjetik, pa dëmtuad asgjë, regjimi komunist nisi arrestimet, përzgjodhi 21 intelektuakë dhe një grua bashkë me ta, Sabihanë e bukur dhe i pushkatoi të gjithë. Ajo ra e fundit…

3- Erifili Bezhani,

avokatja e parë grua shqiptare, shkon bashkë me të motrën në Francë, ku studion fillimisht për Letërsi frënge dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin Alix-en- Provence, në Montpelier dhe Paris…

Në Atdhe e dënojnë me 20 vjet burg me “Grupin e deputetëve”. Poliglote, merrej me përkthime në burgun e Burrelit. Kur doli, punoi si fshesare rrugëve të Tiranës...

4- Dhora Leka,

kompozitore e këngëve partizane dhe e operas së parë shqiptare nga një gruaje. Studioi në Universitetin “Çajkovskij” në Moskë.

Nga pedagoge në internime të rënda, deri në rënien e perandorisë komuniste.

5 - Elena Gjika- Merlika,

gjuhëtare, studio për letërsi në Universitetin e Napolit..

Me Kryeministrin Mustafa Kruja -Merlika, kryeministër gjatë Luftës II Botërore, patriot dhe gjuhëtar, ndërkohë vjehrri i saj, bashkëpunoi për hartimin e Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe…

I dënuan të shoqin dhe i burgosën djalin, ajo, heroinë e heshtur, gjithë jetën e kaloi në internime, gjysmë shekulli.

Po Fjalori? U përvetësua nga socrealizmi dhe e zhdukën.

6 - Marie Tuci

Iu përkushtua Zotit, donte t’i shërbente njerëzve si murgeshë. Studioi në Kolegjin e Shkodrës të “Motrave Stimmatine”…

E arrestojnë dhe mes torturave të llahtarshne vdes.

Është shpallur “E lume” nga Selia e Shenjtë, Vatikani, në 2016, e vetmja grua mes 39 martirëve të Kishës Katolikë që i pret shenjtërimi.

7 - Tefta Tasi,

…e arrestojnë në internim, ishte nxënëse dhe e dënojne me tre vjet burg, se nuk donte të shkruante në hartim për Enver Hoxhën…

Në liri do të shkruante një libër me përralla dhe do të linte kujtimet e saj për të ardhmen..

8 - Adivije Alibali,

balerinë dhe aktore, luan në filmin “Skënderbeu” Mamicën, motrën e Skënderbeut, etj.

Kur dënuan me burg bashkëshortin e saj intelektual, ajo nuk u nda, por i qëndroi besnike dhe regjimi e internoi bashkë me fëmijët…

9- Suhade Cakrani

Piktore, e bija e firmërarit të Pavarësisë, Hajredin Cakrani, ministër në qeverinë e parë. Ajo studioi për Artet e Bukura në Firence...

Mbas Luftës II Botërore fitimtaret do ta shkatërronin dinastinë e familjes së saj. Kur do t’i varnin vëllanë nacionalist në mes të qytetit të Fierit, ajo do të çante turmën, që edhe brohëriste e do binte më gjunjë para tij, duke i puthur këmbët shenjtërisht. E mbyllin në çmendinë, ku dhe shuhet atje.

Imazhi i saj artistik me kalin si kalorëse e bukurisë, me Pegasin me flatra, duket se të gjitha ato gra martire i çon qiejve parajsorë.

AVE të gjithave!