Speciale » Basha
Sabile Basha: Fahri Fazliu - Bëni të fala nënës, i thoni se Fahriu po vdes për Kosovën
E enjte, 07.03.2024, 07:59 PM
T'I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
FAHRI
FAZLIU- “BËNI TË FALA NËNËS, I THONI SE FAHRIU PO VDES PËR KOSOVËN
(1963-
e vranë më 2 .11. 1989)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Historia tek ne u përsërit në mënyrën më të vrazhdë.
Krahasojmë ngjarjen e vitit 1984, kur ranë heroikisht heronjtë Rexhep Mala e
Nuhi Berisha dhe 2 nëntorin e vitit 1989, kur pesë vite më vonë përsëritet po e njëjta histori, duke rënë në
altarin e lirisë po ashtu shokët e jetës e të idealit: Afrim Zhitia e Fahri
Fazliu në Kodrën e Diellit. Që të dy vinin nga komuna e Podujevës dhe ranë duke
luftuar me forcat armike të cilat ishin në numër më të madh dhe në armatim më
të fuqishëm.
Fahri Fazliu, u lind më 24 shkurt, të vitin 1963 në
Llaushë të Podujevës, në të njëjtin vit kur kishte lindur edhe atdhetari i madh,
Afrim Abazi nga fshati Slivov i Ferizajt. Të cilët më 1982, e mbytën udbashët duke e
marrë në pyetje dhe ashtu të vdekur e kishin hedhur nga kati i pestë i SPB-së,
duke trumbetuar se ai kishte bërë vetëvrasje. Ama, këtë trillim të pushtetarëve
serb askush nuk e kapërdiu. Babai i Fahriut ishte Rrahmon Fazliu dhe nënë
kishte gruan e devotshme e fisnike Halime Fazliun. Fahriu ishte fëmija i dytë i
bashkëshortëve Fazliu. Familja e tij ishte atdhetare dhe dashurin për vendin e
kultivuan te i biri që në fëmirin e hershme. Si fëmijë ai dallohej nga fëmijët
e tjerë, ngase ishte shumë i zgjuar, i dashur dhe guximtar. Fjalën e dhënë e
mbante dhe të afërmit i donte shumë. Në moshën shtatëvjeçare e dërgojnë në
klasën e parë në shkollën e fshatit Llaushë të Podujevës. Gjatë tërë shkollimit
ishte i dalluar dhe tetëvjeçaren e përfundon me sukses të shkëlqyer.
Shkollën e mesme e vazhdon në Prishtinë, në shkollën
“19 Nëntori”, dega e komunikacionit hekurudhor. Po ashtu edhe këtë e mbaroi me
sukses të lakmueshëm. Fahriu ishte i shoqërueshëm dhe shokët e respektonte
shumë. Sa ishte në shkollën e mesme ai u njoftua me Naser Hajrizin, Asllan
Pirevën e shumë shokë të tjerë. Gjatë demonstratave të 2 prillit 1981, në të
cilat mori pjesë edhe Fahriu, ai shokët e tij të idealit: Naser Hajrizin dhe
Asllan Pirevën. Humbjen e tyre e përjetoi rëndë. Po atë ditë, në heshtje ishte
betua se do e ndjek rrugën e tyre dhe do të hakmerret për ta.
Gjenerata e Fahri Fazliut e Afrim Zhitis, ishte gjeneratë
që mbi supet e veta barte barrën e rëndë të robërisë, dhe ata ishin të
vetëdijshëm se në memorien e tyre ishte skalitur urrejtja kundër armikut dhe i
përcillte amaneti i shumë gjeneratave të mëhershme se duhet çliruar Kosovën dhe
duhet bashkuar me Shqipërinë. Andaj, ata nuk ishin të qetë deri sa të
realizonin amanetin e të parëve. Heronjtë dhe dëshmorët e kësaj gjenerate,
ishin ata që kishin organizuar dhe kishin marr pjesë në radhët e para të
demonstratave studentore të vitit 1981.
Fahriu, posa e përfundon shkollën e mesme , detyrohet
të shkoi në shërbimin ushtarak, në Banjallukë të Bosnjës e Hercegovinës. Më 1985, Fahriu regjistrohet në Fakultetin Teknik, në degën e Ndërtimtarisë.
Por kushtet e vështira e detyruan që ti ndërpres studimet dhe u punësua në
Obiliq, në Organizatën Hekurudhore Transportuese, si dispeçer i trenave. Puna
në Obiliq dhe takimi me pushtetarët serb, ishte një sfidë e cila ishte shumë e
vështir për ta kalua. Ai që në ditët e
para bie në konflikte me udhëheqësit e organizatës ngase nuk donte që të jepte
urdhër për nisjen e trenave në gjuhën serbe. Udhëheqësit ishin shumë të
revoltuar, ngase ky reagim i Fahriut ishte një guxim i madh, andaj edhe e larguan
nga puna. Të dënoheshe për veprimtari armiqësore
në vitet '80 - '90, organeve të sigurimit nuk u nevojitej ndonjë shkas i madh.
Nga shumë aktgjykime dhe shumë dokumente që i kam konsultuar, më ka rastisur të
shihja se për organet e pushtetit kishte qenë shumë e rëndësishme të dënoheshin
njerëzit që në rrethin e vet kishin autoritet, dënoheshin intelektualët dhe
njerëzit që kishin sadopak ndikim në popull.
Derisa punonte Fahri Fazliu, në
ndërkohë kishte regjistruar edhe studimet në shkollën e lartë të komunikacionit
në Zagreb dhe ishte para diplomimit. Po në këtë kohë mbante lidhje dhe
bashkëpunonte me shokët atdhetar: Fadil Vatën, Afrim Zhitinë, Ali Ajetin e
shumë të tjerë, dhe ai s bashku me ta mendonte se shumë më e rëndësishme ishte
shkolla atdhetare se sa të kryente fakultetin.
Fahriu së bashku me shokët, e më vonë, më 1987 i bashkëngjitet edhe vëllai më i vogël (16 vjeçar), Bahriu, duke vepruar në treshe të organizuara ilegale. Dhe gjatë veprimtarisë, Fahriu e kishte pseudonimin “Fatmiri”. Më 1988, Fahriu me shokët e idealit, Fadilin e Afrimin ishin të parët në demonstratat gjithë popullore. Fillimi i vitit 1989 po paralajmëronte vlime të mëdha në Kosovë. Ndërsa organizimi më i suksesshëm që u bë nga populli, ishte greva e minatorëve në Trepçë që u organizua nga 20-28 shkurti i viti 1989. Për tetë ditë minatorët mbetën të paluhatshëm dhe të pathyeshëm. Pastaj u mashtruan nga kreu i shtetit i ndihmuar nga lidershipi serb dhe nga dy-tre tradhtarë vendës, duke iu thënë se pranoheshin kërkesat e tyre dhe kur dolën nga miniera filloi terrori mbi ta, por edhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Nën presionin serb, Presidenca e Jugosllavisë vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Urdhëroi përdorimin e ushtrisë dhe policisë kundër çfarëdo rezistence. Praktikisht mbi Kosovën u krye një grusht shtet antikushtetues. Por betejën e nisur nga minatorët e vazhduan rinia, studentët e shtresat e tjera përmes protestave paqësore. Gjatë atyre ditëve u vranë më shumë se 30 protestues paqësorë. Dhe me të drejtë greva e minatorëve llogaritet si kryevepra e ilegales shqiptare në vitet e fundit. Fahriu s bashku me shokë gjatë kësaj periudhe e hasim çdo kund. Ai ishte në mesin e studentëve të cilët solidarizoheshin me grevën e minatorëve, ndërsa Fahriu me këtë rast përfaqësonte studentët shqiptar që studionin në Zagreb.
Pas grevës së minatorëve duhet thënë se çdo gjë
ndryshoi. Çështja e Kosovës hyri në zyrat e kancelarive botërore. Uniteti i
krijuar atëherë u bë bazë për organizime dhe veprime politike, më vonë edhe
lufta e djemve e vashave më të mira të kombit e sollën Kosovën deri te liria
dhe shtetësia e shumë pritur. Edhe sot dhe gjithmonë greva e minatorëve bart
postulate të pamohueshme për çështjen kombëtare. Na mëson se me unitet, të bashkuar
dhe të vendosur mund të arrihen qëllimet e kahershme historike sado që rruga
drejt tyre duket e vështirë.
Pas
këtyre demonstratave nisi tatëpjeta për popullin shqiptar dhe për pozitën
juridike kushtetuese të Kosovës, me ç ‘rast Serbia inicioi amendamentet kushtetuese sipas së
cilës suprimohet autonomia e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.
Pas
presionit të paparë mbi ish udhëheqjen aktuale politike, më 17 nëntor
shpërthyen demonstratat masive të popullit shqiptar, por kësaj here, me
kërkesën për ruajtjen e pozitës kushtetuese juridike të Kosovës sipas
Kushtetutës së vitit 1974. Në mars të vitit 1989 Serbia arriti ta suprimojë autonominë e Kosovës dhe
ta rimarrë sovranitetin de jure mbi
Kosovën.
Demonstratat
dhe protestat e popullit shqiptar vazhduan përgjatë tërë vitit 1989 me ç ‘rast
pati me dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Viti 1989 ishte dhe viti i
shembjes së sistemit komunist në tërë Evropën Juglindore, pas së cilës pasoi edhe shpërbërja
e ish Federatës Jugosllave me luftëra të përgjakshme duke nisur nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e
Hercegovina. Pas Marrëveshjes së
Dejtonit të vitit 1995, në të cilën Kosova as që u përmend, në vitin 1996 pasojnë
aksionet e para guerile të njësiteve të UÇK-së, i cili solli një ndryshim
radikal në skenën kosovare të gjeratëhershme, kalimi nga rezistenca pasive në
atë aktive.
Gjatë
viteve 1974-1981, në Kosovë gjerë diku u arritën rezultate të konsideruara të
zhvillimit ekonomik, kulturor, arsimor, shëndetësor etj. Kjo gjendje e krijuar,
nuk i shkonte përshtat pushtetit serb. Ai përherë synonte realizimin e planit
të kahershëm për vendosjen e hegjemonisë dhe të krijimit të Serbisë së Madhe. Kështu, pushteti serbo-jugosllav,
duke e shfrytëzuar gjendjen e krijuar politike në atë kohë në Jugosllavi, e sidomos pas
demonstratave të rinisë, studentëve, punëtorëve etj., të Kosovës të vitit 1981,
filloi aktivizimin e planeve të veta hegjemoniste të njohura më parë. Me metoda
të ndryshme perfide mundohej të pengonte zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe
arritjet e tjera. Ajo, me moton e kthimit të serbëve dhe malazezëve të
shpërngulur nga Kosova, përdori masat më radikale të njohura ndaj
rinisë e inteligjencës shqiptare, burgosjeve, vrasjeve, largimit nga puna e
deri të marrja e autonomisë dhe në fund edhe të zbatimit të terrorit ndaj
popullatës shqiptare në vitet e mëvonshme.
Më
28 mars 1989, suprimoi autonominë e Kosovës, ndërsa në korrik të vitit 1990 e
okupoi në mënyrë klasike Kosovën. Shqiptarët e Kosovës, kurrë nuk u pajtuan me
gjendjen e krijuar, nën sundimin serbo-jugosllav. Ata i rezistuan hegjemonizmit
serb në forma të ndryshme. Më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës,
shpallën Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Më 7 shtator 1990,
Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në Kosovë ishte konsistuar pushteti
i Republikës së Kosovës, i cili funksionoi paralel me pushtetin serb. Për të
suprimuar autonominë e Kosovës, organet serbe me kohë kishin filluar një
fushatë të paparë kundër Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Nxjerrjes së
Kushtetutës së Serbisë veç kësaj i paraprin edhe shumë ngjarje të përgjakshme
të përgatitura dhe të zbatuara nga udhëheqësit shovinistë serb me në krye
Sllobodan Millosheviçin.
Humbja
e autonomisë së Kosovës u shënua me demonstrata të fuqishme të cilat shpërthyen
pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës. Të vetëdijshëm për rrezikun që po i
kanosej popullit shqiptar të
Kosovës, studentët shqiptarë të
Universitetit të Prishtinës u ngritën në demonstratë më 23 mars 1989, pikërisht
në ditën kur edhe ndodhën ndryshimet kushtetuese. Demonstratat vazhduan edhe më 26 dhe 27 mars.
Po ashtu, me 27 mars, Fahri Fazliu ishte angazhua që të shkonte në Podujevë që
të organizonte popullin e Podujevës që sa më shumë të dali në demonstrata,
ashtu edhe ndodhi. Në Podujevë siç thonë i madh e i vogël kishte dal në rrugë
duke brohoritur parulla kundër pushtetit jugosllavë. Ato u zhvilluan ashtu edhe
siç e kishin parapa organizatoret, por rrugët e Podujevës at ditë u lanë me
gjake të rinisë kosovare. I riu Mehmet Maliq Ejupi u vra nga plumbat e policisë
fashiste dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Një
demonstratë e fuqishme u organizua më 28 mars të vitit 1989, përkatësisht në
ditën kur Kuvendi i Serbisë në Beograd në një sesion të jashtëzakonshëm dhe solemn po
konfirmonte përfundimisht amendamentet kushtetuese. Në të gjitha këto
demonstrata mori pjesë aktive Fahri Fazliu me shokë. Në vjeshtën e vitit 1989,
minatorët u nisën në këmbë nga Mitrovica për në Prishtinë, për të reaguar në mënyrë demokratike për shkak
se për shtatë vjet me radhë ishin të ekspozuar përbuzjeve, ofendimeve,
fyerjeve, presioneve dhe terrorit politik e shtetëror. Për të reaguar ndaj
padrejtësive të shumta nuk ishin vetëm ata, por turmës së tyre iu bashkuan
fshatarët, intelektualët, rinia studentore dhe në fund i tërë populli i
Kosovës.
Një
valë e re e demonstratave, në të cilat u kundërshtuan ashpër suspendimi i
kushtetutës dhe i autonomisë së Kosovës shpërtheu në fund të majit 1989,
përkatësisht më 30 maj. Në Prishtinë në qendrën e studentëve shpërtheu një
demonstratë, e cila u organizua nga studentët shqiptarë të Universiteti të
Prishtinës. Kjo demonstratë u mbajt në
kohën kur në Kosovë po qëndronte një delegacion i Parlamentit
Evropian i cili kishte ardhur me qëllim që të shihte më afër zhvillimet
në Kosovë pas shfuqizimit të dhunshëm të autonomisë, respektivisht që të
shihnin nga afër pozitën e shqiptarëve pas vendosjes së administratës represive
ushtarake-policore. Dhjetëra mijëra shqiptarë u ngritën në demonstrata
paqësore. Demonstrata paqësore u bënë gjithandej Kosovës. Në Podujevë e kishte
marr përsipër që demonstratat ti organizonte Ali Ajeti. Po atë ditë Ali Ajeti
bie për tokë nga rafalët e policisë jugosllave. Autoritetet serbe përdorën
forcën për t’u shpërndarë demonstruesit.
Veprimtarët
e njohur të ilegales Fadil Vata, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu edhe me 30 tetor
organizojnë demonstrata në Prishtinë, duke i dal përball armikut dhe duke brohoritur
parulla për Kosovën- Republikë. Po ashtu demonstrata masovike u organizua edhe me
31 tetor po të njëjtit vit, për të vazhduar më 1 nëntor 1989. Kjo edhe ishte demonstrata
më e madhe ku morën pjesë mbi 12.000 veta. Pas suksesit të madh të
demonstratave, pjesëmarrësit tërhiqen, me premtimin se do të takohen në ditën e
nesërme.
Policia
dhe spiunët e shumtë nga të gjithë demonstruesit i kishte veçua Afrim Zhitien
dhe Fahri Fazliun. Duhet thënë se gjatë ditës shumë herë policia kishte qenë
shumë afër tyre për ti arrestuar. Fahriu kishte dell organizativ dhe me tytën e
revoles shpeshherë shpërthente rrethimin dhe i shpëtonte më të keqes.
Pas
përfundimit të demonstratës dhe qëndrimit disa orësh në bazën e tyre në lagjen
Tasligje, ata nuk kishin fjetur fare duke bërë plane për ditën e nesërme. Në
mëngjes, shkojnë në shtëpinë e Rrahmon Fazliut (babai i Fahriut), që ishte në
Kodrën e Diellit. Atdhetaret Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, gjatë tërë kohës
kishin qenë të përcjellë nga spiunët serb. Lagja Kodra e Diellit sa qel e mbyll
sytë ishte rrethuar me tanke, autoblinda, pizgauer. Në çdo qoshe dukeshin
ushtarët e policia e armatosur gjerë në dhëmbë. Urdhri ishte dhënë- Afrim
Zhitia dhe Fahri Fazliu duhet të zënën të gjallë o të vdekur. Një njësit i
forcave speciale ia mësyjnë banesës së Rrahmon Fazliut ku ishin strehua trimat.
Disa policë të veshur me antiplumb thyejnë derën dhe futën brenda aty diku kah
ora 12 e 30. Po në të njëjtën kohë Afrimi e Fahriu kërcejnë nga dritarja dhe në
largim e sipër Fahriu i drejtohet motrës së vet duke i thënë “Bëni të fala nënës, i thoni se Fahriu po
vdes për Kosovën”, fillojnë të shtënat ndërmjet të dy palëve. Një plumb e
godet Afrim Zhitien, ndërsa pas kësaj Fahriu ishte si një luan duke mos kursyer
as plumbin e fundit në drejtim të policëve. Me këtë rast u vranë shumë policë
dhe u plagosën shumë të tjerë. Pas një kohe heshtja e kishte pllakosur tërë
lagjen. Një polic me megafon po kërkonte që të dorëzohen të rrethuarit. As një
zë nuk dëgjohej. Ata- policia duke menduar se të dy trimat ishin të vrarë,
afrohen pran podrumit, por në moment dëgjohen rafalët nga podrumi, tek policët
u krijua një zallamahi e madhe, shumë nga ata ranë për tokë e disa edhe u
plagosën. Helikopteri fluturonte mbi qytet duke bartur
kufomat dhe të plagosurit e policisë. Lufta kishte vazhdua deri në orën 20 të
mbrëmjes të 2 nëntorit 1989. Dhe duke kaluar nga një anë në anën tjetër të
podrumit, Fahri Fazliun e kap një plumb nga një snajper dhe në vend bie për
tok. Po, me 2 nëntor i mbylli sytë Fahri Fazliu për të mos vdekur kurrë.