Kulturë
Albana Kasumi-Dashi dhe Idriz Zeqiraj: Ag Apolloni krijues novator e brilant
E hene, 04.03.2024, 07:58 PM
Albana
Kasumi-Dashi, Ag Apolloni, Argent Ferizi
AG
APOLLONI KRIJUES NOVATOR E BRILANT
NGA
ALBANA KASUMI-DASHI, IDRIZ ZEQIRAJ
Shoqata Kulturore-Humanitare Shqiptaro-Gjermane, "Sali
Çekaj", në Pfaffenhofen, me kryetar Mr.Ing. Argent Ferizi; Klubi Letrar
"Martin Camaj", në Mynih, me kryetar Bashkim Halilaj; Shoqata
"Abeja" në Mooburg, me kryetar Agron Haxhaijaj, organizuan
përurimin dy romaneve të fundit të Prof. Dr. Ag Apollonit:
"Kësulëkuqja - përrallë për të rritur" dhe "Nje fije shprese,
një fije shkrepëse", të cilët u vlerësuan me çmime, u ribotuan dhe u
përkthyen në disa gjuhë evropiane.
Moderatorja simpatike, Era Kolgeci, moshatare e Shoqatës
"Sali Çekaj", fton në foltore kryetarin Argent Ferizi, i cilin, në
emër të organizatorëve, mbajti fjalën e rastit dhe përshëndeti pjesëmarrësit,
duke i falenderuar për praninë e tyre: "Konzullin e Përgjithshëm të
Republikës së Kosovës, në Bavari dhe Thüringen, Afrim Nura; deputetin e vetëm
dhe të suksesshëm në Bavarinë e Epërme, Deli Balidemaj; krijuesin letrar e
artistik, Ag Apollonin; Shoqatat, Klubet; korrespondentin e luftës dhe
kryetarin e Bibliotekës "Mark Krasniqi", Maxhun Smajli; kryetarin e
Nderit të Shoqatës "Sali Çekaj", Osman Ferizi; të burgosurit politikë
Idriz Zeqiraj e Naser Krasniqi; poetët: Nusret Dërguti, Selman Syla, Gazmend
Dashi, Besnik Halilaj; veprimtarët e hershëm: Emrush Tafa, Milaim Krasniqi,
Kadri Gubetini, Lendita Musliu, Agron Haxhijaj, Naim Haxhijaj dhe të pranishmit
tjerë.
Një përshëndetje të veçantë kemi për autorin e romaneve që
përurojmë, poetin, prozatorin, dramaturgun, shkrimtarin, artistin Ag Apollonin
dhe ideatorin, koordinatorin të kësaj -Ore Letrare-, bacën Gazmend Dashi,
nënkryetar i Shoqatës "Sali Çekaj".
Shoqatat tona, në bashkëpunim me Klubin letrar "Martin
Camaj", organizojmë përurimin "Një fije shprese, një fije shkrepëse"
dhe "Kësulëkuqja"- përrallë për të rritur", të autorit Ag
Apollonit. Përmës romanit dokumentar“ Nji fije
shpresë, një fije shkrepëse", pasqyrohet tragjedia e popullit shqiptar
gjatë luftës së fundit, ku shkrimtari Ag Apolloni, në mënyrë brilante, paraqet
ngjarjen reale të dy NËNAVE, simbole të Vuajtjeve Shqiptare, nëna Ferdonije dhe
nëna Pashke, e para, jeton më shpresën, përkundër tragjedisë familjare, kurse,
e dyta, vendos të vetëflijohet, si fundin e vuajtjes të saj, për tragjedinë dhe
përjetimet e luftës, ku humbi bijtë e saj, autori paraqet lidhëshmërinë e fatit
të hebrejve, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe popullit shqiptar nga gjenocidi
serbo- shovenist sllavë.
2
Në foto: Pamje e pjesëshme nga të pranishmit në
"Orën letrare"
Moderatore Era fton në skenë studjuesen e
apasionuar të gjuhës dhe letërsisë shqipe, Albana Kasumi-Dashi, e cila,
mjeshtërisht e profesionalisht, paraqiti reçensionin për romanet e bujshme
të krijuesit novator e brilant, Ag Apollonit:
"Ag Apolloni (1982) është prozator, poet, studiues dhe
profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka kryer studimet për Dramaturgji në
Fakultetin e Arteve dhe për Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë në
Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008. Ka doktoruar për letërsi
në UP dhe ka drejtuar revistën letrare "Jeta e Re" (2010-2012) dhe
revistën për studime kulturore "Symbol" (2013-2023), ku ka realizuar
intervista me emra të njohur botërorë si: Jonathan Culler, Linda Hutcheon,
Stanley Fish, D.M. Thomas, Rita Dove, Peter Singer etj.
Është autor i katër romaneve dhe disa dramave, librave poetikë dhe
studimorë. Romanet e tij janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, holandeze,
çeke, maqedone, malazeze etj. Romani "Ulurima e Ujkut" është botuar
në gjuhën çeke, si pjesë e kolanës “30 libra të autorëve të shquar bashkëkohorë”,
mes autorëve si Gaito Gazdanov, Jose Saramago, Julian Barnes etj., ndërsa në
gjuhën malazeze, është përfshirë në një kolanë me shkrimtarët Umberto Eco, Adam
Zagajevski, Ewa Lipska etj.
Veprat e Ag Apollonit janë shpërblyer me disa çmime kombëtare e
ndërkombëtare, dhe janë mirëpritur nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj. Ai ka
mbajtur ligjërata, ka prezantuar letërsinë e Kosovës dhe ka qëndruar si
shkrimtar rezident në vende të ndryshme, si: Berlin, Leipzig, Vjenë, Graz,
Pragë, Debrecen etj.
Ag Apolloni është kryetar i Shoqatës “Miqtë e Nikos Kazantzakis”,
dega në Kosovë.
Romani “Kësulëkuqja-përrallë për të rritur”, është romani që
shënon ngritje cilësore në karrierën letrare të Ag Apollonit. Ai është një
histori dashurie mes një dramaturgu dhe një aktoreje. Ngjarja vendoset në
Prishtinë, në vitin 2022. Lorita (aktorja) është zgjedhur për ta luajtur rolin
e Juditës, në shfaqjen që po përgatitet në Teatrin Kombëtar, ndërkaq Maksi
(dramaturgu, shkrimtari) është në krizë psikologjike, duke mos mundur ta
shkruajë romanin për përdhunimet e luftës. Maksi gjithashtu ka një problem
shëndetësor me mushkërinë, si pasojë e Covid-it, prandaj për të marrë ajër të
pastër del në park, ku e takon aktoren, e cila ka dalë për të vrapuar. Ata
takohen në park, mes drunjëve, Maksi në të zeza si një ujk i sëmurë, Lorita me
kapele të kuqe si Kësulëkuqe e rritur. Dhe, nga ai moment lindë dashuria mes
tyre, e cila ka rrënjet dhe ngritjet e veta gjatë romanit.
Pos dashurisë, aty trajtohet edhe tema e përdhunimeve. Lorita, që
luan rolin e Juditës së përdhunuar, në dramën që ka shkruar Maksi, është edhe
vetë fryt i përdhunimit. Ndërkohë ajo e kupton që nëna e saj, për shkak të të
qenët e përdhunuar, ka kryer vetëvrasje. Gjithashtu, e kupton që aktorja me të
cilën ndanë skenën në shfaqje, po ashtu ka qenë e përdhunuar, dhe del të jetë
tezja e saj. Në roman trajtohet gjatë historia e përdhunimit, nga miti i
Europës së përdhunuar nga Zeusi, deri te përdhunimet e luftës së Kosovës.
Përveç këtyre dy temave, në këtë roman trajtohen edhe disa tema të
tjera si: lufta, vdekja, trauma, fqinjësia, religjioni dhe filozofia. Krahas
këtyre temave, me theks te pasojat e dhunës dhe përdhunimit, në këtë roman
kombinohen edhe shumë teknika shkrimi, që sjellin lidhje intertekstuale dhe
intermediale me: mite, përralla, histori, cartoons etj. Aty gjejmë interpretime
psikoanalitike, reflektime mbi politikën, referenca dramatike, diskutime
filozofike dhe skena të pastra erotike.
Romani “Kësulëkuqja- përrallë për të rritur” i Ag Apollonit është
roman që flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një
histori e dashurisë dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku
personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe
animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një
përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.
Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike, nëpër një botë
sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e
pastër. Më shumë se një roman historik, është një metafiksion
historiografik.
Ky roman është botuar në nëntor 2022, njëkohësisht në Kosovë dhe
Shqipëri, dhe është romani i katërt i Ag Apollonit, pas romaneve "Ulurima
e Ujkut" 2013, "Zazen" (2014) dhe "Një fije shprese, një
fije shkrepëse" (2020).
"Një fije shprese, një fije shkrepëse"
Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag
Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës
Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë
e këtij romani është udhëpërshkrim. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të
tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve,
masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e nënës Ferdonije,
rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e
dy djemve, bëri vetëvrasje, duke djegur veten me benzinë. Po ashtu, e bazuar
krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë
Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe
kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të
tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport
me luftën, dhe nuk mungojnë lidhjet e shumta me letërsinë dhe mitologjinë
greke.
Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb,
për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të
NATO-s, për personat e pagjetur, për dramën e humbur të Eskilit dhe një
tragjedi të ngjashme me të, që gjendet e gjallë në Gjakovë, për peshën e
pritjes dhe rëndësinë e shpresës.
Vlerësime për dokuromanin (romanin dokumentar) "Një fije
shprese, një fije shkrepëse":
Një dokuroman që me anë të një stili të përmbajtur e rrëfimi të
shkurtër rrëfen tmerret e luftës, duke qëndruar pranë përvojave të viktimave
dhe njëkohësisht duke shmangur patetikën e tepërt: kjo është dhurata e Ag
Apollonit për botën. Është një kryevepër letrare që ia vlen të shndërrohet në
film.
Mieke Bal, teoriciene holandeze
Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i
letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të
letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri "Një fije shprese,
një fije shkrepëse" u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u
dëshmua shkrimtar i risive.
Rexhep Qosja, shkrimtar, kritik dhe akademik kosovar
Në këtë roman ("Një fije shprese, një fije shkrepëse")
nuk qan askush që ta shohin, por ama shenjat e pikësimit në tekst, më janë
dukur se kanë format e lotëve.
Visar Zhiti, shkrimtar shqiptar
Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve,
ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të
gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.
Blerim Shala, publicist kosovar
Kryekonsulli i Landit të
Bavarisë dhe të Thüringenit, Afrim Nura, rezident në Mynih, është një
bashkëpunëtor i shkëlqyer me komunitetin shqiptar të Mërgatës. Andaj merr pjesë
në aktivitetet e ndryshme kulturore, sportive, festive, përkujtimore, të organizuara
nga shoqatat dhe klubet vendore. I pranishëm ishte edhe në "Orën
letrare", në përurimin e dy romaneve të shkrimtarit të mirënjohur, Ag
Apollonit. Ai i përshëndeti organizatorët, të pranishmit dhe autorin e librave,
duke e vlerësuar krijimtarinë e tij të begatë letrare.
Folësi i radhës ishte
Idriz Zeqiraj, i cili bëri një ekspoze të krijimtarisë letrare të krijuesit
shumë- dimensional, novator dhe brilant, si vlerë e shtuar në literaturën
shqiptare.
Në përmbyllje të -Orës
letrare-, njeriu i letrave, Ag Apolloni, bëri një pasqyrë të krijimtarisë së
tij. Të pranishmit patën mundësi bashkëbisedimi me autorin, duke e përgëzuar
atë për arritjet krijuese, për shpërblimet numerike e cilësore. Organizatorët e
këtij aktiviteti letrar, e falenderuan shkrimtarin Ag Apollonin, për ardhjen
enkas nga Kosova, duke u ndjerë të privilegjuar me praninë e tij, mysafir në
mesin e mërgimtarëve.