Mendime
Kolec Traboini: Unë jam Barak Obama!!!
E merkure, 14.01.2009, 07:13 PM
UNË JAM BARAK OBAMA !!!
- Fejton për mendjeçalët e atdheut tim-
Nga Kolec TRABOINI
Ka ca njerëz në këtë botë që nuk u mbushet mendja se ti je ti e jo një tjetër. Jo, të thonë, duke ngulur këmbë si mushka. Ti vertetë je ti, por je edhe një tjetër allasoj. Kanë nisur këto histori të dyzimit tim imagjinar këtu e vite të shkuara. Asokohe një skuth anonim në Nju Jork , me email-pseudonimin Geg Toska, bënte ca ironira për krijimet e një zonje po në Nju Jork. Të dy njiheshin, ishin në shoqatën e shkrimtarëve shqipo amerikane ku gëlojnë edhe sot e kësaj dite rapsodët e Zylo Kamberit, e megjithatë prapa kurrizit të dy këta u bënin hatanë të tjerëve por edhe njëri tjetrit. Të dy përdornin dhjetra pseudonime. Kjo zonja shkrimtare m’u qep duke më akuzuar se isha unë Geg Toska. Nuk kishte gjë që ja mbushte mendjen se nuk isha unë personi anonim po ta kerkonte gjetkë. .. Më zu belaja me atë femër. Tejet vonë, për të nxjerrë të vertetën, ju qepa "me bukë në traste" atij Geg Toskë anonomit dhe me së fundni e detyrova të më zbulohej. Pra Geg Toska ishte "shkrimtari" XY...Po përdor iniciale sepse nuk dua ta ekspozoj. I thashë asaj zonje që unë për hesapin tim e kam zbuluar kush është Geg Toska, por nuk mund ta them se më është lutur personi dhe i kam dhënë fjalën se nuk do t’a ekspozoj. Ajo edhe sot e kësaj dite rri me mendjen se kam qënë unë Geg Toska, kur Geg Toska ka qënë ai pseudoshkrimtari, që sot e ka mik për kokë. I bashkon ligësia që kanë brenda vehtes, mesaduket . Mua aq më bën sepse kurrë nuk i kam sulmuar në anonimitet, as ata e as të tjerët. Nuk ma bluan mideja anonimitetin. Çfarë kam patur për t’ia thënë ua kam thënë të dyve ndër sy..
Kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera të përaferta e gjithnjë me një avaz. Kështu për dy muaj që isha në Shqipëri, larg internetit, është bërë nami me emrin tim, me të shara e të palara vetëm me shkakun se zonja L. mikja e zonjës V. sajon një shpifje të ligë duke thënë në listë-grupin shqiptar “Çamëria” se isha pikërisht unë kundërshtari i tyre i rrebtë në debate, Arbër Thesproti.
Intriga u krye.Veç një shami ju desh Jagos dhe e thuri ligësinë. Kështu edhe zonja L. e cila deri me sot nuk është pergjigjur fare për këtë sajim shpifje të thurur prej saj dhe mikes së saj, se more miq ju nuk dini një gje që di unë. E mailin zonjës L. ja ka hapur zonja V. e kjo ka aces dhe e përdor e-mailin e zonjës L. si posten e vet personale. Kështu që herë shkruan njëra e herë tjetra. Këtë histori e di që në zanafillë sepse ma kanë pohuar me gojën e vet në vitin 2003. E jo vetëm aq por kjo faktohet fare thjeshtë me programin ProjectWhois, sepse një mesazh i zonjës L. shfaqet nga Tirana e tjetri pas një ore nga Italia. Këta që thurin intriga harrojnë se teknologjia të nxjerr zbuluar, ja heq poturet mashtrimeve dhe i le intrigat e intrigantet cullak në mes te ngricave.
Me shumë veshtirësi i binda zotërinjtë e inatosur të Listës “Çamëria” se nuk isha unë Thesproti kundërshtar dhe as ndonjë pseudonim anonim tjetër. Epo shyqyr thashë, do më lënë rehat jo vetëm mua, por edhe të vdekurit e mi se këta edhe me të vdekurit merren kur të kanë zët. U fut në lojë një fare pseudofallci gjoja Avni Rustemi nga Gjermania, por kur ja zbulova gënjeshtrat publikisht, iku me bisht ndër shalë...e një zot e di në çfarë vrime miu fshihet e thur intriga të reja.
Sapo u mbyll kjo ngatrresë e çmëndur, ja plasi nga lista tjetër po e çamëve, të ndarë këta çamët si në lojën e kungulleshkave në dy pjesë. M’u përvesh pikërisht ai person anonim, i cili prej disave mendohej se isha tepkë unë. Ja me të tilla gjëra u dashka të merremi ne shqiptarët. Në fakt të detyrojnë të merresh, anipse krejt pa dëshirë, se këta nuk të lënë të rrish në punën tënde.
Por me hyrjen e këtij viti 2009 , falë Zotit, më kanë dhënë pushim. Nuk po merren më me mua, veç ndonjë përmendje emri fare kot nga kosovari i ngatrruar me të vetët z. Bahtir Hamza në Kanada, të cilit nuk e di çfarë borxhi i kam.E keqja është se edhe ai nuk e di, por ka nevojë për emra e lista e na përdor si barut për çifte.
Dhe ja rrufeja në qiell të kthjellët në ditën e janarit 13 -të. Kësaj rralle është rrufe Gjermanie se andej vjen plot shkrepëtima. Një azgan djalë me emrin Enlirat Hoxhaj nga Berlini, që po thashka se është inxhinjer elektronik kompiuterik, bën be e rrufe dhe ve dorën në zjarr, se unë e kurrkush tjetër është Ilir Dardani që shkruan në revistën elektronike “Zemër Shqiptare”. Më polli groshi me këtë inxhinjerin e Berlinit. Ky ngul këmbë si mushka se jam unë Ilir Dardani ngase ky e ka vertetuar me teknologjinë e internetit që e paska profesion. Kësaj rallë nuk më vjen në ndihmë as teknologjia, se ky e ka kompiuterin me diplomë ndërsa unë jam empirik. Si t’ia bëj e ku të vete. Kujt ti qahem e ku të mbytem. Mo Zot ma keq. Kujt t’i them se unë nuk jam Ilir Dardani, si ta vertetoj. Aq më tepër se ky inxhinjeri më ka vënë një ultimatum për deri nesër, në mos do të lëshojë tërë artilerinë e raketat( si në Gaza) kundër meje anë e mban Gjermanisë.
Apo nuk kam një kushurirë gjermankë me mbiemrin Traboini që punon në një Televizion shumë të njohur... Do të turperohem në sy të Aferditës. I mjeri unë si do të bëj me gjitha ato raketa. Një herë mendova se, sa të bëhet luftë e të vriten mileti, më mirë po bëj si në kohën e diktaturës, ku më e lehtë ishte t’a pranoje një gjë që s'e ke bërë kurrë, se sa t’a kundërshtoje akuzën e të kerkoje të vertetën. Hetuesi t’a thoshte hapur e shkoqur si kokrra kallamboqi:Pranoje që të mos rrahim ndryshe do të dalë shpirti me hu në qeli.
Tani ky i fisit te Hoxhajve, elektroniku them, edhe ky ma thotë hapur, por ky e ka edhe artilerinë fort të rëndë. Ky më thotë se unë do të sulmoja Zotin, që i qofshim falë. Po pse te sulmoj Zotin une?! Ky i fisit të Hoxhajve nuk ma thotë. Por ngul këmbë se, sikur qeni qepën t’a hajë, unë prap se prap do të mbetesha Ilir Dardani.
Po mirë more njeri, them unë, po pse të jem Dardani e jo Pellazgu. Pse të mos jem Pirrua i Epirit apo Batua që e humbi betejën, ra rob dhe e hoqën romakët zvarrë.
Për t'ju shmangur luftrave e bombave, raketave elektronike të Hoxhajt, duke qenë edhe përpara ultimatumit të tij kërcënues, unë më mirë po e pranoj se jam Ilir Dardani dhe mbyllet tërë kjo histori lufte. Se fundja, botës po i del e tepron lufta në Lindjen e Mesme, ç’ne edhe një luftë tjetër thelë mbi bisht në internet...
Po, o vëllezër ngatrrestarë shqiptar, po vetsakrifikohem edhe unë si Krishti në kryq. Po marr përsipër mëkatet tuaja. Veç luftë në mes të shqipove të mos ketë. Që të mos acarohen elektroniket e mufanikët.Që të mos e shajnë edhe më tej njëri tjetrin me fjalë të pista. Që të mos më shani edhe më tej të vdekurit e mi që ju patët paturpsinë të m’i lëndoni edhe në varr. Që çamët edhe më tutje të mos jenë pikë pikë, por të bashkuar, se bashkimi bën fuqinë e përçarja mjerimin. Qe te mos e vrasin serisht Çelo Mezanin.Të mos ketë dy Lista e dy Liga e katërqind blogje por një.
Dua ta mbyll këtë fejton me një gojdhanë popullore.
Hajdutet s’po e linin rehat një shtëpi fshati.
- O baba, thirri një natë djali nga hauri.- E zura hajdutin.
- Po sille o bir, - tha babai i gëzuar se shpëtoi nga kusuret me tufën e dhënëve..
- I them, po nuk vjen.
- E po, meqe nuk vjen, lëshoje.
- Puna është, o baba, se e lëshoj unë po nuk më lëshon ai.
Kështu edhe puna ime me ju, o vellezerit e mi shqiptare, kokëtula, ndaj po i pranoj të gjitha si në birucat e hetusisë e pretencat e prokurorëve të Qoftëlargut:
- Unë jam Geg Toska. Unë jam Arbër Thesproti. Unë jam Bujar Shehu.Unë jam Tano Turku. Unë jam Ilir Dardani. Unë jam edhe ...Barak Obama!
A jeni të kënaqur zotërinj hetues? I pranova të gjitha. Tani mblidhni kaplloqen e merruni me punët tuaja se po më krijohet përshtypja se më mendjeçalë se ne shqiptarët nuk gjëndet fis njerëzor mbi faqe të dheut.
14 Janar 2009
_______________________________________________
LEXONI E MOS BESONI
-On Tue, 1/13/09, Enlirat Hoxhaj wrote:
From: Enlirat Hoxhaj
Subject: pergjigjen e pres deri pasneser pastaj e botojme tekstin ne cameria...
To: pendekaltri@yahoo.com
Date: Tuesday, January 13, 2009, 5:15 PM
Kolec,
...kam analizuar disa shkrime te botuara ne webin www. zemrashqiptare.net , z.Kolec Traboini dhe kam ardhur ne perfundim se ju jeni nofke e z.ILIR DARDANIT,qe postoni shkrime (i botoni)ne emrin e tij.Jam befasuar edhe ne nje gje:pse e sulmove z.Bruqin ne zemren shqiptare?...Dihet qe ai publikisht te ka mbrojtur ne internet kunder shume talebaneve qe tu leshun ne sitin e Çamerise!...Nje gje te tille nuk e dije pse e ke bere?!!! Kesisoji e sulmove edhe z.Vitore Leka,humanisten shqiptare qe ndihmoje shume ushtare te UÇK-se.Poashtu sulmove me nofka te nduarduarta edhe publiçistin e mirenjohur Baki Ymeri...Nuk e dijme kend nuk e keni sulmuar!!! Ndofta nje dite do ta sulmosh edhe zotin!!!Pse jo kur e Sulmove Vitoren ne internet!!!
Nuk e dijme se si do te vjen dita...kur do te jeshe ne OLTARIN-para Zotit dhe Isusit!!! Se para Muhametit a.s.nuk je fare...
Shume gjera dije per ty...dhe nje dite do te vije koha kur te gjitha do ti botoje...do te jete ndofta bumerangu i fundit kunder jush dhe ,,miqeve,, tu PATRIOTEVE Tano Turkut,Albertinos...apo Hamdi Nuhiut, SIPAS JUSH ,,turkofilit' SHQIPTAR nga FYROM-i,qe te ka bere lesh pershesh ne disa forume shqiptare....
Mbetesh mire dhe paq kete faqe te zeze!!! Une i percjelle te gjitha shkrimet tua ne internet.
Enlirat Hoxhaj,student i studimeve pasuniversitare/elektroteknike/ ne Gjermani
Enlirat Hoxhaj,ing.i dipl.
Berlin,13.1.2009.
Ps.te them se une nuk jam perkrahes i asnjerit prej tyre...por turp te kesh qe po manipulon me emajla...e njof mire internetitin...prandaj edhe po te jap kete verjtje jo publike...nese nuk e pranon atehere letren do ta postoje dhe publikoje ne shume ëeb sajte interneti gjerman.
ANTOLOGJIA VIRTUALE -PORTAL
Keep your face to the sunshine and you cannot see the shadow. - Helene Keller