| E shtune, 02.03.2024, 07:12 PM |
Blerim Rrecaj:
Dy vetura para redaksisë
Një
objekt. Mbrenda tij një zyrë, e zgjeruar, me ndarje e nënndarje. Tavolina,
karrige, kompjuterë. Edhe ca shkallë për
t'u ngjitur lart. Te ca zyre të tjera, në katin e sipërm. Ku rrijnë ata me
pozita më të larta. Ta zëmë se e një redaksie gazete. Ta zëmë a mos ta zëmë? Po
e zëmë. E cilës? E kujt? E atyre. E asaj. E atij... Mjafton sa i takon kësaj
çështjeje. Edhe në mos mjaftoftë...Me rëndësi të mos mërziteni ju që mund t'ia filloni
leximin e kësaj copëze shkrimi, që dashtë a pa dashtë mund t'u del para sysh.
Vjen një ditë e bëhesh pjesë e saj, pas konkursit të mbajtur, a pas
dokumentacionit që ta dërgon dikush, a dikush dikë e lajmëron, e ti e dërgon
vet personalisht pas mbylljes së konkursit. Është verë, stinë kur zakonisht
kërkohen gazetarë e praktikantë, për të përmbushur hapësirat, për shkak të të
korrurave të pushimeve, por edhe mundësia për ta gjetur ndonjë bashkë-punëtor
të zoti, të shkathët e të përshtatshëm, elastik. (Eh, të kishin mbirë fabrika e
punëtori siç kanë mbirë medie e redaksi, ku me dijtë ku kishim mbërri). Ky është trendi që ka përthekuar vendin, që
këtë radhë më bije ta provoj tash e këtu e tutje. Hyfsha këmbëmbarë e mbetsha a
dalsha faqebardhë. Se deri tash hy e dil nëpër gjithë këto dyer, vështirë shumë
pa u përlyer. Siqoqoftë, janë ca procedura fillestare, përpara se ta kesh
nderin, fatin e privilegjin për t'u bërë pjesë e së fortndriturës redaksi si
takimi me ndonjë nga redaktorët. Hyre paksa syshëndritur nga një ngjarje e
rëndësishme familjare. Mendja të shkoi te të përndriturat tona, të lumtë na për
to. Paragjykimet anash. Dhe fillon të ambientohesh e duke u munduar të japësh
maksimumin, aq sa mundesh e aq sa di. Punë në redaksi, pranë kolegëve e kompjuterit,
ndonjë blloku shënimesh, a ndonjë flete, a dokumenti, telefonave të redaksisë e
atij personal që mban në xhep e herë-herë e lë mbi tavolinë. Punë në terren,
biseda, telefonata, takime nëpër kafene, shtëpi, banesa e ambiente objektesh e
institucionesh. Pastaj koha për të drekuar e pushuar, a bredhur paksa me një
mal mendimesh. Shpejt fillon të lodhesh e mërzitesh edhe këtu. Ca shenja, po
thonë e duken se edhe këtej po u mbrojka me të madhe interesi personal para
atij të përgjithshëm e profesional, pavarësisht se çka trumbetohet. Pavarësisht
reklamave, e vetë-lavdërimeve. Hy e shihe vetë, të thotë, dikush që sapo ka
dalë, se s'paske parë gjë akoma, more djalë. Atmosfera shkon duke u
përkeqësuar, bashkëpunimi jo i kënaqshëm, pakënaqësi ku më e hapur, e ku më e
fshehur e punonjësve që mezi kanë gjetur një vend pune e s'dinë kah t'ia
mbajnë, e kur veçohen zbrazin mllefin. Po mundohem të gjej ndonjë element, të
kujtohem për ndonjë gjë, por është domethënës e që flet mjaft për një muaj ku e
kah kalova. Ah, po, njëri nga familjarët e pronarëve, që mund të ishte edhe
vetë bashkëpronar a aksionar me a pa letra, siç mendohej e thuhej, mjaft shpesh
vinte aty, para objektit me veturën e tij luksoze, të madhe, vizllimë, xhip e
përtej xhipi, e ne punonjësit na voziste shoferi me atë veturën e vjetër të
tij, a të redaksisë, (kur s'priste puna e s'mund ta zinim autobusin) për të
vjetër fort s'e kisha përmend por të palarë, të pamirëmbajtur e të ndotur, me
sedilje të bëra zhyll mbase të papastruara, kushedi qe sa, e rradakja të thotë
se është punë vitesh. Plus tymi i zi e zhurma që linte pas, linte shije të
hidhur. Qyshdoqoftë kalojnë ditë e ditë, sa për t'u shtuar pakënaqësitë. Dhe
kur pata lënë punën pa paralajmërim (vetë i dyti, a vetë i treti, se u pata ba
si vetë i katërdhjeti) duke lënë mbrenda gjithë atë grumbull ankesash. A pata
gabuar? Për dikë po, për dikë jo. Ndoshta pak. Mbase aspak. Kolegët, të mirët,
ata dashamirët, sidomos ata që mbetën brenda të shohin me keqardhje e zili. E
po si e ke pshtjellë e, e ke përzi, e pshtjelltë e, e përzier ka qenë, veç një
gur më tepër e ke hedh, seç them. Tash kur po bëhen vjet e vjet, e gazeta të
përditshme në formë të shtypur nuk po dalin më te ne, e janë duke funksionuar
vetëm portalet-gazeta, seç na u kujtua se siç rrokulliset jeta, duke lënë pas
gjurmët e veta.
Dy moshuar pijnë duhan
U
ul në verandën e këtij restaurant kafeneje dysheme druri prej dërrasash
ngjyrëkaftë. Diku në mes të saj. Ditë me diell dhe paksa freskët. Hodhi
vështrimin përreth. Është vend i njohur për të. Ku edhe rri vetë, me të afërm,
familjarë e mërgimtarë. Pjesa e gjelbëruar përpara restaurantit është mjaft e
këndshme, e këndshmërinë ia shtojnë lëvizjet përreth, të fëmijëve, trumcakëve,
me një fjalë e kalimtarëve të rastit, që mund të jenë edhe qenë e mace. Më tej
nëpër të rri ndonjë patë e betontë kryshytur në bar, ndonjë mjellmë kokëlartë e
mendjemadhe qëndisur me goma automjetesh, nja dy biçikleta të bardha në të
cilat kanë hipur vazo lulesh, një qerre e këtynehershit me rrota, ulëse, lule,
fidane, drunj, panja, bredha e ca gjëra tjera të rrethuar me tela metalikë, një
lloj gardhi i lehtë me pjesën tjetër pllakështruar, e në anën tjetër kah tjetri
kufi rri pip në këmbë mur i betontë e mur i gjallë gjelbërosh prej fije bimësh
e prej bredhash dekorativ. Gati në qoshk
të verandës gjysmë metre ngritur mbi tokë, pa atë të moshuar rreth të
shtatëdhjetave, mjaft të shëndoshë e të mbajtur mirë, me flokë paksa të rëna e
paksa të thinjura, me mustaqe që më tepër anonin kah ngjyra e hirtë. Nga
telefoni i agjokut-musteqokut, herë herë vinin zëra nga ndonjë kronikë në
internet, e herë një këngë me çifteli. Pas pak ia ndali zërin e vazhdon të shoh
brenda kornizës së ekranit ku bota shihet si në pëllëmbë dore. Ndërkohë
fluturojnë dy tre pëllumba, mbi kokën e tij.
Ka vënë dorën mbi ballë me cigaren ndezur që e mban në mes gishtrinjëve,
dhe ndonëse dukej i qetë, tymi që dilte nga cigarja dukej se i dilte nga koka,
që i vlonte si për të krijuar një kontrast e kujtuar ndonjë karikaturë,
ndërkohë avujt e bardhëllemë nga gota e çajit që kishte përpara ngjiteshin
përpjetë e shprisheshin si retë. Dielli rrezon këndshëm, era shpupuriste ku e
çka mundte, kamarierët kryenin porositë që morën. Dy gra, dalin nga brenda
lokalit, hapin derën e kalojnë pranë aty, afrohen te xhami për ta parë posterin
e vënë këtu. "Edhe këtu po paska ndejë me muzikë, për nder të 8
marsit" i tha shoqja shoqes, duke parë se kush këndonte e sa është çmimi,
dhe u larguan pasi thanë diç për ofertën që panë me fjalët, po more e kena ba
punën për me festu. Para se të ngritej nga kjo karrige i ra në mend se sërish
po vjen marsi me gjithë këto festa. Derisa rri aty afër xhamit ku qëndron
posteri, kalon çaste, herë duke parë në telefonin e tij, herë përreth, duke e
shtyrë ndejën me gëllënjka kafeje. I erdhën në mendje mbishkrimet në dyer të
ndryshme lokalesh: "Shtyje". Por edhe :"Tërhiqe". I moshuari rrinte, si i përhumbur në botën e
tij duke ndezur dhe një cigare tjetër.
Në krahun e djathtë, në shumëkatëshet përballë, e si në të pjerrët, një i moshuar tjetër, më i
dobët e paksa më thatanik, me një kapelë të zezë në kokë, pasi doli në ballkon,
në atë kat të tretë a të katërt, mbi lokale,
hapi njërin prej krahëve të xhamave lëvizës, e nxori pak kokën jashtë,
dhe pasi e ndezi, vazhdoi ta pinte cigaren. Rrinte në këmbë e vështronte, e
tymi sikur i bënte shoqëri, sikurse moshatarit të tij, në ndrishmërinë
rrezedritë të pasditës së hershme.