| E merkure, 28.02.2024, 07:55 PM |
Eqerem Canaj në 80 vjetorin e ditëlindjes, 50 vjet me penë
VËSHTRIM
I PËRGJITHSHËM NË OPUSIN LETRAR TË SHKRIMTARIT EQEREM CANAJ, DUKE U PËRQËNDRUAR
TEK ROMANI “REBELI”
Nga
Albert HABAZAJ
Më datë 05.02.2024, në ambientet e muzeut
“Kosova”, Vlorë Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” së bashku
me Shoqatën e Shkrimtarëve e Artistëve “Petro Marko” organizuan datëlindjen e
80-të të shkrimtarit vlonjat Eqerem Canaj.
Në këtë aktivitet morën pjesë intelektualë
e shkrimtarë vlonjatë, familjarë e dashamirës të shkrimtarit Canaj, të cilët
uruan ditën e tij të lindjes dhe shprehën mirënjohje për punën e z. Eqerem
Canaj, si shkrimtar e poet i Vlorës.
Në këtë aktivitet, me rastin e 80 vjetorit
të lindjes së shkrimtarit vlonjat Eqerem Canaj, mbajtën fjalën e tyre: Dr.
Albert Habazaj, znj. Laureta Petoshati, dr. Ermir Xhindi, znj. Iltana Koleka, z.
Ardi Stefa, z. Kristo Çipa, znj. Enerieta Sina, z. Çlirim Hoxha, dr. Lekë Skëndaj, z. Xhevdet Nuraj, z. Remzi
Gjika, z. Agim Ruka.
Në fjalën e tij, deputeti i Vlorës dr.
Bujar Leskaj shprehu mirënjohje për punën e palodhur të z. Eqerem Canaj, për përkushtimin
e tij ndaj shkrimit e prodhimit të një numri të konsiderueshëm veprash, të
cilat numërohen 44 të tilla, si romane, poezi e novela: (“Bisha e thinjur”, “Disku
i Artë”, “Qiej të çarë”, “Njeriu me nofulla të hekurta”, “Liria”, “Ombrella e
thyer”, “Sfida”, “Misteri”, “Apoteoza” etj). Leskaj u shpreh se romanet e tij
janë artistikisht të ndërtuara mirë, sikurse japin mesazhe kuptimplota. Në
fund, ai falënderoi folësit për kumtesat e mbajtura. Kjo veprimtari e bukur,
serioze dhe mbresëlënëse u transmentua nga televizionet e
qytetit.
Shkrimtarit Eqerem Canaj, për 80-vjetorin e lindjes, i organizuam në
festë letrare të merituar, duke u takuar me njeri - tjetrin, duke i uruar mikut
tonë të penës shëndet e begati fizike, begati letrare dhe financiare! Folëm,
diskutuam, po edhe ndonjë debat letrar e bëmë miqësisht, për të mirën e
letërsisë vlonjate, për shëndetin tonë letrar.
Miq të dashur! Sot, shkrimtari Eqerem Canaj
ka dy festa: 80 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e botimit të parë në shpypin
e kohës në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”.
Ndërsa, tek trajtojmë letërsinë e autorit,
kujtojmë që Eqeremi ka filluar të botojë tek revista “Nëntori” në vitin 1977,
sot i bëhet 43 vepra letrare dhe...problemi është se ai s'di të ndalet, nuk i
njeh digat...
Botimi i parë letrar i autorit është “Labi i vogël” një poezi e gjatë botuar në
revistën “Nëntori” 6/1977, kushtuar
Halim Xhelos, që vijon me poezinë “Trimi
i kësaj toke” kushtuar Heroit Zigur Lelo, po tek “Nëntori”, prill 1978. Kujtojmë
që revista Nëntori ishte organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të
Shqipësisë, e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike. Ndërsa poema “Mesapliku në luginë”, që u botua në
gazetën “Zëri i rinisë” 1980, me paraqitje të Naum Priftit, u mirëprit nga
lexuesit dhe u pëlqye nga kritika.
Nga opusi letrar i Canajt, mund të themi se
letërsia e tij e jep dukshëm ndihmesën në të dy kategoritë kryesore: në poezi
dhe në prozë. Ajo rrok të tre gjinitë letrare: epike, lirike dhe dramatike, po
shpesh herë në shkrimtarinë e tij këto gjini futen natyrshëm në kufijtë e njëra-tjetrës,
duke depërtuar dhe në thellësi, duke lëvruar me sukses 7 lloje letrare dhe
konkretisht: poezinë - me 11 vëllime, (ndër to, 3 haiku); në prozë: tregime dhe
novela - 4 vëllime; përsëri në prozë me romanin - 14 vëllime; kritikë letrare -
5 vëllime; dedikatë (kushtime) - 4 vëllime; monografi - 3 (si autor dhe
bashkautor) dhe antologji të hartuara prej tij dhe bashkëhartues - 2 vëllime.
Nga kolana e tij
prej 43 veprash letrare të botuara, vërtet që është e vështirë të përzgjedhës më
të spikaturat, por unë do të veçoj (nga proza e gjatë) “Njeriu me nofulla të hekurta”, (ai që bëri më shumë zhurmë në kohë,
apo zhurmuesi, si e quan autori, që e mbajti në magje plot 21 vjet, roman që i
mori aq punë letrare nga viti 1980 -2001. Po ashtu ndër romanet më të mira të
tij, për mendimin tim, janë “Rebeli”,
“Bisha e thinjur”, “Ethet e gjakut”, “Metastazë në blu”, ndërsa në poezi “Apoteoza”, “Liri me litar në
grykë” etj.
Duke u përqëndruar
pak tek romani “Rebeli”, mendoj si ky
libër i Eqerem Canaj, është i pari i këtij lloji, kur një shkrimtar shkruan për
një shkrimtar tjetër dhe vjen si diamant letrar e homazh për kalorësin rebel të
lirisë Petro Marko.
Profili letrar i
shkrimtarit Eqerem Canaj ravijëzon një përmasë tjetër më të bukur, më të mirë,
më të dobishme. Është përmasa humane, e cila shkëlqen nëpërmjet altruizmit
burimor, faqe pas faqeve, në romanin “Rebeli”
Vlorë, Triptik, 2015, në 128 f., që pa dritën e botimit ato ditë të arta e të
zjarrta të vjeshtës së tretë, në nderim të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madhërishëm, Petro Marko, atdhetarit
të flaktë, idhullit të tij, idhullit tonë, idhullit të banorëve të Labërisë së Jashtme,
Labërisë së Brendshme, të mbarë shqiptarëve, të Nderit të Kombit të shqiptarëve
në botë.
Nga autorë të
njohur shqiptarë kam lexuar monografi të bukura për personalitete të ndryshme
të vendit, por letërsi artistike në formën e prozës së gjatë, kushtuar figurave
të shquara, nuk kam vënë re.
Romani “Rebeli” i
shkrimtarit Eqerem Canaj do të kujtohet në vijim, sepse mund të jetë i pari
autor jo vetëm në Vlorë, por në mbarë letrat shqipe, që përdor daltën e
shpirtit në faqet e një romani, kushtuar
një shkrimtari, i pari në Shqipëri që shkruan për të madhin Petro Marko.
Duke lexuar me
dëshirë librin e autorit E. Canaj, më kaluan ndërmend, në fraksion të sekondës,
tre autorë të huaj, që kanë botuar romane për idhujt e tyre të kalibrit
botëror: Gledis Shmit, shkrimtare
amerikane, që shkroi romanin “Rembrandti”
dhe shkrimtari gjerman Lion Fojhtvanger me romanin “Rruga e mundimshme drejt njohjes”, kushtuar Francisko Gojës, si dhe
shkrimtari tjetër amerikan Inving Stoun me romanin “Etja për jetë” rrëfim për Vinsent Van Gogun.
Më duket a më
pëlqen të shprehem se, shkrimtari ynë E. Canaj, për realizimin e romanit
“Rebeli” ka ngjyer shpirtin artistik në kosheren me mjaltë artistik të autorëve
të njohur botërorë që përmenda, duke u zbukuruar më tepër estetikisht, si një
rruazë drite me diamantë altruizmi.
Sprova romanore
“Rebeli” i Canajt është një provë e kaluar me sukses, duke qenë romani i parë
shqiptar kushtuar Petro Markos dhe, që rrjedh e lexohet me një frymë, ku
ndërthuren ngjarje e personazhe interesante e të papritur. Penelatat, si në
pikturë, në përshkrimin e mjediseve, dokeve, në portretizimin e personazheve
dhe, mbi të gjitha, në zbërthimin e botës shpirtërore e psikologjike të atyre
figurave, që lëvizin në roman, shtojnë epërsitë e vlerta që ka, në tërësi,
proza e gjatë e autorit. Autori i “Rebelit”, na shpalos një mikrobotë kozmike,
ku vertikalisht, me optikën letrare, operon në hapësirën Dhërmi - Tiranë (me
aksesorët Shkodër, Spaç, Mesaplik, Lushnjë etj.) në kohën, në dukje,
segmentare, 1945-1991, por në thelb mbetet drejtëz, jo që nga lufta e lirisë së
Spanjës e “Rebelit” tonë, por ndoshta, përtej stërgjyshit Gjin Bue Shpata, deri
në kahun tjetër vijues, në përjetësimin e merituar të heroit P. M., të cilin,
tjetërkush e tjetërkund e ka përjetuar. Fillimvitet, ku P.M dhe biondina
elegante “Tirana”, rebelonin kombëtarisht për liri e dinjitet, jepen të
ngjeshura, të qarta, me detaje imtësore, që vërtetojnë sigurinë e njohjes së
jetës, pas fasadës shqiptare të importuar, si dhe saktësinë e paraqitjes dhe të
interpretimit të saj nga skaneri special i shkrimtarit Eqerem Canaj.
Romani është i
ndërtuar me raporte: Dhimitri i Thoma Bregasit dhe Fotinisë me idhullin e tij,
shkrimtarin e Bregut, P. M., si dhe praktikat, konceptet dhe realitetet kohore
shqiptare me insinuatat infektuese të asaj fare, që s’mund ta rriste kjo tokë. Dhimitri niset me trenin e kujtesës drejt idhullit të tij,
me valixhen e vjetër. Këta janë dhe personazhet në qendër të romanit, që mbajnë
të gjallë lëndën, lëvizin personazhe periferikë në roman, qofshin këta realë
apo të trilluar, historikë apo artistikë. Metamorfoza dokesore e Hasan Lumit
ishte rrëqethëse, gati e pabesueshme. Skalitja e personazheve, si: Evanthia
(Eva), hetuesi, drejtori Kuqo, profesori i matematikës, Ballkameni, shok i P.M,
situata e Qytetit të Nxënësve etj., janë produkt letrar i suksesshëm i përvojës
së pasur artistike të autorit.
Karpentieria e
ndërtesës së bukur shkrimore “Rebeli” përbëhet nga tri buqeta me lule nderimi
që quhen: “Parafjala”, “Kundërfjala”, “Plaku i detit”, rrëfim në trajtë poezie,
të cilat autori i jep, si simbol homazhi, kur “Dora e padukshme” vendos lule
mbi varrin e heroit të librit. Ngrihen katet strukturore me “shpëtimtarin”, ku
me gjuhë të thjeshtë, me lakonizëm të admirueshëm, shpalos virtytet shqiptare
të trashëguara brezash, me aktin e Dhimitrit jugor që shpëtoi një djalë të
panjohur nga Veriu, tek mbytej në liqen.
Ngrihet “Koha” si trazim ndjesor e truror, simbolika e lartë e “Kostumit blu”,
me gravatën e kuqe, që P.M. e Safo i dhurojnë labit të vogël nga Dhërmiu,
Dhimitrit. “Krisa”, “Kurbani”, “Zvetnimi” (P. M. Në vendlindje), “Dosja me
njolla të murrme” me sinjalet e përjashtimit nga shkolla, me shenjat
paralajmëruese të burgimit, “Valixhja e vjetër” dhe vetë “Rebeli” janë një masë
e pandashme, e fortë, që s’mund të funksionojë e shkëputur, janë forca që mban
të bashkuara fort molekulat e trupit të romanit. Këtë kohezion ka arritur ta
figurojë talenti, njohja, përvoja dhe mjeshtëria artistike e shkrimtarit të
njohur Eqerem Canaj, i cili më duket se flet, në roman, dhe nëpërmjet
Dhimitrit. I shkon Bregasit përgëzimi i P.M: “Ke nderuar Himarën, tërë
Labërinë, bir!”.
Njihet kontributi
fjalëformues i E. Canajt, ndër letrat shqipe, i cili, fatmirësisht buron
natyrshëm, i pasforcueshëm. E folura lokale i jep një ngjyrim të veçantë
trajtesës moderne, si një rrëke që derdhet në përroin psikologjik letrar të
kohës. Pa mëdyshje, shprehemi se konturimit modern të prozës së Canajt po i jep
trajtë të shëndetshme lëngu i traditës, që i zoti ia hedh në rrënjë pemës së
tij letrare, jo vetëm me figurat stilistike në forma krahasimesh, metaforash,
kontrastesh, similitudash, sinekdokash, antitezash, grotesku e paradoksesh etj.
Përzierja jo pak herë, e narracionit të prozës së gjatë sociale me trajtesa
filozofike, e bën më të pjekur, më të hapshëm dhe të përfillshëm, sidomos për
grupmoshat e reja lëndën letrare të artistit.
Shkrimtari Eqerem
Canaj është emancipues i fjalës trimërore artistike në rrafshin që, si zotërues
i mjeshtërisë shkrimore letrare, guxon të shënojë mbi padrejtësitë sociale të
kohës, në sy e ballazi: ai qëllon mbi ligësitë e fëlliqura të Hasanëve deri te
Gert Alia dhe, me vërtetësi artistike, nderon njeriun e mirë, rebelin e lirisë
njerëzore.
Duke i uruar shkrimtarit Eqerem Canaj 80
vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e botimit të parë në shpypin e kohës, ju
njoftoj se Eqeremit sapo iu shtua edhe një fëmijë letrar, e kam fjalën për
librin “Quando fioriscondo i gigli” =
“Kur lulëzojnë zamkakët”, botuar në Romë, në dy gjuhë: italisht dhe
shqip Pra iu bënë 44, por është kot të mbashë statistikë për botimet e autorit,
se ato shtohen shtohen, në sasi dhe cilësi
artistike.