Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Mish dhe Ndryshk
E marte, 27.02.2024, 07:57 PM
Mish dhe Ndryshk
Nga
Edison Ypi
Asgjë
nuk ishte më absurde, surreale, e paarsyeshme, e kotë, e tepërt, se ushtria, shkolla,
puna, shoqëria, arti, kultura, ekonomia, partia, ideologjia, të gjitha ishin të
turpshme, të neveritshme, të frikshme. Por të gjitha bashkë nuk ishin aq të
pakuptimta, aq paradoksale, sa ushtria.
Ushtria
Popullore ishte bashkësia prej mishi dhe ndryshku nën urdhërat e 1 përbindëshi
që komandonte gjithçka në varësi të humoreve, tekave, dalldive të veta.
Ushtria
e "gjithë popullit ushtar", ishte një rrenë e madhe që nuk u besua
kurrë prej askujt.
Ushtria
e rregullit dhe disiplinës ishte një babylon i cilësive më të fëlliqura, më
hileqare, më djallëzore.
Ushtria
e dëshpërimit ishte ushtria e ngjarjeve kriminale të paimagjinueshme. Gjatë tre
viteve të shërbimit ushtarak në një repart kundërajror, 4 fatzinj vranë veten.
Të gjithë për të njëjtën arsye: nga pamundësia për të përballuar dëshpërimin e
papërballueshëm që shkaktonte të qënët ushtar.
Ushtria
e frikës ishte ushtria e oficerave që tmerrin e kotësisë së jetës me të cilën
s'dinin ç'të bënin, e shkarkonin me ftohtësi dhe egërsi të skajshme mbi inferiorët
dhe ushtarët. Shumica e oficerave ishin si shumica e ushtarëve: fshatarë që nga
kazma dhe balta vinin, te shati dhe prashitja do shkonin. Për këta, vitet e
ushtrisë ishin periudha më e ndritur e jetës. Meseletë banale të përjetuara
gjatë ushtrisë ja tregonin dhe ja tregojnë sot e kësaj dite të zbukuruara
njëritjetrit gjatë netëve të dimrit rrotull vatrës.
Ushtria
e rraqeve mburrej me armatime "moderne" që bota i kishte mbyllur me
kohë nëpër muzeume.
Ushtria
e hekurishtave mbante në ruajtje nëpër kapanone ose tunele qindra, a ndoshta
mijëra, kamiona ZIL tre diferencialë. Thoshin se kishin nam të mirë në Rusi dhe
nëpër vende të tjera të ftohta. Por këtu që ishte vend i ngrohtë, pasi
difektoheshin një herë, nuk ndreqeshin më kurrë. Sistemet e ushqimit me benzinë
ishin një tmerr pafund. U bllokoheshin xhiglerët e karburatorëve. U këputeshin
vazhdimisht prixhionierët e semiakseve. Kur, më të rrallë, mezi i ndiznin me
kavo, dhe gërrdallat i nxirrnin nga kapanonet "për stërvitje", kohën
më të madhe e kalonin si ulokë të ngathët reumarikë duke u zvarritur nga një
ofiçinë në tjetrën.
Ushtria
e budallallëkut mbante për të aftë budallenj surratshtrembër që gjoja kishin
studiuar në Bashkimin Sovjetik, askush nuk e dinte për çfarë. Një hajvan i
tillë na vuri mua dhe një ushtar tjetër të bënim punën më absurde dhe më të
skëterrshme mbi dhè. Të çthurnim një kavo çeliku për t'i marrë fijet e holla që
s'u muar vesh pse i duheshin. Por halli ynë me kavon që përdridhej dhe na çante
duart, s'ishte kurgjë para halli mbi hall që e kishte zënë atë. Kur shkonte
gjatë dimrit në Karaburun ose Sazan, sa herë që dhiste, i dilte zorra e trashë
nga bytha. Për ta ndrequr këtë difekt, merrte me vete një kapterr që zorrën e
trashë dalë jashtë ja fuste brenda me gishta.
Ushtria
e urisë që do mbronte vendin nga armiqtë e egër me ushtarë të shëndetshëm të
cilët do jepnin edhe jetën për ta mbrojtur ardheun, ushqehej me këtë menu
ditore:
Mëngjez,
një garuzhde fasule me nja 200 gram bukë si baltë.
Drekë,
një garuzhde supë, copën e bukës, një garuzhde pilaf ose makarona.
Darkë,
një garuzhde çaji me ca kokrriza sheqeri brenda një gote alumini, dhe copën e
bukës që shpesh shkaktonte sherre.
Po
të thanë se ushtarët e diktaturës kanë ngrënë sadopak më tepër se kaq, dije se
ke fol me horrin, hasmin, budallain.
Oficerat
i kishin qafat e trasha, faqet e skuqura, sytë e zgurdulluar, sepse hanin
makarona dhe pilaf nga menuja e ushtarëve në sasi të pakufizuara.
Ushtarët
ngordhalaqë të ushtrisë së uritur që pritej t'i derdhte plumb në gojë
monarko-fashistave grekë, si dhe të shkatërronte flotat detare dhe ajrore të
armiqve imagjinarë, nga frika se mos vdisnin urie, arratiseshin mbasditeve
nëpër ullishta dhe vreshta për ca kokrrra ullinj a ndonjë vile rrush, nëse do
shpëtonin gjallë nga dajaku i rojave. Një malsor që ecte i kërrusur me lëkundje
para-mbrapa si kalë hante çdo ditë nga një kovë me zarzavate të pagatuara, të
gjalla, siç i merrte atje ku i vidhte.
Ushtria
e pisllëkut kujdesej për higjenën e zhulsave. Për ta ruajtur qaforen e bardhë
nga pisllëku i qafës së zezë, qepte mbi qaforen e bardhë një shirit celofani.
Pecet e këmbëve që binin era përç, i hiqte fare si të tepërta.
Ushtria
e spiunllëkut ishte sy e veshë e hundë e tëra. Një herë na erdhi një prokuror
ushtarak nga Tirana për ta dënuar dhe për t'ja marrë erzin një ushtari rom nga
Manza që iku katër ditë në një dasëm pa i thënë askujt. Mblodhën kompaninë ulur
në bar para kapanoneve. Sazexhiun Lym Rinxhi e dënuan dhe i hodhën hekurat për
4 ditë ikje pa leje, 5 vjet burg. Në fund, kur sapo u ngritëm në këmbë dhe do
shpërndaheshim, u dëgjua zëri i një ushtari që iu drejtua Lym arixhiut
duarlidhur:
-Mbahu
Lym. Burgu për burra është.
U
tmerruan të gjithë. Si guxoi ky ?!
E
llafosa kërë çudi me një mik ushtar më i vjetër. Uluritësi që mbrojti Rinxhin
kishte qënë provokator. E kishin vënë të bërtiste ato fjalë për të parë cili
nga ushtarët do ta hante atë karrem, do pajtohej me atë thirrje.
Ushtria
e pathyeshme kishte ca raketa kundraajrore. Halli se rusët dhe kinezët nuk e
dhanë kurrë kodin apo passwordin e aktivizimit të tyre. Gjatë atyre pak provave
"pa kod" që u bënë, raketat fluturuan në drejtim të paditur. Nga
Divjaka ranë në malet e Martaneshit dhe prapa maleve të Krujës. Kur dëgjoi këtë
tmerr, miku im disidenti Sofokli Karpuzi tha: Ah që s'ranë te Blloku, te
Kryeministria, te Komiteti Qëndror, a të paktën te Sheshin Skënderbej.
Ushtria
e gjumit kishte një numur të pabesueshëm somnambulash mbledhur me batanie
zgëqeve duke gërrhitur me jargë që u rridhnin te cepi i gojës. Ushtarë e
oficerë, flisnin si në ëndërr, ecnin si në gjumë.
Ushtria
e rrenave pëshpëriste vesh më vesh: Kemi bombën atomike. Ndodhet prapa kodrave
te Ura e Beshirit. E kam parë me këto sy në Skrapar. Ma tha një kosovar që ja
kishte thënë një vëlla kinez. Bombën e kemi, por aman qepe se na dëgjon armiku.
Ushtria
e Zborreve nuk ua mësoi dot kurrë zborristave as gjërat më elementare: pjesët
funksionimin dhe mirëmbajtjen e Karabinës, apo përdorimin korrekt të
kundragazit.
Reparti
me rreth 40 topa kundërajrorë nuk kishte asnjë ekspert për radiolokatorë. Një
mirditor i pashkollë që kishte qënë ushtar në atë repart luante atë rol. Një
ditë ja behën ca kinezë eksperta për radiolokatorë. Ndejtën nja një javë. Shefi
i tyre ishte një idhnak, nervoz, surratspec, që luante bixhoz tërë natën te
hotel Turizmi i Vlorës, dhe të nesërmen andej nga mesdita vinte syskuqur në
ofiçinë.
Ushtria
e dallamangove kishte tmerrësisht shumë të pagdhendur, të pa shkolluar. Isha
19. Për të rrotulluar tabelat e qitjes në distancë me anë të shkeljes së një
butoni, improvizova diçka të thjeshtë. Më erdhi turp që e quajtën
"shpikje".
Gjashtë
bateri kundraajrore, dy në Karaburun, dy në Zvërnec, dy në Sazan, s'kanë qënë
kurrë në gadishmëri. Me llafe po. Me vepra jo.
Ushtria
qesharake të mahniste me qyfyre. Sapo kisha nisur të punoja në torno, mu
vërsulën një nga një disa oficera me gëzhoja 37 mm për tua bërë mullinj kafeje.
Ua bëra disave. Mirpo një ditë më del përpara Komandanti i repartit që s'po ja
përmend emrin se, në dallim nga komisari që ishte komplet idiot, komandanti
s'ishte aq i keq.
-Çjanë
ata mullinj kafeje që bën në torno ?! Do të fus në burg po mora vesh se do
vazhdosh të bësh të tjera. Ja ku i ke gëzhojat. Bëmë një mulli mua.
Ushtria
e fukarallëkut me shumicën e ushtarëve ardhur nga zonat e thella, s'di pse dhe
si bartëte mendësi llogoresh si të Luftës së parë botërore. Të tillët, duke
qënë thellësisht të bindur se ushtari shkon në luftë për plaçkë dhe për asnjë
arsye tjetër, kursenin këpucët dhe gjimnastorkat, dhe në rastin më të parë i
çonin në fshat.
Ushtria
karikatureske e Diktaturës së disiplinës së hekurt kishte për komisar një idiot
faqekuq, dhe një komandant bablok, dinak, injorant, që kishte qënë ca kohë në
Rusi ku kishte lënë nam me aftësitë e tia të jashtzakonshme prej strategu lab
në luftrat për liri.
E
të tjera e të tjera, e ashtuquajtura ushtri popullore me copa mishi dhe male ndryshku
s'ishte asgjë tjetër përpos një det me rrena, spiunllëk, gomarllëk, horrllëk,
pisllëk.