Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Sytë e Nënës m’u bënë dritë…!

| E enjte, 22.02.2024, 07:50 PM |


IN MEMORY OF MY MOTHER

Sytë e Nënës* m’u bënë dritë…!

(Në 17 vjetorin e ndarjes nga jeta)

(1939 - 2007)

Nga Keze Kozeta Zylo

Streha ime, strehë e ëmbël,

Erdha sonte nëpër ëndërr,

Aromë mora tek saksitë,

Sytë e Nënës m’u bënë dritë…!

Hapa portën me ngadalë,

Dhe në gjunjë rashë përdhe,

Një këngë labe e pikëlluar,

më prishi ëndrrën, për atje.

Me muzikë Sollokusheje më ke nanurisur,

Dhe me fletëza rrushi si jorgan,

Mbi ballë të djepit Ti Hënë e ndritur,

Më jepje qumësht si shkumë të bardhë.

Peng ta kam punën sfilitëse,

Ndër më të egrat në atë vend,

Me forcën dhe bukurinë mahnitëse,

E sfidoje! Mua më lije pa mend...

Në të ndarë një fjalë s’më the,

Më le peng, fijëzat e shpirtit,

Me to thura një folezë,

Strehën më hyjnore të vitit…!

Si një Ëngjëll vjen nga qielli,

Ulesh pranë pa thënë një fjalë,

Lë një dritëz midis territ,

Sa më djeg i shkreti mall…!

* Nëna ime Liri (Muçi) Gjoni e pagezuar me emrin LIRI, pasi lindi kur na pushtoi Italia fashiste, me 1939. Ajo u pagezua nga xhaxhai i saj i ndritur Shaban Muci Becishti, vatran ne Amerike dhe kryeplak i fshatit Becisht, Tepelene. Nëna ime Liri u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare e cila erdhi si vizitore në New York të martonte mbeskën e parë, por fatkeqësisht ndërroi jetë para dasme.