Mendime
Florim Zeqa: Kosova e artë e shndërruar në bronz!
E enjte, 15.02.2024, 07:55 PM
Kosova e artë e shndërruar në bronz!
Shkruan
Florim Zeqa
Me
të përfunduar lufta çlirimtare, në Kosovë vërshuam lapidaret e mermerit më të
kushtueshëm në tregun botërorë. Pllakat gjigante dhe të kushtueshme gjithandej
varrezave, arave dhe maleve, vendbanimeve urbane, lagjeve e fshatrave. Mirëpo,
viteve të fundit, më nuk bëhet fjalë për pllaka, por për permendore enorme që
po mbijnë sikurse këpurdhat pas shiut.
Pllakat e mermerit dhe
varfëria në Kosovë
Para
dhe gjatë luftes në Kosovë ekzistonte bindja e përgjithshme qytetare, se pas
perfundimit të luftës Kosova do të ecë më hapa të shpejt përpara dhe se gjërat
do ta marrin të mbarën, do të rritet dashuria në mes të njerëzve, do të shtohet
humanizmi e solidariteti ndërqytetar, do të ketë rimëkëmbje e zhvillim ekonomik
të vendit, e çka jo tjetër.
Të
bindur në këto gjëra që s'ndodhën asnjëhere në Kosovën tonë të dashur, shumë
nga mërgimtarët e viteve të '90-ta, qoftë azilkërkues apo më statut të
rregulluar të emigrantit, i lanë ato vendet e bukura, ia kthyen shpinën luksit
të perëndimit dhe u kthyen në atdheun e tyre të shënjt-Kosovën e lirë dhe të
pavarur, për të rifilluar jetën në shtetin e ri.
Në
fillim, vullneti dhe shpresat e të riatdhesuarve në vendin e tyre të lindjes
ishin shumë të mëdha, ngase pritnin zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të
punës, por më kalimin e viteve shpresat filluan të veniten nga zhvillimet e
papritura e të padëshiruara si pasojë e futjes së kulturave të huaja në vendin
tonë, e për më tepër nga çasja e gabuar e qeverisjes së vendit, sidomos pas
shpalljes së pavarësisë e këndej.
Çasja
egoiste për përfitime materiale e "historike", fillimisht u shfaq nga
grupe të caktuara, me tendencën e përfitimit moral e material nga lufta e
pastër çlirimtare e UÇK-së, nga rezistenca dhe qëndresa heroike e popullit të
Kosovës, më qëllimin e marrjes së primatit të çlirimtarëve dhe e shpëtimtarëve
të vendit!
Pa ikur koha e
lapidareve, erdhi koha e shtatoreve (permendoreve)
Kjo
dukuri fillimisht u shfaq më ndërtimin e lapidarëve të dëshmorëve e martirëve
të lirisë, për të vazhduar tutje më ndërtimin e komplekseve memoriale,
ndërtimin e shesheve e rrugëve, të veshura në pllaka mermeri, granit e gurë të
çmueshëm, varësisht prej fuqisë politike e "ekonomike" të
"bosëve" partiak.
Madhështia
e këtyre komplekseve e shesheve dallon jo për nga madhështia e të rënëve, por
nga "madhështia" e liderëve partiak, nga e cila varion edhe kostoja e
komplekseve dhe shesheve, duke filluar nga dhjetramijra euro, në qindramijra e
deri në miliona euro.
Kjo
ndodhi dhe po ndodh në Kosovën e varfër, në vendin e vetëm në rajon ku
qytetarët nuk gezojnë nga shteti sigurime shëndetësore, ku pensionistet marrin
vetëm rreth 100 euro në muaj, ku rreth 30 % e popullatës janë të papunë, ku
rroga mesatare e atyre që punojnë në ketë vend është e pamjaftueshme për të
mbijetuar nga ngritja e inflacionit.
Në
të gjitha vendet ku kanë ndodhur luftërat çlirimtare, ekziston një memorial i
lirisë për të gjithë të rënët dhe vetëm një ditë e dëshmorëve, por jo dhjetra e
qindra sosh çfarë janë sot në Kosovën tonë të dashur.
Pa
ikur koha e lapidareve, erdhi koha e shtatoreve (permendoreve) super të
kushtueshme!
Viteve
të fundit është duke ndodhur një garë e pashëmbullt në ndërtimin e permendoreve
të kushtueshme anë e kënd Kosovës, varësisht prej shtrirjes gjeografike të
krahëve të luftës dhe paqes, duke uzurpuar prona të lira publike me ndërtimin e
shtatoreve partiake!
Përderisa
në të kaluarën permendoret ishin të pakta në numër dhe ishin pikëtakim i të
rinjëve, sot kur janë bërë shumë, të rinjët mungojnë (kanë ikur në perendim),
tek permendoret takohen vetëm fajdegjinjët, narkomanët, hajdutët, të
korruptuarit dhe bosët e krimit të organizuar!
Ndarja në baza partiake
e dëshmorëve
Ndarja
dhe përçarja e skenës politike, mes partive dhe grupeve të caktuara të
interesit brenda tyre është duke reflektuar edhe në ndarjen e dëshmorëve të
lirisë, në ndarje rajonale dhe partiake të dëshmorëve: Drenicës, Dukagjinit,
Llapit, Gollakut, Pashtrikut, Rugovës, e kështu më radhë deri të ndarjet
partiake, në dëshmorë të PDK-së, AAK-së, LDK-së, PSD-së, NISMA-s, Listës GUXO
dhe të LVV-së!
Një
ndarje e tillë e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë është më tepër së fyerje që
ju bëhet atyre që ranë në altarin e lirisë, të cilët ranë, jo si anëtarë të
kësaj apo asaj partie politike, por pse ishin patriot e liridashës të vërtetë
të atdheut, për të cilin dhanë më të shtrënjtën-jetën e tyre.
Sot
në Kosovë janë me qindra, ndoshta edhe mijëra familje të dëshmorëve që janë
lënë në harresë të plotë nga shteti, të zhytur thellë në varfëri të skajshme,
më thyerje të mëdha shpirtërore nga denigrimi socio-ekonomik.
Shumë
nga çlirimtarët e djeshëm, sot luftojnë për ekzistencë, duke punuar si hamall
rrugëve të kryeqytetit e gjithë Kosovës për të siguruar kafshatën e gojes për
fëmijet e tyre.
Si
pasojë e kësaj situate, viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e vetëvrasjeve
të ish çlirimtarëve, veprimtarëve dhe aktivistëve më të devotshëm të çështjes
kombëtare, të shkaktuara nga thyerjet e mëdha shpirtërore dhe çasja e gabuar e
qeverisjeve të vendit nga paslufta e këndej e sidomos pas shpalljes së
pavarësisë së 17 Shkurtit 2008.
Është
e rëndë dhe e papërballueshme për luftëtarët, invalidët dhe veteranët e vërtetë
të UÇK-së, veprimtarët e aktivistët të mbetur në varfëri, kur i shohin kolegët
e tyre të deridjeshëm (të luftës e të paqes) të shndërruar në milonerë brenda
natës, me biznese të shumta, me shtëpi të mëdha dhe luksoze, me vetura nga më
të shtrënjtat e më privilegje të shumta që ua garanton ky shtet i kthyer në
bronz, i cili për dikë është bërë nënë e për dikë tjetër njerkë!