| E enjte, 15.02.2024, 07:58 PM |
MIRDITA, VEÇ RRUGËS SË KOMBIT, TË TJERAT SI RRUGË KOOPERATIVE!...
NGA
NDUE DEDAJ
Nuk
ka asgjë sensasionale në këtë titull shkrimi, kjo është e vërteta, ndryshe nga
rrethet e tjera fqinje. Nuk ia ka kush me inat Mirditës, por si duket atje në
qeveri i bihet për shkurt: “Ju keni Rrugën e Kombit, prapë doni rrugë?” Kjo
rrugë e rëndësishme kombëtare e përshkon Mirditën në rreth 70 km, nga Miloti
deri te tuneli i Thirrës / Kalimashit, por matanë saj asgjë e re! Janë thuajse
të papërfillshme disa kilometra asfalt në Domgjon, Sheshaj, Mashtërkor etj.
Panorama bëhet dhe më e trishtë nga ndërtimi i rrugëve pa standarde dhe
parametra teknikë, ku rruga Rrëshen - Perlat - Burrel ka shkuar në gjendje
kritike, gjithë gropa e shembje, si të jetë bombarduar. Ashtu si rruga e
Bukmirës që është dëmtuar gjithandej dhe bllokohet vazhdimisht nga shirat.
Paradoksi është se dhe vetë Rruga e Kombit ka ndonjë defekt të parregulluar, siç
është hyrja në Rubik nga ana veriore e qytetit, për çka dhe është protestuar
nga qytetarët. Por kjo do të ishte një temë tjetër.
Për
ata që e njohin nga afër terrenin e hapur të bashkisë Mirditë, sot për sot janë
vetëm rrugët e kooperativave dhe minierave të bakrit për të shkuar në qendrat
kryesore të kësaj bashkie apo rrethi, edhe pse disa nga ato mbartin vlera të
rralla historike, muzeale dhe turistike. Kështu, nuk ka asnjë metër asfalt që
të çon drejt ish-burgut të Spaçit, ku dyndën vazhdimisht turistë, edhe pse ky
objekt nuk është as dhjetë kilometra nga Rruga e Kombit. Kanë qenë atje dy
presidentë të republikës, kryeministri
aktual, ministra, kryebashkiakë, ambasadorë, por askush nuk i ka bërë ato pak
kilometra asfalt, le pastaj sikur të shtoheshin dhe pesë (jo pesëdhjetë!)
kilometra të tjerë për t’u ngjitur në një nga pikat më turistike të vendit në
Munellë, ku veç kullave tradicionale mikpritëse ka dhe ndonjë bujtinë
turistike. (Ndërkohë minerali i atyre anëve vazhdon të nxirret nga nëntoka nga
kompani turke, pa prodhuar për banorët asnjë metër asphalt dhe asgjë tjetër
komunitare.)
Po
ashtu vetëm përmes rrugës së dikurshme të kooperativës mund të shkohet në zemër
të Mirditës në Orosh, tek Abacia e famshme, Sarajet e Kapidanit dhe në Malin e
Shenjtë, tri vlera historike, religjioze, etnokulturore unikale të Shqipërisë,
pa folur për mundësistë e jashtëzakonshme të turizmit që afron kjo zone, me
Nënshejtin, Fushat e Lugjeve etj. Nëse nuk do të kishte dështuar projekti i
njëqind fshatrave, me siguri që rruga për në Orosh do të ishte bërë dhe do të
kishim një problem infrastrukturor më pak. Ka njerëz të ardhgur nga emigracioni
që duan të investojnë atje, por me të drejtë i druhen rrugës. Edhe për në
Kurbnesh (Selitë) rruga është ajo e para shtatëdhjetë vjetëve, kur qe hapur
miniera e bakrit, edhe pse në kohën e sotme do të mjaftonte pika kurative “Kroi
i Bardhë” për ta bërë këtë rrugë, pasi çdo verë kthehet në një qytezë
pushuesish të panumërt nga i gjithë vendi. Pritej që Selita të bëhej me asfalt
nga ndërtimi rrugës së Lurës, por siç është bërë me dije, ajo po ecën me ritme
mjaft të ngadalshme, në mos punimet janë ndërprerë. Përmendëm vetëm tri rrugë
kryesore që kanë të bëjnë me ekzistencën e komunitetit mirditor, teksa e njëjtë
është gjendja dhe në rrugët e Velës, Kaçinarit, Malajt, Xhuxhës etj., që janë
gjithsesi ato të kooperativave të dikurshme.
Dihet
që qeveria nuk mund të asfaltojë të gjitha rrugët e fshatrave të Mirditës dhe
as të rretheve të tjera, ama në akset kryesore duhet vënë dorë sa më parë, sa
nuk ka ikur prej andej dhe banori i fundit. Lezha, hap pas hapi, e ka çuar
asfaltin deri në Ungrej, njësia administrative më e largët dhe më malore e saj. Puka e ka çuar rrugën
deri në Iballe, siç nga Gjegjani është lidhur me Rrugën e Kombit. Kurse Mirditën
me sa duket e ka marrë “mallkimi” i Rrugës së Kombit” (“Ju keni atë... nuk ju
mjafton?”), në vend që ky të ishte një argument më shumë për t’u shtrirë në të
dy anët e saj me investime. (Larg qoftë, të mendohet, se ju mirditorët, me që
votuat djathtas, ia kërkoni rrugët “Foltores”!?...) E para, rruga e kombit, nga
vetë emri, nuk ishte vetëm për Mirditën, nuk mundej që ajo të “ndalonte” të
gjitha rrugët e tjera që duheshin bërë. E dyta, dëgjohet rëndom në zyrat
ministrore të kryeqyetit, se nuk bëjmë rrugë atje ku nuk ka njerëz!? Sigurisht
që vendet e populluara kanë përparësi, si bregdeti apo zona fushore, po kjo nuk
do të thotë se malësitë do të mbeten si në mesjetë. Se është turizmi, një
industri e re, që po troket. Ah, nëse gjykohet ngushtë, se atje nuk kemi
votues, ky është një problem i liderëve të votave, që nuk shohin përtej hundës
partiake. Rrugët e sotme, më së shumti nuk janë më rrugë minierash që mbyllën
diku, por janë rrugë rajonale, pasi lidhën trevat, rrethet, bashkitë me
njëra-tjetrën. Nuk është e rastit që rruga e Lurës lidhet nga të dy anët, si
nga Mirdita, ashtu dhe nga Dibra.
Nga
ana tjetër, dihet që rrugët nuk i bëjnë bashkitë, paçka inventarit të rrugëve
rurale dhe mirëmbajtjes që iu përket atyre, si dhe kontributit që duhet të
japin për projekte, lobim etj. Asnjë bashki nuk ka mundësi të bëjë vetë rrugë,
as e Shkodrës, apo e Korçës, rrugët i bën qeveria. Fondi Shqiptar iu Zhvillimit
është partner i qeverisë. Kreu i kësaj të fundit i ka porositur drejtuesit dhe
deputetët e PS të dalin në terren, në funksion të mandatit të katërt, siç është
shprehur ai. Ata, me këtë rast, mbase do të mbajnë shënim dhe këto mungesa të
mëdha, siç janë rrugët e zonave malore, veçmas ato të Mirditës.
Turizmi
me të drejtë është përparësi e qeverisë, por ai është dhe malor e mbase ky do
të jetë dhe “fati” i këtyre maleve. Nuk besojmë se ato do të shërbejnë vetëm
për turzimin e avanturës!? Nuk duam aspak ta teprojmë me të veçantën e trevës,
por ashtu si vendet e tjera kanë vlerat e tyre unikale autentike, në rastin e
Mirditës të tilla janë disa që u përmendën më sipër (Mali i Shenjtit, Abacia e
Oroshit, Kullat e Gjomarkajve, ish - burgu i Spaçit si muze i kujtesës, Kroi i
Bardhë), por dhe Ujësjellësi i Domgjonit, apo shkolla e Velës e shekullit XVII
etj., si një ndër të parat shkolla shqipe të vendit, çka e bën edhe më të
domosdoshëm investimin në rrugë, që të mos i humbasim, por t’i rivitalizojmë
këto vlera të trashëgimisë. Jo pak nga banorët e ikur kanë filluar t’i
rikonstruktojnë kullat e tyre, ndërsa shteti nuk ndihet sa iu përket “kullave”
të veta, që janë monumentet e kulturës të natyrave dhe kategorive të ndryshme.
Mirdita,
sa ç’është e mirditorëve, e bashkisë, qeverisë, është dhe e miqve tanë të huaj,
që veç pasaportën kanë të tillë, të cilët kontribojnë prej tridhjetë vitësh,
duke shkelur rrugë e pa rrugë në malet tona, si zonja Marianne Graf, Konsull
Nderi dhe presidente e “Albania-Austria Partnerschaft”, që aktualisht po
investon në Trangë të Selitës jo për vete, por për komunitetin dhe turizmin,
siç ka bërë më parë në Velë dhe në Spaç, përfshi dhe duke vënë tumbina betoni
në rrugët rurale. Ajo, në nëntor 2023, i është drejtuar me anë të një letre të
hapur qeverisë shqiptare, posaçërisht Kryeminstrit Rama dhe zv.Kryeministres
Balluku për rrugën Rrëshen-Urakë, ku shkruan se “kjo rrugë e rëndësishme në
Shqipërinë Veri-Qendrore, nuk ka nevojë për një plan urbanistik të ri, as
tunel, as nënkalime apo mbikalime, thjesht përforcim i nënstrukturës dhe
rinovim serioz i sipërfaqeve të asfaltit. Ju kërkoj që ta shikoni këtë çështje.
Gjendja e rrugëve është e papranueshme, një fyerje për vendasit dhe turistët -
një kartë e padenjë për Shqipërinë”.
Nuk
dimë nëse zonja e nderuar ka marrë ndonjë përgjigje, ama dihet se përgjigja më
e mirë për banorët, bizneset e zonës dhe donatorët e huaj do të ishte marrja në
dorë e kësaj rrugë një orë e më parë, aq më tepër që ajo është kusht për
lidhjen e rrugës së Lurës me Rrugën e Kombit, ashtu siç segmenti tjetër, Urakë
- Burrel, është kusht për lidhjen e rrugës së “shtatë liqeneve” me Rrugën e
Arbërit.
Në
dhjetë vjet qeveria ka investuar shumë në qendrat urbane, sa Rrësheni është
bërë “kukull”, si i thonë fjalës, duke iu shtuar dhe një lagje e re e
rindërtimit. Mirëpo çfarë kuptimi do të kishte “luksi” urban pa rrugët që
sjellin zhvillim, pa qendrat e ndryshme të prodhimit bujqësor e industrial, që
sjellin punësim, pa qendra kulturore etj. Njerëzit nuk rrojnë dot duke soditur
fasadat e bukura...
Bëni
rrugët e malësive, zotërinj qeveritarë, ndonëse mjaft vonë, dhe atëherë nuk
keni nevojë të mbani fjalime për braktisjen, shpërnguljen etj., se banorët ikin
për një jetë më të mirë etj. Njerëzit pastaj e gjejnë vetë “rrugën” e kthimit
për në trojet e tyre, si kudo në Europën bashkëkohore, që nuk ka vetëm qytete,
por dhe male të zhvilluara...