Kulturë
Albert Vataj: Ti je grua!
E merkure, 31.01.2024, 07:58 PM
Ti je grua, nuk ke lindur të shuhesh me vitet, por të ndizesh në çdo çast ku shkrepin yjet e përjetësisë
Nga
Albert Vataj
Ti
je grua, grua që vjen me prehrin e mbushur plot me prehje dhe ledhatime,
gjoksin kafshuar nga etja e dëshirimeve, e trupin përpushur andjeve të zjarmëta
të përjetimeve. Je një vullnet qiellor që vjen nga çdo tashmëri që mbushet në
ty me përjetësi. Je, ndoshta çfarë nuk pati dikush mirësinë të ta tregonte,
çfarë gjithnjë i’a pamundësove vetes ta dije në thelb. Të mjaftoi sipërfaqja,
atyshmëria, kalimtarja. Ti ishe dhe je tharmi i çdo mbrumje që na thërret në
gosti sublime në sofrën e shtruar me dëshirime. Vitet që erdhën tek ty, të çuan
tej. Tashmërinë e çdo moshe pranverimi ke stinë dhe fryt. Fytyrën ta stolisin
rrudhat dhe vragët, e betejave që bërë dhe luftrave që fitove, sakrificave që
të shenjtëruan dhe përjetimeve që të shndërruan në shkrepëtimë qiellore.
Buzët
i mban të tkurrura në homazh të puthjeve që u fikën dhe thëngjijve mbetur
ndezur brenda teje, kopulimeve të afsheve që fërgëlluan si petale në gjurmët e
vesës.
Sytë
të shohin dritshëm e lotin përtypin. Shkëlqen hirshëm si dritë hyjnie që
pluskon në syprinën e vërshimeve tuaja, dhe mistershën buzëqesh në çdo Mona
Lizë, tunduese shfaqesh te çdo Laur, e përkorë je si vetë Beatriçe. Trupin ta
shquan një bardhësi që ndjej teksa tendoset në një përpjekje të natyrshme për
t’iu kundërvënë çdo ngacmimi dhe grishje që e shigjeton. Nuk jepesh si ndjen,
por reagon siç përjeton.
Ke
frikë nga dashuria, sepse dashuritë, ato të ngërthyerat në zjarr e përjetim,
janë të mbushura plot lamtumira. Ikje dhe ndarje, pritje vrastare, plagë, shumë
zemërthyerje, dete me lot dhe net pa gjumë, që dremitin nën kolovitjen e hënave
të ngrëna. Ti grua që të mat më puthje dëshirimi dhe me çmenduri përjetimi, ke
frikë të jesh grua në çdo qelizë të krijimit tënd, të jesh e epshët dhe e
prushtë në grackën e vërshimeve të gjakut e teptisjeve të pasionit. Ke frikë
dhe vetë frika e ndrojtur e syve tu të praruar ka frikë, nga çdo perëndim, nga
çdo hije që zvarget nën shelgje që pikëllimshëm vizatojnë peizazhin ku hutimi
yt rreket të gjej një copëz botë të humbur në një huti ndijimi të yjshëm që
derdhet brenda teje, si një krua në një pyll të harruar.
Ti
aq sa do aq edhe druhesh. Ke besuar çfarë thuhet dhe përpiqesh t’ia kursesh
zemrës tënde një krisje, shpirtit një shpërthim, kurmit një lëndim. Më shumë
druhesh se do. Ndoshta mosha të lejon të bësh hesape, çfarë më duhet të humbas
nga ajo që ndoshta më ofron kjo ndjenjë, kjo përfshirje, ky ofrim trup e
shpirt. Nuk e di se pse nuk do t’ia dish, se cili është ai që është gati që
duke bashkuar trupat të njësojë magjinë e përjetimeve dashurore, të pranojë të
tretet brenda teje, siç ti të zbrazësh në të.
Megjithatë
ti ke arsye që ke frikë të dashurosh sërish, pas kaq e kaq zhgënjimesh, pas kaq
e kaq plagësh, aq e aq zemërthyerjesh, aq sa thua se kudo të më prekësh më dhëmb. Ndoshta ke të
drejtë, mendoj se më mirë se zemra sate, shpirti yt, gjithë prania që blatohet
prej teje, e do, por mjaftohet të dëshirojë, pa mundur dot të ketë çfarë e
vlerëson si një frikë.
Digjesh
dimrave që zgjatojnë dhe pritjeve cingëritëse që shtrijnë tej caqet e skajeve
ku ngricat kafshojnë dhe bora zbardh. Nuk ke harruar të jesh grua, por i ikën
çdo trazimi si një oguri të keq, si djalli temianit. Shtyp me gjithë forcën e
dëshpërimit çdo vlim që të zgjon dhe tallazim që të pupth përpjetë e dëshirim
që të thërret gjëmimshëm.
Ke
arsye për të refuzuar çdo begatimi që zgjaton drejt teje me prehrin plot
dhurata, të bishtnosh çdo ndjenje dhe yshtje flakatare, prej frikës së vuajtjes
që nuk e duron më. Pas çdo pulsi të shtuar e gufimi kraharori, ti ndjen detin
me dallgë që të përpin. Ke dëshirë të jetosh vdekjen e shkrepëtimshme të
përjetimit, të kridhesh në krahët e rrëmbimshëm të përqafimeve, të puthësh deri
në ndalim të frymës, të mbyllësh sytë, dhe të harrohesh teksa po derdhësh në
një enë prej llave. Por frika e tërbimit të gjakut dhe rebelimit të kurmit,
s’të lë të jesh vetja, vetja e epshme që del nga hukama si bima nga fara, por
të kyçesh në gurin e ftohtë të pritjes për t’u fundosur diku në ndonjë vërshim
ëndërrtar, ku hënat tuaja ledhatare lajnë sytë e t’i fshehin fajet.
Edhe
pse dëshiron me gjithë qenien tënde të dashurosh dhe të të dashurojnë, s’lejon
të të qaset asnjë andje flakëtare, e të të prushë ndonjë prekje e drithërimtë.
Ikën, përdredhon, fshihesh, zhdukesh, nuk je askund, gjithçka e jotja zhbëhet
në sytë që vërejnë e joshjet që miklojnë. Zgjedh të jesh çfarë nuk je, nuk ke
qenë dhe vështirë të jesh; qan, pikëllohesh, demotivohesh, i këputë të gjithë
gjethet e pemës së shpresës. Ke rënë në fund dhe nguron të hovesh për të dalë
lart, për të rifilluar, për të kërkuar veten e braktisur mes gjërave të
hedhura.
Të
ka lodhur jeta e drobitur sfidat, je zhgënjyer dhe vuan. Gjithçka që sheh të
duket se nuk ka më ngjyrën që ka patur, shkëlqimin që reflekton. Çdo luleje,
edhe atyre ku ti gjeje përngjasimin tënd, i janë venitur hiret e këputur
aromat. Ditët kërkon ti shtysh, me sot me nesër, në pamundësi të jetosh e t’i
vihesh pas ëndrrave siç ti di dhe askush tjetër.
Kujtimeve
ke frikë t’i kthehesh. E shkuara ikën nga ty ngutas, duke mbjellë një panik dhe
frikë si shkakësi e së tashmes. Ke vite mbi supe, e shpirt të farkëtuar në
dëshirime e dallgë. Ke çfarë është e hirshme dhe e hyjshme, në çfarë syri sheh
e padurimi përpush. Je një grua e dalë nga ndijimi për të hyrë në përjetim,
ashtu qiellore, e butë, e ngrohtë, e ëmbël, e parezistueshme.
Mos
harro se çfarë ende je dhe çfarë ende mund t’i dëshmosh botës si grua. Ti nuk
ke lindur të vdesësh, por të jetosh çdo çast që të mbush me përjetësi.
Ti
je grua!