Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Monumenti Ismail Kadare
E marte, 30.01.2024, 08:00 PM
Monumenti Ismail Kadare
Nga
Ndue Ukaj
Dëshiroj
ta filloj këtë tekst, me vlerësimin që Ibrahim Rugova i bëri veprës së
Kadaresë, në tekstin “Një mbrëmje me Kadarenë”,
të botuar në vitin 1980, ku ndër të tjera tha: “Kadare përgjigjet për
çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara, pa komplekse inferioriteti dhe pa
imponim autoriteti. Sepse ai sot është një nga autoritetet më të mëdha të
letërsisë sonë edhe në raportet ndërkombëtare...Prandaj mund të thuhet se
Kadare është shkrimtar, apo thënë më mirë, intelektual me kulturë të gjerë e me
vrojtim të thellë. Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i
metropoleve, sepse ekziston nëpër metropole.”
Një
vlerësim i tillë, në fillim të viteve të 80-ta, kaq i qartë, profetizonte fatin
e mëvonshëm dhe famën universale të shkrimtarit Ismail Kadare.
Pas
kaq vitesh, si lexues i Kadaresë, e them me vetëdije se Rugova kishte të
drejtë: Kadareja ishte në metropole dhe vazhdon të jetë në metropole, ku me
përkushtim të pashoq letrar e kulturor, ka bërë punë të jashtëzakonshme për
afirmimin dhe njohjen e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, duke u bërë njëri nga
shkrimtarët më të mirë botëror.
E
fillova këtë tekst qëllimisht me vlerësimin e Rugovës, meqë sot, pas kaq
vitesh, në një ditë “In honorem Ismail Kadare”, vlerësimi i tij tingëllon krejt
real.
Veprat letrare të Kadaresë, të shkruara para viteve
të 90-ta, u sfiduan nga realizmi socialist, të cilën metodë letrare, shkrimtari
i madh, Octavio Paz e përshkruante si: “dogmë që synonte të tjetërsonte artin,
ta nënshtronte letërsinë nën urdhrat e një shteti dhe një partie, të cilët në
emër të çlirimit të llojit njerëzor, ngrinin përmendore për lavdinë e kërbaçit
dhe çizmes”.
Pra,
krijimtaria letrare e Kadaresë kaloi nëpër ferrin komunist, atëbotë kur e keqja
kishte shtri pushtetshëm frymën e saj të zhbërjes, urrejtjes, mizorisë,
absurdit. Dhe, në këtë periudhë egërsie dhe zymtësie, vepra e tij u shfaq si
fanar shpresë, që dëftonte se, matanë errësirës është drita, dhe, tiranët,
pavarësisht kush janë dhe sa të fuqishëm janë, një ditë do të bien nga froni.
Kështu, autori u kthye në orakull shprese, kurse vepra e tij në melodi, në të
cilën kumbonin zërat e lirisë, të mospëlqimit, me të keqen dhe tiraninë.
Përgjatë atyre dekadave të shtypjes, kur liria nuk ishte gjë tjetër përpos një
konstrukt ideologjik në funksion të krijimit të njeriut të ri komunist,
letërsia e Kadaresë u bë kundërpeshë kundrejt shtypjes dhe nxiti nevojën
imanente të njeriut për liri. Kadareja, siç kane vlerësuar njohës të veprës së
tij, u mundua ta shpëtonte kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar nga
kthetrat ideologjike, duke e ndërtuar dhe ruajtur një Shqipëri tjetër, që
shkonte përtej caqeve të gjuhës dogmatike dhe rendit të egër komunist.
Është
thënë dhe përsëritur shpeshherë se, letërsia është alternativë e përhershme për
shoqërinë, kurse disave u pëlqen të thonë se është mënyra ma e mirë për
shëlbimin e një shoqërie. Kadareja, përgjatë viteve të shtypjes, e mbajti të
ndezur fanarin e kësaj alternativë.
Kadarem
mrekullueshëm e bëri punën e tij prej shkrimtari, duke rezistuar artistikisht
dhe estetikisht.
Shkrimtari
Ismail Kadare, me stil magjeps rrëfen për fantazmën e gjeneralit që shëtit dhe
mbledh eshtra në Shqipërinë totalitare, për qytetin në gur, ecjen e të gjallit
me të vdekurin, për një pallat të ëndrrave, si alegori mjeshtërore që tregonte
përmasën e tmerrit që shkakton tirania dhe pushteti, për rrethimin e një
perandorie përballë një kështjelle, për figurën tejkohore dhe qiellore te
Gjergj Kastriotit, për diktaturën që hulumton virgjinitetin e femrave, për një
darkë të gabuar, që bëhet shkak i thashethemeve me pasoja tragjike, për muzgun
e perëndive të stepës, ku katet e banimit në Moskë dhe toni drithërues me të
cilin përshkruhen ato, të kujtojnë Ferrin e Dantes, për vitin e mbrapshtë, ku
bën kaleidoskopin e psikologjisë shqiptare dhe të raporteve të tij negative me
krijesën e menduar të quajtur shtet apo shoqëri e organizuar, për dashurinë e
penguar dhe udhëtimin në botën e përtejme për ta gjetur atë, për kalin e
drunjtë që shfaqet në kohët moderne, për politikanët që flijojnë bijtë e tyre
për të jetuar në oborrin e krimit, për cështje të marrëzisë. Dhe, kudo, autori
me mjeshtëri e transfiguron realitetin në fiksion dhe këtë të fundit në
realitet. Kështu, ai e formësoi një univers artistik, që shquhet përbrenda
letërsisë shqipe, për poetikën karakteristike: si tipologji estetike dhe semantike.
...
Lexim
i letërsisë është akt personal dhe subjektiv, por që nxitet nga disa faktorë të
ndryshëm, të cilët mund të jenë subjektivë dhe objektivë. Por, gjithashtu,
secili lexim i letërsisë, ushqehet nga disa premisa, që mund të jenë letrare,
kulturore, gjuhësore, politike dhe idenitare. Unë letërsinë e Kadaresë e kam
lexuar dhe e lexoj për një sërë arsyesh, dhe për këtë rast, dua t’ i veçoj
katër:
E
para: Letërsia e tij më tërheq, më magjeps, pra, m’i përmbush kërkesat
artistike- ato që lidhen me kënaqësinë e leximit. Kjo për faktin se,
dimensioni i saj estetik është i
fuqishëm, i përhershëm dhe kumbues. Arti i tij ka fuqi t’i çlirojë lexuesit nga
makthet dhe klishetë e ndryshme, dhe të hapë para tyre horizonte të reja, për
t’i parë, matanë ferrit bukuritë dhe mrekullitë e jetës.
Kadareja,
me artin e tij, ka treguar se letërsia ka fuqi t’i çlirojë njerëzit nga
“dalldisjet dilirante” (Harold Bloom), dhe t’i shpie kah imagjinata, e bukura
dhe e përhershmja.
E
dyta: Letërsia e Kadaresë, në kohën kur në Kosovë përjetonim terror politik,
ishte një njëlloj pararojë nga murtaja e gjuhës dhe vrushkujt e pushtetit, që
na godisnin pamëshirshëm. Vepra e tij, ndikoi që t’i mbanim të ndezura shpresat,
se përtej mizorisë politike, një ditë do të triumfojë e drejta, pra liria, si
imanencë njerëzore dhe nevojë ekzistenciale.
E
treta: Letërsia e Kadaresë më ka bërë të ndihem krenar në raport me boten e
madhe të letërsisë, atë republikën letrare, ku nuk hyhet lehtësisht, famën e së
cilës e kam provuar nëpër shumë kryeqendra të botës.
E
katërta: Letërsia e Kadaresë, për mua, është balsam për kombin dhe gjuhën,
është kalcium për lirinë dhe shkollë që rrit imunitetin kundër robërisë. Po,
veprën e tij e çmoj si kalcium kombëtar, sidomos në aporinë e debateve të
pafund rreth identitetit kulturor të shqiptarëve, në kohën kur, si asnjëherë më
parë, në skenë janë shfaqë dofarë karagjozësh që shkruajnë dhe flasin me
përbuze për identitetin dhe kulturën shqiptare. Në këtë tollovi, vepra e tij,
ka shkëlqyer, duke treguar qartësisht identitetin tonë kulturor. Si vepër e
madhe, ajo ka tagër e fuqi, që ta injektojë lexuesin me forcë e besim te ky
identitet dhe te vlera e tij europian. Pikërisht, duke e njohur dhe pranuar
këtë vlerë të epërme të veprës së tij, At
Zef Pllumi shkroi: “Historia jonë është një histori llogoret e sot
me i madhi luftëtar në mbrojtje të
kulturës, identitetit dhe integrimit europian të shqiptarëve, është Ismail
Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore.”
Kadareja,
tanimë është monument letrar i pranuar dhe i vlerësuar universalisht. Prandaj,
ta nderosh veprën e tij, domethënë të kesh vetëdije të lartë qytetëruese, të
kesh ndërgjegje kulturore dhe të arrish të kuptosh përmasën artistike të një
universi të magjishëm letrare.
Gjatë
një ligjëratën të mbajtur në Munih, më1992, Kadareja pyeste: “A i është dashur
letërsia botës? Sot, në një ditë “In Honorem Ismail Kadare”, vepra e tij tregon
bindshëm se letërsia për njerëzimin është e domosdoshme, për arsye të pafundme,
mbi të gjitha, për ta kuptuar njeriun dhe ekzistencën e tij.
(Pjesë
nga teksti im i lexuar në konferencën", “Primissimus inter pares - In
Honorem Ismail Kadare”, të organizuar nga Universiteti i Tiranës, Departamenti
i Letërsisë, më 11 nëntor 2016, Tiranë)